Botuar në Revistën Klan, të shtunën 22 shtator 2012
Pjesa më e madhe prej nesh e ka shkelur të paktën një herë ligjin. Dhe nuk e kam fjalën për ata që kalojnë me të kuqe, që nuk të japin kuponin tatimor apo që ushtrojnë prostitucionin e mjerimit. Madje nuk po fus këtu as ata që shkelin ligjin anti-duhan e as ata që pinë bar. Këto (në një shtet normal) duken vogëlsira, para magmës kriminale ku jemi zhytur. Pjesa më e madhe e popullsisë është ligjshkelëse, pra ka bërë një krim penal: falsifime dokumentesh, korrupsion aktiv e pasiv, vjedhje e pasurisë publike, fshehje krimi dhe zhdukje provash, kërcënime e dhunë, vrasje e përdhunim.
Po të ishim dhe të lumtur, do thonim “punë e madhe”! Por, nuk shoh që nga tërë këto vjedhje e shkelje ligji të jetë ndonjëri i lumtur.
Korruptimi si filozofi jetese
E tërë administrata (thuajse) ka bërë diku një thyerje ligji, ka vënë diku një firmë duke shitur interesa të vendit a duke dëmtuar pronën e dikujt, ka marrë ca para nën dorë për të bërë një punë, ka marrë vendin e punës me dokumente të rreme ose me mik ose me tesër partie, ose ka paguar dikë që të mos e heqin nga puna; në sistemin gjyqësor, dhënia e vendimeve me para në dorë, fshehja e provave nga prokuroria a policia, shitja e klientit nga ana e avokatit, abuzimi me vendimet e pronave e falja e kriminelëve, madje dhe hapur, janë shenjë që (thuajse) kushdo i përfshirë në këtë sistem ka kryer krim duke shkelur ligjin; pasuritë e padeklaruara, bizneset e nisura me larje parash ose me para që s’dihet nga vijnë, qarkullimi i tyre jashtë sistemit, korruptimi i hallkave të shtetit për të kryer punën, marrja e tenderëve, liçensave e tokave për ndërtim me rryshfet, ka bërë që pjesa më e madhe e biznesit të ketë shkelur të paktën një herë ligjin; diplomat e blera, provimet e blera, vendet e punës të blera, ka korruptuar rininë pa dalë mirë në punë; lista është pafundësisht e gjatë, deri dhe ai fshatari i cepit të largët të Shqipërisë, ose ka vrarë dikë për gjakmarrje, ose ka vjedhur tokë a bagëti a pronë publike, ka ushtruar dhunë, ka kërcënuar, di kush ka kryer një krim e nuk e tregon, apo mban armë pa leje. Po të kthehesh rrotull e të shqyrtosh njerëzit që njeh, mund të gjesh që secili prej tyre e ka shkelur një herë ligjin.
Konkluzioni: jemi shndërruar në një shoqëri kriminale. Duket sikur e tërë shoqëria ka leje për të shkelur ligjin - tentacioni është shumë i madh deri dhe tek ata që në një shtet normal e shoqëri me rregulla nuk do e çonin as nëpër mend të kryenin krim. Por nëse po shkojmë drejt korruptimit të krejt shoqërisë e të çdo individi, kush do e shpëtojë Shqipërinë?
A do Shqipëria të shpëtohet?
Zgjedhjet e 2009-s na e dëshmuan se mund të kemi qindra mijëra njerëz që janë gati të votojnë persona të akuzuar për vrasje, vjedhje e abuzime. Nëse jemi të tërë të korruptuar, kush do votojë kundër korrupsionit? Një parti që ofron rivënie të drejtësisë a mund të vijë me pushtet me vota të drejta?
Ku do i gjejë një parti ata njerëz ende të papërlyer për t’i ricikluar në krye të shtetit? Nëse për të ardhur në pushtet një parti a koalicion duhet të riciklojë edhe një pjesë të të korruptuarve, sa legjitimitet do ketë ajo për të shëruar Shqipërinë nga korrupsioni? Një qeveri ku ministër mund të jetë Al Kapone, sa shpresë sjell? Ku do i çojmë në ‘Shqipërinë e re’ ata 3 milionë që kanë shkelur ligjin?
Kemi arritur në pikën ku duket se energjia e frikshme korruptive e këtij vendi nuk zhduket, vetëm transformohet. Transformohet në një pushtet të ri të veshur me rroba të vjetra. Unë, sa herë të votoj, sa të jem gjallë nuk e harroj Gërdecin. Kush bëri, kush heshti, kush harroi. Nuk e harroj, se fundi ynë nisi pikërisht aty.
We Will, We Will Gërdec You!
Epoka e megakorrupsionit fillon me Gërdecin. Pas Gërdecit, më thoshte Leart Kola, njerëzit kuptuan se çdo gjë qenka e mundur. Mund të bësh gjithçka dhe të mos dënohesh. Kur kalon ai krim pa u ndëshkuar, çdo krim e ka një zgjidhje komode.
As 97-a nuk e kishte legjitimuar të ligën. 97-a mbase ishte institucionalizimi i indiferencës së publikut ndaj krimit, por Gërdeci është institucionalizimi i të keqes. Indiferenca edhe mund të shkundet, por e liga, vështirë se mund të fshihet.
Mua më pëlqen shpjegimi që jepte diku Mero Baze se Kryeministrit i intereson një shoqëri e korruptuar. Si ai 14-vjeçari që pi cigare e ua mëson tërë shokëve, që të mos ndjehet një shkelës i vetmuar i ligjit. Dhe, është më kollaj të sundosh mbi të korruptuarit se mbi të drejtët. Vetë termi “shtet i falimentuar” që besoj se ne e meritojmë plotësisht, i referohet pikërisht kësaj: Një shtet ku të tërë janë shkelës ligji e nuk ka më kuptim të luftosh kundër shkeljes së ligjit.
Pamundësia për ta zhdukur korrupsionin fillon që te fakti që korrupsioni i madh nuk mund të luftohet nga të korruptuarit e vegjël. As të korruptuarit e sotëm, nuk mund të luftohen nga ata që kanë 8 vjet pa u korruptuar. Çfarë, atëherë? Në këtë situatë, kur çdo politikë është dhimbje, ideja e rilindjes ngjan shumë joshëse.
Rilindja, Ringritja, Ridhimbja
Që Rilindja të jetë e vërtetë, problemit të 3 milionë të korruptuarve i duhet dhënë një zgjidhje. Më saktë, duhet një vizion për të marrë votën e 3 milionë të korruptuarve dhe për të ngritur një shtet të ri, të pakorruptuar.
Nëse nuk na ofrohet ky vizion do të thotë që rilindje nuk mund të ketë. Teoritë se “ky vend nuk bëhet” ose “ne do ecim përpara, por me centimetra”, “e keqja më e vogël” etj, janë vetëm justifikime. Justifikim i mungesës së vullnetit për të bërë atë që duhet bërë. A janë gati të “rilindin” 3 milionë shkelësit e ligjit? Ndoshta, më shumë se rilindje, ne kemi nevojë për të rindërtuar.
Rindërtimi i Shqipërisë nis me një projekt, dhe projektet zakonisht nisin me një njeri. Një njeri i cili e di se çfarë do të bëjë. Këto 100 vjet, në Shqipëri është aplikuar ajo që Jacopo Fo e quan “politikë e dhimbjes”. Që të ringrihemi, ka nevojë që një njeri të ngrejë një projekt. Këtu nis problemi. Pasi jemi rrethuar nga shkelës ligji, e shohim çdo kandidaturë me cinizëm. Ka njerëz që kanë ngrënë një “një lugë çorbë të prishur” por ka edhe që nuk janë ngritur as nga tavolina. Prandaj dhe cinizmi ynë. Nxirrni një kandidat, dhe do dalë dikush që të thotë: ky, ka bërë një krim. Dhe nuk e kam fjalën se ka kaluar me të kuqe apo ka pirë duhan aty ku ndalohet duhani (edhe pse një lider nuk duhet t’ia lejojë as njërën as tjetrën vetes). Na duhet një njeri me një projekt. Një njeri thjesht vullnet-mirë e i pastër.
Zotëria i Unazave
Pop-kultura, përmes Zotit të Unazave na sjell një rast interesant. Për eleminimin e unazës korruptuese – detyrë thuajse e pamundur - mund të kishin caktuar këdo, kishte aty edhe magjistarë me fuqira të mëdha. Por jo, iu dha një hobbiti të thjeshtë, Frodos, që kishte një veti kryesore: ishte vullnet-mirë. Sepse fansat, forca, zgjuarsia, pasuria a dija, me sa duket nuk të mbrojnë nga tundimi. Shikoni artistët, të dijshmit e të pasurit e këtij vendi sa shpejt ranë pré e korrupsionit, madje më shpejt se njerëzit e thjeshtë. Pasi kreu misionin, Frodo u kthye te jeta e tij e mëparshme, nuk u shndërrua në një lider të përjetshëm.
Shqipëria ka akoma njerëz të mirë, të drejtë e të ndershëm. Jo dhe aq shumë, por ka. Ne nuk i njohim sepse për t’u bërë të njohur e për të ecur përpara, kërkohej kyçja në sistemin e korruptimit. Ata nuk kanë pranuar, sistemi i ka lënë mënjanë. Për një projekt të ringritjes së Shqipërisë ndoshta na duhet një njeri ndryshe nga këta që kemi parë ose që na janë propozuar, dikush vullnet-mirë dhe që reziston të korruptohet.
Ai nuk do e shndërrojë këtë vend si me magji, por të paktën nuk do e dorëzojë Unazën tek e liga. Ndoshta nuk do jetë as nevoja të fusë në burg 3 milionë shkelës ligji. Një projekt i ri kundër korrupsionit kërkon që sistemi të rifillojë në pikën zero.
Anti-Gërdeci
Pika 0 është pika kur sistemi rifillon punën, kur (thuajse) askush nuk guxon të shkelë më ligjin. Është një Gërdec, por në kah të kundërt. 97-ta na ka treguar një fenomen shumë interesant të psikës njerëzore. Shumë njerëz të zakonshëm i rrëmbeu anarshia, morën armët dhe “dolën dore” duke bërë dhe krime. Unë njoh disa prej tyre, që kur mbaroi tollovia u rikthyen te jeta që kishin, madje, u martuan e bënë fëmijë, filluan një zanat dhe tani jetojnë si qytetarë të zakonshëm e korrektë. Psika e tyre e ka fshirë 97-n. Madje, po t’ua kujtosh se çfarë kanë bërë do habiten, sikur po u flet për një të huaj.
Shumë njerëz janë përfshirë në shkelje ligji edhe sepse sistemi nuk u ka lënë rrugë tjetër të mbijetojnë. Disa, ngaqë ishte më e thjeshtë. Ca të tjerë pa e kuptuar as vetë pse... 3 milionë të korruptuar jo me doemos do të thotë se janë 3 milionë djaj. Ama, një projekt i ri duhet patjetër që siç mund të fshijnë ata memorjen për ligjshkeljet që kanë bërë, duhet marrë masa t’u ‘fshihen’ nga memorja edhe llogaritë bankare a masterat e turpshëm. Ndryshe, do jetë pika 0 vetëm për më të varfrit e më të shtypurit e sistemit.
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment