Botuar te Shekulli, e dielë, dt 6 shkurt 2011
Ju kujtohen New Kids On The Block? Nëse po, do të thotë që jeni mbi 32 vjeç dhe kujtesa juaj ka ruajtur gjëra krejtësisht të panevojshme.
Por, fenomeni i New Kids On the Block ka elementë politikë që ne i shohim prej vitesh në ekran. Prandaj, për ata që janë nën 35 vjeç ose që kanë një harresë të bekuar, mund tu rikujtoj diçka shkurt për “New Kids on the Block” (N.K.O.T.B.) që në shqip mund të përkthehej “Kalamaj të Rinj Në Bllok (lagje)”.
NKOTB janë një boyband amerikane, me një muzikë që i ngjan sultiaçit të kopshteve të Enverit e që vetëm i sëmurte fëmijët, kaq i pangrënshëm ishte, por që arritën një sukses komercial të jashtëzakonshëm për nja 3-4 vjet, dhe që më pas u zhdukën në hiç.
Politika jonë, ka nxjerrë për efekt komercial herë pas here New Kids On The Block - kalamaj të rinj në bllokun e politikës.
Njësoj si grupi që ju fola ata patën një sukses të madh komercial në fillim, u përdorën për të na shitur neve imazhin e një muzike të re, të disa të rinjve të talentuar, dhe vetëm pas pak vitesh, njësoj si NKOTB, doli që këta kalamajtë e rinj “gjeni” nuk këndonin vetë, që muzika e tyre ishte pa shije (doli shumë shpejt nga moda), që ishin me vese, dhe mbi të gjitha ata ishin thjesht ca kalamaj -kukulla të përpunuar nga një manaxher i zgjuar për të vjedhur admirimin dhe paratë publikut të thjeshtë.
Kalamajtë e Rinj në Politikë u përdorën për të marrë pushtetin. Kalamaj të tjerë po përgatiten në Akademi. Është një fabrikë e tërë që prodhon (për të tërë krahët politikë) kukulla të reja me kurdisje. Por, është një fabrikë kineze. Kukullat, janë me defekt.
LIPSYNC
Akuza e parë e madhe që i dëmtoi NKOTB ishte që ata nuk këndojnë vetë live, që vetëm lëvizin buzët. Amerikanët e quajnë “lipsync”.
Kalamajtë e Rinj të Bllokut të Politikës prej kohësh nuk artikulojnë asgjë të vetën. Ata vetëm lëvizin buzët me një CD të luajtur në regji.
Mua më vjen turp, të dëgjoj nga njerëz që pritet të jenë të përgjegjshëm për çdo gjë deklaratë të tyre publike të përsërisin absurditete në ekran për stilolapsa-pistoletë apo çadra-kallashnikov.
Unë e kuptoj manaxherin e madh të Kalamajve të Rinj në Bllokun e Politikës, që nuk njeh formë tjetër të të bërit muzikë. Për aq pak kohë politike sa mund ti ketë mbetur atij vetë, sigurisht që nuk ka as nevojë e as dëshirë të rinovohet në një standart tjetër muzikor.
Por, unë nuk kuptoj Kalamajtë e Rinj, ata që teorikisht janë vetëm në fillimin e jetës së tyre politike, pse e bëjnë tërë këtë. Pse, krijojnë këtë model maoist të të artikuluarit politik.
I shoh në ekran modelet e djeshme të frymës së re sesi shpërfaqen agresivë deri në kufinjtë e histerisë, sesi gënjejnë deri sa bëjnë me turp edhe atë që po i dëgjon, por pa u skuqur fare vetë, sesi përgjatë këtyre viteve, emri i tyre dilte herë pas here në media i shoqëruar me lloj-lloj hesapesh e pazaresh nga më banalet, dhe pyes veten pse.
OOPS, I DID IT AGAIN
Edhe muzika më e shëmtuar, si p.sh. këngët e Britney Spears, po ta vunë në vesh nga 10 herë në ditë të mbetet në mendje. Njeriu e kap veten duke kënduar një melodi që nuk i ka pëlqyer kurrë, vetëm ngaqë e dëgjon kudo që shkon. Ky është krimbi për të cilin paguhet media që të na e mbjellë në tru.
Mbjellja e melodisë-krimb bëhet më funksionale kur muzikën e shëmtuar e këndojnë ata që do duhej të ishin Kalamajtë e Rinj në Bllokun e Politikës.
Ajo që më vret, është fakti që ata vetë e dinë çfarë thonë, por thjesht nuk u bëhet vonë.
Ata, kujtojnë se jemi të gjithë si ata fakirët në fshatrat e mjeruar nga varfëria të Shkodrës që ngrinin dy gishta lart sapo shihnin kamerat, edhe kur ishin me ujin te goja. Jo thjesht kujtojnë. Ata janë të bindur që ne të gjithë, ne që jemi pa dëshirën tonë në këtë koncert pa shije, “ashtu e duam”.
Në një vend KU NDODH GËRDECI E ASKUSH NUK DËNOHET, ata e dinë që askush nuk do të dënohet më, aq më tepër për ca gënjeshtra në ekran. Ky është standarti që ata e gjetën të ngritur në politikë, dhe nuk kanë asnjë interes ta ndryshojnë.
Ata janë një boyband i dashuruar jo me muzikën, por me paranë e suksesin.
Ka kohë që Kalamajtë e Rinj të Bllokut të Politikës janë mbërthyer nga deliri i madhështisë dhe kujtojnë se janë më të mirë se tërë ne.
Arsyet që atyre nuk u bëhet vonë nëse tërë shoqëria shqiptare është në depresion janë të shumta, duke nisur që nga kompleksi i pabuksit që bëhet zengjin shumë shpejt e që harron nga vjen; që nga shkolla politike shqiptare që po hipe në kalë, mos zbrit më që andej; që nga posulati i Teodor Kekos: “në një gjellë që s’e ha unë, akoma nuk ka rënë miu brenda” e deri te kompleksi i pasqyrës së shtrigës: “pasqyrë moj pasqyrë, a jam unë më e bukura e botës”.
E vërteta është se Kalamajtë e Rinj në Bllokun e Politikës nuk kanë qenë kurrë aq të talentuar, aq vizionarë e aq të pastër sa ç’kujtonim ne në koncertet e tyre të para. Ne që shpresojmë se dikur, një boyband i ri në politikë do të sjellë një muzikë të re e bashëkohore.
Ata, në fakt janë melodi e vjetër në kukulla të reja.
DRITË E RE PËRMES DRITAREVE TË VJETRA
Ata, kanë hyrë në formën e gabuar në politikë.
Kanë kapërcyer stadet shumë shpejt. Kanë shkolla të dyshimta. Kanë mastera, që s’dihet ku, si apo çfarë.
Disa janë të rekomanduar. Disa janë rastësisht. Disa janë thirrur me urgjencë nga jashtë shtetit. - Eja, se u bë deti kos. - Qesh pak! Ashtu! Ciak! – Ke marrë lugë me vete? Bravo! Shko zër rradhën se nuk ka për të gjithë.
Disa, nuk ia kishin e as ia kanë haberin administratës. Disa nuk ia kishin e as ia kanë haberin manaxhimit. Disa, nuk ia kanë haberin as kompjuterit. Dinë vetëm të bëjnë chat e të bëjnë para.
Shumica e tyre ishin të hollë e të kompleksuar, e ca pak prej tyre të pangrënë nga agjërimi i gjatë në opozitë. Tradita politike shqiptare e këtyre viteve nuk i pranon anoreksikët. Duhesh të jesh i shëndoshë e i pacipë. I shëndoshë, në kuptimin figurativ: i majmur në para e pushtet. - Ha, sa të mundesh se s’dihet për sa kohë jemi këtu.
Disa prej tyre, kanë qenë thjesht mediokër që dinë të buzëqeshin këndshëm para kamerave.
Megadeth tek “Promises” këndojnë: Unë vij nga një vend ku ata/ ti tërheqin rrëshqanë ëndrrat e tua në baltë/ sepse vetë ëndrrat e tyre janë të mbaruara.
REUNION
Paradoksi me New Kids On The Block, është që një manaxher i ri e i shkathët vendosi ti ribashkojë. Pse mos bëjmë prapë ca para, e ta gënjejmë për së dyti publikun?
Vetëm se tani ata janë Pleqtë e Rinj në Bllok, dhe publiku nuk mund të gënjehet më aq lehtë.
Në një vend si Shqipëria, ku njerëzit e mirë e të ndjeshëm sa ikin e më shumë jashtë, ku ata që shkollohen në Perëndim nuk duan të kthehen për të qeverisur mbi plehra toksike, është shumë e lehtë të riciklosh këdo.
Prandaj kalamajtë e rinj në bllokun e politikës mendojnë se mund të flasin e të bëjnë ç’të duan, të pandëshkueshëm.
Në rastin më të keq, dikush do bëjë për ta një Reunion-Ribashkim. Ne, duam s’duam jemi të detyruar të dëgjojmë koncertin e tyre nga e para. Ne për ta jemi akoma fëmijët që hanë sultiaçin e pangrënshëm të kopshteve të Enverit.
Gjëja që bëjnë më shpesh fëmijët, është që ti përplasin kukullat përtokë, ti shqelmojnë nën divan e të kërkojnë lodra të reja. Dhe, kukullat e lira kineze thyhen me të parën.
BILETAT E PASHITURA TË KONCERTEVE PA SHIJE
Si ishte ajo melodia-krimb që po na e përsëritën shpesh ne do fillojmë ta këndojmë me vete? Hëm... thoshte pak a shumë kështu: “Presidenti, Kryeprokurorja, Shish dhe Media kanë bërë puç për të hequr Kryeministrin”.
Unë kujtoja që kësaj nuk i thonë “puç”, por thjesht: “duam të të pushojmë nga puna!”
Aty ku u vranë 4 vetë në shesh duan të sjellin të këndojë Rihanja. Pse jo? Fundja, ne jemi fëmijët e kopshtit të Enverit dhe pasi na japin me zor sultiaçin e pangrënshëm duan të na heqin mendjen me Arushën Mira.
Monday, February 7, 2011
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment