Sunday, January 30, 2011

Ata që rrinë në shtëpi

botuar te Shekulli, dt 30 janar 2011

Nuk dua të flas për ata që dolën në Bulevard të Premten e homazhit. Më interesojnë ata që ndenjën në shtëpi.

Në inboks kam akoma linkun për një peticion kundër dhunës që nuk e kam firmosur akoma.
Ngjarja e 21 janarit, nxorri në pah atë që, siç kemi ato shenjat e vaksinave të lisë në krahë, e kemi të shenjuar në tru si popull: qasjen pasionale të ekzagjeruar ndaj politikës. Sa më pak arsyetojmë si qytetarë të lirë, aq më shumë fusim pasion përvëlues në debatin tonë politik.
Java e fundit e vërtetoi këtë, me ushtritë e rreshtuara në Internet, ata që ishin me "dëshmorët", e ata që ishin kundër "bandave".

Në mënyrë cinike, ky debat përfundoi te: "si guxojnë ata të na heqin pllakat e bulevardit, neve që paguajmë taksat". Me dashje, ose pa dashje, por sigurisht nën ethet e pasionit, harrojmë që ata që dolën më 21 (e më shumë më 28) ishin po ata që paguajnë taksa, të cilat vidhen.

Ana jonë "soft" prej qejflinjsh llogjesh kafeneje e Fejsbuku, u shpalos në të tëra dimensionet. Nga ata që e marrin shkollën me mik dëgjuam ekspertiza balistike, na doli dhe një kokëbardhë që në youtube ngjante si vrasës i mundshëm. Nga ata që i mban me lekë babi, dëgjuam që dhuna ashtu shtypet në tërë botën.

Sikurse kryeministri ynë, shumë prej nesh kanë humbur kontaktet me realitetin. Ngaqë, gjithçka ndodh e shohim vetëm nga TV ose e lexojmë nga postimet në FB.

E kam një ide se pse aq shumë njerëz (s'kisha parë aq shumë që nga koha e Bejkerit) kishin dalë në bulevard. Ca me urdhër, ca për kuriozitet, disa për interesat që u lidhen me PS a me Ramën, por shumica kishin dalë sepse nuk duron dot më sistemin, më saktë arrogancën e atyre që janë, "sistemi". Por, më shumë, më interesojnë ata që ndenjën atë ditë në shtëpi.

SHTËPIA E SHPIRTRAVE

Në shtëpi, të premten, (përveç atyre që nuk linin dot punën) mbetën ata që janë pasionantë kundër demonstratës:
• Në shtëpi mbetën ata që urrejnë, ose më e pakta, nuk e pëlqejnë më Ramën. Ata që e konsiderojnë demonstratën e së Premtes së Zezë e ngjarjet në vazhdim si një lëvizje që do sjellë Ramën në pushtet, gjë që ata nuk e duan. Sharmi i tij ka rënë; Mbi të gjitha, nuk gjeneron shpresë për shumë njerëz.

Ai është konsumuar nga manaxhimi i Bashkisë së Tiranës dhe nga akuzat për 20%shat që i bëhen. Atë nuk e duan njerëz që e kanë njohur nga afër, njerëz të cilët janë dëmtuar nga politikat e tij në bashki, apo dhe njerëz që nuk e durojnë nga larg, vetëm duke e parë në TV.

Ata që nuk e duan Ramën janë pasionalë dhe nuk besojnë tek ai. Është shumë vështirë që Rama apo kushdo ti bindë që kjo protestë shkon përtej Ramës. Peshorja do anojë nga pasioni i tyre. Pra, këta, do rrinë përherë në shtëpi kur Rama të jetë në Bulevard.

• Në shtëpi mbetën ata që janë mirë e prosperojnë në këtë qeverisje, pavarësisht pjesës tjetër të popullsisë. Ata që, prej lidhjeve politike e familjare, konjukturave, ose dhe thjesht prej shansit, u ka prirë e mbara ekonomikisht në vitet e qeverisjes së PD. Ata nuk kanë asnjë interes që gjërat të ndryshojnë. Madje, rreziku është i lartë që ca të tjerë, me lidhje të reja, me konjuktura më të forta, ose thjesht me më shumë fat të marrin revansh ekonomik ndaj tyre. Këta mund të mos jenë edhe aq pasionalë, por janë praktikë.

U intereson që jeta të vazhdojë kështu siç është, pavarësisht se të tjerë nuk janë mirë. Këta janë egoistë, por, qëkur egoizmi është krim? Egoistët nuk kanë për tu qëlluar kurrë me snajper nga tarraca e Kuvendit. Prandaj, këta do rrinë gjithmonë në shtëpi përsa kohë që kjo qeverisje rri në Kryeministri.

• Në shtëpi mbetën ata që e duan Berishën si baba adaptues. Këta janë pasionalë ekstremë. Pa shërim. Këta rrinë në shtëpi se respektojnë babain. Po tu kërkojë të rrinë në shtëpi me një këmbë pas murit, ashtu do rrinë. Janë gati të pranojnë pa kundërshtim çdo gjë, mjafton të anatemojnë "armikun" e babait. Atyre u thua që të Premten në bulevard kishte vetëm 6 mijë njerëz, dhe e besojnë. Mund t'u thuash që Rama po e udhëhiqte kortezhin lakuriq, dhe e besojnë. Këta janë më të thjeshtët. Nganjëherë, për ironi, edhe më të varfërit.

• Në shtëpi mbetën ata që kanë vuajtur nën komunizmin, dhe PS, organizatoren e demonstratave, e konsiderojnë pasardhëse morale e deri diku gjenentike të komunistëve të djeshëm. Këta rrinë në shtëpi me kujtimet e tyre. Sigurisht që janë pasionalë. Por, ne nuk kemi aq moral vetë që t'u bëjmë thirrje të dalin nga shtëpia. Askush, nuk u ka thënë akoma më fal.

• Në shtëpi mbetën ata që gjithçka kanë, e kanë falë lidhjeve me këtë pushtet. Ata që zëvëndësojnë njëra palë tjetrën sa herë ndërrohen Partitë në maxhorancë. Ata janë super pasionalë, sepse janë gati ta mbrojnë me luftë atë pozitë që nuk do e kishin dot ndryshe.

• Në shtëpi mbetën ata që jetojnë jashtë. Ata që realitetin shqiptar e përjetojnë përmes kujtimesh ose lajmesh në web. Ata janë super pasionalë, nganjëherë më shumë se ne brenda Shqipërisë. Por ata janë jashtë. Dhe taksat, i paguajnë në monedhë të huaj, në buxhetin e një shtetit të huaj.

• Në bulevard, nuk dolën ata që firmosën një peticion kundër dhunës, dhe menduan që me kaq, kontributi i tyre politik mbaroi. Këta s'kanë pasion. Janë të përgjumur.

'PETIT'CIONET

Një protestues në Egjipt, citohej nga mediat e huaja: "Tirania, fillon nga përgjumja e të tjerëve".
Ne, jemi padyshim një komb i përgjumur. 50 vitet e Enverit janë fakti për këtë. Nuk na e kanë lënë kurrë gjenin qytetar të zhvillohet brenda nesh, pa tentuar të na e modifikojnë.
PËRGJUMJA jonë institucionalizohet kur ne vëmë pasionet para bonsensit qytetar.

Dëgjova dhe njerëz që thonin "mirë ua bënë" për 3 të vrarët, (!!) çka tregon se balancat pasionale ku një pjesë e njerëzve vuri dhunën e çadrave baras me 3 të vrarë, janë simptomat e një të përgjumuri. Përgjumja më e keqe nuk është ajo që fle, por ajo që, zgjuar, është gati të përdorë çdo justifikim, çdo sajesë mediatike, çdo fantashkencë të lidërve, për të justifikuar pasionin e vet politik.

Peticionet, në këto kohë, janë një formë përgjumjeje. Forma e përgjumjes e njerëzve paqedashës. Atyre, që nuk durojnë dot rrëmujat, dhunën, të vrarët e mortin.

Ky vend ka dhe njerëz të brishtë ose që e duan vërtetë paqen. Por realiteti ku jetojmë, nuk ka lënë vend më për peticione.

Peticionet ngjajnë si akte romantike jashtë realitetit në një vend ku kushtetuta ndërrohet brenda natës, ku ka 20 vjet që vetëm flitet për vjedhje votash non-stop, kur puçi kushtetues mund të realizohet me 71 vota, ku minatorët do vdesin galerive si qen pavarësisht 1 milion e 50 mijë firmave tona, ku deputetët janë një tavë me speca që shiten me copë, ku asnjë peticion nuk ka për ta shpëtuar Piramidën, nuk ka për të na e kthyer Gërdecin e ngjallur 3 të vrarët. Në një vend ku asnjë institucion nuk funksionon siç duhet, përveç Qeverisë (sipas Kryeministrit), nuk besoj që institucioni i peticioneve do të merret në konsideratë.

Morozov, tek "The Net Delusion" i trajton peticionet online si një "slacktivism", si një formë kur ti kujton se po bën aksion politik, në fakt pa bërë asgjë me vlerë. Ai sjell shembullin e peticionit me 1 milion e 200 mijë firma "Save Children of Africa", i cili për shumë vjet mezi mblodhi 12 mijë dollarë realë. Gandizmi, kishte sens vetëm ngaqë përballë kishte anglezë. Nuk mund të ekzistojë një Gandi në Afganistanin e talebanëve.
Peticionet nuk vlejnë më, kur bota jonë e vogël është ndarë me thikë pasionale në njerëz që dalin në bulevard e njerëz që rrinë në shtëpi.

Mjafton të hapësh TV për të kuptuar që nuk ka hapësira në lajmet e orës 7.30 për peticionet.
Aq më tepër kur, edhe pse i nisur nga një qëllim pacifist, gjasat janë që dikush t'i njësojë firmëtarët me pjesën që të premten duan të rrinë në shtëpi.

Po ta nënshkruaj atë peticion kundër dhunës do jem i detyruar të dal në shesh në antimitingun e rradhës qeveritar kundër "dhunës".

ATA QË KANË FRIKË

Unë, jam një njeri që ka frikë. Frikë nga dhuna, nga të vrarët. Siç kam frikë nga sistemi gjyqësor (mos të pafsha në gjyq), nga sistemi shëndetësor (mos u bëfsh për spital), nga sistemi arsimor (mos shkofsh për shkollë), nga sistemi policor (të bëfsha gropën në bulevard). Frika që Edi Rama do jetë një formë tjetër (më piktoreske, mbase) diktatori, është e madhe. Argumenti që "Edi Rama të paktën nuk të vret", është prapëseprapë i pamjaftueshëm. Por, 2 të Premtet me rradhë duhet ti fusin frikën edhe Edi Ramës.

Njerëzit nuk duan të dalin më në shesh për orekse politike. Njerëzit po mësojnë të dalin në shesh, si këtë të Premte, për të treguar që janë njerëz dhe që durimi ndaj arrogancës shtetërore ka një kufi.

Pamja e heshtur e atyre 100 mijë njerëzve në shesh (100 mijë, sipas Reuters) nuk është për tu injoruar. Ata, nuk janë aty për Edi Ramën. Dhe nuk janë thjesht kundër qeverisë. Janë kundër sistemit. Janë kundër vjedhjes dhe arrogancës së dhunshme, manipulimit e poshtërimit njerëzor, nga kushdo që "kyçet" me sukses në këtë sistem.

Janë aty për të treguar që asnjë doktor apo dhe piktor nuk mund të bëjë ç'të dojë nëse populli im mëson të dalë në shesh.

Sigurisht, duhet shumë kohë që të bëhemi si francezët që dalin për çdo problem në protestë. Por, diçka po lëviz.

E Premtja ishte shenja e parë që shoh te populli im, tek ajo pjesa e heshtur e tij, pjesa që nuk lëshon logore nëpër blogje interneti, që po kupton se duhet të dalë në shesh.
Duke dalë në shesh e ke nënshkruar peticionin këtë rradhë me trupin tënd, e jo me tastjerë kompjuteri.

No comments:

Post a Comment