Thursday, December 10, 2020

3 fytyrat dhe 3 kohët e vrasjes

Botuar sot, më 10 dhjetor 2020 në Politiko.al, gazetadita.al dhe "Dita" print.

Ngjarja e ndodhur nuk është një moment i vetëm, as një çast shpërqendrimi i një polici të Shqiponjave. Fataliteti i 25 vjeçarit ka momentet e vrasjes, paravrasjes dhe pasvrasjes. Ky event shtrihet në 3 kohë dhe ka 3 fytyra.


Fytyra e parë, polici

Fytyrën e policit kam patur fatin ta shoh personalisht gjatë të dielës së gjatë të 17 majit 2020. Kam parë mes policëve që mbronin territorin e vrasjes së Teatrit edhe fytyra njerëzore. Më kujtohet njëri prej tyre, një polic i zakonshëm, paksa në moshë, që m’u lut të largohesha nga zona e rrezikut, gati i përlotur. Fytyra e tij që më lutej, më kujtoi tim atë, dhe u largova. Pak minuta më vonë, në atë zonë shpërthyen ata të tjerët, ujqit (jo shqiponjat), policë e civilë, me maska dhe pa numra, që tërhoqën zvarrë, rrahën e sakatuan kë gjetën para, me sharje e fyerje, me një urrejtje të pashpjegueshme për atë tufë qytetarësh e artistësh që ndërkohë u kishte vdekur diçka, një Teatër. Këta të fundit, ishin të pajisur jo vetëm me armë por dhe me urrejtje për popullin protestues. Këta ishin më të shumtët.

Në atë moment mësova që pa e kuptuar ne, arma e policisë ishte kthyer në një vegël dhune e urrejtjeje, e maskuar dhe pa numra identifikimi. A nuk i perceptoni edhe ju, sot e kësaj dite, pavarësisht nëse janë policë trafiku, bashkie, specialë, badigardë apo dhe roje objektesh, si zhvatës, si qenie të urryera, si armiq e pushtues? 

Pa dashjen e tyre, por me pjesëmarrjen e tyre, policët e kanë pranuar rolin e tyre të ri. Një pjesë, janë tashmë komfort me këtë rol. 


Fytyra e dytë, shefi

Institucionet kanë fytyrën e liderit. Shteti shqiptar ka fytyrën e Ramës. Policia e shtetit, ka fytyrën e Lleshajt. Lleshaj nuk ka dhënë urdhër për të vrarë 25 vjeçarin. Por, Lleshaj u ka dhënë frymën që qytetari është armiku. I njëjti, që besoj i ka frymëzuar më 17 maj  “bjeruni qenve” dhe “qentë” ishin artistët protestues. Këtë frymë, këtë liri për të shembur në dru e për të masakruar, e kam ndjerë personalisht bashkë me shumë të tjerë në sheshin e Teatrit. Lleshaj, e ka gabim kur thotë që është fytyra e çdo polici. Ndryshe, ai do ishte fytyra e atij policit të moshuar që më kujtonte tim atë. Jo, për fat të keq, policët kanë fytyrën e Lleshajt. 

Dhe nuk mund të bëhet kurrë drejtësi, as për Teatrin, as për Klodianin, as për shumë krime të tjera të policisë, pa treguar me gisht fytyrën e vërtetë. Atë të shefit direkt.


Fytyra e tretë, partia

Lleshaj mund të mos ishte ministër. Ai aty nuk është vetëm sepse donte Edi Rama. Ai është aty, sepse partia miraton në heshtje çdo gjë që bën Rama. Partia, është përgjegjësi për ministrin, dhe për Kryeministrin e vet. Jo pse kanë dalë nga rradhët e saj, por se qeverisin me miratimin e saj, të heshtur a të zëshëm, në emrin e saj dhe siglën e saj. 

Partia, është fajtore me heshtjen e vet. Ëshët fajtore sepse nuk ka takat, as dije, as dëshirë të kryejë qoftë dhe një proces të thjeshtë vetërregullimi - të shohë çfarë nuk shkon me njerëzit e vet, që qeverisin në emër të saj.

Partia është përgjegjëse nëse e sheh veten sot të piratuar nga një person i vetëm apo një grusht njerëzish. Partia duhet të mbajë përgjegjësi nëse Shqipëria vritet, nga shefi i saj dhe polici i saj.

Por, partia hesht. Partia, në të vërtetë është dakord. Madje, Partia përpunon argumente për të filluar revanshin në publik, “ai ishte me preedentë”, “kishte armë”, “nuk duhet prishur prona publike”, “ishte çun i keq”. Shqipëria ka plot çuna të këqij. Ca në rrugë, shumë nëpër zyra. Ca me Range Rovera, e ca barktharë. Asnjë prej tyre nuk duhet të vdesë në mënyrë të paligjshme. 

Sa për prishjen e pronës publike, boll na bëtë për të qeshur. Ajo nuk ekziston. Falë çunave të Partisë, krejt Shqipëria është tashmë pronë e një grupi të ngushtë njerëzish. Deri dhe te trotuaret e sheshet.


Kohët 

Kjo që po shohim sot, është një vrasje që ka nisur me kohë dhe që nuk mbyllet këtu. Pyetja është, si do jetë “pasvrasja”? Një avokat, më tha me 17 maj: ne nuk duhet të ndjehemi viktima, as të sillemi si viktima, e as të qahemi si viktima. Loja e viktimës vetëm e argëton policin, shefin, partinë.

Ndaj të keqes duhet rezistencë. Rezistenca bëhet në bulevard. Dhe, përballë pistoletës së policit, shefit e partisë, ne kemi të drejtë të luftojmë me pllaka, me kosha plehrash e me pemët e Krishtlindjes.

Aq më tepër, kur një 25 vjeçar nuk do e gëzojë këtë Vit të Ri.