Tuesday, October 2, 2012

18 pyetje mbi 'të shenjtën' e Rudian Zekthit

botuar te Respublica

Javën e kaluar, Panorama, e më pas Respublica në op-ed-in e vet botuan një përsiatje të Rudian Zekthit të titulluar “e Shenjta”. Duke qenë se e shijova në të lexuar, nuk mund të rri pa shkruar për të, ose siç do vini re, mbi të. Për hir të formës sesi zgjodha të ndërtoj përgjigjen, por dhe për faktin se mund të jetë pak e sikletshme qoftë dhe në kompjuter të kalosh nga “e Shenjta” tek “18 pyetje mbi të shenjtën e Rudian Zekthit”, jam i detyruar të rikopjoj ‘pikat’ e së Shenjtës dhe pjesët e mia tia vë përbri, me gërma të pjerrëta. Shpresoj që të mos e kem fyer autorin me këtë ‘zgjidhje teknike’.
Meqënëse ‘e shenjta’ ime, ka qëlluar të jetë filozofia, mënyra më e drejtë sesi unë mund të shprehem, është përmes pyetjeve. Për mua, dyshimi, është rruga më e drejtë drejt së vërtetës dhe pyetja, është forma më e drejtë për ta respektuar atë të vërtetë.


1. E shenjtë është çfarëdo entiteti apo dukuri që themelon, legjitimon apo garanton ekzistencën e përbashkët të një bashkësie njerëzish. Duke e konsideruar jetike këtë ekzistencë në bashkësi, për pjesëtarët e saj gjithë çfarë i bashkon është më e rëndësishme se çfarëdo dhuntie ekzistenciale personale, dhe vetëm nëpërmjet këtij raporti të individëve me bashkësinë fiton statusin e të qenit e paprekshme, e pacenueshme. Pra vetëm ky raport bën të mundshme të shfaqet detyrimi për pacenueshmëri, i cili, nga ana tjetër, e shfaq si dukuri sociale të shenjtën.
A mund të ekzistojë e shenjta në grupime të vogla njerëzish? A mund të jetë vlera e së shenjtës së një tribuje të humbur në Amazonë me atë të një feje të madhe botërore? A ka rëndësi koha kur ky entitet ka lindur? Një e shenjtë e krijuar në këto 800 vjet (si Magna Carta, psh) a është e njëvlershme me një të shenjtë të krijuar 2000 vjet më parë si Krishtërimi?
Nëse unë, im bir, im nip, im atë e im gjysh, gjejmë një entitet që na themelon, legjitimon apo garanton ekzistencën tonë të përbashkët, a mund të themi që kemi dhe ne të shenjtën tonë?


2. E shenjta, pra, është një dukuri sociale – nëpërmjet së shenjtës një bashkësi formohet dhe krijon identitetin e saj të dallueshëm nga bashkësitë e tjera. Është e vërtetë se ky koncept zanafillor dhe i përhershëm i së shenjtës është mjegulluar dhe relativizuar në kohën tonë si pasojë e faktit që individët, duke e zotëruar intuitivisht lidhjen mes së pacenueshmes dhe së shenjtës, gjithmonë e më tepër i konsiderojnë realitetet e tyre individuale si të paprekshme duke i shpallur të shenjta. Mirëpo e shenjta nuk është një fenomen individual – psikologjik, por kolektiv – social.
Identiteti i dallueshëm i së shenjtës, përzjerë me detyrimin për pacenueshmëri, a mund të çojë në dhunë? E shenjta, si fenomen kolektiv-social, a mund të përmbajë tensione e dhunë përbrenda vetes, si të gjitha fenomenet kolektivo-sociale? Kjo dhunë, a e modifikon të shenjtën brenda vetes së saj? Dhe nëse një entitet transformohet, a ka gjasa që të jenë ‘më radikalët’ ndaj ‘më liberalëve’ ata që të ndikojnë në formën (ose anasjelltas) e ardhshme të së shenjtës?

3. Sepse e shenjta legjitimon apo garanton domosdoshmërinë e të qenit bashkësi të individëve vetëm duke qenë një realitet që i tejkalon pjesëtarët e kësaj bashkësie, një realitet që secili prej tyre i vetëm nuk ia ruan dot paprekshmërinë. Në këtë mënyrë, e shenjta është një nga dhuntitë që dallon (edhe në mungesë të çfarëdo kriteri tjetër) për nga mënyra e të qenit individin nga bashkësia: individi mund të ketë gjëra të paprekshme (por jo të shenjta), kurse bashkësia nëse ka gjëra të paprekshme ato janë pashmangshmërisht të shenjta.
Nëse e shenjta ekziston si entitet vetëm kur një bashkësi ka gjëra të paprekshme, a ekziston e shenjta tek një individ (për shembull një profet) i cili në momentin e ndriçimit është i vetëm me të të vërtetën e vet? Nëse nevojitet më shumë se një individ për të krijuar bashkësinë që mundëson ‘ardhjen në jetë’ të së shenjtës, a mos kjo i heq të shenjtës prejardhjen hyjnore dhe e kthen atë vetëm në një entitet që merr jetë nëse individit të parë të ndriçuar i shtohet një i dytë, e më pas një i tretë derisa të bëhen 1 miliard? Nëse procesi kthehet në të kundërt, pra, nga një miliard, bashkësia reduktohet në 10, 3, 2, 1, nëse anëtarët e saj shuhen një e nga një, a mundet që i fundit i tyre të mbartë të shenjtën brenda vetes? A vdes e shenjta nëse i fundit i Mohikanëve nuk ka vdekur akoma?

4. Sa herë që vërehen të paktën dy bashkësi njerëzore të ndryshme nga njëra-tjetra, kjo do të thotë se ato e kanë themeluar dhe garantuar përmes entitetesh të ndryshme domosdoshmërinë e pjesëtarëve të tyre për të ndenjur bashkë, pra do të thotë se ata kanë të shenjta të ndryshme. Prandaj të shenjtat e bashkësive të ndryshme janë të pabashkëmatshme – të papërkthyeshme te njëra-tjetra, në të kundërt, shpallja e tyre si bashkësi të ndryshme do të binte në oksimoron.
A mundet që si në matematikë të ketë elementë që u përkasin dy bashkësive? Nëse po, a ka qoftë dhe një pjesë të bashkëmatëshme, përderisa 2 të shenjta jetojnë brenda një individi? Po kalimi i një individi nga një bashkësi në një tjetër, a deligjitimon të shenjtën vetë, si një entitet që duhej të kishte themeluar dhe garantuar domosdoshmërinë e të qendruarit bashkë? A është ai që ndërron bashkësi një tradhëtar, një ikës, një i pavlerë e i pabesë?

5. Kjo papërkthyeshmëri reciproke, në vend që të jetë dëshpëruese, është ngushëlluese sepse ekzalton mënyrën e të qenit të secilës bashkësi. Pranohet se bashkësia tjetër me të qenët e vet të papranueshme ka të drejtën të konsumojë humbjen apo dështimin e vet duke u lënë vetëm në këtë dështim. Edhe pa i shpallur luftë tjetrës, secila bashkësi ekzaltohet së brendshmi më dështimin potencial të tjetrës. Ky ekzaltim i konsumuar së brendshmi është i domosdoshëm për të garantuar paqen mes tyre – duke ruajtur secila të shenjtat e veta, atë që gjithsecila prej tyre e konsideron të paprekshme.
Nëse një individ është i lindur nga dy prindër që u përkasin dy bashkësive të papërkthyeshme e të pabashkëmatshme të të shenjtave, a ka një luftë brenda tij për të shkuar drejt njërës së shenjtë e për të ’vrarë’ të dytën? Zgjedhja e një individi a e poshtëron (siç thuhet më poshtë) njërën të shenjtë, atë që ‘nuk preferohet’? Nëse bashkësitë mund të ekzaltohen për dështimin e tjetrës, a do të thotë kjo që kanë diçka të përbashkët, të paktën nocionin e ‘dështimit’ apo të ‘ekzaltimit’? A mos rrezikon të kthehet ‘ekzaltimi’ në një të shenjtë të tretë, që garanton dhe themelon nevojën që të jenë bashkë (2 entitete përbri që vështrojnë njëra-tjetrën)?

6. Mirëpo kjo paqe zgjat për aq kohë sa hiperfuqia e njërës bashkësi konverton në shfaqje të jashtme ekzaltimin që i vjen nga konstatimi i pavlefshmërisë të çfarë bashkësia tjetër e konsideron të shenjtë. Një moment i tillë në varësi të koniunkturës shoqërohet: 1. ose me shpallje lufte, 2. ose me konfirmimin pa luftë të hiperfuqisë së asaj bashkësie që cenoi të shenjtën e tjetrit.
Nëse është kështu, nëse është kaq e përkohshme dhe sigurisht jo themeluese e legjitimuese e domosdoshme e një bashkësie, a mos vallë “paqes” i hiqet e drejta përjetësisht për të qenë e shenjtë? Pra, a mos qenkemi të destinuar të jetojmë pa paqë, por me të shenjtat tona? Që paqja në vetvete të kthehet në diçka të shenjtë, a mos do të thotë që vetëm përmes pikave 1 dhe/ose 2 mund të shkohet deri në eleminimin e të tëra bashkësive të të shenjtës, deri në krijimin e një mega-të shenjte? A nuk do ishte kjo paqë dhe e shenjtë unifikuese?

7. Pra, ose luftë, ose poshtërim. Shprehja së jashtmi – për t’u vënë re nga tjetri – e ekzaltimit nga inferioriteti i të shenjtës së tjetrit (ekzaltim për çdoherë i nënkuptuar, por jo i shprehur) është refleks ose i nevojës për ta asgjësuar, ose i nevojës për ta poshtëruar tjetrin. Është shumë e rëndësishme të theksohet kjo: ky cenim i të shenjtës së tjetrit duhet të jetë, ose së paku duket së është shprehje e pakontrollueshme dot e ekzaltimit – i cili si i tillë është i pakuptueshëm, i pashpjegueshëm.
A mund të jetë lufta në vetvete një e shenjtë që mund të themelojë e garantojë të përbashkëtën e pacenueshme të një bashkësie? Ekzaltimi në vetvete, a është një shprehje e të shenjtës? Duke u ekzaltuar për poshtërimin e të shenjtës së bashkësisë tjetër, a mos vallë ne e kemi konsakruar atë (tjetrën) si të shenjtë?

8. Sepse nëse te secila bashkësi ndërtohen diskurse racionale dhe kritike ndaj të shenjtës së tjetrit kjo nuk shpie në shpallje lufte apo shpallje arrogance prej hiperfuqisë, sepse ky diskurs kritik nuk konsiderohet si një përpjekje e adresuar për të cenuar të shenjtën e tjetrit, por është një konfirmim i të qenit të kujt e bën këtë lloj kritike; një lloj të folure me veten apo autosadisfaksioni. Sepse e shenjta ka të bëjë me mënyrën unike të të qenit të tjetrit, mënyrë të qeni që përfton një mënyrë tjetër të të qenit të arsyeshëm. Prandaj arsyetimi kritik i së shenjtës së tjetrit konceptohet nga ai të cilit i kritikohet e shenjta si nevojë e brendshme për afirmim, dhe jo si shprehje e jashtme aversioni.
A mund të ketë shanse reale për diskurs racional e kritik për të shenjtën e tjetrit, nëse pranojmë se të shenjtat janë të pabashkëmatshme? Nëse analizimi i së shenjta jonë është e vetmja mënyrë për të kuptuar se ç’do të thotë ‘e shenjtë’ dhe për tjetrin, dhe këto të shenjta nuk kanë asnjë pikë takimi, janë pra, të pabashkëmatshme, me çfarë ‘metri’ do të mund të ngremë kritikën? A mund të ketë kritikë pa pasion? A mund të ketë të shenjtë pa pasion? A mund të jetë pasioni një e shenjtë më vete e sa vlerë ka një diskurs kritik mbi këtë të shenjtën e fundit?

9. Mbështetur mbi konsiderata të tilla teorike mbi të shenjtën, ne mund të shpjegojmë trazirat e sotme në territoret e banuara nga myslimanët. E vërteta është që në Perëndimin e krishterë (ashtu sikurse në qytetërimin islam) nuk kanë reshtur veprat teologjike apo titujt nga zhanri i orientalizmit me kritika dhe dekonstruktime të së shenjtës së myslimanëve. Dhe këto nuk kanë shkaktuar asnjëherë luftë apo reaksione masive, sepse siç thamë më lart, nuk janë konceptuar si cenim i së shenjtës së tjetrit, por si konfirmim i forcimit të së shenjtës së vet si e ndryshme nga ajo e tjetrit.
Çfarë parametri mund të përdoret për të ndarë ‘veprat’ që konfirmojnë forcimin e së shenjtës sonë nga veprat që ‘na shpallin luftë’? Nqs cartoons janë një causus belli, pyes veten, çfarë mund të jetë? Kush i shpall kriteret? A ka vend për abuzime (sidomos në bashkësitë me disa miliardë anëtarë) që një person, një këshill personash, ose një turmë prej 1 milion personash të marrin përsipër një reaksion që ndoshta nuk ka marrë ‘bekimin’ e krejt bashkësisë? Nëse, qoftë dhe një anëtar i bashkësisë nuk bie dakort me reaksionin ndaj 1 provokimi, a cënon kjo vetë të shenjtën si shprehje e domosdoshmërisë së bashkësisë si e tërë?

10. Në të kundërt, libra si “Vargjet satanike” të S. Rushdies, karikaturat daneze apo franceze, filmat holandezë apo koptë, në mos si shpallje e gjendjes së luftës janë konsideruar si shpallje e hiperfuqisë poshtëruese. Nga sa thamë më lart, kjo vjen ngaqë duke qenë vepra arti (pavarësisht nga cilësia) ato janë jokonceptuale, shprehje e nevojës së papërballueshme për të shfaqur jashtë ekzaltimin e brendshëm që është e vetmja provë e përkthyeshme e inferioritetit të së shenjtës së tjetrit.
A i kishin lexuar ‘Vargjet Satanike’ të Salman Razhdisë turmat që kërkonin dënimin me vdekje të tij? ‘Poshtërimi’ nga bashkësia tjetër, a është ekuivalent me luftën? A pati një diskurs kritik për të kuptuar të shenjtën e lirisë së shprehjes që ka bashkësia perëndimore? Nëse shumica e një bashkësie është dakort me vrasje, djegie e shkatërrime si reaksion ndaj një bashkësie tjetër (sepse nuk dua ta besoj që 1 miliard njerëz të tërë duan vrasje ambasadorësh, djegie flamujsh e shkatërrime ndërtesash), a mos vallë kjo e bën të shenjtën një entitet demokratik? A mos është e shenjta një entitet demokratik që e zgjedh reaksionin e vet me ‘vota’ ndjeshmërie? A e copëton kjo ‘demokraci’ të shenjtën? Një e shenjtë e copëtuar, ka vlerë po aq sa një e shenjtë kompakte?

11. S’është e vërtetë (të paktën s’është e saktë) mbrojtja që u bëhet nga qarqe të caktuara politike apo kulturore në Perëndim këtyre shprehjeve agresive të hiperfuqisë, duke i legjitimuar në emër të lirisë së shprehjes dhe lirisë së shtypit. S’është e saktë se këto janë shprehje e lirisë së shprehjes, sepse liria e shprehjes nuk përfshin në asnjë rast lirinë për ta poshtëruar tjetrin. Dhe s’është e saktë se janë pjesë e lirisë së shtypit: shtypi në thelb është vend ekspozimi informacioni dhe opinionesh, dhe jo veprash arti. Dhe opinionet kundër myslimanëve nuk kanë shkaktuar ndonjëherë gjendje stresi dhe trazirash në botën islame. Ekspozimi i veprave të artit është një aksesor i shtypit dhe jo funksioni i tij kryesor. Dhe vepra e artit duke qenë një atakim jokonceptual i së shenjtës vjen nga thellësia i të qenit të atyre që e kryejnë këtë cenim,duke kryer kështu një theksim brutal të papërkthyeshmërisë së qytetërimeve te njëri-tjetri dhe një tendosje të rrezikshme të kufijve të puthitur midis tyre.
A janë cartoons shprehje agresioni hiperfuqie? A është liria e shprehjes një vlerë njerëzore trans-religjioze që na bashkon si racë njerëzore? Pa lirinë e shprehjes a do mund të ekzistonte e shenjta (të paktën disa prej tyre)? Nëse liria e shprehjes vjen me kusht, a çon kjo në vetë censurë? Auto-censura a nuk mban era totalitarizëm? Totalitarizmi, sa larg është nga diktatura? Mbase mund të jesh i shenjtë, por a mund të jesh dhe ‘njeri’ nën diktaturë, qoftë kjo dhe diktaturë e të shenjtës?

12. Duke qenë e shenjta një entitet që e kalon individin dhe që garanton me ekzistencën e saj domosdoshmërinë e ekzistencës së një bashkësie njerëzish, prandaj nuk mund të cenohet pa shkaktuar reaksion: ajo përfaqëson arsyen e papërkthyeshme të të qenit të tillë të pjesëtarëve të kësaj shoqërie. Po ashtu: duke qenë e papërkthyeshme, e shenjta është e pacenueshme ndaj çfarëdo kritike apo dekonstruktimi; ajo mund të cenohet vetëm duke e prekur – duke vendosur kontakt fizik me të, pra duke e përdhosur. Veprat e artit që atakojnë të shenjtën manifestojnë përmes imazheve këtë kontakt fizik – cenimi dhe përdhosjeje të së shenjtës.
A është vërtet e papërkthyeshme dhuna? A nuk e kemi pasur ne shqiptarët një përvojë të gjatë me diktaturën, auto-censurën shoqëruar me dhunën e bashkësisë shoqërore (lexo Partia, Fronti, B.P.,) ndaj bashkësisë artistike që provokonte bashkësinë socialiste? Një gjë nëse nuk ishte e drejtë atëherë, a mund të jetë e drejtë tani?

13. Por, siç e thamë, ndoshta thelbi i vërtetë i trazirave të sotme është modifikimi i konceptit të së shenjtës. Ndryshe nga çka qenë përherë, në shoqërinë e sotme postmoderne e shenjta nga një realitet sociologjik është shndërruar në një realitet psikologjik, paçka se ky shpërndërrim në vetvete është nul. Dhe nëse ky shndërrim ndodh, do të thotë se nuk ka më bashkësi, por vetëm individë secili me të shenjtën vetjake.
Realiteti psikologjik i të shenjtës, a nuk e bën atë më njerëzore? A mundet që e shenjta të zbresë tek njeriu, dhe të modifikojë totalitetin e bashkësisë? Apo është jashtë njeriut e ky nuk lejohet të ketë akses në të? Nëse ka akses, pse të mos e modifikojë? A është i lirë njeriu? I lirë për ta modifikuar të shenjtën së bashku me shumë të tjerë brenda bashkësisë së vet? A nuk është ky evolucion i pashmangshëm i shoqërisë? A mos janë shndrruar bashkësitë në ishuj? Ishuj, nga ku askush nuk lejohet të largohet?

14. Por si mund të realizohet ky shenjtërim vetjak kur e shenjta është ajo që njëherazi tejkalon dhe garanton subjektin që i nënshtrohet kësaj shenjtërie? Përgjigjen e kësaj pyetjeje e kemi tashmë para syve: vetëm duke shpallur si arsye të ekzistencës së individit dëshirat dhe impulset e tij të papërkthyeshme dot për secilin nga të tjerët dhe që për individin në fjalë janë të paprekshme: as mund t’i kundërvihet, as t’i censurojë, as t’i tjetërsojë, përderisa arsyeja e të qenit të tij janë vetë ato.
Kur thamë në fillim se “E shenjtë është çfarëdo entiteti apo dukuri që themelon, legjitimon apo garanton ekzistencën e përbashkët të një bashkësie njerëzish”, a thua nënkuptuam që ajo është fillimi e fundi i jetës e nuk ekziston gjë tjetër përveç saj? Nëse nuk ka asgjë tjetër përveç të shenjtës, as individë e as jetë, as liri shprehjeje e liri zgjedhjeje, a mos vallë kështu i kemi hequr “by definition” të drejtën matematicienëve, artistëve, agnostëve e shumë bashkësive të tjera që të kenë të shenjtën e tyre? A mos vallë, by definition, e shenjtë i bie që të jetë vetëm religjioni dhe asgjë tjetër jashtë tij? A mos vallë unë, im bir, im nip, im atë e im gjysh, nuk krijojmë dot një të shenjtën tonë veçse nëse është religjioze? A mos e varfëron kjo jetën e individit, pavarësisht se mund të pasurojë atë të bashkësisë?
A mos vallë me ‘të shenjtë’, deri tani paskemi kuptuar vetëm religjionin??


15. Dhe veprat e artit në këtë kuptim janë shprehje e shenjtërisë vetjake (pavarësisht cilësisë së tyre) të atyre që i krijojnë. Në këtë kuptim, në kohën që po jetojmë veprat e artit akoma më tepër duke e rezervuar për vetë shenjtërinë, e prekin përmes përfaqësimit simbolik të imazheve shenjtërinë përtejindividuale të religjionit, duke e cenuar atë.
Nëse e shenjta është vetëm religjioni, çfarë kuptimi ka pra arti? Pse duhet të ekzistojë? A mos duhet ta zhdukim?

16. Çka thamë është e mjaftueshme për të shpjeguar reaksionet ndaj filmit të producentit kopt, por edhe karikaturat e gazetës franceze. Kjo gazetë ironizon pikërisht të drejtën e myslimanëve për të pasur të shenjtën e tyre si vlerë themelore e bashkësisë ku bëjnë pjesë. Duke mos e fshehur ironinë e saj, gazeta duket se nuk ka për qëllim të poshtërojë myslimanët, por t’i ndihmojë ata të emancipohen duke mos këmbëngulur më në natyrshmërinë e të pasurit një të shenjtë të përbashkët, pra në natyrshmërinë e të qenit një bashkësi. Mirëpo ky është një veprim kundërthënës: nëse qëllimi i sinqertë i gazetës është të emancipojë myslimanët duke u treguar atyre se shenjtëria është një konstruksion mitologjik që pengon emancipimin e shoqërisë, rruga e zgjedhur për ta bërë këtë është për çdo herë e gabuar: e shenjta mund të kritikohet, por nuk mund të tallet apo ironizohet.(Duke mos llogaritur këtu që për vetë myslimanët në mënyrë po ashtu të sinqertë është e vërtetë e kundërta: prania e së shenjtës është e vetmja mundësi e emancipimit, kurse mungesa e saj është provë e mjaftueshme e degradimit).
A ka ndonjë shans që reagimi ndaj Vargjeve Satanike, cartoons-ave apo filmit kopt të mos ishte me fatwa, me djegie e vrasje, por të ishte vetëm me pyetje? A mundet, që kjo pyetje të ishte: ‘ndoshta e kemi keqkuptuar’? Lost in translation? Dhe fundja, mos po themi që ironia e tallja (qoftë dhe kur bëhen mbi të shenjtën) janë krime kapitale për të cilat regjisori kopt meriton të vdesë? Një bashkësi që ironinë e dënon me vdekje, çfarë ruan në xhep për të ardhmen?
(Emancipimi a nuk nënkupton zhvillim, evoluim, ndryshim? Nëse po, a nuk biem në kundërshti me faktin që e shenjta nuk mund të transformohet? A nuk është e shenjta e shkruar në gur? Cilat janë armët e emancipimit të një bashkësie, përderisa librat, vizatimet e filmat nuk janë armë dhe ironia e tallja janë krime të ndëshkueshme me vdekje?)


17. Në këtë marrëdhënie qëndrojnë filmi “Pafajësia e myslimanëve” dhe karikaturat e “CH.H”: filmi kopt ndjek një qëllim të gabuar: të shpallë luftë, apo të poshtërojë dhe për këtë ka zgjedhur metodën e duhur: një vepër arti. Kurse karikaturat e gazetës franceze ndjekin një qëllim të mirë: një bashkësi njerëzore që ato e konceptojnë të prapambetur, ta emancipojnë, por për këtë kanë zgjedhur metodën e gabuar: një vepër arti.
A mund të qendrojnë fjalët: ‘metodë’, ‘gabuar’ dhe ‘art’ në të njëjtën fjali? A mos vallë dhe këtu jemi ‘lost in translation’? A mos vallë ajo që njëra bashkësi quan ‘art’ dhe ajo që bashkësia tjetër konsideron ‘art’, janë fare të papërputhshme? Në këtë rast, në emër të së shenjtës, a mos nuk ka rrugë tjetër përveçse të kapim armët? Pra, mos kemi arritur në pikën e parafundit të trajtesës me 1 opsion të vetëm, luftën?

18. Dhe ky mund të jetë konkluzioni i fundit: nuk kemi të bëjmë me një përplasje mes një qytetërimi të emancipuar, të civilizuar nga shenjtëritë mitologjike të imponuara njeriut nga jashtë për ta mbajtur atë të nënshtruar dhe një qytetërimi anakronik të pacivilizuar ende nga mitologjia. Në të vërtetë kemi të bëjmë me përplasje mes dy shenjtërive. Shenjtërisë laike të individëve postmodernë për të cilët e shenjta (pra garantuesja e papërkthyeshme dot e ekzistencës së tyre) është çfarë vjen nga pjesa më e thellë, më imtime e njeriut; dhe shenjtërisë religjioze për të cilën e shenjta është përherë një realitet përtej njeriut – ngushëllim i vetëm për paplotësinë e tij. Në varësi të faktit se nga cila anë do të kalojë epërsia, do të përcaktohet e ardhmja jonë jo shumë e largët, nëse do të jetojmë në bashkësi apo vetëm si individë të papërkthyeshëm te njëri–tjetri.
A ka jetë jashtë të shenjtës? A ka shenjtëri brenda jetës njerëzore si e tillë? A mund të jetë e shenjtë e vërteta? Madje, a thua ekziston fare ajo? Nëse individi është një zero jashtë bashkësisë që e legjitimone themelon të paprekshmen universale, dhe nëse e vërteta e ka rrënjën mu te ky individ, a mos vallë e vërteta jashtë bashkësisë vdes? Dhe nëse unë e ti, bashkë me shumë të tjerë biem dakort që regjisori kopt meriton të vdesë, a është e shenjta jonë e vërtetë? Nëse bëhemi 1 miliard kundër tij, dhe e vrasim, bashkë me karikaturistin, bashkë me Salmanin, a do të mund të flemë të qetë në shenjtërinë tonë?
Me siguri që po.

No comments:

Post a Comment