Monday, October 22, 2012

Ku shohin sytë bosh të Aishes

Botuar te Revista Klan, dt 20 tetor 2012


Ju e njihni historinë e Aishes. Ma do mendja, kur qëllon që dikush të hapë bisedën e vrasjes në një tavolinë kafeje, ju e korrigjoni me detaje më të sakta. Pra, nuk ka rrezik që të jeni të painformuar. Është shqetësues trupi i saj pa kokë, i ati i saj, don-Zhuani 80 vjeç, heshtja e grave, dhuna e burrave dhe cinizmi i shoqërisë. Çdo shqisë e kokës së prerë Aishes ka shumë për të thënë, dhe meqenëse në këtë vend vajzat si ajo nuk i le njeri të hapin gojë, po i lë rradhën time.

Goja e Aishes

Goja e Aishes, do të akuzonte gratë e këtij vendi. Para pak ditësh, gratë e shoqërisë civile dolën në shesh për të protestuar ndaj kësaj gjëje, që fjala më e butë do e përshkruante si plagë shoqërore. Në protestë u mblodhën gjithsej jo më shumë se 40 gra e vajza (shumica, ngaqë marrin dhe rroga për të qenë shoqëri civile). Më shumë janë ato që solidarizohen në distancë, në FB, për shembull, por ja që atë ditë kishin lënë një kafe që nuk mund ta shmangnin, nja dy dyqane që kishin për të parë, kishte dhe disa që erdhën mu afër vendit, po nuk gjetën parkim, e nuk iu bashkuan protestës.

Më kujtohet lumi i indinjatës së shumë femrave ndaj një shkrimit tim të titulluar “Femrat” të para nja dy vitesh. Nuk i pashë tek protesta për Aishen. Mbase është faji im që besoj në klishera si “solidarizimi femëror”, por, do kisha dashur ta shihja sheshin plot me gra. Dhe ju lutem, mos bëni komente poshtë shkrimit tim, do ishte shumë cinike.

Hunda e Aishes

Është ironik fakti që mu në kulmin e telenovelave turke, na del një Aishe e jona me emër telenovele, që romanin e vet tragjik e ka nisur që 14 vjeç. Rrezik, që 14 muajsh. Shoh burrat e mbledhur nëpër kafenerat e periferisë duke parë telenovelat turke në ekranet e mëdha (ato të Bllokut e mbajnë te FTV, java e modës në Tajvan), ndërsa burra të tjerë dhunojnë me lloj-lloj presionesh e marifetesh të vockla fëmijët e vegjël të periferisë. Fshati hesht. Si në rastin e atij që dhunonte 2 vajza të mitura. Heshtja e burrave që nuk duan t’u humbasë asnjë fjalë e telenovelës, është heshtja e kufomave sociale: njerëz pa rrugëdalje, ekonomia e tyre e rrënuar, shtëpitë e tyre të mjera, fëmijët e tyre të pashkolluar, e drejta e tyre për t’u çiftuar e pasur një jetë seksuale të shëndetshme e ulur në nivelin e derrit, burra të nënshtruar nga padija e varfëria ndaj kujtdo burri tjetër me pak pushtet e para.

Në Shqipëri nuk ka ajër të pastër, aq më shumë në fshat. Ajri jonë mban era kërmë sociale. Një femër e nuhat këtë që sa rritet. Ky, nuk është vend për vajza të vogla.

Hunda e Aishes, do akuzonte burrat e këtij vendi. Sikur ata të ishin burra. Ata janë vetëm hija e një burri, me mënyrën si votojnë, me mënyrën si jetojnë, me mënyrën si skllavërohen. Ata janë më viktima se Aishja, edhe pse nuk e dinë. Por faji i vërtetë qëndron më lart. Atje ku mblidhen fijet e pushtetit, atje ku thurret politika e dhimbjes, atje ku korbat të qërrojnë sytë.

Sytë e Aishes

Sytë e pajetë të Aishes, shohin kryeministrin. Të pajetë, si vetë shoqëria që ai modelon prej 20 vitesh, ku ai është lider i padiskutueshëm prej gati dy dekadash (ka qenë dhe një tjetër, që s’më kujtohet, për pak kohë, tashmë në ekzil mondan në Vjenë).

Sytë bosh të Aishes janë si vetë shoqëria. Të jesh gjel majë plehut, nuk i jep vlerë plehut. Thjesht i vë emrin gjelit. Historia e Aishes është e tmerrshme, sepse Shqipëria është plot me histori dhune të tilla. Çdo fshat, çdo lagje ka të tilla që dalin në dritë vetëm kur vrasin një vajzë. Dhuna, si mënyrë jetese e ka fillimin te fjalori i kryeministrit, te mënyra sesi ai bën politikë e si ngre politika, te njerëzit që i shërbejnë e e përshkëmbejnë. Fshati shqiptar është ashtu, edhe sepse cinizmi i kryeministrit me historitë e tij të Zvicrave me det e të zhvillimit që ia kalon Gjermanisë, është për të mbuluar plehun duke kënduar.

Aishja është nënprodukt i shkatërrimit të arsimit në këto 20 vjet që ka prodhuar vegjetues socialë në vend të energjive krijuese.

Fshati shqiptar, ku jetojnë Aishet, është llumi më i madh ekonomik, social e njerëzor që mund të të shohin sytë. Sikur të kishte njeri sy për të parë. Ne kemi vetëm sy bosh, si të kokës së prerë të Aishes. Dhe, për fatin tonë të mjerë, ne nuk shohim dot as me zemër.

Zemra e Aishes

Unë mund t’i kuptoj njerëzit e dhunuar politikisht të këtij vendi. Njerëz të paaftë të bëjnë punën e tyre. Njerëz të paaftë të ndërtojnë një shoqëri më të mirë.

Aishja është dhe një shuplakë për Kryetaren e Parlamentit, për gratë e pozitës dhe për ato të qeverisë-hije. Aishja është shuplakë për ato gra që pushteti i ka bërë të pushojnë se qeni gra. Aishja është shuplakë për ata burra të cekët e pragmatistë që nuk kanë ditur të bëjnë kurrë diçka më shumë sesa të vjedhin dhe të llapin ekraneve të TV-ve. Një gjasme-elitë pa ideale, që jetojnë ngjitur me mjerimin dhe kujtojnë se janë të paprekshëm nga sëmundjet e shoqërisë. Të lehtë e të përkohshëm, të papërgjegjshëm e vanitozë, pragmatistë e pa pikë ideali, ata janë sëmundja e vërtetë e këtij vendi.

Veshët e Aishes

Është e habitshme që mjerimi ka zënë vend aty feja është më e ngulur. Aishja është dhe një shuplakë për gjasme-zellin fetar të këtij vendi. Një vend besimtarësh nuk mund të ketë kaq shumë histori të tilla. Ai plaku, ai babai, ai fshat, ato fshatrat e tjerë ku historitë si kjo janë me mijëra, janë shembuj mjerimi po aq sa shembuj ligësie njerëzore. Feja, ka dështuar të kryejë misionin e vet: ta mbushë këtë vend me njerëz të mirë. Ata kanë rekrutuar trupa, por nuk kanë prekur asnjë shpirt.

E vërteta e trishtueshme është që ne nuk jemi besimtarë. Ne jemi thjesht njerëz të ligj që kemi nevojë të fshehim ligësinë pas një gjëje të madhe e fuqiplotë. Njerëzit e këtij vendi, të pazotë për të qenë të përgjegjshëm, kanë zgjedhur të maskojë papërgjegjshmërinë e tyre me besimin.

Fetusi i Aishes

Kjo nuk është një ngjarje fshati. Kjo është histori Shqipërie. Aishja nuk është as e para e as e fundit. Më parë ishte një Nazime, e më parë një tjetër, e një tjetër, një lumë vajzash. Dhe ky lumë krimesh nuk luftohet as me policë, e as me shkishërime. Kjo nuk është çështje “opinioni” shoqëror. I ashtuquajturi “opinioni” është një nënprodukt i shoqërisë. “Opinioni” reflekton gjendjen e shoqërisë, dhe shoqëria jonë është nënprodukt i mjerimit. Dhe mjerimi, ka vetëm një gisht për të drejtuar: në majën e piramidës së plehut.

Ndaj, është e pandershme të merresh me të atin, me Donzhuanin 80 vjeç, me “opinionin” e fshatit apo “Opinionin” e Fevziut. Ata janë nënprodukte të mënyrës sesi është qeverisur ky vend që na ka çuar në mjerim ekonomik, social, arsimor, kulturor e njerëzor. Të tërë ata që e kanalizojnë problemin tek fshati, opinioni, i ati e donzhuani, duan vetëm të bëjnë muhabet, e nuk duan të shohin fajtorin e vërtetë. Dënimi me vdekje, shkishërimi dhe policët, nuk janë zgjidhja. Vrasja e “Aishes” ka të bëjë me mjerimin, dhe me përgjegjësit përkatës.

Ky fenomen zhduket vetëm duke zhvilluar krejt shoqërinë, duke ndryshuar rrënjësisht arsimin, duke krijuar zhvillim të vërtetë ekonomik e jo fllucka propagande, duke ndryshuar politikën e dhimbjes që vjen bash nga Tirana, duke instaluar drejtësinë sociale e ligjore, duke krijuar një të ardhme përkundër mentalitetit se çdo gjë arrihet me dhunë. Ky fenomen kërkon shtet social, dhe jo shtetin e VIP-ave të Opinion-it.

E pamundur, e?

Vjen një moment kur mësohemi aq shumë me llumin, sa ai bëhet gjendje e jona natyrale.
Ky vend nuk ka shumë ndryshim nga ai sulltanati ku mbahej një kamare turpi e ku vendoseshin kokat e prera. Vetëm që nuk kemi kamare. Por, edhe pa të, koka e prerë e Aishes më duket sikur na sheh tërë ditën në llumin tonë njerëzor ku jemi zhytur. Dhe ku, vazhdojmë të kuakim si bretkosat.

No comments:

Post a Comment