Botuar te Shekulli, e diel, 12.12.2010
Sa herë shoh gjëra disfunksionale, p.sh., njerëz që pinë Redbull, pije që stimulon aktivitet fizik, kur në fakt vetëm rrinë ulur në bar për orë me radhë; apo njerëz që të përplasin me makinë dhe gjëja e parë që bëjnë kur dalin nga makina të shohin mos iu prish parakolpi; me mendje kërkoj të gjej zanafillën.
Si erdhi që jemi bërë kështu!? Ku është gabuar?
Ka më shumë policë se sa lypës nëpër rrugë ky vend, dhe ka më shumë makina policie se karroca akulloresh.
Pse, polici është ky që është? Ku është shtrembëruar marrëdhënia e një populli me policinë e vet?
LOJË SHEFASH
Shumica e njerëzve, instinktivisht nxjerrin fjalën "shef" kur ndalohen nga polici rrugor. Është deri diku komike kur, për shembull, një profesor i drejtohet një polici që me gjasë nuk ka mbaruar as të mesmen, me fjalën "shef".
Kjo është shenjë nënshtrimi verbal ndaj një njeriu që është aty për të ndihmuar qarkullimin e që vetë duket i bezdisur nga fjala shef. Por, ky është rast kur ai të ka në dorë.
Vetë polici, mund t'i thotë "shef" një njeriu të fortë, nga ata që qarkullojnë me fuoristrada duke sfiduar hapur rregulloren, të mbrojtur nga lidhjet që kanë "lart".
Polici ynë ka zhvilluar një hundë të fortë për të ndjerë kush të fut në telash. Kush prej shkelësve të ligjit është "shef". Shefi i policit, është kushdo që arrin t'i shtijë frikën.
E tëra është një lojë frike. Polici ka frikë nga ty, ti ke frikë nga ai. Ti nuk e di sa i fortë është ai, ai nuk e di sesa i fortë je ti.
BAJRAKËT
Njerëzit e veshur me pushtet të përkohshëm në këtë vend, kanë ndërtuar institucione ku kushdo mund të ndjehet i përkohshëm, në qoftë se nuk "mban vendin e vet".
Dhe të mbash vendin tënd, do të thotë të luash me rregullat e përkohshme, të vendosur nga të përkohshmit.
Që të mos keqkuptohemi, ka dhe shumë pak njerëz me pushtet të përjetshëm. Sistemi i përkohshmërisë është karuseli që garanton vijueshmërinë e tyre.
Sistemi i trashëgueshëm i bajraktarëve qenka thënë të na ndjekë pas deri brenda në Europë.
Vini re kur ju kalojnë sirenat e policisë afër. Makinat me fenelina ndezur dhe sirena shurdhuese në shumicën e rasteve po nxitojnë për të shoqëruar dikë të rëndësishëm, dhe shumë radhë për të shpëtuar dikë më pak të rëndësishëm.
Sepse polici, për fatin e keq të tijin e tonin, është, një qenie e përkohshme. Një qenie, që mund ta pushojë nga puna krimineli, të cilin paguhet që të kapë.
POLICI ME FYTYRË TË MIRË
Në mes të pluhurit, shiut, me pagesa minimale, me kushte minimale, i abuzuar verbalisht e akustikisht. 8 orë shërbim duke dëgjuar makthin e mijëra borive të acaruara.
Mbi policin, dhe jo vetëm rrugorin, zbrazen tërë dufet e mllefet e një populli të lodhur e të stresuar.
Edhe ai, polici i dërguar mish për top për të mbrojtur interesa të dyshimta e për të rrahur gratë e fshatarëve protestues, pas kaskës ka një fytyrë njerëzore. Ka një familje e ca fëmijë që shohin tërë ankth lajmet në TV. Ka një rrogë që duhet ta marrë në fund të vitit.
Një polic, ka fytyrë njerëzore kur të pyet ku studion, e të flet me adhurim për arkitekturën. Ndoshta, sikur ky vend të mos ishte kështu, ai mund të ishte bërë një arkitekt. I njeh rrugët e Tiranës më mirë se ata që bënë planin francez.
Fytyra njerëzore e policit është kur të kthen dokumentet e të thotë: "mos e bëj më."
Një polic, nuk duhet të jetë armiku, por miku yt. Fytyra që të ngjall besim.
Edhe kur vetë shteti është pafytyrë.
POLICI ME FYTYRË TË KEQE
Ka plot njerëz të mirë me uniformë, të paaftë për të bërë atë që ndjejnë se duhet bërë, se u kërkohet të heshtin, të falin, të mbyllin syrin, veshin e gojën, të paguajnë vetë gjobën e merituar që i vunë "shefit".
Mbi ne, përplaset dufi i policëve të acaruar.
Të vjen të qeshësh e të qash kur një polic shan me fjalor shtëpie një shofer të pakujdesshëm, ose i bërtet një makine me targa Delvine: "Delvina??? Ku shkon Delvina?? Po të gjithë idiotë jeni në Delvinë?? O Delvina!!"
Nëse ke një hall apo kërkon diçka, informacion për një x vend diku p.sh., i fundit që të bie mendja të pyesësh është polici që e ke aty krah teje... Klisheja që kemi të stampuar në kokë është se ai nuk është në shërbimin tonë, është në shërbimin e këtij shteti që e paguan me paga qesharake e që e dhunon vetë për interesa klienteliste të pushtetit të përkohshëm.
Makinat e policisë ose me një tabelë polici në kroskot shkelin më shumë se kushdo rregullat e qarkullimit.
Droga, thonë, shoqërohet me eskorta policie.
Policët që çuditërisht posedojnë makina super të shtrenjta (e me targa të huaja), policët që zënë pritë skutave për të zhvatur një 20mijë lekësh nga shoferët që kthehen të pirë nga pub-i, policët që janë gati të të godasin me dorezën e pistoletës, nëse gabimisht ke parkuar në vendin "e shefit", janë fytyra e vërtetë e këtij shteti që policët i ka mësuar instinktin më të keq të mbijetesës, imitimin e bajraktarit.
POLICI 5 MIJË LEKËSH
Më kërkoi 5 mijë lekë, i dhashë një 10-she se nuk kisha 5-she dhe më tha "nuk kam kusur". Kjo është historia e një mikut tim të kapur pa rrip sigurimi.
Zvetënimi i figurës së policit është simboli i zvetënimit të shtetit. Por, zvetënimi i figurës së policit, na bën të zvetënohemi dhe ne, të bëjmë Pazar për 5mijë lekësha, pavarësisht nëse jemi këngëtarë, biznesmenë, apo prindër me fëmijë në makinë që hapin sytë të habitur. E theksova 4-5 herë fjalën zvetënim, sepse në sytë e atyre fëmijëve, ky zvetënim është ajo që i pret kur të rriten. "Little fifteen, you help her forget, the world outside..." këndojnë Depeche Mode.
Dyshoj, nëse ka akoma fëmijë që kur i pyet: "Ç'do të bëhesh kur të rritesh?" - të të përgjigjen - "Polic!" Polici është ai fakiri që pret 5mijë lekëshin te xhami i makinës e nuk të kthen kusur. Si mund të kenë këta "little 15" respekt për figurën e shtetit e të ligjit, kur te xhami i makinës së babit shohin një qenie me uniformë që lyp? Lyp, për mbijetesën e vet e të fëmijëve të vet.
Ju kujtohet si na trembnin të vegjël? "Haje bukën se thirra policin..."
Këtë marrëdhënie kemi pasur me policin e diktaturës.
Një marrëdhënie që degradoi në mënyrë gati të parikuperueshme me "policin e demokracisë".
ZANAFILLA
Atëherë, ku është gabuar? Pse njeriu me uniformë është adaptuar me format joligjore e mentalitetin jocivil?
Kujtesa më kthen në 2 prill 1991.
N.q.s., ka një moment ku u përcaktua sesi do të jetë marrëdhënia e policit me qytetarin për shumë vite më pas, është gjyqi i 2 prillit, ditë në të cilën gjatë një proteste në Shkodër u vranë 4 protestues dhe u plagosën me dhjetëra policë.
Më kujtohet gjyqi, i transmetuar dhe live, që më përngjante me skena gladiatorësh. 3 njerëz të hedhur në arenë. Publiku në dëlir. Publiku që i qëllonte me këpucë mu aty mbi bankën e gjyqit. E vetmja gjë që nuk ndodhi në atë gjyq, ishte zbardhja e ngjarjes dhe gjetja e përgjegjësve të vërtetë. Me sa duket shumë vetë kishin interes të mos dilte e vërteta, ndërsa popullit i duhej dhënë ndonjë kokë turku. Edhe sot e kësaj dite përgjegjësit e vërtetë kushedi se nga bredhin me kalë.
Ky është gjyqi i parë i erës së re, ku policia përballej për një krim kundër popullit të vet. Nëse ky gjyq do të kishte vendosur një standard drejtësie dhe transparence, atëherë marrëdhënia e dyanshme, njerëzore por dhe ligjore mes burrave me uniformë dhe qytetarëve të thjeshtë do të ishte më e shëndoshë dhe e bazuar mbi besimin dhe ligjin.
Prandaj dhe ligji që nga ajo ditë është ajo këpuca e turmës së irrituar që fluturon mbi njerëzit e pagjykuar ende. Një këpucë që duar mjeshtërore e orientojnë me mjetet e tyre të dhunës mediatike.
Në një vend demokratik, gjyqi i 2 prillit është një gjyq që duhet rihapur. Por jo te ne. Sepse, ca njerëz do të duhet të zbresin nga kali dhe të dëshmojnë. Dhe ata nuk kanë kohë. Janë shumë të zënë duke administruar bajraqet e tyre. Ndërkohë, policët lagen në shi dhe askujt nuk i vjen keq.
Sunday, December 12, 2010
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment