Friday, July 20, 2018

Oligarkia, fundi i Shqipërisë

botuar te DITA, 20 korrik 2018

Mbase fjala “fund i Shqipërisë” mund të duket e tepruar. Unë mendoj që në të kundërt, është e kursyer. Do mundohem t’ju arsyetoj përse.


Mitet ekonomike të Shqipërisë

Në vitet ‘90-‘94 ideali ynë në biseda ishin “ata të ambasadave”; në 96-n që nga VEFA e deri te Sudja, thashethemet mondane rreth Vehbiut, të birit, helikopterëve e ku di unë; deri më 2005-n ishin doganierët dhe Nano, kazinotë dhe legjendat e këtij të fundit me para e suitë doganierësh e biznesmenësh; pastaj bisedat filluan të përqendroheshin ndaj mitit të ri të parasë, z. Rama; 10%-shat, monopolizimi i çdo ndërtimi e çdo projektimi përmes kompanive të miqve të vet, kam pasë takuar projektues që e urrenin me shpirt, dhe thonin që vetëm 2 kompani punojnë në Tiranë, të dyja të tijat; pas 2005-s erdhën Zeni dhe Argita me legjendat e tyre financiare, që mund të mos kenë qenë fare legjenda, epoka e Berishës 2 që kulmoi me një tjetër mit ekonomik, Rezart Taçin, tani i zhdukur nga qarkullimi; paralel me këtë filloi të këndohej miti ekonomik i LSI-së, institucionit ku bëheshin para në mënyrë vertikale, e me regjim ushtarak, qindra njerëz vrapuan të rreshtoheshin aty për të siguruar përfitime jashtë ligjit, që nga nxjerrja e një patente e deri tek pozicionet e lakmuara mitmarrëse.
Siç shihet asnjëherë biznesmenët e zotë e të ndershëm, ata që luajnë me rregulla e punojnë fort, ata që e kanë ndërtuar pasurinë me guxim, iniciativë e djersë, nuk hynë kurrë në popkulturën tonë ziliqare, nuk u kthyen kurrë në mit.
Mitet tona ekonomike, ato më sipër, po ta vini re janë në fakt janë dramat tona më të mëdha sociale e politike.
Ndërsa sot, emrat zamir, vilmanush, “klodi i spitalit amerikan” e deri dhe nikolinjakë, rrotullohen rëndom në bisedat e përditshme, tek studentët, pronarët e bizneseve të vogla, aktorët, IT-të, e deri tek gojët pa dhëmbë të atyre që ua shqiptojnë gabim emrat.
Pa qenë ekspert ekonomie, mund të them që kjo do të jetë drama jonë e fundit. Drama e oligarkëve.
Oligarkët, nuk janë pasanikë. Gabimi më i shpeshtë është të ngatërrosh një oligark me një të pasur. Të jesh i pasur, pasi ke punuar dhe ke luajtur me rregulla, nuk është krim as turp e as gjë e keqe. Por, oligarku është një njeri super i pasur që pasurinë e ka vënë ndryshe.
Një oligark, është ai që pasurohet në kurriz të pronës publike, falë lidhjeve okulte me politikën duke përfituar kontrata publike, tokë publike, PPP, favore në kurriz të pronës së përbashkët. Një oligark nuk mund ta bëjë kurrë atë pasuri pa iu hapur rruga në mënyrë të pandershme nga politika. Një zamir nuk mund të jetë kurrë i tillë pa një edramë.


Pse oligarkët janë e keqja e Shqipërisë?

Dëmi që oligarkët i sjellin vendit është shumë i madh. Pasuria e stërmadhe e tyre ngrihet mbi 3 agresione ekonomike.
Dëmin e parë ia shkaktojnë biznesmenëve të ndershëm ose atyre pa lidhje të shkurtër me politikën. Në ekonominë shqiptare nuk ka më konkurrencë të ndershme, siç parashikon ekonomia e tregut, ku më i miri fiton. Jo, fiton ai që ka lidhje me Edramën. Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për të përfituar koncesionet e pronave e parave publike, por, për monopole të drejtpërdrejta që nxjerrin nga loja të gjithë të vegjlit. Bizneset e vogla po rrënohen në taksa, ndërsa Zamirët me shokë dalin nëpër revista të huaja si miliarderë dollarësh.
Dëmi tjetër i vjen popullit shqiptar. Dyshja oligark-kryeministër duhet të pasurohet gjithnjë e më shumë, dhe këto para do dalin ose nga direkt xhepi juaj, siç ishte rasti i Kukësit apo i çmimit të naftës, etj, ose, paratë merren nga xhepi jonë i përbashkët, përmes koncesioneve të dyshimta e të denoncuara dhe në media, si rasti i Vilmanushit me shokë.
Nga ana tjetër, pasuri të pamata publike janë transferuar në duart e një grushti njerëzish afër Kryeministrit pa asnjë arsye ekonomike, thjesht sepse ashtu i do qejfi. Pra, prona jonë e përbashkët na është marrë, pa zhurmë e pabujë, ku me ligje shteti e ku me anashkalim e deformim të tyre, dhe u ka kaluar oligarkëve. Kjo lakmi për të grabitur tani i është sulur qendrës së Tiranës.
Por si qëlloi që u bëmë me oligarkë? A i ka Shqipëria kushtet të ketë miliarderë dollarësh?


Zona gri, miliardat gri

Para 28 vitesh ne ishim të tërë të barabartë. Ishim të varfër, por të barabartë. Qytetari shqiptar ishte i varfër, por populli shqiptar ishte i pasur, sepse e tërë pasuria ishte publike. Hidrocentrale, miniera, toka të reja, porte, hotele, hekurudha… Jo vetëm flota e peshkimit, por deri dhe një barkë peshkimi ishte pronë e përbashkët. Çdo gjë.
Sot, pas 28 vitesh, populli shqiptar jeton akoma në mjerim, mjafton të dalësh nga unaza e Tiranës për ta parë, ndërsa e tërë pasuria e tij ka kaluar në duart e 10-20 njerëzve. Gjithçka. Në këtë transferim gjigand të pasurisë publike nga duart e 3 milionë njerëzve në duart e 20 njerëzve ka diçka të errët. Sepse, nuk ka asnjë logjikë njerëzore që të argumentojë që nga 3 milionë vetë që zotërojnë një pronë kaq të stërmadhe dhe që nuk u numërua kurrë, sepse askush nuk bëri inventarin e pronave të komunizmit, vetëm 20 vetë paskan qenë më të zotët, më të zgjuarit, më të aftët në ekonominë e tregut për të na e marrë këtë pronë ne 3 milionë të tjerëve.
Në këtë transferim të madh pasurie, ka në të vërtetë një krim kombëtar.
Sikurse, nuk ka asnjë logjikë ekonomike që Shqipëria të ketë miliarderë. Në një vend kaq të vogël, me një treg kaq të dobët e fuqi blerëse kaq të ulët, nuk ka asnjë logjikë ekonomike që dikush paska arritur të bëjë 1 miliardë euro pasuri. Apo 2 miliardë.
Këto para, në fakt janë paratë tona. Para me të cilat Shqipëria do mund të ishte një vendi rregullt e i mirë-zhvilluar, i denjë për të jetuar, mësuar e punuar. Por nuk është. Sepse ne u shpronësuam në errësirë, nga lukunia e oligarkëve e kombinuar me grykësinë e një grushti politikanësh. Aty ku shkollat nuk kanë ngrohje, nuk ka para, se paratë janë te oligarku; aty ku gratë vdesin në spitale sepse nuk gjendet një gjilpërë e caktuar, nuk ka para, se paratë janë te vilma dhe klodi; aty ku shqiptarët ikin me kamionë në Londër si mish frigoriferi, nuk ka të ardhme për ta, sepse nuk ka shpresë e punë, sepse paratë që mund t’u krijonin atyre mundësira, i kanë shkuar zamos; aty ku mund të ishte jo një Teatër i ri, po dhjetë teatro të reja, nuk ka para, sepse paratë i kanë shkuar dulakëve. Erdhëm te fundi i Shqipërisë…


Fundi

Fundi i Shqipërisë nuk është vetëm fakti që krejt Shqipëria me të tëra sa ka është pronë e 10-20 vetave.
Kjo që po i ndodh Shqipërisë është kapitalizmi i llojit ”Crony”. Ky është dhe fundi i kapitalizmit si motor i shoqërisë së tregut. “Crony” është ai lloj kapitalizmi ku i pasur nuk bëhesh se ke iniciativë biznesi ose ide, por se je i lidhur me filan parti e filan politikan. Oligarkët, e thënë ndryshe crony-istët, po mos të kishin ato lidhjet e shkurtra me politikën do ishin thjeshtë “një copë magazinier” diku. Sepse, e përsëris, ata nuk ecin sepse janë të zotë në biznes, por sepse janë hileqarë dhe të paskrupullt për të lundruar në ujëra të pista.
Ky sistem do shkaktojë 2 probleme.
E para, ai kërkon më shumë para sesa norma normale e fitimit, sepse duhet të ushqejë pangopësinë e oligarkut për të shtënë çdo gjë në dorë, sepse “ai mundet”, por duhet të ushqejë dhe lakminë e politikani të korruptuar që mund të ketë vënë dhe ai 1 miliardë Euro të pista në Bankat e Qipros. Kësisoj ne do shohim thjesht një hendek gjithnjë e më të madh mes grupit të oligarkëve që shtojnë miliardat dhe pjesës tjetër të publikut që do shkojë vetëm në mjerim të pakthyeshëm.
Problemi tjetër është që ky sistem mund të prodhojë vetëm biznesmenë hileqarë dhe administratorë publikë të paaftë e të korruptuar. Korrupsioni nuk është më ekonomik, është dhe thelbësisht moral.
Vetë shteti, tashmë është në duart e këtij grupi njerëzish e u shërben vetëm atyre. Shteti ka eleminuar konkurencën dhe ka ligjëruar grabitjen. Në këto kushte unë besoj që aleanca Crony, që është aleanca e vërtetë e qelbësirave, është aty për të ndenjur. Mundësia për ta ndryshuar me votë është zero. Ikën Rama vjen Basha. Ikën Taçi vjen Zamiri. Sistemi ekonomiko-politik që kjo aleancë ka ngritur lë vetëm 2 rrugë: o mjerim e rrënim total për shumicën, o revolucion.
Atëherë, i dashur lexues, bazuar në atë se sa e si i njeh ti shqiptarët, cilën rrugë mendon se do zgjedhin? Fund.

Friday, June 29, 2018

Drama e Teatrit dhe aktori Veliaj


Botuar te lapsi.al, dt 29 qershor 2018 https://lapsi.al/2018/06/29/drama-e-teatrit-dhe-aktori-veliaj/

Një gjë është e qartë si drita e diellit: Teatri do të prishet sepse prishja e tij është i vetmi argument për t’i dhënë oligarkut Fusha.shpk pronë publike me vlerë të lartë që të ndërtojë 6 kulla në zonën më qendrore të Tiranës. Ky transferim i pronës publike do të bëhet në mënyrë të paligjshme, duke shkatërruar një ndërtesë historike, dhe duke dëmtuar në mënyrë të pariparueshme urbanistikën e qendrës.

Kushdo që nuk e kupton këtë, le të shkojë të blegërijë tek delet e të ushqehet me tagjinë e propagandës së Bashkisë, sepse nuk meriton të jetë pjesë e debatit.

Kam dëgjuar aktorë të thonë: varja pronës publike, rëndësi ka të bëhemi me Teatër të ri. Ky qendrim, vetëm prej artisti nuk është. Madje, është dhe i cekët. Por, le të mos presim nga aktorët të mbrojnë pronën publike e le të rrimë te Teatri, shtëpia e tyre por dhe e qytetit.


BAR për DELET

Çfarë po ndodh me Teatrin? Nga jashtë, pak kush është i qartë, sepse Bashkia bëri çmos për ta çoroditur publikun.

Asnjëherë më parë Veliaj nuk ka përdorur si këtë rradhë arsenalin e rëndë të propagandës: 3 televizionet kryesore, Vizioni i Dulakëve ndërtues, Klani i Sandrit ndërtues, madje edhe TOP-i i Blushit opozitar, kishin një kryeredaktor të vetëm: zyrën e shtypit të Bashkisë (lexo). Zyra për shtyp e Bashkisë transformoi në mënyrë perverse çdo argument e raportim, duke u dhënë jehonë delfinëve të Kryetarit, duke terrorizuar me gjendjen e stisur të Teatrit e duke zhdukur nga lajmet çdo argument serioz. Nëpër rrjetet sociale e në komentet poshtë shkrimeve, u lëshuan lukunitë e të punësuarve në Bashki për të fryrë tezën që Teatri duhet shembur e për të ngritur në qiell projektin e shpëtimtarit të Teatrit, z. Veliaj.

Në të ashtuquajturën dëgjesë publike, rreshti i parë ishte i mbushur me njerëz të kryetarit. Lista e folësve ishte përcaktuar nga z.Veliaj. Foli aty për të shembur Teatrin një Drejtor Teatri Kukullash i emëruar nga z.Veliaj, Drejtoresha e një Teatri mike me Niko Peleshin, një aktor i vjetër që ëndërron që i biri të bëhet Ministër i Ramës, një dekan i Arteve që nuk ka luajtur kurrë në TK, nja 2-3 të punësuar në Institucione, nja 2-3 aktorë që marrin fonde pa fund nga Bashkia, njëri që i kanë futur gruan në punë në Bashki, një tjetër aktor që ëndërron të bëhet drejtor nga Kumbaro, e kështu me rradhë. Me arrogancë iu pre fjala atyre që nuk donte kryetari.

Në lajme (të montuara nga Bashkia), fjala e Sindikatës (SASE) as nuk u pasqyrua fare.

Filloi përpunimi i tezës se artistët janë të përçarë. Aktorë e artistë, u thirrën veç e veç në zyrë te Kryetari, për t’u blerë mendjen dhe votën. Dikujt edhe iu premua diçka. E tëra sipas lojës “të shkëpusim dele nga tufa që t’i hajë ujku”.

Më pas, Veliaj thirri delet institucionale: urbanistë, zjarrfikës e arkitektë që paguhen direkt prej tij ose hanë bukë me projekte të Bashkisë. Njerëz që nuk i pyet kurrë askush, përveçse për të firmosur aty ku do Fusha.shpk, kryetari i vërtetë i Bashkisë.

U krijua dhe një fabul për gjasme frymëzim protestash nga PD-ja.

Pastaj, u pompua fort një takim me 3 artistë dhe për të krijuar gënjeshtrën që marrëveshja me komunitetin u arrit, u ndërtua me urgjencë një listë bishtash me 65 firma. Kjo lista e bishtave u bë si në kohë të Berishës: ca firma u manipuluan (lexo) disa u morën në telefon dhe iu mor “po”ja me presion; disa e futën vetë qafën në zgjedhë; disa kanë frikë për rrogën; nja 2-3 janë keqinformuar dhe e dinë ngjarjen tjetër për tjetër; nja 5 a 6 janë nga Korça e që duhet t’i bëjnë qokën Peleshit (me Teatrin e Tiranës); nja 2 paskan çuar firmat me faks që nga Shkodra; gjysmat nuk duhej të ishin fare në listë se nuk janë askushi.

E gjithë kjo artileri propagande, gjithë këta njerëz të rreshtuar me dashje a pa dashje aty, sepse ky projekt është shumë i rëndësishëm. 20%-shi i atyre që “rregullojnë muhabetin” shkon dhjetëra milionë euro.


Teatri Kombëtar NUK është i 3 apo 65 vetëve

Me marifetet e tij, Veliaj arriti të marrë 3 artistë e t’i manipulojë në zyrën e tij. Nuk ka rëndësi çfarë u ka premtuar. Qeveria miratoi të mërkurën ligjin e vjetër për Teatrin, pa pjerdhur për gënjeshtrat që Veliaj u ka këputur atyre të treve. (lexo). Për të tre, kam respekt profesional e personal. Por, Teatri Kombëtar ka vlerë Historike e Kulturore, ai është pronë e qytetit, dhe nuk mund të jetë në dorë të 3 personave e as të 65 personave të vendosin që duhet shembur. Qyteti, nuk mund të lejojë rruspën ndaj Teatrit vetëm sepse fati i zi solli në pushtet Ramën eVeliajn, dhe lojën për ta prishur e ua la në dorë Kumbarove e Çulërave.

80 vjet histori nuk mund të shembet nga një njeri që ka vetëm 3 vjet në post. Minimumi, për këtë duhet të bëhet referendum në Tiranë.

65 persona, kushdo qofshin, nuk mund të marrin përsipër të zhdukin një vlerë qytetare që nuk është e tyrja.

Gjëja e parë që duhet bërë është një Bord i pavarur nga Veliaj, Rama e Kumbaro për Teatrin, me njerëz me integritet, jo me njerëz që lehin sa herë fishkëllen z.Veliaj.

Gjëja e dytë që duhet bërë është një ekspertizë profesionale, e huaj, jo e caktuar e as e paguar nga Veliaj, që të kryejë një studim serioz e të pakorruptuar mbi gjendjen e Teatrit. Ky studim do të përcaktojë nëse Teatri mund të rinovohet apo jo, nëse në të mund të punohet apo duhet mbajtur si muze.

Gjëja e tretë që duhet bërë është, që NËSE Teatri nuk mund të rinovohet të hapet konkursi për një Teatër të Ri në një vend tjetër (që le të bëhet tek prona publike, parkingu prapa, që Veliaj ia ka premtuar miqve të tij të Fusha.shpk.)

Për ata që shqetësohen se ku do gjenden paratë, po u them që paratë gjenden. Edhe nëqoftë se kjo qeveri nuk do ta ndërtojë Teatrin, ka plot fonde Europiane për artin, ka fonde private, ka donacione, brenda 2 vjetësh shuma për një Teatër të ri do të gjendet.

I vetmi njeri që kërkon të ngutet është Veliaj. Projekti është bërë, pazaret janë ndarë, Fusha.shpk pret të fillojë ndërtimin përpara se vota popullore t’u bëjë ndonjë hata në zgjedhjet e ardhëshme. Ndaj z. Veliaj po përpiqet ta shesë si sukses të madh këtë krim të madh.

Si aktor, ai është në zenithin e tij, i sigurt që e ka kapur publikun dhe kolegët aktorë prej hunde.

Artistët e kapur në rrjetë nga propaganda e Bashkisë, duhet të dinë që e vërteta në Shqipëri funksionon në ditën mbrapa. Një ditë zgjohesh, e kupton që Teatri është shembur, që gjithçka që mendoje se ta kishin premtuar, në fakt nuk ta paskan premtuar. Që krimin e bënë Veliaj, Kumbaro e Çuli, por ti ke vënë firmën aty. Për të prishur një pasuri historike, kulturore e publike që nuk kthehet më.


E vërteta e ditës mbrapa

Teatri është e dyta ndërtesë historike që duan të prishin, pas Stadiumit Qemal Stafa (që Rama vetë e pati shkruar si Trashëgimi Kulturore për t’i futur rruspën pa mëshirë dhe në mënyrë antiligjore). Pas Teatrit Kombëtar e ka rradhën Galeria e Arteve e më pas Teatri i Kukullave, një tjetër ndërtesë historike. Veliaj vetë, i gëzuar, kur kujtoi se i mposhti artistët e lëshoi fjalën që për Galerinë ka një tjetër projekt prishjeje.

Vendin e tyre do e zënë kullat e partnerëve të Veliajt. E vetmja shpresë që ky krim të ndalet është që aktorët të rezistojnë. Nëse shembet Teatri, për Galerinë nuk do ketë kush të protestojë përveç piktorëve të vdekur (ku hyn dhe njëfarë Edi Rama); ndërsa për Teatrin e Kukullave, e vetmja kukull aty, Drejtori i emëruar nga Veliaj do jetë mëse i lumtur t’i bëjë shërbim interesave të Kryetarit.

Por, lufta nuk ka mbaruar. NUK KA MBARUAR.

Sindikata e Artistëve të Skenës e Ekranit, nuk ka firmosur. As qyteti i Tiranës nuk ka firmosur. As unë. As ti. As mijëra si ti e si unë. Ne nuk përfaqësohemi nga një listë e manipuluar me 65 vetë.

Monday, February 26, 2018

Lali dhe Përbindëshi, dy fytyrat e Veliajt.

(botuar te Lapsi.al, 26 shkurt 2017)

Më në fund, shpëtimi erdhi andej nga nuk e prisnim, nga Fevziu.

U desh vetëm 1 emision për të nxjerrë nga binarët e për të shpërfaqur fytyrën e vërtetë të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, z. Veliaj. Ai na doli përballë me arrogancë, me mungesë argumentash, me kundërthënie me gjërat që thoshte po vetë brenda atij emisioni, dhe me bindjen e njeriut që nuk ka më kush t’i dalë përpara e mund të bëjë atë që do vetë, dmth atë që duan padronët e tij. Makiazhi mediatik për të cilin kujdeset një grup i madh njerëzish (që paguhen me paratë tona) u shpërla nga vetë aktori dhe showmeni i madh i Bashkisë.

Më në fund, të gjithë, edhe ata që e thërrasin “Lali” patën mundësi të shohin fytyrën e dytë të tij, atë që është pamja e tij e vërtetë, atë të Përbindëshit. Mbi 25 herë përdori në këtë emision Kryetari i Bashkisë fjalën “histeri” për të etiketuar të tjerët. Fjala “histeri” është një fjalë shumë e rëndë dhe me një ngarkesë të madhe negative. Ajo përshkruan një kondicion shëndetësor tejet të rëndë që dhe mjekët e përdorin me shumë kursim. Veliaj e përdori atë për këdo, deri edhe për një vajzë të ftuar në emision. Për një njeri të dalë nga shkollat e debatit të Shoqërisë së Hapur, ky ishte shembulli ironik i njeriut që jo vetëm nuk pranon debat por e mbyt atë, që jo vetëm nuk është i hapur por ka zhdukur çdo element lirie nga mediat duke e blerë atë. Në një vend normal, ky njeri do ishte masakruar nga opinioni publik e nga mediat. Por, arsyeja pse Veliaj sillet ashtu është se beson që ne jemi dele, dhe ne atë dhunë verbale meritojmë dhe preferojmë. Por, le të rrimë tek 2 fytyrat e Veliajt.


Përbindëshi që ha Lalin

Më në fund, Veliaj u rikthye publikisht tek vetvetja.

Ne pamë që Përbindëshi nuk e ka problem të shkelë premtimet e Lalit. Lali për të marrë votat na tha që Tirana nuk mund të ketë më ndërtime në qendër e duhet të zgjerohet në periferi, ndërsa Përbindëshi ka vendosur që miqtë e tij të ndërtojnë ekskluzivisht në qendër. Lali del me fëmijë duke luajtur tek lodrat ndërsa Përbindëshi lodrat te rruga e Elbasanit ua dha miqve të vet të bëjnë pallat; Lali del foto me romë të vegjël hopa, ndërsa Përbindëshi i përzë, i zhduk e u prish kasollet që miqtë të ndërtojnë kullat; Lali përqafon plakat në foto, ndërsa Përbindëshi njerëzve më të varfër të qytetit ua merr dhe atë qindlekëshin e gjakut duke ua bërë biletën 40L që miqtë e tij të kenë sa më shumë fitime; Lali qahet se nuk po e lënë të punojë, ndërsa Përbindëshi po jep gjithçka me konçension, pra që të paguajë miqtë që të bëjnë punënt që duhej të bënte Bashkia; Lali nuk mungon të inaugurojë edhe 100 metra korsi biçikletash (ku shumica janë korsi ekzistuese, thjesht ndërrojnë pllakat me beton) ndërsa Përbindëshi ka mbingarkuar trafikun përmes përqendrimit të ndërtimeve në qendër duke u futur kancerin në fyt çiklistëve; Lali qahet për shëndetin e aktorëve të Teatrit Kombëtar, ndërsa Përbindëshi do ta shembë Teatrin që t’ua japë padronëve të bëjnë kulla; Lali del në foto me artistë duke mbjellë shkurre, ndërsa Përbindëshi detyron të tërë aktorët e Teatrit të Bashkisë të dalin për poza propagande; Lali ankohet që nuk ka lekë për Teatër, ndërsa Përbindëshi jep leje për zënie trotuaresh kudo, mjafton që të derdhin para në arkën e Bashkisë.

Lali ishte ai që donte të vinte në pushtet. Përbindëshi është ky që i ka të tëra në dorë. Kjo u pa qartë brenda një emisioni të vetëm. Ne pamë që njeriu që vilën ia ka bërë me kursime e shoqja e dasmën ia bën po me kursime mamaja akuzon njeriun që ka punuar dhe ka blerë tokë e apartament me djersën e vet. Ne pamë që biznesmenët e tij që po ndërtojnë kullat qenkan “të mirët” ndërsa biznesmenët që kanë blerë toka në periferi qenkan “të këqinjtë”.

Ne aty mësuam që z. Veliaj i zgjedh vetë njerëzit që deri dhe Fevziu i vë përpara në emision. Ne aty pamë që Kryetari i Bashkisë mund të shpifë si pa gjë të keq dhe nuk pranon të përballet me atë që akuzon. Ne aty mësuam që ekologjisti që do mbjellë 2 milion pemë akuzon se nuk ka tokë as për Teatër dhe se tokat e periferisë i ka marrë të tëra Bojaxhiu. Po ku do t’i mbjellë ato 2 milion pemët? Apo në tokën e Bojaxhiut?

Ne pamë se Kryetari i Bashkisë do t’u heqë mundësinë qytetarëve të lëshojnë apartamente për zyra që këtë monopol ta kenë miqtë e tij që po ngrenë kullat. Ne pamë… ne pamë shumë gjëra brenda një emisioni të vetëm. Monstruoziteti i Kryetarit të Bashkisë nuk ka fund. Le të vijmë te fundi.


Fundi

Ky është fundi i Tiranës. Me 170 kullat që po ngrihen në qendër, Tirana që ne njohim po merr fund. Në vend të saj do ketë vetëm trafik, vetëm beton, vetëm kulla, vetëm makina, vetëm smog dhe një grup njerëzish që do bëhen edhe më të pasur. Ata vetë jetojnë në Rolling Hills, por kullat janë për ju.

Gjithçka po ndodh sepse z. Veliaj beson që ju jeni dele dhe votat tuaja i ka në xhep çfarëdo që të bëjë. Dalja e Përbindëshit live në TV ishte shenjë e kësaj arrogance e sigurie, përpos dhe një nevojë për t’i treguar Lochness-it të Bulevardit se ai e meriton të jetë 2-shi, se ai mund të jetë po aq arrogant e mostruoz sa vetë Lochness-i. Një mini-Lochness.

Ky, siç e thashë, është fundi i Tiranës. Edhe pa këto kulla, është një nga qytetet më të ndotura në Europë.

Ky, është gjithashtu dhe fundi i z. Veliaj. Ai vërtet është i ri, kjo do të thotë që nuk do e ketë luksin të vdesë si Berisha apo dhe si Rama, i pandëshkuar. Ai do jetë gjallë kur qoftë dhe pas 20 vitesh një ndërgjegje shoqërore do të ngrihet dhe gishtat e akuzës do ti ketë në sy. Mjafton të kujtojmë fundin e Crax-it, një socialist e ish-Kryeministër italian që vdiq në mërgim e i kërkuar për burg.