Botuar te Shekulli, të Dielën dt 16 janar 2011 me titullin "FUNDI I FILMIT PËR TË TËRË NE"
Ndërsa bëhesha gati të shkruaja për filmin “Maya” të Pluton Vasit, ndodhën nja dy gjëra të dhunshme.
E para, një deputet anglez kishte shpërdoruar 14mijë paund. Për këtë, i erdhi thirrja për në Prokurori; në çast, e përjashtuan nga Partia Laburiste; do hajë burg; nuk do hyjë më në politikë; doli dhe kërkoi falje publike. Vetëm për 14 mijë paund! Këta britanikët janë çmendur! Për 14 mijë paund? Për kaq para ai është vërtet “i kristaltë”!
E dyta, një person kryen një masakër në Arizona. Ai e pa të arsyeshme ti çonte në djall (përkthimi zyrtar i Vaffanculo-s së famshme) të gjithë me një batare. Fajin ia vunë retorikës së nxehtë politike. Sarah Palin, do paguajë për këtë në plan afatgjatë.
ah, këta amerikanët! Sigurisht që e kanë gabim, ndryshe ne do kishim dalë mendsh me kohë. Ne përballojmë çdo ditë konferencat e shtypit nga ca vogëlushe të burrëruara para kohe, që dikush i ka marrë për dore e i ka bërë zëdhënëse partish e institucionesh, që flasin me fjalor gjeneralësh në luftë.
Grupe të mëdha policësh krijojnë ankth kur i sheh anash rrugës duke ndaluar makinat, pa asnjë lloj arsyeje. Thjesht me motivin: “Nuk më pëlqen surrati yt. Hap krahun!”
Të krijohet ideja që ky është një shtet policor dhe askush nuk është i sigurt.
Këtë Janar, dhuna na rrethon në të tëra nivelet e parashtruara nga Slavoj Žižek në librin “Violence”.
DHUNË 2011
• Një Zv.kryeministër që i shkon me bllok në dorë Ministrit, si të ishte zysha Kujdestare, është dhunë. Me siguri, edhe atij i shkon dikush tjetër me bllok në dorë, dikush që ne nuk e njohim, duke i ushtruar gjithashtu dhunë. Zysha kujdestare e zyshës kujdestare.
• Një ish-Ministër që mban peng një Zv. Kryeministër me një video për një vit rresht, është dhunë. Aq më tepër, që ka video të tjera, po i ruan për raste festash. A thua do e nxjerrë për Pashkë në vend të vezës së kuqe?
• Një Kryeministër që përcakton nëse një provë video është e vlefshme apo jo, është gjithashtu dhunë, dhunë ndaj Prokurorisë. Madje, do thoja dhunë edhe ndaj Youtube-it. Dhunë edhe ndaj inteligjencës sonë për të lexuar buzët në një videoklip.
• Fjalori i Kryetarit të opozitës, është gjithashtu i dhunshëm. Po atij ia falim, se është artist. Vetë arti, ka shumë dhunë. Shkoni shihni ekspozitat e fotografisë.
• Protestat me vezë janë të dhunshme. Ato bëjnë pis ambientin dhe figurën e Partisë, për të cilin kemi marrë çmime. Çmimin e parë në turizëm dhe në integrim.
• Kapja peng nga civilë të Partisë e djalit që qëlloi me vezë, është gjithashtu dhunë. Dhunë që civilët e kanë pësuar vetë që në shkollë. Kur ata ishin në fillore, ishin kohërat kur prindi i thoshte mësuesit: “Rrihe! E ke lejen nga unë!”. Me atë ide të pastër për edukimin, edhe ata vendosën të edukojnë dy të rinjtë, pa e kuptuar se po ushtrojnë dhunë.
• Familjarja e Partisë që shante me fjalë të ndyra prostestuesin me vezë është dhunë. Dhunë, sepse, siç mund të lexohej qartë nga buzët, u shkelën disa rregulla sintakse sikurse edhe gjinore.
• Policia që kontrollon pa shkak njerëz në rrugë, është gjithashtu dhunë simbolike (e psikologjike). Nëse dikush mendon që kështu po instalon rendin, druaj se është fare jo profesional. Kriminelët e mëdhenj nuk ecin me biçikletë në rrugë e as janë shoferë furgonësh (ndaj të cilëve bëhet raprezalje). Madje, ata rrinë nëpër zyra duke drejtuar afera milionëshe me kostume firmato.
Sa për rendin, ai vendoset duke filluar nga makinat e parkuara dhunshëm. Në lagjen time, policia rrugore nuk ka hyrë prej 20 vjetësh. Ajo mjaftohet duke gjobitur makinat e parkuara keq në bulevard ose në bllok. Në lagjen time ndopnjë polic në të rradhë hyn vetëm për të luajtur bilardo.
• Një djalë i ri, i veshur mirë e me një femër të bukur në një makinë luksoze, ushtronte para ca javësh dhunë në mes të rrugës. I kapur duke shkelur rregullat e qarkullimit, ai dhunonte policin: “Ma merr patentën po ta mbajti, po vjen vetë Ilir Meta ta merr!”. Ai polic i trembur nuk ka arsye të jetë i qetë sot. Meta nuk ka si vjen më, por sigurisht që do vijë dikush tjetër.
• Analistët e gazetarët, në përpjekje për ta orientuar vëmendjen aty ku u intereson shefave, ushtrojnë gjithashtu dhunë mbi idetë e atyre që janë poshtë e që nuk kanë mundësi të flasin.
• Ata që nuk kanë mundësi të flasin, ushtrojnë dhunë në familje ose sherrosen me ata që u vijnë për vizitë duke konsumuar idetë e tyre se kush është më “plehra” në këtë vend. Shumë shpejt, do vijnë plehërat toksike nga Europa me semafor jeshil te gërma “O” dhe llogaritë e tyre do të bëhen lëmsh.
Ka shumë dhunë, në çdo element të jetës sonë. Dhe, dikush duhet të mbajë përgjegjësi për këtë. Përndryshe, të dhunuarit do kërkojnë të luajnë dhe vetë.
“VIOLENCE” – SLLAVOJ ZHIZHEK
Dy premisat e librit “Violence” të Zhizhekut janë: dhuna është subjektive dhe objektive. Dhunën subjektive e dallojmë menjëherë: një kriminel i dhunshëm, një turmë që hedh vezë mbi LSI, disa civilë që të marrin me zor brenda zyrave të Partisë apo një bombë në shkollë.
Dhuna objektive, vjen me dy forma, simbolike dhe sistemike. Dhuna simbolike është ajo e gjuhës dhe e koncepteve. Dhunë simbolike ushtrojnë përditë zëdhënëset e shtypit, ushtrojmë secili nga ne kur e ndajmë Shqipërinë në malokë e shqiptarë, e ushtron edhe ai polici i fshatit Gromas te filmi “Maya” kur konsideron terrorist njërin që ka dy qypa, e ushtron edhe turma e policëve që ngjajnë me çakej buzë rrugës. Dhuna e sistemit, është dhuna më e padukshme, që nuk ka emër. Dhuna e shkaktuar nga sistemi që kemi ngritur. Por efektet e saj janë po aq reale se çdo dhunë tjetër. Është ajo lloj dhune që i ka bërë tërë njerëzit tanë më të mirë të emigrojnë pa kthim. Është ajo që tha dhe Prifti në “Top Story”, “me këtë në pozitë, me atë tjetrin në opozitë e me atë pensionistin në presidencë, nuk mbetet tjetër veç të ikim nga Shqipëria”. Dhuna e sistemit është kapitalizmi i egër që kemi ngritur, ku shqiptarët punojnë thuajse të tërë në të zezë, ku sistemi gjyqësor i dhunon në favor të të pasurve, ku ndodhin incidente industriale me emrin Gërdec, ku minatorët vdesin çdo muaj galerive.
Kjo dhunë, dhuna e sistemit, bën që të lindë ajo dhuna tjetër, ku dy të rinj dje morën vezë e goditën simbolin e një Partie. Ishin vetëm vezë, dhe ishin vetëm 2.
I gjithë shteti, strukturat e dhunës të Partisë, familjarët e Partisë e shtypën protestën e vogël me vezë.
Por, nga kjo dhunë sistemi ata dy njerëz me vezë nesër do të bëhen 10, pas një muaji 100, dhe ndoshta jo shumë larg 100 mijë. Dhe unë kam frikë, që nuk do jenë më vetëm vezë.
Por, siç thotë Zhizhek, ju e nisët të parët dhunën. Ju, me sistemin tuaj.
MAYA
“Maya”, që lexohet “Maja”, duket një paqe e vërtetë kur e sheh në darkë, pasi ke qenë nën trysninë e dhunës së përditshme. Dhe të mendosh se është gjithashtu një film me dhunë!
“Maya” është historia e Samiut (Gent Kame), emigrantit të kthyer për të hapur një parukeri në fshat. Ai dashurohet me gruan e martuar, Majën (Rovena Lule), duke përfituar xhelozinë e shefit të policisë (Myzafer Zifla). Shefi ngre një sistem të tërë hakmarrjeje duke përdorur dhe një njeri të papunë (Arben Derhemi) që nuk e do Samiun.
Fotografia e filmit, imazhi, është nga më të mirët që ka prodhuar kinemaja shqiptare në shumë vjet. Petrela, nuk ka qenë kurrë e xhiruar kaq mirë. Muzika nga Hajg Zaharian, është muzikë e mirë filmi. Personazhet, kasti i aktorëve më duket i zgjedhur mirë, në disa raste shumë mirë, fytyrat e tyre më rrinë të dashura brenda karaktereve.
Nuk dua të diskutoj lojën e aktorëve, sepse loja e aktorëve varet nga fjalët që u ka vënë në gojë skenari, dhe skenari, përgjithësisht i la në baltë.
Subjekti tenton të sjellë një pjesë jete shqiptare. Dhuna është kudo e nënkuptueshme. Te mënyra sesi banorët e Gromasit duan ta përzënë Samiun, kot, sepse e quajnë “i huaji”, edhe sesi shefi i policisë shfrytëzon sistemin për interesat e veta, edhe sesi bija e vogël sillet ndaj së ëmës për ta ndëshkuar për “tradhtinë” e saj bashkëshortore. Kudo, marrëdhëniet janë ngritur mbi dhunë. Dhuna nga frika e fqinjit, thotë Zhizhek.
Por ky subjekt filmik, në të vërtetë është një ngjarje pa shumë ngjarje çka ka detyruar futjen e gërshërës së Samiut berber në montazh. Versioni i ri i filmit, i prerë fort në montazh, ka bërë që ngjarja të humbasë. Duhet të shohësh reklamën në TV, që të arrish të lidhësh ngjarjet në film.
Nga ana tjetër, filmi ka një shkëputje të fortë nga bota e vërtetë. Ata njerëz, ata policë, ai çift Drini-Maja, apo ai Sami artist, nuk janë të vërtetë. Jetojnë në Gromas po shtëpitë e tyre ngjajnë si vila borgjezësh. Mënyra si flasin, si komunikojnë, është e pavërtetë. Ajo që aktorët flasin është poezia e Lleshanakut, por jo realiteti i një Petrele, alias Gromasi. Kjo, ia hoqi rrënqethjen filmit.
Dhuna e sistemit dhe ajo subjektive ndaj Samiut apo Majës, ajo që duhej të na emociononte e të na indinjonte, humbiste. Humbiste në gjuhën letrare të Zyliha Milotit, fshatares që shpërndan qumësht...
Y!
Nëse duhej me “Y” apo me “J” titulli, besoj ka shumë pak rëndësi. Rëndësi ka çfarë ndodh në film. Dhe në film, nuk ndodh pothuajse asgjë. Vetëm gjëra të vogla, që nuk i japin dot as ritëm as ankth subjektit, dhe nuk na lejojnë ne të dashurohemi me personazhet.
Historia nuk rrjedh. Rrugës dalin gjëra të pajustifikuara dhe shikuesi nuk e kupton sesi erdhën punët deri aty. P.sh., pasioni i policit për Majën nuk është aspak i justifikuar në film... përveçse me narracion, apo voice over, quajeni si të doni.
Për të lidhur filmin ose zëvendësuar gjërat që mungonin ishte përdorur aq shumë narracion, dhe nga një zë aspak i këndshëm, saqë e kish çuar filmin në kufinjtë e një hartimi me pamje të bukura nga Petrela. Marrëdhëniet mes karaktereve në film jepeshin kryesisht me narracion, aq sa ti nuk i ndjeje më. Në momentin final, kur vajza e Majës i zhvishet lakuriq Samiut, të dashurit të së ëmës, momenti më dramatik i filmit, kinemaja plasi në të qeshura. Sepse, shikuesit nuk e rrokën dot dramën e filmit. As dhunën psikogjike ndaj së cilës vajza ishte e ekspozuar për shkak të së ëmës.
FUNDI I FILMIT TONË
Filmi kishte një moment shumë të bukur kinematografik, surreal, momentin e vrasjes së Majës (me gjasme). E dua shumë atë moment. Por, ky film, që nga fillimi nuk ishte surreal, dhe ajo copëz aq e bukur ngelet e varur në ajër. Është si një copë bakllavë e ngrënë pas peshkut e para maruleve.
Një moment tjetër i mirë filmik, është zbritja nga avioni e personazhit kryesor, Samiut, i ndjekur nga hijet e bashkëfshatarëve.
Sepse, ndryshe nga ç’dëshironte Samiu në fund e braktis Shqipërinë.
Siç do ikim të tërë nga ky vend, me sa duket, të ndjekur, sikurse dhe ai nga dhuna e sistemit dhe individëve. Nga dhuna e bodigardëve apo e zyrtarëve që përdorin shtetin si çifligun e vet, nga dhuna verbale dhe e koncepteve shoqërorë e mediatikë, dhe mbi të gjitha nga dhuna e një sistemi ku ata që kanë bërë para blejnë qetësinë e tyre dhe tolerancën tonë, me paratë që na kanë grabitur ne këto 70 vjet.
Monday, January 17, 2011
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment