Sunday, February 27, 2011

Dita e Parë e Lirisë

botuar te Shekulli, e dielë, 27 shkurt 2011

Në një karikaturë anarkiste që gërmova diku në web paraqitej një tufë delesh. Delet mendojnë se janë të lira, meqë secila prej tyre është e lirë të votojë për bariun që do. Ajo çfarë delet nuk kuptojnë, është se në mënyrë djallëzore u kanë hequr të drejtën për të votuar një dele tjetër.

Sistemi ynë politik, me shumë pak ndryshime është i ngjashëm me këtë karikaturë. Ne jemi delet që votojmë prej 70 vjetësh të njëjtit barinj. 1..., 2..., 3..., 4 barinj në total, në 70 vjet.
4-5 barinj, dhe një tufë qensh ndihmës.

Asnjë dele nuk ngjitet dot falë aftësive të veta në këtë piramidë.
Edhe kur disa të rinj ngjiten në hierarkinë e sistemit, ndodh: ose se kanë parë bariun duke shtypur me makinë një dele, ose se janë gati marrin përsipër të urdhërojnë vrasjen e deleve për llogari të bariut, ose se e kanë ndihmuar bariun për tu bërë i pasur familjarisht. Një pjesë e mirë e të rinjve në politikë sot, janë të bijtë e dikujt, që i ka shërbyer njërit bari apo tjetrit këto 70 vjet. Mjafton të gjurmoni kush është i ati ose e ëma e “gjakut të ri” të politikës.
Por, kjo nuk del kurrë në lajme, as në TV.

Këtë, nuk ka nevojë t’ua them unë. Ata që rropaten përditë për të bërë përpara me ndershmëri ose me aftësitë e veta në këtë sistem, e dinë sa e vështirë është kur je një nga delet.

Pyetja që më intrigon, është, si ia arrijnë ta bëjnë këtë?
Si arrijnë të na bëjnë të besojmë këtë?

Barinjtë, kanë ndërtuar një sistem që na përpunon të djeshmen, të sotmen e të nesërmen, sipas nevojës së tyre. Ata, na bëjnë ne të besojmë atë që duam nëpërmjet 2 mjeteve më të mëdha nga na vjen informacioni e që janë dhe dy kudhrat më të mëdha moderne të shtypjes: shkolla dhe televizioni.

DELET SHKOJNË NË SHKOLLË

Në karikaturën që ju thashë, delet besojnë se janë të lira. Besojnë se janë të lira, sepse, ashtu ua kanë mësuar në shkollë.

Unë vij nga shkollat e Enverit, ku më mësuan se isha i lirë. Më është dashur shumë mund përgjatë viteve të pastrohem disi. Por, mbeturina informacionesh që më kanë mbrujtur me një histori të gënjeshtërt të Shqipërisë, e madje të krejt njerëzimit, janë akoma brenda meje.

Historia, në një farë mënyre është një iluzion, sepse ne nuk kemi jetuar vetë për ta ditur ç’ka ndodhur. Ne besojmë “faktet” që na i servirin librat e shkollës ose studiuesit. Prandaj e shkuara ndryshon vazhdimisht. Njerëz që nuk kemi si i verifikojmë mund të fusin “pak” duart e të ndryshojnë ndonjë detaj mbi të shkuarën. Është si një Party, ku vetëm delet nuk janë të ftuara.
Në “partyn” e përmbysjes së diktaturës, mungonin kryesisht ata që vërtet e përmbysën diktaturën. Por, edhe ata po sfumohen. Pas shumë vitesh, do kujtojmë se diktaturën e ka përmbysur Henri Çili.

Pas shumë vitesh, do besojmë se Gërdeci, ishte një fabrikë këpucësh, ku disa punëtorë të pakujdeshëm dogjën fabrikën duke bërë kafe turke me gazaqe.

Iluzioni ynë mbi historinë ndryshohet vazhdimisht, prej falangave të kompetentëve që shkruajnë librat e historisë ose dalin në TV.
Psh., librin e Shmidit mbi Skënderbeun e kundërshtuan me egërsi sidomos ata që as e kishin lexuar atë ose ata që nuk janë kompetentë të fushës. Historinë e shkruajnë barinjtë, ata që kanë në dorë një kërrabë, jo një libër.

Ndërsa ne tjerrim fjalë, sistemi arsimor, po përpunon breza të rinjsh si një fabrikë parafabrikatesh. Mjafton të lexosh Historinë e Pupullit Shqiptar të klasës së 12 (miratuar nga Ministria e Arsimit) që akoma shkruhet me frymë marksiste dhe ku lavdërohet lideri i madh që na solli lirinë e demokracinë, Sali Berisha.
“... më 2001, vendin e përfshiu një valë e paparë korrupsioni, trafiku dhe një gjendje e madhe pasigurie, ndonëse Shqipëria kishte filluar rrugën drejt NATO-s dhe MSA për në BE. Ekonomia ecte ngadalë. Biznesi nuk ecte me hapat e duhur... Kjo gjendje solli që në zgjedhjet e vitit 2005 të fitonte PD dhe të vinte sërish në pushtet Sali Berisha, i cili me projektet për luftën antikorrupsion, me flamurin e luftës kundër krimit të organizuar dhe me një program për zhvillimin e shpejtë ekonomik çeli një epokë të re zhvillimi për vendin tonë...”

Njeriu është qenie politike. Perceptimi ynë politik është i lidhur me historinë. Historia, është ajo që na mësojnë në shkollë. Sistemin arsimor e kanë në dorë barinjtë.

Atëherë të mos shkojmë në shkollë? Apo të marrim 10-a në Matematikë e 4-a në Histori?
Sistemi i ka marrë masat dhe për këtë. Ne mund ët mos shkojmë në shkollë, por, ne kaojmë orë të tëra para TV.

DELET, SHOHIN TV

Kam dëgjuar njerëz që besojnë se video Prifti-Meta ishte e montuar. Dhe jo njerëz të thjeshtë, por deri dhe artistë.
Ky është shembulli sesi një e vërtetë e dukshme dhe e parë drejtpërdrejt me zë e figurë, mund të deformohet nga sistemi mediatik në shërbim të bariut.
Ne nuk kemi akses të menjëhershëm në ngjarjet që ndodhin, përveçse mes mediave, ku pjesën e luanit në informim e zë TV.

Delet shohin TV? Atëherë, do shohin në TV atë të vërtetë që duam ne.

E vërteta është që publiku manipulohet përmes medias në favor të klasës sunduese. Noam Chomsky thotë se klasa sunduese këtë e realizon përmes interpretimeve mashtruese, përmes përzgjedhjes së lajmeve, duke dhënë vetëm lajme që ilustrojnë qëllimin e tyre e duke heshtur për të tjerat, ose dhe thjesht përmes gënjeshtrës së pastër.

Sepse, delet shohin shumë TV. Dhe e kanë më kollaj të besojnë çirakët e Bariut që gënjejnë duke thënë që me 28 Janar kishte 6 mijë vetë në shesh, sesa syve të tyre, që të tregonin pafundësinë e zezë në bulevardin e vakisë.

Armiku më i madh i yni, është arma e tyre më e fortë. TV. Dhe, televizioni nuk është si depot e 97-s, ku të gjithë mund të shkojmë e të marrim nga një kallash. TV, është i tyri, dhe arma e vërtetë nuk janë antenat, por njerëzit e shitur që u shërbejnë barinjve. Delet, që kujtojnë se nuk janë dele.

Dhe nuk është vetëm TV. Është një sistem i tërë mediatik, që na shoqëron që të vegjël, derisa arrijmë moshën për votim, derisa bëjhemi prindër, e derisa i edukojmë fëmijët ashtu siç sistemi na ka përpunuar.

THE TRUMAN SHOW

Herë pas here, qëllon që rrugët janë të boshatisura, sepse njerëzit janë brenda duke parë një program TV. Programi mund të jetë shumë i dyshimtë në cilësi, por, qëllon që është një show që i tëreqh të gjithë.
Kjo, më tremb.
Fakti që një show ka fuqinë ti ulë njerëzit si me “komandë” para TV dhe të lenë çdo punë tjetër tregon që nuk jemi ne që komandojmë telekomandën. Është TV që na komandon përmes telekomandës që ne mbajmë në dorë. Dhe kur them TV, e kam fjalën për ata që financojnë dhe drejtojnë TV, dhe përmes saj, mënyrën sesi ne informohemi.

Ka njerëz, që kalojnë tërë kohën e lirë para TV.
Ka njerëz, që besojnë çdo gjë që thuhet në TV.
Ka njerëz, që nuk dalin të blejnë ushqimet, sepse nuk duan të humbin një program në TV.
Ka njerëz, që bëhen të famshëm vetëm se kruajnë hundën 3 muaj rresht në TV.
Ka njerëz, që luftën që ndodh jashtë dritare së tyre, preferojnë ta shohin më mirë në TV.

Korruptimi nga pushteti, është i pashmangshëm, sidomos në shoqëritë parademokratike si e jona. Sa më absolut pushteti, aq më i madh korruptimi. Falanga e shtetarëve të këtyre 20 viteve e ka treguar qartë këtë.
Për të mbrojtur pushtetin e korruptuar, historia duhet ndryshuar, njeriu, duhen mbajtur i hutuar me të tëra mjetet.
I duhen nxjerrë njerëz me gishtin në hundë, që ta mbajnë para ekranit 24 orë. I duhen nxjerrë balerina. I duhen nxjerrë gazetarë e analistë me rroba firmato. I duhet përsëritur gënjeshtra non stop, nga sa më shumë të deleguar të bariut.

Në kohët e sotme, ne pretendojmë që skllavëria është zhdukur, por ajo është bërë thjesht më e sofistikuar. Dhe, në pamje të parë, më “argëtuese”.
Ajo që ndodh vërtet, është që në kohët moderne historia manipulohet përmes TV. Historia, e djeshmja, e tashmja dhe e nesërmja.
“Zinxhirë të praruar ty kanë për të ofruar”.

FUNDI I LIRISË

Na kanë bërë të besojmë se jetojmë të lirë. Se Sali Berisha na solli vizat. Se Edi Rama ndryshoi Tiranën. Se jemi të lirë, se për hatër të mbrojtjes së Demokracisë e Lirisë sonë u vranë 4 vetë në bulevard, se policia është aty për të na mbrojtur, se ekonomia po lulëzon, se pa këta barinj, ne nuk mund të ekzistojmë.
Më e keqja, ata na bëjnë të besojmë se cilat janë ngjarjet e rëndësishme, dhe çfarë “mendojmë” ne për to, permes edicioneve të manipuluara e analistëve të shitur.
Dhe ndodh ajo që thotë Chomsky, që ata manipulojnë marrjen e miratimit tonë për çdo gjë që bëjnë, që nga plumbat kundër protestuesve e deri te buxheti i shtetit.
Televizori, është një mjet komunikimi me një krah. Vetëm vjen informacion, por nuk shkon. Vetëm na thonë atë që duan, por nuk na dëgjojnë kurrë.
Dita ime e parë e Lirisë, do jetë dita kur do të hedh televizorin tim nga ballkoni i katit të 3-të.

Sunday, February 20, 2011

MOS NA BËJ FILMA

botuar te Shekulli, 20 shkurt, e diel 2011

"Mos na bëj filma". Kjo shprehje në përdorim të gjerë na tregon 3 gjëra: Ne besojmë që filmat krijohen mbi "mashtrimin"; ne besojmë që filmi është një formë arti që kërkon të na manipulojë; dhe e fundit, ne nuk kemi pikë besimi tek ata që "bëjnë filma".
Ka ardhur koha që të paktën, kjo e fundit të ndryshojë.

Sipas Frankfurter Rundschau, filmi i Bujar Alimanit "Amnistia është një fillim i mirë për kinemanë shqiptare. Amnistia u shfaq premierë më 12 shkurt në Forumin e Berlinales (jashtë konkurimit). Unë e pashë "Amnistinë" e Bujar Alimanit dhe mendoj se ishte një film i mirë. Nuk është filmi që do të bëjë revolucion, po është padyshim një fillim i mirë për regjisorin dhe një shpresë për kinemanë tonë.
Të shfaqesh në Berlinale, edhe pse jo në konkurim, është fat i madh për filmin dhe për autorin.

MES FATIT, FUTJES ME MIK DHE TALENTIT

Është fat i madh, sepse "festivalet janë lotari" më thotë miqësisht editori i filmit turk "Bizim Byuk Çaresizligimiz" ("Dëshpërimi Ynë i Madh"). Pastaj më shpjegon, "Në festivale nuk i shoh kurrë filmat sepse shumica nuk vlejnë". Dhe qesh me mua që shoh nga 3 filma në ditë. Ai vetë shkon në 3 party në ditë.
Dhe, siç marr vesh në Festival ka thjesht një plan: këtë vit na duhet një film kilian, 2 argjentinas, 5 japonezë, 6 gjermanë, 2 çekë... po nguli këmbë dikush, do të marrin edhe 1 shqiptar. Nganjëherë producentët janë aq të fuqishëm, sa me një telefonatë janë në gjendje ta fusin filmin në atë festival ku bingoja nuk nxori numrin e tyre.
"Amnistinë" e kishin edituar (montuar) me ngut për 2 muaj, sepse u kishin thënë, shpejt, se do e çojmë në Berlin. Por, edhe pse e edituar me ngut (që ndjehej) ishte prapë një film i mirë.

AMNISTI PËR SA MË SHUMË VETË

"Amnistia" flet për Elsën nga Pogradeci (Luli Bitri) dhe Shpëtimin nga Tirana (Karafil Shena) që njihen e dashurohen ndërsa vizitojnë ajo burrin dhe ky të shoqen në burgun e Tiranës. Një herë në muaj, në të njëjtën ditë ata kanë të drejtën e një takimi seksual me bashkëshortët në burg. Pas takimit, ata kanë një takim me njëri-tjetrin. Drama arrin pikun, kur shpallet një Amnisti që do ti nxjerrë nga burgu në të njëjtën ditë, të dy bashkëshortët.
Unë e dua shumë këtë histori.
Filmi hapet me një sekuencë që mbart një imazh të fuqishëm: Elsa, e pushuar nga puna kalon në oborr pranë një rreshti të gjatë punëtorësh që presin të pushohen edhe ata. Hijet e tyre në dheun e fabrikës së tekstilit i ngjajnë një hekurudhe që pret trenin e fatit që të vijë ti shtypë.
Për fat të keq, nuk ka shumë të tjera si kjo në film.
Autori ka zgjedhur të na tregojë në plane të ngushta një Shqipëri të shëmtuar nga jashtë e nga brenda, mes patriarkalizmit e pornografisë, me njerëz në dëshpërim dhe në prag të depresionit, me seks pa pasion e me një gjeografi të asfiksuar.
Nuk dua të flas shumë për filmin sepse do dëshiroja ta bëja kur filmi të dalë në kinema(t/n)ë shqiptare, por mendoj që vlen të përgëzohet që autori që ka riskuar duke rikthyer në filmin shqip (ka luajtur tashmë në Greqi) Karafil Shenën ("Dy herë Mat" - polici shahist) dhe Todi Llupin (Estrada e Fierit, njëri nga 2 aktorët e minikomedisë kult "Të na trashëgohesh Malo"). Barrën kryesore regjisori/skenarist e kish lëshuar mbi Luli Bitrin, edhe ajo me disa produksione të kohëve të fundit në shpinë, e që mendoj se e mbajti me mjaft sukses. Pas premierës, regjisori (ndoshta prej emocionit) e pa të arsyeshme të thoshte për publikun në sallë (që fliste kryesisht shqip e greqisht, meqë ky ishte një produksion greko-franko-shqiptar) se ai e kish bëër filmin me aktorë që nuk janë "star" në vendin e tyre. Eventualisht, konferenca për shtyp shkoi e tëra me aktorët që përpiqeshin të sqaronin në mikrofon nëse ishin starë apo jo. Todi Llupi, me të drejtë pretendoi se është star... të paktën në fushën e komedisë.
Filmi, mendoj që është një hap i mirë për regjisorin dhe për kinemanë tonë të varfër (në para e produkte).

Ajo çfarë më shqetëson, është se mos Alimani bie në kurthin tashmë 20 vjeçar të kinemasë shqiptare, që tenton të bëjë eksperimente në film. Tek "Amnistia" Alimani ka zgjedhur që filmi të ketë shumë pak dialog dhe të jetë pa muzikë.
Mua më pëlqen zgjidhja e dialogut të pakët, këta njerëz ndoshta nuk kanë shumë për të thënë, por unë nuk besoj që ndonjë nga këto 2 elementë quhet eksperiment, e aq më pak risi. Filmi japonez "Kozoku X" (2010) i shfaqur po në Forumin e Bienales ishte po ashtu pa muzikë e pa dialog dhe trajtonte po një dramë çifti. Edhe mos shfaqja kurrë me fytyrë e bashkëshortëve në burg, është bërë një herë tek "In the Mood For Love" të Won Kar Wai-t (2000).
Pra, këto "eksperimente" nuk do t'i japin dot Alimanit një zë unik në kinemanë e botës. Madje, mendoj që ato (mungesa e dialogut dhe muzikës) e dobësuan forcën e filmit dhe e vunë në rrezik atë. Për fat, filmi mbeti në ekuilibër duke sjellë një dramë të fortë njerëzore me një skenar të qepur mjaft mirë.

Alimani jep shpresë që në kinemanë shqiptare do fillojë një erë e re, një erë që nuk duhet të jetë eksperimentale, por thjesht një kinema e vërtetë. Një kinema, ku filmin e vlerëson i pari publiku dhe jo kritikët rakitikë të festivaleve. Kur them e vlerëson, nënkuptoj "e dashuron".

FILMAT E FESTIVALEVE

Hajt të bëjmë një film për festival.
Kjo është shndërruar dalëngadalë në sëmundjen e kineastëve të tërë globit. "Film për festival" do të thotë që vetëm fakti që e kanë pranuar aty do i hapë autorit mjaft rrugë. Ndërsa vetë filmin, siç thoshte miku im editor turk, pak vetë do e shohin.
Në të vërtetë, "hajt bëjmë një film për festival" nga shumë artistë është kuptuar si "hajt t'ia veshim si të na vijë, se film eksperimental është". Të tërë duan të bëhen unikë e të veçantë që me filmin e parë. Kjo është një sëmundje që ka kapur edhe shumë kineastë shqiptarë të cilën kanë harruar që filmi bëhet për të kënaqur në rradhë të parë publikun, dhe jo për masturbim reciprok me një rreth të ngushtë "kompetentësh". Prandaj të ashtuquajturit "filma për festival" nuk shihen dot më shumë se 1 herë. Madje, në Berlinalen e këtij viti në shumë filma njerëzit braktisën kinemanë duke lënë brenda vetëm farefisin e autorit e të aktorëve ose njerëz që donin një vend të ngrohtë për të fjetur, të lodhur nga party-t e një nate më parë.
Kësisoj, maqedonasi Milcho Manchewski kishte shkatërruar një film që mund të kishte qenë i jashtëzakonshëm po të mos ishte për maninë e regjisorit që t'i "shokonte" kolegët me një film "eksperimental". "Majki" i tij, në garë për Ariun e Artë, kishte një gjysëm të parë të mrekullueshme, e një gjysëm të dytë llahtarisht të shëmtuar. Kjo e detyroi regjisorin që në konferencë për shtyp të shpjegonte gjatë se çfarë kishte dashur të thoshte në vepër. Një film, ku regjisori detyrohet të dalë për të shpjeguar kuptimin, nuk është më film. Përndryshe për të parë filmin duhet ta ftosh autorin e tij në shtëpi për darkë. Një film i mirë, nuk ka nevojë për shpjegime.

Të tilla dështime eksperimentale Berlinalja kishte plot, në garë ose jo, që nga debuti si regjisor i Ralph Fiennes me "Corilanius", tek braziliani "Os residentes", e deri tek i shumëprituri "The Future" i Miranda July.

Kjo mani, për të bërë filma medemek "autor" ka bërë që edhe kinemaja shqiptare të mbesë pa asnjë identitet të vetin. Po të pyesësh njerëzit e zakonshëm për një film shqiptar të pas komunizmit, maksimumi mbajnë mend "Vdekja e Kalit" të bërë para 20 vjetësh.
Ne, nuk e kemi luksin që të financojmë filma eksperimentalë. Ne na duhet një kinema e sinqertë, që tregon histori të besueshme e që e mbërthejnë publikun. Ne na duhen filma që të tregojnë jetën e vërtetë.

Në kushtet kur kinemaja shqiptare ka prodhuar 14 filma në 20 vitet e fundit, më duket e pavend që të tentojmë të impresionojmë botën e kinemasë me "eksperimente" filmike.
Eksperimentet në kinema i kryejnë vendet si ShBA, Franca, Gjermania apo Japonia që prodhojnë disa qindra filma në vit dhe që kanë shkolla të forta kinemaje. Ata kanë luksin që krahas kinemasë për publikun, të sponsorizojnë edhe eksperimente, për të kërkuar rrugë e mënyra të reja shprehjeje. Por, as ne e as bota nuk pret e as nuk do që Shqipëria të nxjerrë një David Lynch.

BERLINALJA IME

Në pamundësi për të njohur David Lynch, në ditët e Berlinales ke mundësi të njohësh atë që ka qenë në krevat me të, kryetaren e Jurisë së Berlinales, Isabella Rosellinin. E bija e një prej regjisorëve mit të Nouvelle vague, Roberto Rosellinit dhe e Ingrid Bergman, ajo ka sharmin e prindërve dhe klasin e burrave të saj, Scorcesses, Gary Oldman, David Lynch... "David Lynch, thotë ajo, nuk kërkon që ti t'i kuptosh filmat e tij, madje ai as nuk do që ti t'i kuptosh ata."

Bashkë me Rosellinin, Berlini gëlon nga njerëzit e kinemasë. Wim Wenders garon me filmin e tij të fundit, "Pina", në 3D. Antonio Albanese vjen me një komedi shumë të mirë (luan) "Qualunquemente" ("Sidoqoftësisht") e që ngjan shumë shqiptare.
Aty garon dhe një film amerikan (paratë, regjia, stafi teknik) me temë shqiptare (aktorët), "The Forgiveness of Blood" ("Falja e Gjakut") i Joshua Marston.

Vetë festivali i Berlinit vlen më shumë për kontaktet që krijon me ata 20 mijë kineastët që e
vizitojnë gjatë ditëve të festivalit, me 350 talentet e me 4 mijë gazetarët e pranishëm.
Ti hyn në apartamentin tënd, që prapë kushton më lirë se një dhomë në Dhërmi, dhe në mur ka një fotografi të Leninit. Diku ka një rrugë e shesh me emrin Karl Marks, asnjë ndërtesë e komunizmit nuk është prishur, sado e shëmtuar, sepse ato janë pjesë e historisë. Në Berlin njerëzit ecin me biçikleta në mes të të ftohtit dhe qyteti vlon nga muzika elektro, për herë të parë pas kaq vitesh gjeta dhe një mega-party Goa.

Berlini vetë është një magji perëndimore me aromë lindore. Në Aleksandërplatz ti mund të ndjesh akoma madhështinë e perandorisë së vjetër të Traktatit të Varshavës, në Friedrichstrasse Palast ti mund të ndjesh çdo të thotë të shohësh film në një kinema me 2 kate me një ekran të madh sa Faqja e Parlamentit tonë. Tingulli është i pastër kristal, te hyrja ka garderobë, ekrani nuk bëhet me kuadrate nga DVD-ja që luhet në regji, 1 mijë njerëz, dhe askush që ha kokoshka. Aty njeriu kupton që të shijosh një film duhet që të mos ndjehesh si mes lopëve, që vetëm përtypen në një stallë.
Nuk dua të dukem sikur "bëj moral" meqë medemek paskam qenë në Berlinale, por unë nuk do arrij të komunikoj dot me ju për filmin nëse nuk biem dakort për 2 kolonat e mëdha të kinemasë: kokoshkat hahen në pushim të filmit dhe një film mbaron vetëm kur kanë mbaruar titrat në ekran, jo më parë.

Sunday, February 13, 2011

Toni Montana jeton në Shqipëri

botuar te Shekulli, e dielë, dt 13 shkurt 2011

Duke parë adresarin gjeta që në Shqipëri ka nja 56 Rambo, nja 35 Roki, vetëm 2 Hitlerë, pafund Enverë dhe 1 Toni Montana. Pardon, jo me emër Toni e mbiemër Montana, por me emrin Tonimontana!
E pra, në një vend si Shqipëria ka vend për të bashkëjetuar 56 Rambot, 35 Rokit, 2 Hitlerët dhe Tonimontana. Të gjithë këta kanë të përbashkët pasionin për televizorin.

Shqipëria e parë nga Fevziu

Ne jemi populli që ka shpikur shprehjen "Mos na shit mend". Ndërsa në botë gjëja që paguhet më shumë janë mendtë, ne e kemi për ofezë të lartë kur dikush ofron të shesë mendjen e tij. Madje tek ne ka kaq shumë mend, sa bursa ka rënë, kërkesa është e vogël aq sa të tërë ti japin mendtë dhe falas, tashmë.
Ndryshimi i vogël yni me botën, është se ajo që bota paguan, janë mendtë e profesionistëve. Tek ne, zëri i atyre pak profesionistëve që kanë mbetur humbet në turmën e madhe që bën kompetentin falas.
Para pak ditësh, në një program TV një tufë artistësh bënin kompetencë "profesionale" se kush i vrau ata të 4 në bulevard. Artistët, ata që nuk arrijnë të mbledhin as 10 njerëz në shfaqjet e tyre, dalin tashmë kompetentë aty ku dhe Prokuroria pret të vijë një Ranger nga Teksasi për të bërë kompetentin.
Sigurisht, gjithë kjo mjegullnajë televizive e krijuar këto kohë ka vetëm një qëllim: ta hutojë publikun, ta shkërmoqë të vërtetën në 100 variante, ta bëjë publikun të merret me fjalë, me sa më shumë fjalë. Fundja qeni që leh, nuk të ha.
Prandaj ne nuk jemi dot egjiptianë. Jemi shumë kompetentë. Dhe, kemi qejf vetëm të flasim. Flasim aq shumë, sa ua kemi hequr vlerën fjalëve.

Shqipëria e parë nga Alket Islami

Gjëja e parë që vë re kur ngrihesh në ajër në Rinas, është kaosi poshtë.
Nga tërë vendet për ku kam pasur rastin të fluturoj, akoma nuk kam parë nga sipër një vend më të çoraganizuar e më çrregullt se vendi im.
Shtëpitë, parcelat, rrugët, çdo gjë është kaotike, abuzive, joharmonike, e ndërtuar kuturu e pa plan. Jo më kot gjendemi në një krizë ku opozita është kaotike, shteti është abuziv, drejtësia është e shtrembër (le më harmonike), e ku Aleksandër Gjoka nuk fiton e as ka për të fituar kurrë një festival.
E vetmja gjë që shkon drejt (të paktën nga shtylla në shtyllë) janë telat. Sepse, për fat të mirë, ata që shpikën elektrikun nuk na kanë lënë alternativë për ti shtrirë telat shtrembër. E vetmja gjë që na kanë lënë në dorë të bëjmë është vendosja e shtyllave.
Prandaj në rrugët tona gjen shtylla me një këmbë në mes të rrugës, apo në Bulevardin Zogu i Parë kalojnë linjat e tensionit të lartë, të cilat po kontribuojnë dukshëm në krijimin e një gjenerate tullacësh.
Ata mund të kenë shpikur demokracinë me fije të drejta, po shtyllat dimë ne se ku i ngulim.

Shqipëria me pamje nga bregu i Lumit

Lumi jonë është Lana. Një kanal mbeturinash, që prapë është pjesa më e gjelbëruar e qytetit. Mbase nuk do të ishte aq i gjelbëruar, nëse ne nuk do ishim aq plehërues si qytet. Shteti mund ta spërkasë me kanellë Lanën, qoftë dhe për karshillëk ndaj Kryetarit të Bashkisë, por nuk i ka vajtur mendja akoma të bëjë një VKM për të porositur kanellë nga Serbia. Pse nga Serbia? Se e kanë kanellën e mirë. Kështu mendojnë në qeveri.
Ky kanal, është, gjëja më e gjelbër në Tiranën e kryetarit të Bashkisë me 18 m2 beton për frymë njeriu e 2m2 gjelbërim.
Anash Lanës kanë vënë edhe stola ku nuk ulet kush. Për të mbërritur te stolat e Lanës duhet të bësh sigurimin e jetës më parë, sepse të kapërcesh rrugën e Unazës ëshët si të kapërcesh nga Qiproja turke në atë greke.
Buzë Lanës kanë vënë stola. Bukur. Edhe pse, nuk ka më shans të shohësh më një perëndim dielli nga Lana apo të shohësh të famshmen skyline, sepse nk të lenë ndërtimet. Por prapë, bukur. Stola në Lanë. Sa do i ish bërë qejfi Agim Qirjaqit. Vetëm se ai që i ka vënë stolat ika vënë si për veten e vet. I ka vënë me pamje nga makinat, me pamje nga pluhuri e nga shëmtia e ndërtimeve.
Sepse, ai që i ka vënë ato stola, me pafajësi ka menduar që sporti i preferuar i Shqiptarëve është të shohin kush po kalon e në cilën makinë po kalon, sesa të shohin ca shkurre gjithsesi të gjelbra.

Shqipëria e parë nga Gërdeci

Ne kemi ngritur një sistem ku teorikisht jemi të tërë të barabartë. Por, siç e ka pasë parashikuar dekada më parë Orwell, këtu ka disa që janë "më të barabartë se të tjerët". Blendi Kajsiu shkruante para ca ditësh që pafajësia për tërë fajtorët realë të Gërdecit është shpërthimi i dytë i tij. Madje, njëri është dhe ministër. Në tërë këtë zallamahi që ndodhi këtë janar Ministri i Gërdecit nuk ndihet. Jemi ne, fundja, që kemi shpikur formulën: "Po ai përshesh me kos po ha". Gërdeci është sinonimi i harresës. Ne, harrojmë shumë. Na bombardojnë aq shumë me mostruozitete që do kishin hedhur në erë çdo shtet evropian, sa tashmë ato fshijnë nëra tjetrën.
Del një video komprometuese? Presim tjetrën. Jemi shndrruar në një popull kurioz. Çfarë do jetë ajo videoja tjetër e Priftit?
Në këtë vend ngjarjet tragjike na vijnë njëra pas tjetrës, sa nuk kemi më kohë për tu habitur.
Duke u habitur e kemi harruar Gërdecin.
Ne,jemi një popull që harrojmë shumë. Prandaj është shumë kollaj të na sundosh.
Shqipëria e Tonimontanës
Në një vend si ky i yni, e vetmja gjë që mund të bëjë njeriu është që pafuqinë e vet të përpiqet t'ia heqë fëmijës. Thonë se ti je emri që ke.
Prandaj fëmijët tanë kanë emrat Roki, Rambo apo dhe Hitler. Janë ëndrrat e prindërve që ata të bëhen më të fuqishëm se prindërit e tyre e t'u tregojnë të tjerëve se ç'janë në gjendje të bëjnë.
Prandaj ka dhe shqiptarë me emrin Tonimontana. Në një shoqëri ku disa janë më të barabartë se të tjerët, e vetmja formë që të marrësh atë që të takon është si Toni Montana te "Scarface". Madje, edhe pa e pasë emrin Tonimontana.
Gërdeci, e ka treguar këtë.

Monday, February 7, 2011

KALAMAJ TË RINJ NË BLLOK

Botuar te Shekulli, e dielë, dt 6 shkurt 2011

Ju kujtohen New Kids On The Block? Nëse po, do të thotë që jeni mbi 32 vjeç dhe kujtesa juaj ka ruajtur gjëra krejtësisht të panevojshme.
Por, fenomeni i New Kids On the Block ka elementë politikë që ne i shohim prej vitesh në ekran. Prandaj, për ata që janë nën 35 vjeç ose që kanë një harresë të bekuar, mund tu rikujtoj diçka shkurt për “New Kids on the Block” (N.K.O.T.B.) që në shqip mund të përkthehej “Kalamaj të Rinj Në Bllok (lagje)”.
NKOTB janë një boyband amerikane, me një muzikë që i ngjan sultiaçit të kopshteve të Enverit e që vetëm i sëmurte fëmijët, kaq i pangrënshëm ishte, por që arritën një sukses komercial të jashtëzakonshëm për nja 3-4 vjet, dhe që më pas u zhdukën në hiç.

Politika jonë, ka nxjerrë për efekt komercial herë pas here New Kids On The Block - kalamaj të rinj në bllokun e politikës.
Njësoj si grupi që ju fola ata patën një sukses të madh komercial në fillim, u përdorën për të na shitur neve imazhin e një muzike të re, të disa të rinjve të talentuar, dhe vetëm pas pak vitesh, njësoj si NKOTB, doli që këta kalamajtë e rinj “gjeni” nuk këndonin vetë, që muzika e tyre ishte pa shije (doli shumë shpejt nga moda), që ishin me vese, dhe mbi të gjitha ata ishin thjesht ca kalamaj -kukulla të përpunuar nga një manaxher i zgjuar për të vjedhur admirimin dhe paratë publikut të thjeshtë.

Kalamajtë e Rinj në Politikë u përdorën për të marrë pushtetin. Kalamaj të tjerë po përgatiten në Akademi. Është një fabrikë e tërë që prodhon (për të tërë krahët politikë) kukulla të reja me kurdisje. Por, është një fabrikë kineze. Kukullat, janë me defekt.

LIPSYNC

Akuza e parë e madhe që i dëmtoi NKOTB ishte që ata nuk këndojnë vetë live, që vetëm lëvizin buzët. Amerikanët e quajnë “lipsync”.
Kalamajtë e Rinj të Bllokut të Politikës prej kohësh nuk artikulojnë asgjë të vetën. Ata vetëm lëvizin buzët me një CD të luajtur në regji.
Mua më vjen turp, të dëgjoj nga njerëz që pritet të jenë të përgjegjshëm për çdo gjë deklaratë të tyre publike të përsërisin absurditete në ekran për stilolapsa-pistoletë apo çadra-kallashnikov.

Unë e kuptoj manaxherin e madh të Kalamajve të Rinj në Bllokun e Politikës, që nuk njeh formë tjetër të të bërit muzikë. Për aq pak kohë politike sa mund ti ketë mbetur atij vetë, sigurisht që nuk ka as nevojë e as dëshirë të rinovohet në një standart tjetër muzikor.
Por, unë nuk kuptoj Kalamajtë e Rinj, ata që teorikisht janë vetëm në fillimin e jetës së tyre politike, pse e bëjnë tërë këtë. Pse, krijojnë këtë model maoist të të artikuluarit politik.

I shoh në ekran modelet e djeshme të frymës së re sesi shpërfaqen agresivë deri në kufinjtë e histerisë, sesi gënjejnë deri sa bëjnë me turp edhe atë që po i dëgjon, por pa u skuqur fare vetë, sesi përgjatë këtyre viteve, emri i tyre dilte herë pas here në media i shoqëruar me lloj-lloj hesapesh e pazaresh nga më banalet, dhe pyes veten pse.

OOPS, I DID IT AGAIN

Edhe muzika më e shëmtuar, si p.sh. këngët e Britney Spears, po ta vunë në vesh nga 10 herë në ditë të mbetet në mendje. Njeriu e kap veten duke kënduar një melodi që nuk i ka pëlqyer kurrë, vetëm ngaqë e dëgjon kudo që shkon. Ky është krimbi për të cilin paguhet media që të na e mbjellë në tru.
Mbjellja e melodisë-krimb bëhet më funksionale kur muzikën e shëmtuar e këndojnë ata që do duhej të ishin Kalamajtë e Rinj në Bllokun e Politikës.

Ajo që më vret, është fakti që ata vetë e dinë çfarë thonë, por thjesht nuk u bëhet vonë.
Ata, kujtojnë se jemi të gjithë si ata fakirët në fshatrat e mjeruar nga varfëria të Shkodrës që ngrinin dy gishta lart sapo shihnin kamerat, edhe kur ishin me ujin te goja. Jo thjesht kujtojnë. Ata janë të bindur që ne të gjithë, ne që jemi pa dëshirën tonë në këtë koncert pa shije, “ashtu e duam”.

Në një vend KU NDODH GËRDECI E ASKUSH NUK DËNOHET, ata e dinë që askush nuk do të dënohet më, aq më tepër për ca gënjeshtra në ekran. Ky është standarti që ata e gjetën të ngritur në politikë, dhe nuk kanë asnjë interes ta ndryshojnë.
Ata janë një boyband i dashuruar jo me muzikën, por me paranë e suksesin.

Ka kohë që Kalamajtë e Rinj të Bllokut të Politikës janë mbërthyer nga deliri i madhështisë dhe kujtojnë se janë më të mirë se tërë ne.
Arsyet që atyre nuk u bëhet vonë nëse tërë shoqëria shqiptare është në depresion janë të shumta, duke nisur që nga kompleksi i pabuksit që bëhet zengjin shumë shpejt e që harron nga vjen; që nga shkolla politike shqiptare që po hipe në kalë, mos zbrit më që andej; që nga posulati i Teodor Kekos: “në një gjellë që s’e ha unë, akoma nuk ka rënë miu brenda” e deri te kompleksi i pasqyrës së shtrigës: “pasqyrë moj pasqyrë, a jam unë më e bukura e botës”.

E vërteta është se Kalamajtë e Rinj në Bllokun e Politikës nuk kanë qenë kurrë aq të talentuar, aq vizionarë e aq të pastër sa ç’kujtonim ne në koncertet e tyre të para. Ne që shpresojmë se dikur, një boyband i ri në politikë do të sjellë një muzikë të re e bashëkohore.
Ata, në fakt janë melodi e vjetër në kukulla të reja.

DRITË E RE PËRMES DRITAREVE TË VJETRA

Ata, kanë hyrë në formën e gabuar në politikë.
Kanë kapërcyer stadet shumë shpejt. Kanë shkolla të dyshimta. Kanë mastera, që s’dihet ku, si apo çfarë.
Disa janë të rekomanduar. Disa janë rastësisht. Disa janë thirrur me urgjencë nga jashtë shtetit. - Eja, se u bë deti kos. - Qesh pak! Ashtu! Ciak! – Ke marrë lugë me vete? Bravo! Shko zër rradhën se nuk ka për të gjithë.
Disa, nuk ia kishin e as ia kanë haberin administratës. Disa nuk ia kishin e as ia kanë haberin manaxhimit. Disa, nuk ia kanë haberin as kompjuterit. Dinë vetëm të bëjnë chat e të bëjnë para.

Shumica e tyre ishin të hollë e të kompleksuar, e ca pak prej tyre të pangrënë nga agjërimi i gjatë në opozitë. Tradita politike shqiptare e këtyre viteve nuk i pranon anoreksikët. Duhesh të jesh i shëndoshë e i pacipë. I shëndoshë, në kuptimin figurativ: i majmur në para e pushtet. - Ha, sa të mundesh se s’dihet për sa kohë jemi këtu.

Disa prej tyre, kanë qenë thjesht mediokër që dinë të buzëqeshin këndshëm para kamerave.

Megadeth tek “Promises” këndojnë: Unë vij nga një vend ku ata/ ti tërheqin rrëshqanë ëndrrat e tua në baltë/ sepse vetë ëndrrat e tyre janë të mbaruara.

REUNION

Paradoksi me New Kids On The Block, është që një manaxher i ri e i shkathët vendosi ti ribashkojë. Pse mos bëjmë prapë ca para, e ta gënjejmë për së dyti publikun?

Vetëm se tani ata janë Pleqtë e Rinj në Bllok, dhe publiku nuk mund të gënjehet më aq lehtë.

Në një vend si Shqipëria, ku njerëzit e mirë e të ndjeshëm sa ikin e më shumë jashtë, ku ata që shkollohen në Perëndim nuk duan të kthehen për të qeverisur mbi plehra toksike, është shumë e lehtë të riciklosh këdo.

Prandaj kalamajtë e rinj në bllokun e politikës mendojnë se mund të flasin e të bëjnë ç’të duan, të pandëshkueshëm.
Në rastin më të keq, dikush do bëjë për ta një Reunion-Ribashkim. Ne, duam s’duam jemi të detyruar të dëgjojmë koncertin e tyre nga e para. Ne për ta jemi akoma fëmijët që hanë sultiaçin e pangrënshëm të kopshteve të Enverit.

Gjëja që bëjnë më shpesh fëmijët, është që ti përplasin kukullat përtokë, ti shqelmojnë nën divan e të kërkojnë lodra të reja. Dhe, kukullat e lira kineze thyhen me të parën.

BILETAT E PASHITURA TË KONCERTEVE PA SHIJE

Si ishte ajo melodia-krimb që po na e përsëritën shpesh ne do fillojmë ta këndojmë me vete? Hëm... thoshte pak a shumë kështu: “Presidenti, Kryeprokurorja, Shish dhe Media kanë bërë puç për të hequr Kryeministrin”.
Unë kujtoja që kësaj nuk i thonë “puç”, por thjesht: “duam të të pushojmë nga puna!”

Aty ku u vranë 4 vetë në shesh duan të sjellin të këndojë Rihanja. Pse jo? Fundja, ne jemi fëmijët e kopshtit të Enverit dhe pasi na japin me zor sultiaçin e pangrënshëm duan të na heqin mendjen me Arushën Mira.