botuar te Shekulli, e Diel, 23 janar 2011
E sotmja është shumë emocionale. 3 të vrarë, të parë direkt në TV, nuk janë si një kamera e fshehtë në zyrën e një ministri. E montuar apo jo? Lëvizte buzët apo jo?
Ajo që ndodhi sot, u pa. Ajo që do ndodhë nesër, edhe mund të imagjinohet. Ne e kemi kaluar një herë tërë këtë, në 97’n. Zgjedhje të kontestuara, njerëz që kanë humbur shpresën, protesta që nisin duke hedhur parrulla dhe degjenerojnë në dhunë, policia që bën punën shkëlqyer... Vazhdimin e dini.
Mua më shqetëson shumë ajo që do të ndodhë pas të nesërmes.
SULMI I PERIFERIVE
Në këtë vend nuk ka rëndësi nëse greva është të premten apo të dielën. Ky vend ka tashmë aq të papunë, sa të dalin në demonstrata dhe në orar pune. Ka dyqanxhinj të rrënuar që nuk humbasin asgjë, edhe po e mbyllën dyqanin një ditë të premte. Ka aq njerëz në depresion, sa u bie më lirë të vijnë e të vriten nga policia sesa të marrin fotoksinë.
Ka aq të varfër, që nuk kanë ç’të humbin tjetër veç prangave. Këtë të fundit e ka thënë Marksi. Por ata që qeverisin, marrin vesh dhe nga Marksi.
Sokol Shameti te “Shqip”-i shkruante se kjo nuk është një demostratë politike por dramatikisht sociale.
Dhe në fakt, shkaku kryesor i kësaj krize është hendeku që nuk mbushet dot me gazetarë të blerë, mes të pasurve e të varfërve. Mes atyre që kanë çdo gjë e atyre që kanë veç një televizor për të adhuruar “elitën”.
Ata që mund të shihje po të lëvizje mes turmës (20 minuta pas nisjes së demostratës) të mbytur e të asfiksuar nga gazi lotsjellës ishin kryesisht pleq, gra, njerëz të zakonshëm, të papunë, hallexhinjtë e periferive. Njerëz që nuk kishin asgjë për të humbur. Veç halleve. Asnjë me rroba firmato (origjinale, jo nga të Gabit).
Rrobat firmato, e shihnin ngjarjen në TV, dhe bënin komente në facebook.
Guximi i periferive për të ardhur në qendër pa qenë dita e verës, për të ndezur zjarre pa qenë nata e bardhë, tregon se mjerimi ka arritur kulmin. Kat’narët, sulmuan borgjezinë.
Kujtuan se mund të na prishin pllakat e bulevardit pa i vrarë njeri.
DREAMERS
DREAMERS, i quan Bertolucci në një film të vetin studentët e Paris 8, që nisën protestat në vitin 1968. Studentët... me sa mall flasim në dhjetor për ta.
Larg opozitës dhe para popullit të periferive, diku në mes të kësaj krize politike duhej të kishte disa protesta studentore. Studentë, që nuk kërkojnë pushtet politik, por reforma, që nuk duan plehra toksike, por shkolla më të mira. Kjo pikë, pika kur studentët kuptojnë të parët se çfarë nuk shkon me këtë vend, në historinë e protestave të 15-vjeçarit të fundit, mungon.
Me, ose pa qëllim, korpusi studentor është vrarë. Më saktë, droguar dhe lënë të vdesë. Të ashtuquajturit studentë, që në mënyrën sesi shkollohen, sesi fitojnë bursat e si marrin provimet, si zënë vendet e punës e si fitojnë konkurset e punës, janë ameba sociale. Studentët tanë janë blerë me mastera 200mijë lekësh, e me diploma pa vlerë. Studentët tanë, janë blerë e manipuluar nga një megasistem arsimor-mediatik-vlerash shoqërore që i shtyn të besojnë se më mirë një makinë sot se një karrierë mot.
Studentët tanë janë të korruptuar në vlerën e tyre të vetme që duhe të ketë një i ri, rebelimin ndaj sistemit.
Studentët tanë, shkojnë në pub në ditë zie. Ata janë falangat që do i japë rremave të anijes së kalbur shtetërore që kemi ndërtuar. Një kalbësirë që noton mbi llumin e periferive. Llumin e periferive, që sot është derdhur në bulevard. Sot, e kam fjalën jo sot si e dielë.
“Sot”, e shohim se ç’ndodh. Por mua, më shqetëson ajo që do të ndodhë në ditën pas së nesërmes.
TUNIZIA, E BUKURA E DHEUT
Mua më shqetëson, ajo që do të vijë pas të nesërmes.
Unë e kuptoj Kryeministrin, kur thotë se nuk është më i vetëm, e s’ka për ta lëshuar pushtetin si në 97’n. Ai ka gazetarët e blerë. Ai ka njerëz që janë gati të dalin e të shkulen për flokësh edhe në TV për të mbrojtur jetën e tyre luksoze.
Por, ajo që këta nuk kuptojnë është se në asnjë demokraci, qoftë dhe e brishtë si ajo e Tunizisë, pushteti nuk mund të mbahet 100 vjet.
Me zgjedhje të parakohshme ose jo, me protesta paqësore ose jo, me vetëm 3 të vdekur ose jo, qeverisja do të ndërrohet.
Sepse, një ditë, le ta themi “nesër”, rrokada do bëhet. Nuk ka rëndësi nëse kjo “nesër” është tamam nesër, apo pas 1 viti a 5 vjetësh.
Edhe pse, Tunizia kishte spote shumë të bukura turistike në CNN, si ne, nga brenda qe një vend i kalbur.
Skenari i vërtetë tunizian, po të lexohet drejt, është ky: vjen një ditë që në një vend të bipolarizuar ligsht mes të varfërve e të pasurve, elita sunduese ndërrohet.
TË FLASËSH SI PËR... PASNESËR
Atëherë, çfarë do të ndodhë ditën pas të nesërmes?
Me të tërë argumentet e mundshme për korrupsion, për shtet mafioz, për tendera e aspri kombëtare të shitura, dikush do vijë në pushtet. Ditën që do fitojë zgjedhjet, ai do nxjerrë njerëzit e rinj, emra të papërlyer, energjikë, të hollë e të dobët siç janë opozitarët, për të treguar fytyrën e re të ditës pas të nesërmes.
Do futen nëpër zyra, do japin sirtarët e dosjet, duke i rënë me shpulla tavolinës: “Ah, ç’paskan bërë këta kriminelët para nesh!”
Pastaj, do të vijë dikush e do i ftojë për kafe. Do i sqarojë se filanin, nuk duhet ta prekim se është mik i filanit... se ky filani i dytë na ka ndihmuar shumë, kur ishim të hollë e të dobët.
“Mirë, po të jetë vetëm për këtë herë! Se, këta kanë bërë namin, duhet të shkojnë në prokurori!”
Numri i atyre që do u bëhen dosjet për prokurori do rritet... por dosjet nuk do shkojnë kurrë atje. Gjithmonë, do jetë dikush që do ti ftojë qeveritarët e ditës pas të nesërmes për kafe, e do u sqarojë ca gjëra.
Filani nuk preket... se nuk duan amerikanët. Filani nuk preket se nuk do Papa. Filani nuk preket, se do të të çojmë për gjueti.
Pastaj, do vijë një i afërm, që do kërkojë një favor për vete. Nuk ia prishim dot... As këtij tjetrit, se e kemi pasur shok shkolle kur ishim të dobët e të hollë... Ai do kërkojë një favor... një mbyllje syri... Mbyllja e syrit do u sigurojë ish-të dobëtve pushime në Dubai... e kush nuk do të bëjë qejf falas në Dubai??
Pastaj, dikush i ka xhiruar me dashnoren... i duhet dhënë një tender që të mbyllë gojën... Është dhe njëri që nuk pranon të mbyllë gojën! Po atij, i mbyllim biznesin... të ngelet pa bukë...! Po janë dhe këta të medias. U hedhim një kockë që mos na bien fort, se ja, erdhën zgjedhjet lokale...
Që këtu e tutje, vazhdimin e dini. E keni parë sa herë.
Të vetmit që do mungojnë në ditën pas të nesërmes, janë 3 njerëz të periferive të vrarë në një demostratë, ku vrasësi nuk u gjet kurrë, e faji ngeli jetim.
Në rastin më të mirë, ata të 3 do t’i bëjmë dëshmorë demokracie. Mund t’u japim dhe dekorata prej teneqeje. Mund të mbajmë dhe fjalime prekëse. Por, në ditën pas të nesërmes ata të tre nuk do jenë më.
3.
Për shkak të atyre të treve, unë jam shumë emocional.
Duket se edhe pas kësaj që ndodhi, asgjë nuk ka ndryshuar e asgjë nuk do të ndryshojë. Por, thellë-thellë, diçka ka lëvizur. Frika! Frika se ata 3, nesër do sjellin aty 3 mijë e 300 mijë. Por jo vetëm nesër. As ditën pas të nesërmes. Por dhe në Ditën pas Ditës së Nesërme.
Hijet e tyre, si fantazma e Bankos do të shqetësojnë për herë gjumin e atyre që do jenë në pushtet. Pushteti i kujtdo që do vijë pasnesër do të ketë frikë nga njerëzit e periferisë që s’kanë asgjë për të humbur. As jetën.
Sunday, January 23, 2011
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment