Monday, January 10, 2011

HOMO DRAGOBICUS

botuar te Shekulli, dt 9 janar 2011

Viti i ri, duket sikur do nisë vërtet me diçka të re, të ndryshme nga i vjetri. Prandaj dhe gjithë ai tërbim për të festuar. Duket, sikur po na vjen diçka krejt e re. Duket sikur të tëra hallet u mbyllën, dhe kur të zgjohemi gjithçka do jetë fringo dhe e bukur.
Ky është vetëm një iluzion. Kur të na dalë pija e festës, shumë prej nesh do shohin që gjithçka është ashtu siç ishte, në mos më keq.
Gjëja e fundit që mbaj mend nga viti që shkoi, ishte njëri që vrau (diku në Shkodër) dikë tjetër sepse e parakaloi.
Ai njeri është një nga ne. Ka të njëjtën pasaportë si ne, dhe mund të na qëllojë dhe komshi.
Këta, pavarësisht nëse jetojnë në Shkodër, Mallakastër a në periferi të Tiranës, janë njerëzit tanë. Ne nuk bëjmë dot sikur jemi ndryshe prej tyre, edhe pse e mendojmë. Jo vetëm ngaqë jetojmë në të njëjtin shtet e flasim të njëjtën gjuhë, por sepse genin e të larit të hesapeve me atë që na shkel, e kemi të tërë brenda nesh, pavarësisht sesa kemi kurajo për ta bërë.
Ndoshta jo të gjithë jemi gati të ekzekutojmë dikë për një parakalim apo në mes të rrugës. Ca, thjesht, vdesin aksidentalisht në gjueti.
Ka diçka shpellare brenda nesh dhe kur vjen fjala te shpellat më kujtohet ajo e Dragobisë.
Në këtë vit, kush i pirë, kush i papirë kemi ardhur të tërë, "ne" dhe "ata". Ky është viti ynë i ri, së bashku me ta, në të njëjtën varkë që quhet Republika e Dragobisë.
Që këtej, shqiptari i vitit 2011 është Homo Dragobicus.

PSE, AI!

Vazhdimisht dëgjoj në lajme për njerëz që vrasin tjetrin për një parakalim, për një femër, për një dhi. Jam përpjekur shumë të kuptoj, “pse?”.
Pse nuk e la të parakalonte pa e prishur qejfin? Pse nuk kuptoi që një fjalë ngacmuese nuk meriton një thikë? Pse nuk ia thith truri që një dhi ka rëndësi vetëm kur është në përkrenare, por jo kur të ha (padrejtësisht) barin këtej gardhit?
Pse, Homo Dragobicus vendos ta zgjidhë çdo problem, sado ordiner, me plumb?

Dikush mund të thotë, po të kishte një polic të ndershëm që të vërë gjobë aty ku ka parakalim të gabuar; po të ketë një gjykatës që atij që ngacmon me fjalë një femër ta detyrojë me punë publike; apo po të ketë mjaftueshëm bar për të gjithë sa ajo që hëngri dhia të mos përbëjë shqetësim, këto gjëra nuk do të ndodhnin.
Sigurisht, dobësia dhe deformimi i shtetit, ekzekutivit, gjyqësorit e shoqërisë civile, sidomos sa del nga Tirana, është një faktor favorizues.
Shndrrimi i qyteteve periferike në çifligje të disa pak feudalëve politikë e ekonomikë, i ka kthyer në shkretëtira ku dhuna e verbër është mjet standart komunikimi.

Por, kaq, prapë nuk mjafton për të justifikuar vrasjen e një njeriu të panjohur vetëm për një parakalim. As pse fjete me kushërirën e dikujt. E as për arsyen që bari i fqinjit, dhisë që kaloi gardhin iu duk më i mirë se i veti.

Problemi i vërtetë është brenda kokës së Homo Dragobicus.
Është marrëdhënia që ka njeriu, me veten e me të tjerë.

SI JETON AI

Njeriu i periferisë, autokton apo i ardhur, jeton një realitet deri diku virtual rrethuar nga koncepte të deformuara të sedrës personale, rrethit dhe pronës.
Vendin e tij në shoqëri ai e kupton përmes konceptit "të nderit" që gradualisht, ka marrë thjesht formën e sedrës.
Sedra e tij nuk është e sëmurë por është e ushqyer keq. Ai jeton vetëm për sedrën, duke prishur të tëra balancat normale të një njeriu që jeton në shoqëri.
Ai mund të jetë i varfër, ai mund të jetë kriminel, ai mund të jetë i pashkollë, i pasukesëshëm, i dhunshëm me gruan e fëmijët, fanatik, mund të jetë shumë gjëra, por këto nuk ia prekin "nderin".

Dikush ka fjetur me kushërirën? Dikush i vrau dhinë? Dikush e parakaloi në rrugë?
Atëherë i kanë prekur pronën! Në sytë e homo dragobicus-ave të tjerë ai sapo u deklasifikuar në shkallën shoqërore.
Sepse, ai përkufizohet nga ato që ka: një femër, një dhi, një makinë. Po të mos jetë në gjendje ti mbrojë ai do të konsiderohet hallkë e dobët në zinxhirin e dhunës. Dhe jo vetëm ai, por dhe tërë rrethi i tij.

SI GËZON AI

Sa del jashtë unazës e deri në Kala të Dodës jeta e njeriut është të hajë, të ketë strehë, të riprodhohet, e kryesorja: të mbijetojë. Jo më kot, sa del nga qendra e Tiranës, e vetmja gjë që mund të bësh është të gjesh një vend të mirë për të ngrënë, sepse nuk ka asgjë tjetër për të bërë. Nuk ka asnjë vend në Shqipëri ku të mund të argëtohesh, përveç peshkut.
Ky, është vendi ku Homo Dragobicus jeton përditë. Më saktë, mbijeton përditë.
Njeriu i shtyrë në kufinjtë e ekzistencës bazë do të reagojë po me instikte bazë.

Bota e tij emocionale nuk shkon përtej filmave me Vandamin që i merr më seriozisht se ç'duhet dhe muzikës së dyshimtë në kasetofonin e tij. Unë nuk po kërkoj që njeriu i periferisë të lexojë libra. Por, të paktën, të mos masturbojë me një pjesëmarrëse në një reality show.

Ai nuk këndon, por dhe kur këndon, në fund të pijes dalin pistoletat.
Ai nuk dashuron. Ai vërtet ka një grua, për të cilën kujdeset shumë, deri në posedim, meqë ajo do i japë pasardhës, por kjo nuk e pengon që nëse ka para të shkojë "për punë" në Podgoricë për të gëzuar në shtëpitë publike atje. Ju rrallë, qëllon që e zhdëp në dru edhe punëtoren e seksit.

Unë nuk po them që ai nuk është në gjendje që të ndjehet i lumtur. E lumtur është dhe macja ime pasi ushqehet.
Por, nëse lumturia është të luajë bilardo, e pastaj të vrasë shokun e ngushtë për lojën, kjo lloj lumturie na çon përsëri te shpella.

SI MËSON AI

Në mjedisin e tij, modelet e vetme janë të ngjashmit e vet.
Njerëzit e kultivuar, sapo kanë një mundësi, i kanë braktisur qytetet, kanë rendur drejt Tiranës, ose më mirë, drejt perëndimit.
Intelektualët dhe artistët, ata që përcaktojnë normat shoqërore të një qyteti në periferi e në rrethe nuk ekzistojnë më, ose më keq, përbuzen si qenie inferiore.

Qytetet ua kemi dorëzuar atyre që nuk janë në gjendje ose nuk kanë dëshirë të ndërtojnë qytetari, apo atyre që vijnë në qytet me mentalitet pushtuesi, me mentalitetin që të zënë tokë, jo të zënë vend. Modelet qytetare, pra, janë zhdukur.

Modelet e vetme janë zengjinët e rinj, ata që janë bërë të pasur në mënyra të dyshimta dhe që e mbrojnë pozitën e vet të re me metoda po aq të dyshimta. Atëherë pse, duhet ta marrim inat homo dragobicusin? Ai thjesht po imiton të fortët e rinj të qytetit.

SA VLEN AI

Homo Dragobicus vlen shumë.
Ai i duhet politikës, sepse me pak zgjuarsi, konceptet e tij për "nderin" mund të jenë mjaft dobiprurëse për të ndërtuar armatat e fanatikëve e militantëve politikë.

Ai i duhet kastës së re të çifligarëve, sepse, është lehtësisht i sundueshëm, mjafton të luash me ato pak elementë naivë që përbëjnë sedrën e tij. Homo dragobicus i bën feudalët të ndjehen mirë. Sigurisht që ata vetë nuk kanë ndonjë qëllim të dalin nga shpella. Ambiciet e tyre janë të thjeshta "më mirë i pari i fshatit...".

Ai i duhet rrethit të vet, sepse, me këtë shtet, asnjë nuk është i sigurt. E vetmja gjë që mund t'i ruajë ato vajza e ato dhi, është vetëm frika, se dikush të vret për një fjalë goje.

Ai na duhet dhe ne, për të kuptuar veten tonë karshi këtij vendi.
Homo Dragobicus është pasqyra e shoqërisë sonë. Ne mund të mos shihemi një ditë, një javë, a madje dhe një vit në pasqyrë. Po pasqyra është aty. Në daç quajeni dhe portret. Portreti që shndrrohet në mostër, ndërsa ne mbesim të rinj.

SI DO NDRYSHOJË AI


Dikur kam menduar që ekonomia i ndryshon njerëzit. Po të kenë prosperitet nuk do duan ta humbin atë që kanë për një parakalim, femër apo dhi.
Por, realiteti që jetojmë përditë na tregon se ata që kanë para, thjesht kanë mundësi të punësojnë dikë tjetër të vrasë.

Kam shpresuar që duke shkuar jashtë shtetit do të adaptohen, ndryshojnë, asimilohen. Por, shumë prej nesh edhe kur shkojnë jashtë krijojnë Little Dragobitë e veta, ku vrasja për "nder" është nder.

Tani thjesht mendoj se Homo Dragobicus, nuk mund të ndryshojë.

Duhen ndryshuar shumë kushte njëkohësisht, ekonomike, sociale, kulturore e politike, që ne nuk kemi mundësi ta bëjmë.
Duhet ndryshuar edhe ndikimi i mbrapshtë që Tirana ka tek ai, që nga TV e deri tek figurat publike.
Duhet t'i mësojmë të bëjë qejf më shumë, të dojë më shumë, të qeshë më shumë.

E shihni sa thuajse e pamundur që është?

Homo Dragobicus, nuk mund të ndryshojë. Ai, është i paaftë të ndryshojë veten e vet e as që ka dëshirë ta bëjë. Madje, jam i sigurt që nuk ka për ta lexuar as këtë Tartë. Unë shoh një problem tek ai, por ai nuk gjen asgjë që nuk shkon te vetja.
Madje, ai sheh një gjë që nuk shkon tek unë!! Parakalim tim të gabuar... Bang-bang! Dhe gëzuar vitin e ri.

No comments:

Post a Comment