Monday, November 21, 2016

Lindita e salcës, dhe ajo tjetra

botuar te Lapsi.al më 20 nëntor 2016

Jetojmë në një vend të ndarë më copëra 2-she, dhe nuk ke shumë për të zgjedhur: o me Ramën o me Metën; o me pushtetin, o me opozitën; o me ata që po vjedhin sot o me ata që vodhën dje e që do vjedhin nesër; o me të pasurit, o me viktimat; o shef policie që administron territoret me hashash, ose shef policie i qarkulluar; o me Trumpin o me njerëzimin; o me Ministren, o me atë që i hodhi salcë në kokë; o me... o me...
Praktikisht, këto dyshe-nga-dyshet, janë 2 anë të së njëjtës monedhë.
Janë 2 Lindita sot, që nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën, sepse nuk lidhen kurrë, janë në 2 anët e kundërta të barrikadës, dhe të gjithë solidarizohen e i japin mbështetje njërës Linditë, asaj të salcës.

Lindita e të gjithëve
Është trishtuese (çdo ditë të re, një trishtim i ri) të shohësh sa e sa nga ata njerëz me akses në media që rendën për t'u solidarizuar me Ministren e Arsimit, Nikolla, nga një protestë moderne, që të bën pis pa të vrarë, që të përbuz pa të lënë shenja, që të tregon se ke shkatërruar jetët e studentëve duke të shkatërruar vetëm modelin e flokëve.
Në fakt nuk po mbronin ministren, po mbronin veten e vet. Kanë frikë se pas ministres, do jetë rradha e tyre. E dinë, që kanë edhe më shumë pengje e faje se ministrja.
Nuk kam fjalë për të përshkruar krupën kur shoh sesi njerëz që kanë qenë (thuajse) në ballë të protestave të 21 janarit, protesta ku kam qenë vetë prezent e ku në praninë e këtyre individëve (ne) protestuesit shkulëm pllaka e dogjëm makina, befas, na i konsiderojnë rrugaçërira protestat e studentëve me lëngje ushqimore.
Ajo protestë në të vërtetë nuk është ndaj gruas Linditë, po ndaj Ministres Nikolla.
Nuk e njoh ministren Nikolla. Nuk kam, e as dua të kem ndonjë mendim për të si person. E vetmja ide që kam për të janë informacionet nga brenda për mënyrën sesi keqfunksionon sistemi arsimor, që nga drejtoritë arsimore, emërimet, konkurset e deri te reforma në arsim. Ah, po, e njoh edhe nga citimet prej vetë asaj të sms-ve të së bijës që shkollohet në Francë, atje ku nuk të fut njeri në burg po të qëllosh kryeministrin me vezë.
Di dhe pasojat që kanë lënë reformat e saj, (nëse janë vërtet të saj) dhe këtë e njoh në terren, ku për këtë të fundit kam dëgjuar personalisht shumë raste studentësh të detyruar të shkojnë te privati duke paguar mijëra euro sepse koha kaloi e sistemi nuk ua dha mundësinë të regjistroheshin në kuotat bosh të shtetit. Asnjë nga këto informacione nuk më bën të solidarizohem me Ministren. Përkundrazi. Mendoj se nuk mjafton një shishe salcë për të treguar mllefin e protestën. Madje, më dhimbset më shumë salca. Ka njerëz në këtë vend që jo vetëm nuk shkollojnë dot kalamajtë, po makaronat i hanë pa salcë. Por, kjo pak rëndësi ka për rilindaset me çanta firmato dhe për deputetët psikologjisht të dhunuar të komandantit të tyre, i cili dhe në mes të Nju Jorkut në vend që të japë llogari se pse studentët që godasin me vezë (lexo: salcë) burgosen, (nuk) u përgjigj me arrogancën e vet tashmë të rilindur se “vajza të rrijë e qetë, se nuk do i ndodhë gjë pse i dha ca si shumë gojës”. Sa fat që ajo vajzë jeton në Nju Jork, përndryshe, në Shqipërinë e Majkos, Braçes e Nikollës, ajo frazë është e barazvlerëshme me “suksese në jetë”. Madje dhe më keq.

Lindita e askujt
Lindita tjetër, është Lindita Çela, gazetarja e BIRN që sapo fitoi një prej çmimeve më prestigjioze të gazetarisë, çmimin CEI SEEMO për Merita të Jashtëzakonshme në Gazetari Investigative për vitin 2016 në kategorinë “Gazetarët Profesionistë”. E ka fituar në një vend ku juritë nuk korruptohen, ku provimet nuk blihen, ku çmimet nuk jepen për lajkatarët e shefit, dhe ku çdo shkrim investigativ nënkupton që e ke punën e jetën nën rrezik.
E njoh pak Lindita Çelën, sa për të ditur se në ç'presione ka punuar e punon prej aq sa e njoh unë, duke nisur me shkrimet investigative të korrupsionit të Berishës, për të vazhduar me këto të korrupsionit Rama. Por, nuk pashë as entuziasëm, e larg qoftë mbështetje e solidaritet nga establishmenti për punën e saj. Ky lajm nuk shumohet në media. Fevziu nuk bën emisione për të. Braçet e Majkot, nuk shkruajnë statuse solidariteti për këtë. Shqetësimi i tyre është Lindita tjetër, ajo që për një moment mori mbi kokë lëngun e kuq në emër të tërë keqmanaxhimit e korrupsionit qeverisës.

2 Linditat
Nuk kam dëgjuar më lajme për çështjen e Ardit Gjoklajt. Askush nuk e përmend, asnjë media nuk e ndjek më. Ishte një çështje që duhej të kishte hedhur bashkinë e qeverinë bashkë. Ata që guxuan të investigojnë u lanë pa punë. Jo vetëm pushteti e bizneset e lidhur me të janë të interesuar ta zhdukin gazetarinë investigative, por edhe shumë gazetarë të pozicionuar, që e kanë kthyer profesionin në propagandë dhe nuk ndjehen rehat kur ndonjë koleg bën punën e vet. Shumë prej këtyre e injoruan çmimin për gazetaren e Birn-it. Sikurse dhe në redaksitë a emisionet ku punojnë, injorojnë shkrimet investigativ të Birn-it. Shumë njerëz në këtë vend duan që askush të mos investigojë. Duan, që Ardit Gjoklajve t'u harrohet edhe emri e mos t'ua përmendë askush.
Dy Linditat, në fakt janë 2 Shqipëritë: Shqipëria e atyre që e kanë shaluar këtë vend dhe Shqipëria e atyre pak (sa pak... po sa shumë pak) që ende luftojnë. Shqipëria e atyre gazetarëve që po na mbysin me propagandë, dhe Shqipëria e atyre që rrezikojnë punën e pse jo edhe jetën për të sjellë tek ju të vërtetën; Shqipëria e atyre që kanë në dorë gjithçka dhe Shqipëria e atyre që kanë vetëm një gjë, rezistencën. Në këtë vend ka shumë pak njerëz që protestojnë, e akoma më pak që bëjnë rezistencë.
Shqipëria sot është pronë e Linditë Nikollave. Ndaj merremi me kavanozin e salcës, duke denigruar protestuesen e duke injoruar gazetaren investigative.
Por, në botë askush nuk e njeh ministren Nikolla. Në botë, sot Shqipëria përfaqësohet vetëm me gazetaren investigative, Lindita Çelën. Kësaj të fundit, unë, dua t'i them, të paktën, një faleminderit. Në emër të Shqipërisë tjetër, asaj times, e të atyre që nuk kanë zë. Shqipërisë së Ardit Gjoklajve.

STAMBOLLI, NJË PËRRALLË VJESHTE

Botuar te Lapsi.al më 8 nëntor, 2016


Kur duan të flasin për politikë, stambollitët i vendosin telefonat në një tavolinë larg. Tashmë dihet, edhe kur janë të fikur smartphone-t mund të kthehen në vegla përgjimi. Dhe shteti i Erdoganit nuk ka skrupuj të përdorë të gjitha mjetet, edhe të paligjshme, për të futur brenda disidentët dhe për të betonizuar pushtetin. Në biseda, aq njerëz sa pranuan të shprehen, mund të kuptosh se sa shumë ua ka ulur kokën diktatori atij populli, dikur aq të gjallë. Ai i shtyp protestat me dhunë, ai mobilizon militantë islamikë që e duan më shumë se babanë fizik për t'i ndërsyer ndaj protestuesve, ai bllokon rrjetet sociale, ai përgjon këdo dhe arreston këdo, ai do të rivendosë dënimin me vdekje. Madje, ka vendosur të mos ndërrojë as orën, ndoshta thjesht për karshillëk ndaj pjesës tjetër të botës. Fotot e Kemal Ataturkut janë rralluar nëpër vende publike. Erdogan do preferonte, si gjithë diktatorët, si dhe Edi K. Rama, që historia nis me të.
Erdogan është pjesë e një vale regresi që duket e pandalshme në vendet e pakonsoliduara të lindjes, të të gjitha lindjeve, asaj europiane, të mesme apo të largët, ku njerëz me prirje autoritariste ia dolën të shartojnë modelin e diktaturave komuniste me demokracinë, duke e mbajtur diktaturën në këmbë me vota. Problemi është që pasi i ke vënë një herë prangat në dorë, qoftë edhe për shaka, qenka shumë vështirë t'i heqësh.
Më kujtohet Mero Baze i datës 3 Prill 2013, që në editorialin “Më kokulur”, u shkruante Ramës dhe Metës, të sapofejuar, “...më kokulur kur dilni para kamerave. Aq kokulur, sa të paktën të mos na shihni në sy, se ndoshta ua falim, ngaqë rradhën për të ikur e ka Berisha.” Ky ishte kanalizimi i zhgënjimit pas aleancës amorale të 1 prillit se pasi të heqim qafe Berishën, i cili kishte rradhën, do heqim qafe këdo tjetër që do të na marrë nëpër këmbë si ai. Dhe ja ku jemi, me prespektivën që diktatori i vogël i Ballkanit, byrazeri i Erdoganit, t'ia tejkalojë edhe Berishës në pushtet.

Tirana brenda Stambollit
Stambolli i sotëm më kujtoi Tiranën. Në vende pa qytetarë, si ne, shpresa mbetet që vendet me qytetarë të ndërhyjnë. Evropa, me një fjalë, ose Amerika. Në Turqi, të pamundur për t'ia dalë diktaturës me vota ose me protesta, sepse ajo i manipulon të dyja, njerëzit kanë filluar të ikin me mijëra. Si tek ne. Alternativa tjetër është të presin vdekjen e Erdoganit siç prisnim ne të Berishës. Siç do presim ne të Ramës, pastaj do presim të Veliajt, e me rradhë... Siç presin të sëmurët terminalë heqjen e tumorit, duke mbajtur shpresë. Enveri na tregoi që diktatorët vdesin shumë vonë, më vonë se ne.
Sjellja e Erdoganit pas grushtit të shtetit i ngjan shumë asaj të Berishës pas 11 janarit. Sjellja e tij para grushtit i ngjante si dy pika asaj të Edi K. Ramës tani. Agresioni ndaj mediave, blerja e mediave, injorimi i protestave, zhdukja e të vërtetës dhe ngritja e kultit të njeriut që punon dhe po ndërton “shtet”. Ndërkohë me mijëra turq e shqiptarë ikin në perëndim, dhe mbeten vetëm ata që nuk kanë mundësi të ikin, ose ata që janë nënshtruar tashmë dhe përpiqen thjesht të mbijetojnë.
Rama nuk ka nevojë të arrestojë kryeredaktorë mediash opozitare, sepse thjesht ata nuk ekzistojnë. Mjaftohet që të heqë nga ekrani çdo lajm që nuk i pëlqen. Dhe askush nuk proteston. Por dhe po të protestonte, ju nuk do ta merrnit vesh, sepse nuk do të dalë në lajme. Krahasuar me Erdoganin, Edi K. Rama është me fat. Nuk ka fare ushtri që të mund t'i bëjë puçe, e as traditë sekulariste ose opozitare që t'i dalë përballë. Ne nuk kemi as filozofë (skolastikë ose urbanë) që të na shërbejnë si pika referimi.

Turpi i Europës
Ndërsa isha atje, Erdogan arrestoi kryeredaktorin dhe gazetarët e Cumhuriyet, si pjesë e strategjisë për të shuar çdo zë opozitar. Kjo është ekuivalente sikur Theresa May të arrestonte kryeredaktorin e Guardian, apo Merkel të fuste në burg krejt stafin e Der Spiegel. Megjithatë Merkel hesht.
Deri më tani, Erdogani ka arrestuar 37 mijë njerëz, pas grushtit të dështuar të shtetit, ka pushuar mbi 100 mijë nga puna në administratën shtetërore, ka mbyllur 170 media opozitare. Dhe Europa hesht.
Ajo që po ndodh në Turqi është shumë Europiane, por Europa hesht. Kompromisi i Europës me Erdoganin më kujton kompromiset që ambasadorët amerikanë e liderët europianë bëjnë me diktatorin tonë të rradhës, për arsye që nuk do i marrim vesh kurrë. Ata që dinë të lexojnë ngjarjet e kanë kuptuar që ligji për plehrat ishte një qokë për kushedi se kë nga ndërkombëtarët. Ndaj nuk e pamë as Ambasadorin amerikan e as ndonjë europian të dalë e të shprehet. Shpresa që ne mbajmë tek Europa është një tallje me veten. Europa na ka lënë e do të na lërë në baltë për një diktator që u jep atë që duan. Si Erdoganin. Europa ka depresionin e vet, dhe nuk ka kohë as energji të merret me depresionin tonë.

Bella Ciao
Depresioni lexohet qartë në rrugët e Stambollit, një qyteti ku kam qenë me dhjetëra herë, po kurrë nuk e kam parë kështu. Hotelet e mrekullueshme me emra që evokojnë kohët e Agata Kristit tani lëshojnë dhoma me çmimet e një moteli të zvjerdhur në Tiranë. Dyqanet, thuajse bosh. Allçaku, një shitës flokëgjatë që ka jetuar në Këln, nuk mund ta besojë se ne kënaqemi kur e vizitojmë Stambollin. “Pse vini këtu?” është pyetja e atij që jeton brenda burgut. Në rrugicat e Istiklalit 3-4 të rinj, po shumë të rinj, këndojnë pas mesnate “Bella Ciao”. Edhe në Tiranë këndohej Bella Ciao përpara mostrës së betonit në park. Por diktatorëve nuk u bëhet shumë vonë për këngët e revolucionit. Ata kanë mbështetjen e kompanive të betonit me të cilat blejnë mediat dhe të vërtetën. Bashkia e Tiranës arriti ta kthente një krim urban e ekologjik në një propagandë për gjoja një park fëmijësh. Rama, shembi stadiumin në mënyrë të jashtëligjshme, kundërshtuar nga të gjithë e dukshëm për aferë korruptive. E bëri fakt të kryer, sepse mendimi juaj e i imi nuk kanë vlerë për të. Këto janë Gezi parku jonë, por ne nuk jemi turq, dhe ne nuk protestojmë. Ne jemi dembelë, sipas Kryeministrit, dhe këtu ka të drejtë, jemi shumë dembelë për të rezistuar.
Eyüp, është një lagje që e shëtisim më këmbë. Më habisin rrugët e mbushura me vajza e deri fëmijë të mbuluar me ferexhe. Kurrë nuk kam parë kaq shumë ferexhe në Stamboll, sa këtë herë. Përveç arkitekturës, ajo lagje e ata njerëz ndjellin trishtim. Më këshillojnë të mos puthem me gruan në rrugë: lagjia e Erdoganit, më thonë për këtë lagje ku partia e tij fiton shumicën. Edhe ne i kemi “lagjet e Ramës”. Zonat, ku nuk ka rëndësi e vërteta, ku votohet gjithmonë njëlloj, ku ndryshimi nuk bën sens e ku e ardhmja është vetëm nën liderin.
Duke i blerë mediat, duke deformuar të vërtetën, duke shpërfillur ndjeshmëritë publike e duke na vjedhur atdheun, duke paketuar para e milionerë të dyshimtë për zgjedhjet, duke i mbajtur masat në injorancë diktatorët kanë të njëjtën fytyrë.
Sfida jonë e fundit, është që ose të luftojmë për kaq pak sa na ka mbetur, ose të shkojmë e ta këndojmë Bella Ciao-n diku tjetër. Atje, ku nuk ka nevojë, sepse nuk ka as Ramë e as Erdogan. Miku im, Allçak, do ju sugjeronte Këlnin.