Intervistë
botuar te Shekulli, Sh2, dt 26 dhjetor 2010 me titullin "Paraja nuk i ndryshon njerëzit"
1. Si mundet një njeri i vetëm të ndryshojë botën?
Duke vjedhur informacionin. Duke e bërtitur të vërtetën. Duke rezistuar. Duke shkuar në burg. Wikileaks.
2. A është e mundur të mbrosh etikën dhe të jesh i suksesshëm njëkohësisht (në Shqipëri)
E pse duhet ta bësh? Është shumë më e thjeshtë të jesh i suksesshëm e aq. Punë e madhe etika.
3. A ka një moment kur njeriu duhet ta kuptojë që nuk bën për atë punë dhe duhet të dorëzohet apo duhet të këmbëngulësh deri në fund për ëndrrën tënde sado surreale të jetë? Nga ta kuptojë njeriu i thjeshtë ku është caku? A kam më moshë që të dua të bëhem astronaut unë? Apo balerin?
Të vetmet caqe që ekzistojnë janë ato që na ve mendja jonë. Kam frikë se problemi ynë është e kundërta. Nuk kemi më ëndrra, aq më pak surreale. Duke përjashtuar këtu ëndrrën e 90% të të rejave që duan të bëhen si Paris Hilton, dhe ëndrrën e 90% të djemve që duan një makinë të shtrenjtë. Jo se këto nuk janë ëndrra, po ata as pas këtyre nuk rendin.
4. Çfarë të ka mbetur pa thënë?
Asgjë që nuk dihet. Unë vetëm përsëris ato që kemi nisur ti harrojmë.
5. Cila është gjëja për të cilën të dhemb më shumë në Shqipëri?
Gërdeci brenda shpirtit.
6. Po në politikë?
Parvënytë.
7. Po në gazetari?
Laviret.
8. Po në art?
Ata që shiten për artistë, kur në të vërtetë nuk bëjnë art.
9. Ke menduar ndonjëherë të emigrosh?
Njeriu nganjëherë arratiset. Meshkujt, sidomos. Gabimisht, nevojën e burrit për tu arratisur e kanë quajtur emigrim. E parë kështu, unë gjithmonë rri me sytë kah deti.
10. Cili është spektakli më i mirë dhe spektakli më i dobët?
Është si të më pyesësh për fast-foodet. Njëri mund të jetë më i mirë se tjetri, por prapë fast-foode mbeten.
11. Kush ka më shumë peshë, regjisori, prezantuesi apo skenaristi në një show.
Ai që jep lekët. Kjo vlen dhe për show-t jashtë TV. Parlamenti, psh.
12. Po të mund të ndryshojë vetëm një gjë në Tiranë çfarë do ishte?
Kryetarin e Bashkisë.
13. Po te vetja?
Asgjë që nuk mund të ndryshohet.
14. pse nuk ke Fejsbuk?
Sepse më pëlqen që miqtë e vërtetë ti takoj dhe të rri fizikisht me ta. Përveç gjetjes së njerëzve të humbur, gjtihçka tjetër që ofron Facebook-u është vanitoze ose është humbje kohe.
15. Pse dëgjon radio dhe tv të huaj?
Për tu pastruar. Mendoj se si radion si TV e huaj ne i kemi vjedhur dhe replikuar shumë keq.
16. Cili është profesioni aktual për të cilin ke më shumë respekt?
Infermierët në azile pleqsh.
17. Dhe për cilin më pak?
Sekserët e pushtetit.
18. kur je jashtë dhe dikush të kërkon t`i flasësh për Shqipërinë. Çfarë i thua?
Qesh. E i them, po ti, ç’na thua?
19. Kur e ke dërguar letrën e fundit me laps e me letër?
Jo shumë kohë më parë.
20. mendon që ka humbur diçka gjatë procesit të kalimit të komunikimit me e-mail apo është shtuar?
Ka humbur kaligrafia. Bashkë me të, edhe zbërthimi i karakterit nëpërmjet saj. Ka humbur edhe intimiteti, intimiteti mes teje dhe asaj që shkruan. Ka humbur dhe aroma. Mua më pëlqente era që vinin rezervat e kuqe 12-lekshe.
21. A do kemi ne ndonjë çmim oskar/grammy/nobel ndonjëherë?
Një Oskar, vështirë, për të mos thënë e pamundur duke parë nivelin e kinemasë shqiptare, format e subvencionimit, dhe modelin kooperativist të drejtimit të saj.
Një Grammy, kurrë, duke parë nivelin e muzikës shqiptare që nga produksioni, krijimi, shija e publikut, shija e këngëtarëve, dhe përgjithësisht nga mënyra sesi është ndërtuar ky biznes.
Një Nobel, vështirë por edhe mundet, në letërsi meqë Noble për paqen, s’do marrim dot kurrë.
22. A do ishe pro instalimit të kamerave gjithandej?
Jo gjithandej. Vetëm në zyrat e shtetit, dhe me akses nga i gjithë publiku. Secili nga ne ka të drejtë të dijë 24 orë se ç’ndodh në tavolinën e një ministri apo dhe një drejtori Drejtorie. Do ishte kanali ku do e lija TV hapur tërë ditën.
23. Kush ka qenë romantiku i fundit? Apo ka akoma?
Edhe në pastë mbetur, ka ikur sapo u liruan vizat. Por, i fundit që mbaj mend, ka qenë Teodor Keko.
24. Në ç`këndvështrim do ta rrisje ti fëmijën tënd ndryshe nga të tjerët?
Duke e rritur në Zvicër.
25. A ka jetë jashtë Tirane?
Është i njëjti gabim që bëjmë kur pyesim: “A ka jetë jashtë Tokës”. Në fakt, pyetja që gjithë universi bën, është, “A ka jetë në Tokë?”
26. për çfarë e ngren zërin?
Për të vërtetën.
27. Për çfarë nuk ia vlen ta ngresh??
Për patriotizmin.
28. a mendoni se të rinjtë e sotëm kanë një "brez të djegur"
Të rinjtë e sotëm, kanë shumë gjëra të djegura. Por nuk besoj që ata mund të konsiderohen për tu veçuar si “breza”.
29. Çfarë ndjesie të shkaktohet kur të thonë që një pjesë e mirë e të ardhurave të tua shkojnë për të shlyer borxhin e brezit paraardhës?
Ndjehem i lumtur. Sepse, ata që vijnë pas do paguajnë shumë më tepër për të shlyer borxhet e brezit tonë. Nuk do doja të isha në vend të tyre.
30. Po të shkruajë një gazetë për ty, cili do të ishte titulli?
”Cukali, fiton Wimbledonin” Okelio: “Shqipëria në delir” Nëntitulli: “edhe pse me krah të ndrydhur numri 1 i botës fiton trofeun e 8-të rradhazi”
31. Ç'lloj njerëzish nuk të pëlqejnë? Çfarë ju mërzit, trishton… nervozon?
Ka një listë të gjatë. Përgjithësisht njerëzit publikë. Abuzimi më i madh që i bëhet teknologjisë dhe hapësirave publike ose nga njerëz të padenjë ose nga ata që s’kanë asgjë për ti thënë publikut. Më trishton fakti, që jo vetëm qendrojnë të përjetshëm nëpër vitrina mediash, por, ia dalin ta shndërrojnë veten në një standart suksesi.
Sa për nervozitetin, e vetmja gjë që realisht më nervozon është burgu virtual ku na kanë plasur pa të drejtë, duke na hequr mundësinë reale për të ndryshuar diçka në këtë vend.
32. Si 30 min kryeministër i vendit, çfarë do ndryshoje?!
Dyshoj që do më linin të ndryshoja gjë.
Në ato 30 minuta Kryeministri do ulej për ti shkruar një letër mamës. Besoj se do fillonte me “Më fal, mamë për këtë që jam bërë...”
33. Cila pjesë e jetës tënde do të mungonte në autobiografinë që mund të shkruajë pas 30 vjetësh?
Nuk besoj se do shkruaj autobiografi. Mendoj se ky luks i takon vetëm njerëzve si Borghes-i. Megjithatë, nëse do ta shkruaja, do mungonin gjërat që më ndodhin pas orës 12 të natës.
34. Çfarë do mendoje për veten po të mos ta njihje?!
Po ky, pse bën sikur i di të gjitha?
35. Ç’mendon se do të sjellë 2012?
Kam frikë, se ajo që do të sjellë nuk do depërtojë dot brenda feudit tonë të vogël.
36. Shkruani prej vitesh dhe keni botuar vetëm një libër me poezi? Kjo do të thotë se për ju mungon lexuesi apo dëshira juaj për të qenë pjesë e poetëve të brezit tuaj?
Kjo do të thotë, që aq kam mundur të shkruaj. Lexuesi mungon. Poezia shkruhet me shpresën që do e lexojnë maksimumi 200 vetë. Sa për brezat, nuk besoj që në art mund të flitet për breza. Ne nuk flasim dot as për shkolla, jo më breza.
37. Mendoni se të shkruarit është një proçes i vazhdueshëm mësimi?
Tani që po ma thua, po e mendoj.
38. Ç’mendoni për shkrimtarët që botojnë nga një libër në vit?
Nuk mendoj. Shkrimtarët që lexoj unë prodhojnë shumë më rrallë.
39. Cili është libri që bëni më shpesh dhuratë?
“Qytetet e Padukshme” i Italo Calvinos.
40. Mendoni se Interneti dhe Google do t’i vrasin përjetë bibliotekat?
Bibliotekat i vrasin njerëzit. Se çfarë arme do përdorin, kjo është tjetër çështje. Interneti në të vërtetë është një armë jo dhe aq e papërfillshme. Por, ka një armë shumë më efikase se sa Google për të vrarë librat. Shumë vetë e kanë zbuluar. Indiferenca.
41. Çfarë të lumturon më shumë këto kohë?
Njerëzit që më rrethojnë. Dhe sezoni i skive.
42. Nëse do të rradhisje një listë me 5 gjërat që ju pëlqeni dhe 5 gjërat që i urreni, cilat do të ishin?
Breshkat e ujit, librat, vera, tenisi, femrat.
TV, asfalti, ndërtesat prej xhami, pluhuri, Reality Show-t.
43. Në artikujt tuaj ju shpesh përsërisni se armiku më i madh i joni jemi vetë ne! Ju e keni gjetur shpëtimin?
Jo. Por, ia kam ngulur sytë “armikut”.
44. Si do i vlerësonit artikujt tuaj nëse do të ishe një kritik?
Nëse shkaktojnë debat, nëse e provokojnë një njeri duke e bërë të shikojë brenda vetes qoftë dhe për ti kundërshtuar idetë e artikujve, do mendoja që kanë vlerë.
45. Çfarë do u ndryshoje atyre?
Do doja që të mos shkruaja me përgjithësime, por të godisnin drejtpërdrejt. Nuk është e lehtë të flasësh me emra të përveçëm. Ne kemi shpikur termin “me i rënë dikujt”. I tillë është perceptimi. A thua se të kritikosh dikë në gazetë është si ti biesh me një tufë jeniçerësh. Prandaj përpiqem të shmang emrat e përveçëm. E para për shkak të ndjeshmërisë së sëmurë të vetë individëve, që, edhe kur e dinë që e meritojnë vërejtjen, ofendohen nëse ua përmend publikisht, e konsiderojnë “më ra!”. Por, dhe për shkak të audiencës, që duhet të kuptojë që qëllimi i shkrimit është fenomeni, dhe se individi nuk përmendet aty me emër për t’i “rënë”.
46. Pse i ndryshon paraja njerëzit?
Nuk i ndryshon paraja. Njerëzit i ndryshojnë njerëzit. Njerëzit ndryshojnë sepse, duke pasur para, njerëzit e tjerë fillojnë e mendojnë ndryshe për ta. Pra, ata vetëm shohin pushtetin e Parasë të pasqyruar në fytyrën e një njeriu tjetër. Një njeri që të tërë e mendojnë të pasur, ndryshon shi prej kësaj, edhe nëse nuk ka asnjë kacidhe.
47. Pse ike nga radio?
Nuk ika nga radio. Ika nga një radio. Nuk është çudi që shpejt, të më dëgjoni në një tjetër radio.
48. Pse humbim kaq shumë kohë për të përmbushur gjëra nuk mund të realizohen në mënyrë realiste?
Sepse, këtë pyetje kurrë nuk na e bëjnë në kohën e duhur. Përherë, na e bëjnë pasi i kemi hyrë një rruge nga na duket e vështirë të dalim.
49. Pse rubrikën e quani Tarta T’Arta?
Për këtë pyesni një kuzhinier të mirë francez.
Monday, December 27, 2010
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment