Tuesday, September 25, 2012

KOZMIKOMIKET: 3 milionë të korruptuar dhe asnjë i lumtur!

Botuar në Revistën Klan, të shtunën 22 shtator 2012

Pjesa më e madhe prej nesh e ka shkelur të paktën një herë ligjin. Dhe nuk e kam fjalën për ata që kalojnë me të kuqe, që nuk të japin kuponin tatimor apo që ushtrojnë prostitucionin e mjerimit. Madje nuk po fus këtu as ata që shkelin ligjin anti-duhan e as ata që pinë bar. Këto (në një shtet normal) duken vogëlsira, para magmës kriminale ku jemi zhytur. Pjesa më e madhe e popullsisë është ligjshkelëse, pra ka bërë një krim penal: falsifime dokumentesh, korrupsion aktiv e pasiv, vjedhje e pasurisë publike, fshehje krimi dhe zhdukje provash, kërcënime e dhunë, vrasje e përdhunim.

Po të ishim dhe të lumtur, do thonim “punë e madhe”! Por, nuk shoh që nga tërë këto vjedhje e shkelje ligji të jetë ndonjëri i lumtur.

Korruptimi si filozofi jetese

E tërë administrata (thuajse) ka bërë diku një thyerje ligji, ka vënë diku një firmë duke shitur interesa të vendit a duke dëmtuar pronën e dikujt, ka marrë ca para nën dorë për të bërë një punë, ka marrë vendin e punës me dokumente të rreme ose me mik ose me tesër partie, ose ka paguar dikë që të mos e heqin nga puna; në sistemin gjyqësor, dhënia e vendimeve me para në dorë, fshehja e provave nga prokuroria a policia, shitja e klientit nga ana e avokatit, abuzimi me vendimet e pronave e falja e kriminelëve, madje dhe hapur, janë shenjë që (thuajse) kushdo i përfshirë në këtë sistem ka kryer krim duke shkelur ligjin; pasuritë e padeklaruara, bizneset e nisura me larje parash ose me para që s’dihet nga vijnë, qarkullimi i tyre jashtë sistemit, korruptimi i hallkave të shtetit për të kryer punën, marrja e tenderëve, liçensave e tokave për ndërtim me rryshfet, ka bërë që pjesa më e madhe e biznesit të ketë shkelur të paktën një herë ligjin; diplomat e blera, provimet e blera, vendet e punës të blera, ka korruptuar rininë pa dalë mirë në punë; lista është pafundësisht e gjatë, deri dhe ai fshatari i cepit të largët të Shqipërisë, ose ka vrarë dikë për gjakmarrje, ose ka vjedhur tokë a bagëti a pronë publike, ka ushtruar dhunë, ka kërcënuar, di kush ka kryer një krim e nuk e tregon, apo mban armë pa leje. Po të kthehesh rrotull e të shqyrtosh njerëzit që njeh, mund të gjesh që secili prej tyre e ka shkelur një herë ligjin.
Konkluzioni: jemi shndërruar në një shoqëri kriminale. Duket sikur e tërë shoqëria ka leje për të shkelur ligjin - tentacioni është shumë i madh deri dhe tek ata që në një shtet normal e shoqëri me rregulla nuk do e çonin as nëpër mend të kryenin krim. Por nëse po shkojmë drejt korruptimit të krejt shoqërisë e të çdo individi, kush do e shpëtojë Shqipërinë?

A do Shqipëria të shpëtohet?

Zgjedhjet e 2009-s na e dëshmuan se mund të kemi qindra mijëra njerëz që janë gati të votojnë persona të akuzuar për vrasje, vjedhje e abuzime. Nëse jemi të tërë të korruptuar, kush do votojë kundër korrupsionit? Një parti që ofron rivënie të drejtësisë a mund të vijë me pushtet me vota të drejta?
Ku do i gjejë një parti ata njerëz ende të papërlyer për t’i ricikluar në krye të shtetit? Nëse për të ardhur në pushtet një parti a koalicion duhet të riciklojë edhe një pjesë të të korruptuarve, sa legjitimitet do ketë ajo për të shëruar Shqipërinë nga korrupsioni? Një qeveri ku ministër mund të jetë Al Kapone, sa shpresë sjell? Ku do i çojmë në ‘Shqipërinë e re’ ata 3 milionë që kanë shkelur ligjin?
Kemi arritur në pikën ku duket se energjia e frikshme korruptive e këtij vendi nuk zhduket, vetëm transformohet. Transformohet në një pushtet të ri të veshur me rroba të vjetra. Unë, sa herë të votoj, sa të jem gjallë nuk e harroj Gërdecin. Kush bëri, kush heshti, kush harroi. Nuk e harroj, se fundi ynë nisi pikërisht aty.

We Will, We Will Gërdec You!

Epoka e megakorrupsionit fillon me Gërdecin. Pas Gërdecit, më thoshte Leart Kola, njerëzit kuptuan se çdo gjë qenka e mundur. Mund të bësh gjithçka dhe të mos dënohesh. Kur kalon ai krim pa u ndëshkuar, çdo krim e ka një zgjidhje komode.
As 97-a nuk e kishte legjitimuar të ligën. 97-a mbase ishte institucionalizimi i indiferencës së publikut ndaj krimit, por Gërdeci është institucionalizimi i të keqes. Indiferenca edhe mund të shkundet, por e liga, vështirë se mund të fshihet.
Mua më pëlqen shpjegimi që jepte diku Mero Baze se Kryeministrit i intereson një shoqëri e korruptuar. Si ai 14-vjeçari që pi cigare e ua mëson tërë shokëve, që të mos ndjehet një shkelës i vetmuar i ligjit. Dhe, është më kollaj të sundosh mbi të korruptuarit se mbi të drejtët. Vetë termi “shtet i falimentuar” që besoj se ne e meritojmë plotësisht, i referohet pikërisht kësaj: Një shtet ku të tërë janë shkelës ligji e nuk ka më kuptim të luftosh kundër shkeljes së ligjit.
Pamundësia për ta zhdukur korrupsionin fillon që te fakti që korrupsioni i madh nuk mund të luftohet nga të korruptuarit e vegjël. As të korruptuarit e sotëm, nuk mund të luftohen nga ata që kanë 8 vjet pa u korruptuar. Çfarë, atëherë? Në këtë situatë, kur çdo politikë është dhimbje, ideja e rilindjes ngjan shumë joshëse.

Rilindja, Ringritja, Ridhimbja

Që Rilindja të jetë e vërtetë, problemit të 3 milionë të korruptuarve i duhet dhënë një zgjidhje. Më saktë, duhet një vizion për të marrë votën e 3 milionë të korruptuarve dhe për të ngritur një shtet të ri, të pakorruptuar.
Nëse nuk na ofrohet ky vizion do të thotë që rilindje nuk mund të ketë. Teoritë se “ky vend nuk bëhet” ose “ne do ecim përpara, por me centimetra”, “e keqja më e vogël” etj, janë vetëm justifikime. Justifikim i mungesës së vullnetit për të bërë atë që duhet bërë. A janë gati të “rilindin” 3 milionë shkelësit e ligjit? Ndoshta, më shumë se rilindje, ne kemi nevojë për të rindërtuar.
Rindërtimi i Shqipërisë nis me një projekt, dhe projektet zakonisht nisin me një njeri. Një njeri i cili e di se çfarë do të bëjë. Këto 100 vjet, në Shqipëri është aplikuar ajo që Jacopo Fo e quan “politikë e dhimbjes”. Që të ringrihemi, ka nevojë që një njeri të ngrejë një projekt. Këtu nis problemi. Pasi jemi rrethuar nga shkelës ligji, e shohim çdo kandidaturë me cinizëm. Ka njerëz që kanë ngrënë një “një lugë çorbë të prishur” por ka edhe që nuk janë ngritur as nga tavolina. Prandaj dhe cinizmi ynë. Nxirrni një kandidat, dhe do dalë dikush që të thotë: ky, ka bërë një krim. Dhe nuk e kam fjalën se ka kaluar me të kuqe apo ka pirë duhan aty ku ndalohet duhani (edhe pse një lider nuk duhet t’ia lejojë as njërën as tjetrën vetes). Na duhet një njeri me një projekt. Një njeri thjesht vullnet-mirë e i pastër.

Zotëria i Unazave

Pop-kultura, përmes Zotit të Unazave na sjell një rast interesant. Për eleminimin e unazës korruptuese – detyrë thuajse e pamundur - mund të kishin caktuar këdo, kishte aty edhe magjistarë me fuqira të mëdha. Por jo, iu dha një hobbiti të thjeshtë, Frodos, që kishte një veti kryesore: ishte vullnet-mirë. Sepse fansat, forca, zgjuarsia, pasuria a dija, me sa duket nuk të mbrojnë nga tundimi. Shikoni artistët, të dijshmit e të pasurit e këtij vendi sa shpejt ranë pré e korrupsionit, madje më shpejt se njerëzit e thjeshtë. Pasi kreu misionin, Frodo u kthye te jeta e tij e mëparshme, nuk u shndërrua në një lider të përjetshëm.
Shqipëria ka akoma njerëz të mirë, të drejtë e të ndershëm. Jo dhe aq shumë, por ka. Ne nuk i njohim sepse për t’u bërë të njohur e për të ecur përpara, kërkohej kyçja në sistemin e korruptimit. Ata nuk kanë pranuar, sistemi i ka lënë mënjanë. Për një projekt të ringritjes së Shqipërisë ndoshta na duhet një njeri ndryshe nga këta që kemi parë ose që na janë propozuar, dikush vullnet-mirë dhe që reziston të korruptohet.
Ai nuk do e shndërrojë këtë vend si me magji, por të paktën nuk do e dorëzojë Unazën tek e liga. Ndoshta nuk do jetë as nevoja të fusë në burg 3 milionë shkelës ligji. Një projekt i ri kundër korrupsionit kërkon që sistemi të rifillojë në pikën zero.

Anti-Gërdeci

Pika 0 është pika kur sistemi rifillon punën, kur (thuajse) askush nuk guxon të shkelë më ligjin. Është një Gërdec, por në kah të kundërt. 97-ta na ka treguar një fenomen shumë interesant të psikës njerëzore. Shumë njerëz të zakonshëm i rrëmbeu anarshia, morën armët dhe “dolën dore” duke bërë dhe krime. Unë njoh disa prej tyre, që kur mbaroi tollovia u rikthyen te jeta që kishin, madje, u martuan e bënë fëmijë, filluan një zanat dhe tani jetojnë si qytetarë të zakonshëm e korrektë. Psika e tyre e ka fshirë 97-n. Madje, po t’ua kujtosh se çfarë kanë bërë do habiten, sikur po u flet për një të huaj.
Shumë njerëz janë përfshirë në shkelje ligji edhe sepse sistemi nuk u ka lënë rrugë tjetër të mbijetojnë. Disa, ngaqë ishte më e thjeshtë. Ca të tjerë pa e kuptuar as vetë pse... 3 milionë të korruptuar jo me doemos do të thotë se janë 3 milionë djaj. Ama, një projekt i ri duhet patjetër që siç mund të fshijnë ata memorjen për ligjshkeljet që kanë bërë, duhet marrë masa t’u ‘fshihen’ nga memorja edhe llogaritë bankare a masterat e turpshëm. Ndryshe, do jetë pika 0 vetëm për më të varfrit e më të shtypurit e sistemit.



Monday, September 10, 2012

çfarë DI eçfarë NUK di Kryeministri?

botuar te Revista Klan, e shtunë 8 shtator 2012

Kryeministri iu sul verbalisht para ndonjë jave një artikulli të F. Lubonjës “Hidrocentralizimi i Shqipërisë” (27 gusht)dhe si argument ‘kryesor’, akuzoi shkruesin se paska 4 banesa! Kjo lloj strategjie ndaj kritikës publike e ka ulur nivelin e debatit publik në Shqipëri në nivel nevojtoresh, ndaj nuk po merrem shumë me të. Por, nëse 4 banesat e supozuara të Lubonjës e pengojnë Kryeministrin t’i marrë seriozisht tematikat e atij shkrimi, atëherë po ia përsëris edhe unë që kam 0 (zero) banesa. Zëre se e kam firmosur edhe unë, bashkë me Lubonjën.

Shqetësues është fakti që me të njëjtën frymë që e denigroi Kryeministri, në mos më keq, e sulmuan në web armata e armiqve të vetë Kryeministrit, madje dhe pa ia lexuar artikullin. “Modeli Lubonja” ka nevojë për thellim në një shkrim tjetër. Por, të kthehem te artikulli i Lubonjës (e gjeni tek blogu i Përpjekjes) dhe munxa e Kryeministrit. Sulmi denigrues ndaj një shkrimi me shumë probleme konkrete më bën të pyes veten, e di Kryeministri ç’po ndodh këtu poshtë, apo jo?

Ai di, apo nuk di?

Më mundon vazhdimisht pyetja, e di apo jo Kryeministri se ç’ndodh në këtë vend?

Arrin ta perceptojë vuajtjen ekonomike të kaq shumë njerëzve, dhënien shpirt të bizneseve, mungesën e optimizmit për çfarëdo lloj projekti, shkatërrimin pa kthim të ambientit, shkatërrimin e arsimit e shëndetësisë publike të zëvendësuara me karikatura gjasme-private, shkatërrimin e sistemit gjyqësor ku praktika bazë është që avokati të shet te pala tjetër për dyfishin e shumës e ku fiton ai që ka më shumë para; krijimin e elitave mafioze analfabete, krijimin e një sistemi ku fiton përherë i paafti, ai që ka shumë miq ose para; zhdukjen e së vërtetës nga mediat e blera; gazetarët milionerë; e plot si këto? A e di Kryeministri që një në dy fëmijë operohet me mish të huaj në hundë për shkak të smogut të mrekullisë ekonomike së tij? A e di vërtet ai ç’ndodh në këtë vend? Apo, siç thoshte vaftit vegla e pafajshme e kohës së Enverit, Pal Vata, “Unë e Enveri, nuk dimë gjë!”?

Ai nuk di!

Situata ku isha dëshmitar pak ditë më parë, më bën të mendoj që mbase Kryeministri i këtij vendi nuk di shumë gjëra. Ai nuk e di, por ama, unë e di se sa herë ka shumë policë në udhëkryqe ai do kalojë me eskortë aty. Trafiku në Tiranë është kriminal dhe pafuqia e policisë të vërë rregull janë të vetëdukshëm. Por, kur kalon eskorta e Kryeministrit, dhjetëra policë angazhohen për të zbrazur rrugën. Në rastin që po flas, policët, sa u erdhi njoftimi që eskorta po afrohej u shqetësuan sikur po ndodhte sulm terrorist. Bllokuan me britma e të shara makinat që donin të kalonin me semafor jeshil. Një ambulancë me të sëmurin brenda u bllokua – le të presë ai që po vdes, se do kalojë karvani kryeministror! Kur, ja, pas nja 5 minutash vjen eskorta - rruga para saj e boshatisur. Por eskorta, në mënyrë paradoksale ndaloi në semafor: Kryeministri nuk pranon të kalojë me të kuqe! Njësoj si një qytetar i zakonshëm! Kryeministri nuk e di se qytetarët e këtij vendi u dhunuan që kur t’i dalë ‘jeshilja’, ai të mund ta gjejë bosh bulevardin. Madje, dikush më ka rrëfyer që ka nja 2 semaforë në Tiranë ku ai kalon shpesh e që polici ka me buton që ai ta gjejë për herë jeshile.

Pra, Kryeministri mbase nuk di se sa përpëliten të sunduarit prej tij që t’i shërbejnë duke shkelur qytetarët veç që ai ta gjejë “jeshile”. Kryeministri, kujton se pret jeshilen si gjithë të tjerët por... ja që mbretin e luajnë oborrtarët! Ai është mbret, kur oborrtarët sillen si para një mbreti. Vetëm se janë po oborrtarët që nxitojnë ta vrasin kur e shohin që i rrëshket këmba. Kryeministri ndoshta nuk e di ç’ndodh dhe sa keq jemi. Ose, siç thoshte Lubonja, ai e di.

Biznesizatat

Ai e di. Reagimi i tij ndaj Lubonjës, tregon pikërisht që ai e di ç’po ndodh. Por, nuk ka ç’i bën. Ai nuk di të manaxhojë një vend ndryshe. Si njohës i poezisë, atij duhet t’i dhembë masakra e Lurës. Por, nuk e shpëton dot. Nuk di. Nuk ka ditur kurrë!

Ka shumë krime ekonomike, sociale, urbane e ambientale që na justifikohen në emër të biznesit. Si “në emër të Zotit”.

Në emër të biznesit! Me fjalën biznes e inisiativë e lirë justifikohet dhunimi i punonjësve e i mjedisit, i lirisë së tregut dhe ideve të reja, vjedhja e bizneseve deri dhe spostimi nga tregu me terror, pagesa në të zezë, evazioni fiskal. Bizneset e vendit që qeveris Kryeministri kanë eleminuar de facto të shtunën si ditë pushimi, rrogën e 13 as e përmend kush, abuzojnë verbalisht e fizikisht punëtorët, dhe nuk u japin më shumë se 2 javë pushime në vit. Në emër të biznesit!

Mënyra e të bërit biznes në Shqipëri është kthyer në një formë kryqëzate – biznesizatë! Biznesi jonë nuk ndërton dot pa shkatërruar diçka tjetër: biznese të tjera, prona të tjera, pasuri natyrore, pasuri publike. Biznesi ynë funksionon nën ligjin e më të fortit, vetëm monopol dhe ligj asgjësimi.

Si Enveri, me Enverin, për Enverin

Nganjëherë, kur shoh masakrimin e pakthim pas të këtij vendi, rri e mendoj. Këta që udhëheqin, dmth ata 2-3 vetë që kanë pasur realisht pushtetin në këtë vend, pse nuk e kanë bërë mirë? Mund të ishin monarkë të këtij vendi që “paska vdekur për i çik mbret” por, ama të bënin një gjë të mirë. Ta ndërtonin ashtu siç duhet. Mund të vidhnin sa të donin, të ishin më të pasurit, ama, ta bënin këtë një vend të qetë, të zhvilluar e të jetueshëm. Unë dyshoj, që si ky Kryeministër, e si monarkët e tjerë para tij (a, paralelisht tij) NUK DINË.

Ata vijnë nga 45 vite komunizmi dhe mënyra e të menduarit, të vepruarit e deri dhe të sunduarit,është e do të vazhdojë të jetë enveriste. E vetmja mënyrë për karrierë politike për ta është si Mehmeti e si Adili, e vetmja mënyrë për të gënjyer veten është si TVSh-ja vaftit (identike si sot), e vetmja mënyrë për të shuar kritikat e opozitarizmin është duke eleminuar fizikisht e me procese të rreme kundërshtarët, e vetmja metodë për të mbajtur nën zgjedhë popullin është duke shpikur armikun e brendshëm e të jashtëm. E vetmja formë propagande, është 1984-a e Orwellit.

Antiglobalizmi?? Ha-ha-ha. Alamet armiku. Sulmi ndaj Lubonjës bazohej dhe mbi një nonsens tjetër: “Po i shërben anti-globalizmit të Ramës”. Kjo tregon që Kryeministri nuk e di çfarë është (anti)globalizmi si frymë e si ideologji, e larg qoftë, të mund të ngrejë një vizion mbi parime (anti)globaliste.

Kryeministri nuk është njeri i keq

Unë vazhdoj të besoj që Kryeministri nuk është djalli mbi tokë, siç përpiqen ta portretizojnë shumë njerëz. Ai thjesht, është i paaftë. I paaftë ta bëjë këtë vend një vend të mirë, të bukur, të rregullt e prosperues për të gjithë, jo vetëm për familjen e vet. Arsyeja pse unë nuk kam dashur kurrë të merrem me Kryeministrin si individ, por me frymën e drejtimit të shtetit, është se mua nuk më intereson ndërrimi i partive e as i individit, por ndërrimi i mentalitetit të drejtimit të shtetit.

Kjo nuk do të thotë që unë, e besoj dhe të tjerë, do t’ia pranojmë sulmet denigruese ndaj Lubonjës për të shmangur diskursin nga krimi ekologjik (në këtë rast). Jemi më 2012, dhe 1984-a e Orwellit nuk mund të aplikohet. Aq më tepër, kur tashmë ne e kemi lexuar 1984-n! Lavazhi i trurit me “Ministritë e së Vërtetës” nuk funksionon dot.

Unë, jam gati të luftoj për Lubonjën.

Lufta për Lubonjën

Jo se Lubonja ka nevojë ta mbroj unë apo tjetërkush. Por, sulmi i Kryeministrit kundër Lubonjës, tregton që ky i fundit kishte të drejtë. Kryeministri nuk ka vizion e as di të menaxhojë. Dyshoj se kritika e Lubonjës i ka djegur realisht, e para, sepse është e vërtetë, dhe sepse ajo vjen nga një zë indipendent, e mbi të gjitha kundërshtar ideologjik me Ramën. Nëse Kryeministri mendon që mund ta denigrojë çdo zë ndryshe, e ka gabim. Nuk jemi e s’kemi për të qenë të gjithë policë, që t’ia bëjmë rrugën jeshile.

Unë do ta mbroj atë që shkruante Lubonja. Jo vetëm sepse e mendoj si ai. Por, na kanë ngjeshur buzë greminës, e duan të na hedhin 1 nga 1. Ndaj duhet të luftojmë për çdo ide e për çdo njeri. Tashmë, kemi arritur në pikën kur shumica e vendit është shkatërruar pa kthim, dhe na duhet të luftojmë për çdo pemë, për çdo ulli, për çdo përrua, për çdo metër lulishte, për çdo tullë antike, që mos na e shkatërrojnë biznesizatat. Jemi katandisur që të mbrohemi me thonj nga çdo vendim kriminal qeveritar, të kapim armët për çdo metër det të shitur. Po na çojnë në pikën që në Shkodër e quajnë: “kur nxehet i urti, bindet i marri”! Për fat të keq, nuk ka asnjë shkodran afër Kryeministrit që t’ia thotë. Dhe po ka, janë të zënë duke ia bërë rrugën ‘jeshile’.