botuar te Revista Klan
Besoj se mund të biem dakord që politika është tashmë vepër e më të fortëve. Politikanë të fortë, të burgosur që dalin nga burgjet para zgjedhjeve, terror psikologjik, vota të marra me dhunë jo më në terren, por mu në mes të KQZ-së. Kohërat që po jetojmë sjellin një rrezik të madh bashkë me të fortët, krijimin e demonëve. Dhe kjo e fundit, mund të na çojë në ngritjen e heronjve të rremë.
Koha e më të fortit
Koha e Zogut, koha e Enverit, Koha e Nanos, Koha e Salës. Vetë termi që përdorim tregon sesi e identifikojmë ne zeitgeist-in e një periudhe: epokat e zhvillimit për ne identifikohen me individin që sundon. Edhe pse fjala ‘zhvillim’ nuk ka shumë vend këtu, sepse nëse zhvillohet teknologjia, nuk është sigurisht merita jonë. E vetmja gjë që mund të zhvillonim ne, marrëdhëniet dhe indi social, janë pak a shumë njësoj si para 100 vjetësh. Të ardhur nga një kulturë bajraqesh, indi ynë social ka mbetur te fisi, dhe shprehja “i pari i fisit” vazhdon të jetë implikimi ynë më i fortë politik. Në fletën tonë të votimit, duhet të vënë emrin e kryetarit të partisë pranë kutisë, që masat popullore të mos ngatërrojnë votën.
Marrëdhënien tonë të sëmurë me majën e piramidës, jam përpjekur ta tjerr në Tartën “Një njeri i vetëm do të shpëtojë Shqipërinë” të 13 nëntorit 2011. Por, kjo kultura e më të fortit kam frikë se nuk është punë burrash të këqinj, sesa burrash të zgjuar që kanë kuptuar karrotën me të cilën të na heqin prej hunde. Është një karrotë e maskuar si shkop. Të fortët, ndoshta pjesërisht i kemi krijuar dhe vetë, me nevojën tonë për ta zhdukur kundërshtarin. Dhe për këtë na duhet një lider, dhe na bind një lider i fortë. Ai që ‘të zhduk’.
Demonët
Dikush më tregonte para ca vitesh që në vendin e tij afrikan (Mozambik, ndoshta), demokracia funksiononte pak a shumë kështu: partia që humbte, nuk njihte zgjedhjet dhe merrte armët e dilte malit. Deri sa një armëpushim krijonte një mundësi për zgjedhjet e tjera. Grupimi (zakonisht me bazë etnike) që humbiste, prapë merrte armët e ngjitej malit. Dhe krijohej historia pa mbarim e një demokracie që duke u përshtatur në kushtet e vendit, nuk arriti të ishte kurrë e tillë.
Meqënëse kemi qëlluar pak dembelë dhe ca si ngushtë (as në male nuk ke më ku fshihesh se janë plot fabrika betoni), ne nuk i ngjitemi malit. E bëjmë luftën tonë pa lëvizur nga karrigia. Mënyra më e mirë për të na motivuar është ajo e krijimit të demonëve përballë. Demoni përballë (në llogoren tjetër) na mban të fokusuar në luftë. ‘Demoni’ është forma më e kollajtë për të aktivizuar genin voodoo tonin, dhe të fortët e politikës e kanë kuptuar. Me demonin përballë, ne jemi gati të luftojmë nën flamujt e demonit që kemi pas shpine. prandaj demonizohen liderët e dy krahëve. Demonizimi, mund të sjellë rënien e njërës kokë të së keqes, por nuk e shëron sistemin.
Prandaj unë nuk jam dakord që Kryeministri është demon. Nëse ka vrarë më 21 janar, siç akuzohet nga shumë vetë, kjo e bën atë një vrasës por jo një djall. Nëse ka vjedhur vota, kjo e bën atë një shkelës ligji, nëse ka vjedhur pasuri, kjo e bën një hajdut, por jo djall. Duke e shndërruar një lider në demon i kemi dhënë valencë, i kemi dhënë dhe aurën e ‘të pamposhturit’, madje edhe përjetësinë demoniake. Mbi të gjitha, ky demonizim i mban llogoret përjetësisht në këmbë, dhe e vetmja gjë që ndodh është që mbushen me djaj të tjerë. Por, shqiptarëve nuk u bën më përshtypje. Rëndësi ka llogorja.
Heronjtë e rremë
Psikologjia e llogoreve na çon të merremi me individin e jo me veprën. Sulmi i neveritshëm ndaj Kadaresë në favor të co-diktatores, është shembull tipik i mediokritetit që ia ka rënë një armë anonime në dorë, blogu ose gazetarëve që u ka rënë një pre e lodhur në dorë, një shkrimtar jashtë hireve partiake. Gazetarët tanë që nuk kanë kurajë të investigojnë asnjë aferë korrupsioni, u ra në dorë mundësia për të ‘investiguar letërkëmbime’. Ata që nuk u ankuan që rrugës “Punëtorët e Rilindjes” iu vu emri Xh. Bush. Punëtorët e Rilindjes që shkrinë pasurinë për këtë vend, me presidentin më pak të kuotuar në botë.
Janë ata që duan të tërheqin këdo në baltën e llogoreve. Mes injorancës e ligësisë, mes llumit të llogoreve dhe duke mos e njohur kurrë horizontin, masat ngrenë në qiell heronj të rremë. Trafikantë e keqbërës, ish-kriminelë të diktaturës, kanë krijuar një kult të vetin (që mund t’u vazhdojë dhe pas vdekjes) dhe, duke ditur me mjeshtëri të rrinë brenda llogoreve duke bërë njëkohësisht dhe të fortin, janë të adhuruar në publik. Psikologjia e llogoreve e njeh tjetrin vetëm kur e ka në llogoren përballë, dhe vetëm atëherë ne jemi të qetë, sepse ai është një identik me ne, pavarësisht se hasëm. Vetëm atëherë e respektojmë.
Ai që nuk është në llogore, as tek e jona as tek e hasmit është dyfish hasëm. Llogoret, të fortët, demonët, kanë krijuar një surrogato të demokracisë. Kanë krijuar anti-heroin e urryer. P.sh. modelin Lubonja.
The Dark Knight
Kam lexuar me vëmendje komentet ndaj dy shkrimeve të Lubonjës, të dyja kritike me qeverinë, një te Panorama, media pranë qeverisë, e një te Tema, media kundër qeverisë. Në të dyja portalet, Lubonjën e shanin njësoj me urrejtje. Shanin individin, pa u marrë fare me idetë. Lexuesit pro qeverisë e konsideronin si të shitur, etj, anti-qeveritarët e akuzonin si shërbëtor të qeverisë, madje, armiqtë e atij që është sot Kryeministër, e denigronin me të njëjtin fjalor e argumenta si të Kryeministrit. Siç thashë, pa u marrë me idetë.
Jetojmë në një vend, ku po këta që pretendojnë ‘besnikëri’ ndaj një kauze që nuk e kanë kuptuar as vetë mirë përveçse si luftë llogoresh, nuk harxhojnë asnjë lek për të blerë librin e dikujt apo gazetën ku ka shkruar dikush. Pra, nuk kontribuojnë në mbijetesën e shkrimtarit. I duan shkrimet falas, dhe në karrike. Ama, Lubonja flet në të njëjtin TV ku foli dhe kryetari i opozitës. Dhe, ndoshta bën më opozitë me sistemin sesa bëri kryetari. Thashë me ‘sistemin’ jo me kryeministrin.
Akuza më e fortë që i bëhet Lubonjës është “pse flet për çdo temë”. Në një vend ku askush nuk bën kritikë profesionale për asgjë, ku nuk ka kritikë arti, ku ka vetëm gazetarë që shkruajnë për thashetheme VIP-ash, ku dokumentari ngatërrohet për kronikë lajmesh, e ku arkitektët mbështesin me turp masakrat e Tiranës, ja që u dashka që një person i vetëm të ngrejë zërin për gjithçka. Ama, më shumë sulmohet Lubonja pse flet si arkitekt, sesa arkitektët që mbështesin (edhe duke firmosur) krimin urban.
Pamundësia për të kuptuar ekzistencën e mendimeve dhe individëve jashtë sistemit “o me ne o me ata” ka bërë që sistemi të rrijë kaq gjatë në këmbë. E keqja e këtij vendi është sistemi. Ky sistem, pjell kohën e Salës sot e kohën e X-it nesër. Ky sistem, ndërron vetëm demonët dhe mban në këmbë llogoret. Sistemit i intereson që të dalin vetëm heronj të rremë për skllevër realë. Sistemit, i interesojnë monumentet prej guri, jo luftëtarët e të vërtetës.
Heronjtë e vdekur
Komentuesit në një blog sot mund të denigrojnë një shkrim të Fishtës (pa e ditur që është i tij) në emër të autoritetit të Fishtës, shkruan N.Spahiu në një shkrim të vetin. Në një intervistë, Arben Puto thotë pak a shumë se “trajtimi që i bëhet ende figurës së Skënderbeut në Shqipëri ndihmon për ta mitologjizuar atë, dhe në fund publiku nuk mëson historinë e një personazhi historik, por atë të një monumenti kulturor. E njëjta gjë ndodh dhe për figurat e tjera, që nga Nënë Tereza e thellë deri te Fishta.”
Kjo është Shqipëria. Plot injorancë, baltë, ligësi, skllevër dhe ushtarë të verbër. Ky është sistemi që disa pak po përpiqen ta luftojnë. Shpresoj shumë tek një shumicë e heshtur që nuk ulet të bëjë komente në baltë. Dhe mbi të gjitha, shpresoj që të mos i humbim ato pak pika referimi që kemi, që rrinë jashtë llogoreve.
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment