Tuesday, December 7, 2010

Ja ku jemi, na argëtoni!

Botuar te Shekulli, 5-12-2010

Nuk di a e keni vënë re mungesën e frymës. Jo asaj të shenjtës, po kësaj njerëzores.
Mbaj mend që dikur, kur dikush vdiste në lagje, nuk na linin të ndiznim as televizorin. Kjo është fryma që lidh njerëzit e panjohur me një përjetim të përbashkët.
Një frymë që e gjej mes nesh gjithnjë e më pak.

Ajo që shoh tek ne të tërë është pamundësia për të funksionuar si një komb të cilin në momente të caktuara e përshkon një frymë e përbashkët. Për shembull, nëse Shkodra është nën ujë, në Tiranë në emisionet TV njerëzit flasin për fustanet. Ose për ushqimin e maceve. Ose për thonjtë. Ata më të përfshirët, i janë rifutur gjeografisë. Nga vijnë lumenjtë? Cili lumë është fajtori?

Ajo gjëja që ndodh atje poshtë, në Shkodër, nuk na prek shumë.
Me logjikën që jeta vazhdon.
E drejtë, jeta vazhdon. Po frymë nuk ka.
Mungesa e frymës që do të duhej të na lidhte si komb, vërehet edhe aty ku "jeta vazhdon", në momente festash kombëtare.
Festat tona, janë manifestimi i asaj që jemi si komb. Një komb në letër. Pa frymë.


Festat tona, mes banalitetit

Çdo vit, kalendarët tanë korrigjohen. Dikush vjen e shton një festë. Vjen tjetri e heq një festë. Njëri, më i guximshëm, shton 2 festa!!
Kush do që vjen në pushtet ndjehet si Sulltan Murati, i cili vjen për ta transformuar një komb deri dhe në mënyrën se si e çfarë duhet të festojë.
Dhe kombit, nuk i bën shumë përshtypje. Festat tona kombëtare janë reduktuar vetëm te një merak, "a do e kemi pushim?".

Banaliteti i "debatit" për 28-n apo 29-n e Nëntorit nuk mbërriti kurrë të lëvizë apo prekë popullin. Sepse, realisht, popullit nuk i bëhet edhe aq vonë. Pjesa më e madhe u mërzit se na hoqën 1 ditë pushimi.
Të tëra festat tona të 50 viteve u fshinë, dhe nuk lanë asnjë njollë.
Ku vajti 11 janari? Po 10 korriku?
Humbën, sepse ishin festa të sajuara edhe pse i festuam me të madhe për 50 vjet.
5 maji? Kishte rëndësi vetëm për të përfituar 5kg mollë nga shteti.
7 marsi? Ça dhurate do më sjellin sot? E di ç'keni, mos sillni dhuratë, sillini zyshës lekë se e blen vetë.

Në mënyrë banale, festat tona janë vetëm festa barku, d.m.th., festa ushqimore.
E vetmja festë që ka mbijetuar është festa e Vitit të Ri, që u bë e rëndësishme gjatë 50 viteve të komunizmit për një arsye të vetme: ishte, e vetmja ditë ku hanim si njerëz! E vetmja ditë që ngopnim syrin me tavolina plot.
Edhe 8 marsi, është shndërruar në një festë ku gratë dalin për të harbuar "në liri" duke ngrënë e duke pirë e duke u bërë tapë!!
Ky është një nga dy elementët tanë festivë. Të hamë.
Tjetri, të shkojmë në pub!! Pra, të pimë!

Festat tona, mes pervesitetit

Më duket shumë perverse që të gjitha festat tona reduktohen në: të dalim me djathë e domate nga liqeni (për popullin e varfër) dhe të dalim në pub (për rininë trendy).
Shihni një Majin, Ditën e Verës, 14 Shkurtin.
Perceptimi ynë pervers për festat vjen ngase mungon fryma e vërtetë e një feste.
Fryma nuk është vënia e një flamuri në derë të club-it e as tek vënia e rrjetave të merimangave për Halloween. Kjo është pjesa komerciale e një feste.
Festa e vërtetë është tek të ndjerët. Është festë, sepse ti e ndjen që kjo ditë është gëzim.

Dhe 28 nëntori nuk ka për tu ndjerë kurrë, sado të lodhe pronarët të ngulin një flamur me 2 gozhda te dera e lokalit.
Ne na mungon patriotizmi i vërtetë për ta ndjerë një festë çlirimi. Ashtu sikurse na mungon mirësia e vërtetë për të ndjerë Krishtlindjet. Apo lidhja e thellë me natyrën për të ndjerë Festën e Verës. Janë ndjesi që njeriut i ngulet që nga prindi e deri tek shkolla. Janë institucione feste e gëzimi që ngrihen bashkërisht, përmes çdo detaji të jetës sonë të përbashkët përmes shumë viteve, përgjatë shumë brezave.

Shkoni pyesni amerikanët, pse e duan aq 4 Korrikun apo festën e Falënderimeve. Ose grekët, 28 Tetorin. Ose zviceranët, 1 Gushtin. Sepse, me atë frymë i kanë rritur.
Prandaj dhe 1 maji, 14 shkurti, Krishtlindjet, 28 Nëntori, Nata e Bardhë, të tëra na janë bërë njësoj, pa asnjë dallim, qoftë në emocionin kolektiv që na shkaktojnë, qoftë në mënyrën sesi e jetojmë! Çdo festë e jona është festë birre! Ngaqë nuk njohim ç'është një frymë e mirëfilltë feste.
Dhe çdo festë e jona, është sot, po mund të mos jetë nesër.

Festat tona, mes kontestimit

Një festë kombëtare është ndjenjë komunitare. Por do të duhej të ishte dhe një traditë.
Ne jetojmë mes gjërash të përkohshme.
Në kujtesën tonë kombëtare të vetmet festa janë ato fetare. Çdo festë vjen vetëm pas 1912-ës. Para saj nuk kishte festa kombëtare. Para e pas saj kishte... hëm, çfarë kishte? Kishte "Dum Babën".

Ne kemi më shumë festa kombëtare se gjermanët, se malazezët, se maqedonasit, e se shumë vende të tjera. Kur kemi shumë më pak se ata për te festuar.
Festat e kontestuara janë domethënia e një kombi ku njëra pjesë bën gjëra për inat të tjetrës. Deri edhe festat. Aq më tepër që datat tona mund të kontestohen shumë kollaj.
Çlirimi a ishte vërtet çlirim? Apo, gjermanët ikën vetë? Po dita e Rinisë, pse?? Cili "i ri" e kërkoi? Po dita e NATO-s? Ditë pushtimi, apo proteksionizmi? Dhe majaja e festave... Nata e bardhë! Kush nga ata që "tërbohen" mbi banak e di përse po festohet Nata e Bardhë???

Festat tona, si festa paganësh modernë

Është e vërtetë që një pjesë e mirë e festave kombëtare në botë kanë lindur si festa paganësh. Një pjesë tjetër, si festa fetare.
Edhe ne kemi nja 2-3 festa lokale pagane me traditë të hershme, ujët e bekuar apo dita e verës.
Por, paganizmi jonë nuk është se jemi tradicionalë. Është paganizëm modern.
Paganizmi jonë qëndron tek mënyra sesi çdo festë nuk arrijmë ta deshifrojmë ndryshe, përvese: "Shyqyr, edhe një ditë pushim" e "të dalim në pub".

Ne mund të na thonë eja të festojmë ditën kombëtare të Majkëll Xheksonit, dhe me siguri do hidhemi përpjetë të lumtur. 1 ditë më shumë pushim!! O burra në club!
Edhe po na e shtynë Natën e Bardhë e po na e çuan më 30 mars, njësoj do gëzojmë. Nata e Bardhë rëndësi ka të jetë natë kokaine.
Pa histori festive, pa ndjeshmëri ndaj një feste të caktuar, e pa frymë kombëtare. Ka shumë mundësi të mos jetë faji ynë që na kanë rritur kështu. Ne do rrisim të tjerë me të njëjtën mos-frymë.

E, pavarësisht se ç'ndodh në sulltanatin tonë të vogël, Krishtlindjet nuk janë një festë pubi.
Shkoni pyesni në Vatikan, ose tentoni ta festoni në Londër po deshët.
Ose më thjesht, ridëgjoni "Smells Like Teen Spirit" - Here We Are Now, Entertain Us!

1 comment: