Monday, May 25, 2015

Këshilltarë dhe vrasës

botuar te gazeta Dita, 25 maj 2015

Tek teneqet anash, tashmë ngrihet muri i qendrës së re Tregëtare






Duke ecur në pedonalen e vetme të Tiranës (Shkodra ka nja 3), nga të paktat qindra metra që njeriu mund të bënte i qetë e njerëzisht në këmbë në këtë qytet, në skaj të saj, përballë Akademisë së Shkencave po ngrihet një karabina xhami, hekuri e betoni. Këmbët e ndërtesës janë mu në pedonale. Domethënë, njeriu do të dalë nga ajo ndërtesë drejt e në rrugë. Nuk ka nevojë të jesh arkitekt për të kuptuar që ajo ndërtesë është një ndërtim i dhunshëm në një vend ku dikur ka pasur lulishte. E di që letrat do t’i kenë të kopsitura. Por nuk ka nevojë të jesh as urbanist për të kuptuar që kjo ndërtesë, njësoj si 40 katëshja pak më larg saj do të sjellin një masakër urbane aty, me mijëra njerëz shtesë që do të duan të parkojnë, me mijëra makina ekstra që do të qarkullojnë në atë nyje edhe tani mjaft të mbingarkuar. E di që letrat do t’i kenë të kopsitura. E di që, edhe po fitoi ekologjisti Sazan Guri – një fitore e pamundur dhe ai e di, sepse nuk është futur në garë për të fituar – ajo ndërtesë nuk do të luajë vendit. Sikurse po fitoi dhe Veliaj apo Kosova. Ka zëra që thonë se lejen e ndërtimit e ka dhënë Kryeministri i sotëm, atëherë kur ishte Kryetar Bashkie, por, mirëpranimi i heshtur nga Lul Basha është i vetëkuptueshëm. Nuk di që Kryetari aktual i Bashkisë të ketë bërë oponencë për makabritetet urbane që po ngrihen nën hundën e tij (e që ndoshta edhe ia lanë peshqesh). Ajo, nuk është as tmerri i parë e as i fundit urban që po ngrihet pikërisht tani në Tiranë. Por, ngritja e kësaj, më ka shkaktuar një tronditje shumë më të fortë se çdo tjetër. Sepse kuptova.

Qyteti që fiket

Kuptova, që Tirana nuk ka më shpëtim. Pas vitesh që e shoh qytetin të shuhet, gjithmonë duke menduar se diçka mund të bëhet akoma, tani kuptova se nuk ka më shpresë. Si ai njeriu i dashur për të cilin gënjejmë veten se do bëhet më mirë, se na kanë folur për një mjek të zotin, se ka dalë një ilaç i ri, edhe pse e shohim përditë të shkrihet para syve tanë, dhe vetëm në një çast, në një çast të vetëm perceptojmë se ai ka ikur, edhe pse merr frymë akoma, por ne e kuptojmë që mjeku i mirë, ilaçi i ri, shpresa jonë, lutjet te Zoti, asgjë nuk mund ta shpëtojë më, ashtu si këtë njeri të dashur, unë pashë qytetin ku kam lindur e ku kam shenjat e jetës sime e tuajës të fikur, pa shpresë.
Kur të vdes një njeri, është dhimbje e madhe. Po kur të vdes një qytet?
Hë o Ed? Po ti Lul? Erion, Halim? Sazaaaaaan?!
Thonë se vrasësit e bashkëpunëtorët (dhe kalimtari i rastit) kthehen në vendin e krimit.

Vrasësit

Shenjat që Tirana ka marrë fund po lexohen prej kohësh. Kushdo që ka para, jo vetëm biznesmenë, por dhe gjyqtarë gazetarë e politikanë kanë iur nga qyteti e jetojnë në rezidenca të largëta, ku ka ajër të pastër, ku kanë vënë roje te dera që mos ketë trafik, e ku nuk kanë para sysh këtë tmerr urban. Vijnë në Tiranë vetëm për të punuar. Pyesni Kryeministrin. Sepse, të parët e kuptuan që ky qytet po bëhet i pajetueshëm. Ajo që kemi bërë deri tani është të drejtojmë gishtin nga Edi Rama e më pas nga Lul Basha si shkaktarët kryesorë.
Për shembull, heqja e vijë së verdhë, është bërë në bashkëpunimin e tërë atyre që kanë drejtuar këtë vend, Kryeministra, Kryetarë Bashkie. Dikush e hoqi, dikush e shtyu, dikush rikualifikoi terrenin, dikush dha lejet e privatizimit e tjetri të ndërtimit. Berisha, Rama, Nano, Meta, Basha, këta janë vrasësit. Ata mbajnë peshën kryesore të vrasjes së Tiranës, por, ne kemi neglizhuar armikun e vërtetë të qytetit. Bashkëpunëtorët anonimë. Këshilltarët bashkiakë.

Bashkëpunëtorët në krim

Asnjë vendim nuk do të ishte marrë pa miratimin e këshillave bashkiakë. Pra, në çdo leje, në çdo dhunim të qytetit është firma e disa dhjetëra njerëzve të cilët, jo për fajin tonë na e marrin votën fshehurazi. Ju shkoni për të votuar partinë në zgjedhjet lokale, dhe aty votoni një grumbull njerëzish që ndër vite e kanë shqyer këtë vend, herë nga indiferenca, herë nga padija, herë nga partitizmi, herë ngaqë janë blerë, herë ngaqë i kanë detyruar, por në çdo rast kanë vënë firmën e tyre në shkatërrimin e qytetit. Në çdo park që nuk është më, në çdo fushë basketbolli ku tanimë ka kulla, në çdo oborr pallati ku tashmë ka një pallat tjetër akoma më të madh, në çdo cep të kthyer në parking, është dhe firma e tyre. Pa firmën e tyre asnjë kryetar nuk do bënte me qytetin atë që ka bërë. Ata janë aty për të kufizuar abuzimet me pushtetin të kryetarit, por, ata vetëm e kanë përforcuar e mbështetur atë. Disa prej këshilltarëve bashkiakë mund të kenë 10 a më shumë vjet që marrin pjesë në krim, madje me rroga, por ju nuk dini gjë. Sepse, në votime ju votoni partinë. Dhe partia, ka kohë që është kthyer në kope ujqish. Jo rrallë kopetë e të gjitha partive bëhen bashkë për ndonjë orgji të nivelit së lartë, siç ishte konçesioni i parkingjeve.
Është prag zgjedhjesh dhe tufat e reja të shkëlyesve të qytetit po presin të marrin mandatin. Pyeteni kandidatin tuaj se kë pas vetes. Pyesni me çfarë trupe do të kërkojë ta marrë e ta menaxhojë bashkinë. Kaq. Vetëm kërkojini emrat dhe në sa këshilla bashkiakë të mëparshëm kanë marrë pjesë.

Funerali im

Kam kuptuar që paska radhë për funerale këto kohë. Ka shumë ide, grupime e deri dhe institucione që është mirë t’u bëjmë një funeral. Ato zëvendësohen, dhe sa më shpejt ‘u qoftë i lehtë dheu’ aq më mirë për të gjithë. Por, funerali i një qyteti është më i rëndë. Qyteti, nuk zëvendësohet. Ne do të vazhdojmë të jetojmë brenda karkasës së tij, lokalet do bëjnë zhurmë, televizionet do na hutojnë, minifundet e të rejave do jenë kozmetika e të vdekurit, kokaina – oksigjeni te koka e të sëmurës, makinat luksoze do tentojnë të transmetojnë shëndet, por, qyteti, Tirana do jetë e vdekur. Dhe kjo, është më shumë se një gjë e trishtuar. Është një gjë e keqe.

Rikthimi, pa qytet

Çdo e keqe ka edhe një të mirë. Tani, nuk kanë asnjë peng me të cilin të na kërcënojnë. Tani jemi të lirë të luftojmë. Ose të ikim. Nuk shoh asnjë arsye pse dikush do donte të vazhdonte të jetonte në këtë qytet duke ulur kokën e duke pritur.

Wednesday, May 20, 2015

Blushi dhe Santo*

Botuar te Gazeta Dita, 20 maj 2015, me titullin "Memoria e shkurtër dhe gjeli majë plehut"


Pra, kaq ishte. U bë nja 1 javë zhurmë për “shkrimin e Blushit” dhe kaluam me lehtësinë më të madhe në xhinglën zhurmuese të rradhës. Ajo që tha Blushi e u tha për Blushin u zhduk, u harrua.
Më ndodh e njëjta gjë kur hap TV italiane, dhe shoh që debatohen e hetohen publikisht çështje mister të para 5 viteve a më shumë. Ne nuk flasim më as për Santon. Një ngjarje që duhet të vinte vazhdimisht në qendër të vëmendjes, jo vetëm për të informuar por dhe për të ushtruar presion mbi ata që hetojnë e mbi ata që e kanë vrarë. Qoftë dhe për t’iu shmangur profecisë – sarkazëm të Çajupit mbi çudinë më të madhe që tre ditë zgjat.
Thonë që kur budallait i tregojnë hënën, ai shikon gishtin.

Gishti i budallait

Gjithë debati mbi tezat e Blushit u reduktua në gjëagjëzën, “pse e bën Blushi këtë”. Dëgjova edhe tezën, që “Blushi kishte mundësi të punonte për të ndrequr gjërat, e pse nuk e bëri?”. Në një kohë, kur të tjerë që mendojnë që Rama vetë është i pafuqishëm për të ndryshuar gjërat, le më një deputet, Blushi. Por, nuk dua të bie në grackën e atyre që do donin akoma të merreshin me gishtin.
Kjo është mënyra më e mirë për të mos u marrë me problemin. Kjo është gjetja gjeniale, të merren me individin e jo me problemet që ngre. Kjo ndodhi për disa ditë pas shkrimit të Blushit. Të paaftë për të prodhuar debat real mbi problemin më të mprehtë të parademokracisë sonë, figurat e ekranit e të letrave u morën me gishtin. Ky perceptim iu përcoll me sukses dhe bazës së fanatikëve, të të painformuarve, të atyre që marrin flakë shpejt, të atyre që jetojnë jashtë e shkruajnë brenda, të atyre që do u duhej më shumë kohë për t’i bluar këto ide. Interesi i atyre që donin të thelloheshin ca më shumë u mbyt në detin e anonimëve të paguar që turbullojnë çdo hapësirë mediash sociale.
Por, zëre se tezat e Blushit nuk i hodhi Blushi. Le ta zëmë se i shkroi Artani. Atëherë le të flasim për tezat e Artanit. Tezat e Artanit, janë tezat më të rëndësishme politike deri më sot në Shqipërinë pas komuniste.

Tezat e Artanit

Konflikti kryesor social, ekonomik dhe politik në Shqipëri është paraja dhe shpërndarja e saj.
Ndaj tezat e Artanit përfshijnë pushtetin, shpërndarjen e parave dhe indirekt të çojnë të reflektosh mbi rrjepjen sistematike që i është bërë këtij vendi e këtyre njerëzve. Pra, ata që u morën me gishtin nuk paskëshin qenë dhe aq budallenj, por të djallëzuar që e shmangën debatin. Artani i drejtohej një familjeje politike, por, ato që thotë ai vlejnë për krejt klasën politike.
Politika sot është mënyra më e shpejtë për të siguruar para të shpejta e të pista, përmes shitjes së favoreve që rrjedhin prej postit. Për të të futur në listën për deputet në zgjedhjet e fundit nuk kishte rëndësi kush ishe, por sa para kishe. Të tëra paratë e investuara për fushatë po u kthehen investitorëve në forma përfitimesh të ndryshme. Njerëzit më të pasur të këtij vendi janë në Parlament, në Gjykata, në kupolat partiake, në pronësi të mediumeve dhe në Qeveri. Edhe nëse ca të pasur kanë përtuar të hyjnë në Parlament, “hallet” e tyre i zgjidhin fare mirë në darkë të tërë së bashku. Ata kanë në dorë vendimet ligjore deri dhe në zhdukje dosjesh e krimesh, vendimmarrjet e qeverisjes, caktimin e zinxhirit administrativ të vendit në të tëra nivelet, çdo lloj pasurie të këtij vendi ndërtuar e lënë nga të tjerët, praktikisht, një grusht njerëzish kanë në dorë jetët e 2 milionë e ca të tjerëve. Kur them i kanë në dorë, i kanë në dorë në kuptimin e parë të fjalës, nominalisht, pra, mund të luajnë me jetën e kujtdo që ka zgjedhur të jetojë në këtë vend. I tillë ishte dhe rasti i Santos.

A gënjen Artani?

Artani, mbase dhe gënjen. Ndoshta, ekzagjeron. Por, nuk do ta marrim vesh kurrë, sepse mediat janë të blera. E vetmja mënyrë është të pyesim veten, dhe t’i besojmë perceptimit tonë. Perceptimi im është që Artani ka të drejtë.
Në çdo bisedë të përditshme, me njerëz të zakonshëm, i vetmi informacion që marr është që çdo vendim që merret në të gjitha instancat e pushtetit është në favor të një grupi njerëzish me para, në shtrembërim të së drejtës ligjore, morale e njerëzore. Kjo balancë e prishur është e keqe për të dyja palët, por, nuk besoj që lakmia do t’i lërë ujqit e parasë të reflektojnë gjatë për nevojën e një realiteti të ri social. Instinkti i ujqve është që të shqyejnë të gjitha delet, pavarësisht se nuk do t’i hanë.
Pyetja e Artanit, por edhe e imja, është: Kush do mendojë për të varfrit?
Të ndodhur në anën tjetër të humnerës, atë më të keqen, të varfëruar, të edukuar beterr, të ushqyer keq mediatikisht, të privuar nga çdo lloj të vetëndjeri pozitiv, të shtyrë të mendojnë që janë të paaftë, që jeta e tyre vlen aq sa u kanë dhënë, të nëpërkëmbur e të përbuzur, të shmangur nga çdo lloj forme vetëorganizimi politik, ata nuk kanë rrugë tjetër veç të lypin drejtësi. Drejtësi ligjore, ekonomike, politike, njerëzore dhe ekzistenciale.
Por, nga kush?
Një gjyqtar i pasur, një parlamentar milioner, një pronar mediumi që pret t’i dalë tenderi, një ministër që i duhet një shtëpi e re në një zonë luksoze, një Kryetar Bashkie që mbështetet nga ndërtues që presin fitoren për të ndarë trojet e ndërtimit apo një kryetar komune me llogari bankare në Qipro, cili prej tyre do të marrë qoftë dhe një herë një vendim në favor të të varfërve?

Pyetja

Umberto Eko, te “Numero Zero” ankohet për një popull që e ka memorien tepër të shkurtër. Si çështja e Santos dhe tezat e Blushit, që u harruan për pak ditë.
Ne kemi parë 97-n, Gërdecin, 21 janarin, shkatërrimin përfundimtar të Tiranës si qendër urbane, shkatërrimin e çdo fryme sindikaliste, shkatërrimin e arsimit e të shëndetësisë, grabitjen e pronës publike dhe tjetërsimin e asaj private, e prapë do të shkojmë në zgjedhje duke i harruar të gjitha këto. Do të gënjejmë veten me argumente se pse duhet të votojmë atë e atë më mirë se këtë e këtë, dhe do të luajmë farsën e radhës së “sovranit” që vendos të mbajë mbi kokë përsëri uzurpatorët.
Pyetjes më sipër, nuk do t’i japë askush përgjigje. Janë tepër të zënë duke bërë para e duke shtrënguar fort pushtetin, si gjel të parasë. Tërë pushteti i tyre i ngjan kapardisjes së një gjeli majë plehut. Për këtë na ftojnë përsëri të votojmë, pa denjuar të kthejnë përgjigjen e pyetjes më sipër.
Por, nuk ka paqe sociale, nuk ka shtet të së drejtës e nuk ka të ardhme pa kaluar nga kjo pyetje, herët a vonë. Ka vetëm një gjel, majë plehut.

Friday, May 15, 2015

“Kurbani 2”, nga Erdogan

botuar te Dita, 15 maj 2015


..............................

102 vjet shumëzuar me 0

Më kujtohet përshkrimi i një gazetareje kosovare i takimit të saj me Erdoganin para disa vitesh. Një takim, ku Vëllai i Madh, kishte pasur vetëm një kuriozitet ndaj vëllezërve të vegjël shqiptarë, “Si është puna e asaj xhamisë që duhej të ndërtohej…”.
Do isha kurioz të dija se çfarë flet Kryeministri ynë me Vëllain e vet të madh në takime private.
Por, dhe pa e ditur këtë, një gjë është e qartë: Thesi i parave të Erdoganit do të shkojë për të ndërtuar një xhami – një xhami të ngritur mbi shkatërrimin e një parku dhe me një projekt arkitekturor të diskutueshëm – një xhami, për llogari të një shoqate fetare. Pjesa tjetër e parave do të shkojë për të ndërtuar një Parlament të ri (a thua se kjo është emergjenca financiare e Shqipërisë), sepse Parlamenti i vjetër bezdis Xhaminë e re të madhe.
Pra, pas 102 vitesh pavarësi (nga Turqia) vjen Kryeministri turk dhe na detyron të spostojmë Kuvendin për t’i bërë vend Xhamisë së tij. Si t’u shkojnë rusët britanikëve e t’u kërkojnë të spostojnë Buckingham Palace, se duan të ndërtojnë një Katedrale Ortodokse aty ngjitur dhe pallati mbretëror u bën hije. Ama, duke u premtuar që Putini do ua ndërtojë me para ruse, më të madh se ç’e kanë.
Rama i çoi Kurbanin e vet Erdoganit, dhe në kthim ai na solli disa peshqeshe, asnjëri që na duhet vërtet.

Peshqeshet dhe Axhenda

Mesazhet e Erdoganit nëpërmjet vizitës së tij në Tiranë janë të qarta. Ai erdhi e përuroi një xhami, solli para për një xhami tjetër dhe kërkoi që të zhvendosim Parlamentin.
Pra, axhenda e Erdoganit ishte thellësisht islamike. Por, nëse Papa kur erdhi ishte gjithëpërfshirës në fjalimin dhe filozofinë e tij, Erdogani na vuri ne, Shqipërinë, në kufinjtë e parë të perandorisë së tij Islame, – neo-kalifat, e quajtën disa gazetarë – në të kundërt të asaj që bëri Skënderbeu, që e shëndërroi Shqipërinë në kufirin e parë Evropian ndaj otomanizimit.
A, po. Erdogani kërkoi që shkollat “terroriste” të një fetari tjetër, bashkëkombas i vet, të zëvendësohen me shkolla fetare të krahut politik të Erdoganit.
Që institucionet shkollore me ideologji fetare duhen rimarrë nën kontroll e mbikëqyrje nga shteti, kjo është imperative. Por jo për arsyet që i kërkoi Kryeministri turk. Ato shkolla duhen kontrolluar për cilësinë e natyrën e mësimdhënies, për dozën e indoktrinimit islam e për mënyrën sesi u mësohet dija fëmijëve e të rinjve. Shteti shqiptar ka standardet e veta të arsimit laik, dhe nuk jam shumë i bindur, bazuar edhe në përvojat personale të atyre që kanë studiuar aty, për përputhshmërinë e atyre shkollave me standartet tona laike.
Për këto peshqeshe të Erdoganit, Kurban duhet të bëhet një park dhe Parlamenti shqiptar. Ato janë, esenca e Kurbanit që duhet t’i kthejë Rama (pa hapur gojë) Vëllait të tij turk.
Ne nuk mund ta dimë se çfarë flet Rama me Erdoganin në takime private, por, nuk është vështirë të kuptojmë për çfarë NUK flitet.

Për se flasin Vëllai i Madh dhe vëllai i vogël (me të vogla)?

Të paktën, jam i sigurt për çfarë nuk flitet: Nuk flitet për burgosjen e gazetarëve në Turqi, për shtypjen e dhunshme të protestave e të çfarëdo zëri opozitar atje, për radikalizimin e shtetit turk që po kërkon dhunshëm të vendosë një vello islami mbi një shtet laik, të ndalojë deri dhe Twitterin e alkoolin, për korrupsionin familjar të familjes Erdogan, për blerjen e mediave, deri dhe vrasjen e armiqve të regjimit të Vëllait të madh të Kryeministrit tonë.
Një gjë tjetër për të cilën nuk flitet me Erdoganin është Skënderbeu, figura jonë kombëtare që turqit deshën ta na e heqin dhe nga librat e historisë, para ca vitesh. Ndoshta dhe na e kanë hequr, dhe ne nuk dimë gjë. Sepse, kryeministrat tanë na i bëjnë gjërat fakt të kryer.
Besoj nuk flitet as për Merkelin e as për Evropën, ku Erdogani është një figurë e papëlqyer. Vëllai i Madh i Kryeministrit, është një autokrat që Evropa nuk e do.
Erdogan, në vendin e vet është personi që akuzon për “puçistë” e për “horra bulevardi”, një sozi në përmasa më të mëdha i Berishës. Vëllazëria me të, kërkon një kurban. Kurbani i saj është Shqipëria laike, një park, ndërtesa e Parlamentit, dhe sidomos, morali diplomatik e politik i Kryeministrit. Më kryesorja, kurbani i Erdoganit është Shqipëria evropiane.
Tani le të na thonë sa është fatura e këtij Kurbani. Jo ajo për të ndërtuar xhamira. Por, ajo për të ndërtuar spitale. Nëse ka.