Botuar te Shekulli, dt 19 dhjetor 2010
(Sqarim: botuar gabimisht (në botimin e letrës) nën emrin Albin Kurti :))
"K" për "K"
2 “K”-të janë Kongoli e Kadareja.
“K-ja tjetër” për Kongolin e ka thënë një gazetare franceze duke ju referuar Kadaresë si “K”- e parë dhe Kongolit si “K”-ja e pas Kadaresë; e citon Kongoli në autobiografinë e tij “Iluzione në sirtar” (Toena 2010); e citon dhe Arban Hasani te gazeta Tema në një artikull që mban pikërisht këtë titull.
Unë e dua Kongolin. Ia kam lexuar të tërë romanet. Unë e respektoj Kadarenë. Ia kam lexuar të tëra romanet.
Vetë Kongoli, me butësinë e vet si individ (për aq sa e njoh së largu) nuk besoj se do të dalë për ta mbrojtur publikisht autobiografinë e vet “Iluzione në Sirtar”. Nuk e mbron dot, sepse një libër kur del nga shtypi duhet të mbrojë veteveten, autori nuk duhe të flasë më. Aq më tepër një auto-biografi (me gjasë romani) ku “K”-ja tjetër përpiqet të jetë në maksimum i sinqertë në zhveshjen që i bën jetës së vet për ta nxjerrë lakuriq në publik.
Publiku jonë, ka qëlluar një publik që të godet me gurë edhe kur je i veshur, jo më lakuriq.
Meqë Kongoli nuk del dot ta mbrojë vetveten, do doja, ta mbroja unë nga gurët apo thikat.
Thikat
E lexova shkrimin e Hasanit në Internet. Në fund të shkrimit, një koment nga një lexuese thoshte: “Me te vertete e neveriteshme! E pakta gje qe duhet te beje Kongoli eshte qe te dorezoje ate rrogen speciale qe i caktoi qeveria e berishes per merita te veçanta. Kane te drejte ata qe thone se eshte e padurueshme qe populli te paguaje per ata qe e kane maskaruar....”
Kam përshtypjen që komentuesja nuk e ka lexuar librin, por vetëm shkrimin. Dhe ky është sporti më i lehtë në Shqipëri, të sulmosh një artist për një Lojë teatri që ti nuk e ke parë, a për një libër që nuk e ke lexuar.
“Iluzione në Sirtar” është një rrëfim që kërkon të jetë i sinqertë, deri në naivitet, siç vëren me mprehtësi Hasani. Në të Kongoli bën atë që askush nuk e ka bërë më parë, për aq sa di unë, të marrë hithrat e të godasë vetveten. Lakuriq.
Dhe, në Shqipërinë e artistëve të kompleksuar, të shkrimtarucëve arrogantë (ata që gurë i hedhin kujtdo, sidomos me qejf më të madhit, Kadaresë) të atyre që shkruajnë autobiografira për të justifikuar veten ose stisin biografira për të larë borxhet e pista me të tretët, kjo përpjekje e sinqertë e Kongolit është një akt i bukur.
Ky libër është një rrëfim. Ndër të tjera Kongoli rrëfen sesi nuk doli të dëshmonte kundër një mësueseje të pafajshme, megjithë presionin e hetuesve, por dhe sesi doli të dëshmonte kundër një kolegu që i ishte kapur një ditar që e zhyste deri në fyt. Doli të dëshmonte, i shtyrë nga frika, ato që dinte. “Kemi folur me të pandehurin për Dostojevskin”.
Për aq sa mund të perceptoj unë është një rrëfim plot brenga. Unë nuk besoj se prifti i gjykon rrëfimtarët pas rrëfimit. Ai thjesht i fal. Por, kush jam unë që të kërkoj priftërinj në këtë vend? Ky, madje, është vendi që i ka vrarë e pushkatuar në masë për 50 vjet. Ky është vendi ku priftërinjtë u zëvendësuan me hetues perversë, Papa me një Sekretar të Parë sadist, ligji i zotit me ligjin e më të fortit.
Është shumë komode të shkruaj nga poltrona ime rrotulluese për sjelljen e një njeriu të marrë në pyetje mbi një karrike dërrase në një birucë burgu para 25 vjetësh.
Fati i artistit duhet marrë në tërësinë e tij, me honet e veta personale, me gjolet e me mëngjeset.
Shkrimtarët e tjerë, kanë në plan ti marrin me vete në varr “bëmat” e tyre. Kongoli, nuk do, edhe pse do ishte shumë më thjeshtë... Mjafton ta fshehë, si shumë të tjerë, që kanë qenë pjesë shumë më aktive e regjimit, që kanë marrë realisht më qafë kolegët e të pafajshmit, që janë ngjitur lart duke shkelur mbi kufoma, por që sot janë ëngjëj, dhe mbajnë vende të respektuara në Panteonin aspak të rralluar.
Libri i Kongolit është një rrëfim i sinqertë i një shpirti të ndjeshëm. Kjo e bën shumë më eksituese, kryqëzimin e tij. Merrni gurët. Unë po sjell thikat.
Çfarë mund të bëjmë tjetër me artistët e sinqertë naivë, kategoria thuajse inekzistente te ne?
Është shumë e lehtë të lapidosh (lapidar/lapidim/lapidarues) një njeri që e ka nxjerrë veten lakuriq para teje me një guxim naiv.
Por, e gjitha ka të bëjë me mënyrën se si e lexon këtë rrëfim.
Në kërkim të kohës së humbur
Së pari, ky libër është autobiografi.
Unë nuk para i pëlqej autobiografitë. Pikërisht, sepse u mungon sinqertiteti. Artistët, në pjesën më të madhe shkruajnë për vetveten duke e dashuruar shumë atë. Kongoli e ka shmangur këtë në pjesën më të madhe. Dashurinë për vetveten.
Ky libër, nuk është për të gjithë. Është vetëm për ata që e kanë lexuar Kongolin dhe që e duan atë. Po qe për kuriozitete, janë më interesante thashethemet në gazetat rozë.
Por, nëse dikush e do këtë shkrimtar, dhe nuk ka pasur rast të ulet të pijë një kafe me të, mund të lexojë librin dhe të kuptojë pse Thesar Lumi te “i Humburi” është aq ekzistencialist, pse Festimi tek “Kufoma” është aq i mjerë dhe me fat, pse “Lëkura e Qenit” është aq shumë Tiranë, dhe pse, të tërë këta personazhe pinë për tu mbytur.
Ky libër, sipas meje, u vlen vetëm lexuesve të devotshëm.
Por libri është një rrëfim faktesh pasuruar me këndvështrime personale për atë periudhë të errët 50-vjeçare për të cilën flitet kaq pak. Kongoli ka dhënë, nga pak edhe këndvështrimin e tij për botën, artin e ngjarjet. Kështu që mund tu vlejë edhe atyre që vitet e para 90's do donin ti rroknin edhe nga burime të tjera, e jo nga “Opinion” i Fevziut.
Në disa pjesë, libri nuk është bërë dot roman, edhe pse stili i autorit ndjehet herë pas here i fortë mes faqesh. Në disa raste është thjesht një shtrim ngjarjesh.
Koha e shkrimeve
Kam një ndjenjë gëzimi të veçantë kur lexoj artikuj për libra, e shumë më tepër kur ulem të shkruaj për libra. Pa dashje dhe ndoshta pa faj, kemi stabilizuar një nivel tematikash utilitare gazetarie, duke shkruar vetëm për hallet e ekzistencës sonë qytetare. Shkruajmë vetëm për përmbytje, trafiqe, ekonomi të rrënuar, politikë të papërgjegjshme, deri dhe Big Brother, dhe nuk shkruajmë për artin. Ndoshta edhe pse askush nuk e ushqen shpirtin me art, por me halle, ndoshta dhe se pa zgjidhur problemet tona të ekzistencës – pusetat, nuk ka kuptim të shkruajmë për libra e filma.
Por, duhet.
Ne duhet ta kalojmë sa më parë stadin kur njerëzve u interesojnë vetëm artikuj për pusetat e për Big Brother.
Në një botë tjetër, diskutimi për film i ri shqiptar do duhej të ishte po aq i rëndësishëm sa çdo debat mbi buxhetin e ri të shtetit. Sepse, filmi është “buxheti” i shpirtit. Po ashtu libri. Piktura.
E parë kështu, jam i gëzuar që kam lexuar një artikull të Hasanit për një libër, dhe që u ula të shkruaj edhe vetë diçka për të.
Unë e dua Kongolin. Ndryshe nga Hasani, mendoj që nuk është “më i mediatizuari” por thjesht është një nga shkrimtarët më të mirë të gjallë që kemi. Sa për mediatizimin, mendoj që janë ca shkrimtarë të tjerë, me nga 1 a 2 libra, të bërë të famshëm për gjëra të tjera, para letërsisë, që janë mediatizuar duke u ngritur me sforco në piedestal.
“Iluzione në Sirtar” i Kongolit, në fund të fundit, na tregon që pas një shkrimtari të madh nuk është një grua e zgjuar, por një bibliotekë e madhe.
Sunday, December 19, 2010
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment