Wednesday, May 20, 2015

Blushi dhe Santo*

Botuar te Gazeta Dita, 20 maj 2015, me titullin "Memoria e shkurtër dhe gjeli majë plehut"


Pra, kaq ishte. U bë nja 1 javë zhurmë për “shkrimin e Blushit” dhe kaluam me lehtësinë më të madhe në xhinglën zhurmuese të rradhës. Ajo që tha Blushi e u tha për Blushin u zhduk, u harrua.
Më ndodh e njëjta gjë kur hap TV italiane, dhe shoh që debatohen e hetohen publikisht çështje mister të para 5 viteve a më shumë. Ne nuk flasim më as për Santon. Një ngjarje që duhet të vinte vazhdimisht në qendër të vëmendjes, jo vetëm për të informuar por dhe për të ushtruar presion mbi ata që hetojnë e mbi ata që e kanë vrarë. Qoftë dhe për t’iu shmangur profecisë – sarkazëm të Çajupit mbi çudinë më të madhe që tre ditë zgjat.
Thonë që kur budallait i tregojnë hënën, ai shikon gishtin.

Gishti i budallait

Gjithë debati mbi tezat e Blushit u reduktua në gjëagjëzën, “pse e bën Blushi këtë”. Dëgjova edhe tezën, që “Blushi kishte mundësi të punonte për të ndrequr gjërat, e pse nuk e bëri?”. Në një kohë, kur të tjerë që mendojnë që Rama vetë është i pafuqishëm për të ndryshuar gjërat, le më një deputet, Blushi. Por, nuk dua të bie në grackën e atyre që do donin akoma të merreshin me gishtin.
Kjo është mënyra më e mirë për të mos u marrë me problemin. Kjo është gjetja gjeniale, të merren me individin e jo me problemet që ngre. Kjo ndodhi për disa ditë pas shkrimit të Blushit. Të paaftë për të prodhuar debat real mbi problemin më të mprehtë të parademokracisë sonë, figurat e ekranit e të letrave u morën me gishtin. Ky perceptim iu përcoll me sukses dhe bazës së fanatikëve, të të painformuarve, të atyre që marrin flakë shpejt, të atyre që jetojnë jashtë e shkruajnë brenda, të atyre që do u duhej më shumë kohë për t’i bluar këto ide. Interesi i atyre që donin të thelloheshin ca më shumë u mbyt në detin e anonimëve të paguar që turbullojnë çdo hapësirë mediash sociale.
Por, zëre se tezat e Blushit nuk i hodhi Blushi. Le ta zëmë se i shkroi Artani. Atëherë le të flasim për tezat e Artanit. Tezat e Artanit, janë tezat më të rëndësishme politike deri më sot në Shqipërinë pas komuniste.

Tezat e Artanit

Konflikti kryesor social, ekonomik dhe politik në Shqipëri është paraja dhe shpërndarja e saj.
Ndaj tezat e Artanit përfshijnë pushtetin, shpërndarjen e parave dhe indirekt të çojnë të reflektosh mbi rrjepjen sistematike që i është bërë këtij vendi e këtyre njerëzve. Pra, ata që u morën me gishtin nuk paskëshin qenë dhe aq budallenj, por të djallëzuar që e shmangën debatin. Artani i drejtohej një familjeje politike, por, ato që thotë ai vlejnë për krejt klasën politike.
Politika sot është mënyra më e shpejtë për të siguruar para të shpejta e të pista, përmes shitjes së favoreve që rrjedhin prej postit. Për të të futur në listën për deputet në zgjedhjet e fundit nuk kishte rëndësi kush ishe, por sa para kishe. Të tëra paratë e investuara për fushatë po u kthehen investitorëve në forma përfitimesh të ndryshme. Njerëzit më të pasur të këtij vendi janë në Parlament, në Gjykata, në kupolat partiake, në pronësi të mediumeve dhe në Qeveri. Edhe nëse ca të pasur kanë përtuar të hyjnë në Parlament, “hallet” e tyre i zgjidhin fare mirë në darkë të tërë së bashku. Ata kanë në dorë vendimet ligjore deri dhe në zhdukje dosjesh e krimesh, vendimmarrjet e qeverisjes, caktimin e zinxhirit administrativ të vendit në të tëra nivelet, çdo lloj pasurie të këtij vendi ndërtuar e lënë nga të tjerët, praktikisht, një grusht njerëzish kanë në dorë jetët e 2 milionë e ca të tjerëve. Kur them i kanë në dorë, i kanë në dorë në kuptimin e parë të fjalës, nominalisht, pra, mund të luajnë me jetën e kujtdo që ka zgjedhur të jetojë në këtë vend. I tillë ishte dhe rasti i Santos.

A gënjen Artani?

Artani, mbase dhe gënjen. Ndoshta, ekzagjeron. Por, nuk do ta marrim vesh kurrë, sepse mediat janë të blera. E vetmja mënyrë është të pyesim veten, dhe t’i besojmë perceptimit tonë. Perceptimi im është që Artani ka të drejtë.
Në çdo bisedë të përditshme, me njerëz të zakonshëm, i vetmi informacion që marr është që çdo vendim që merret në të gjitha instancat e pushtetit është në favor të një grupi njerëzish me para, në shtrembërim të së drejtës ligjore, morale e njerëzore. Kjo balancë e prishur është e keqe për të dyja palët, por, nuk besoj që lakmia do t’i lërë ujqit e parasë të reflektojnë gjatë për nevojën e një realiteti të ri social. Instinkti i ujqve është që të shqyejnë të gjitha delet, pavarësisht se nuk do t’i hanë.
Pyetja e Artanit, por edhe e imja, është: Kush do mendojë për të varfrit?
Të ndodhur në anën tjetër të humnerës, atë më të keqen, të varfëruar, të edukuar beterr, të ushqyer keq mediatikisht, të privuar nga çdo lloj të vetëndjeri pozitiv, të shtyrë të mendojnë që janë të paaftë, që jeta e tyre vlen aq sa u kanë dhënë, të nëpërkëmbur e të përbuzur, të shmangur nga çdo lloj forme vetëorganizimi politik, ata nuk kanë rrugë tjetër veç të lypin drejtësi. Drejtësi ligjore, ekonomike, politike, njerëzore dhe ekzistenciale.
Por, nga kush?
Një gjyqtar i pasur, një parlamentar milioner, një pronar mediumi që pret t’i dalë tenderi, një ministër që i duhet një shtëpi e re në një zonë luksoze, një Kryetar Bashkie që mbështetet nga ndërtues që presin fitoren për të ndarë trojet e ndërtimit apo një kryetar komune me llogari bankare në Qipro, cili prej tyre do të marrë qoftë dhe një herë një vendim në favor të të varfërve?

Pyetja

Umberto Eko, te “Numero Zero” ankohet për një popull që e ka memorien tepër të shkurtër. Si çështja e Santos dhe tezat e Blushit, që u harruan për pak ditë.
Ne kemi parë 97-n, Gërdecin, 21 janarin, shkatërrimin përfundimtar të Tiranës si qendër urbane, shkatërrimin e çdo fryme sindikaliste, shkatërrimin e arsimit e të shëndetësisë, grabitjen e pronës publike dhe tjetërsimin e asaj private, e prapë do të shkojmë në zgjedhje duke i harruar të gjitha këto. Do të gënjejmë veten me argumente se pse duhet të votojmë atë e atë më mirë se këtë e këtë, dhe do të luajmë farsën e radhës së “sovranit” që vendos të mbajë mbi kokë përsëri uzurpatorët.
Pyetjes më sipër, nuk do t’i japë askush përgjigje. Janë tepër të zënë duke bërë para e duke shtrënguar fort pushtetin, si gjel të parasë. Tërë pushteti i tyre i ngjan kapardisjes së një gjeli majë plehut. Për këtë na ftojnë përsëri të votojmë, pa denjuar të kthejnë përgjigjen e pyetjes më sipër.
Por, nuk ka paqe sociale, nuk ka shtet të së drejtës e nuk ka të ardhme pa kaluar nga kjo pyetje, herët a vonë. Ka vetëm një gjel, majë plehut.

No comments:

Post a Comment