Botuar te Shekulli, dt. 20.06.2010
Është e vështirë që një lajm të penetrojë këto ditë perden tonë mediatike. Në lajme ka vetëm sport dhe arritje ekonomike. Lidhje direkte, vetëm me kryeministrin dhe Afrikën e Jugut. Sepse askush nuk do më shumë lajme se kaq.
Më kujtohet që edhe genocidi në Ruanda në 94’n ndodhi gjatë Kupës së Botës, prandaj dhe ndodhi, se nuk e kishte mendjen askush tek ata.
E megjithatë, perden tonë të indiferencës mediatike e çanë 2 njerëz nga Kosova, Bekim Fehmiu dhe Albin Kurti.
Them nga Kosova, sepse detajet që Bekim Fehmiu jetonte në Beograd nuk mbërrijnë aq kollaj te ne.
Ne në fakt, si me Kupë, si pa Kupë e injorojmë Kosovën.
Dhe kur them “ne” e kam fjalën për ne që jetojmë brenda atyre të famshëmve 28mijë km katrorë.
NE NUK E DUAM KOSOVËN
Para nja 10 vitesh, i thoja Adnanit, mikut tim farmacist prej Prishtine, që me bashkimin e Shqipërisë me Kosovën edhe politika do bëhet më interesante, sepse do bëhet politikë për të fituar mendjet e 6 milionë njerëzve e jo vetëm 3.
Në atë kohë, Shqipëria jetonte idilin e luftës së Kosovës, një luftë që e bënë të tjerët për ne. Në atë periudhë kishim një kuriozitet për atë që ndodhej matanë gardhit. Në atë kohë, kishte akoma një buton idealizmi (edhe patriotik) brenda nesh që shtypej padashur e bënte kërr-kërr-kërr.
Halil Matoshi më pati shkruar në një email në kohën që botonte “Sheshi”-n: “Ekziston vetëm një hapësirë kulturore shqiptare...dhe kjo një ditë do të bëhet realitet...”
Sot, vërej me trishtim që e vetmja gjë që ka depërtuar në Shqipëri, është rrepi Kosovar që flet për cica e bythë, dhe turistët kosovarë që u kemi lënë Durrësin me plazhin e pisët për të mbajtur për vete Vlorën me plazhin (thuajse) të pastër.
Thonë që ka depërtuar dhe mafia, që do të thotë se e vetmja gjë që kemi arritur është bashkimi i mafieve përkatëse.
Por, hapësira e vërtetë mbarëkombëtare mungon.
Bashkimi, aq pak sa ka ndodhur ka qenë vetëm bashkim i së keqes. Përtej vjeljes së eurove të pushimeve atyre që dikur ishin vëllezër e sot janë turistë, përtej imitimit të shëmtuar të muzikës e të halleve të zezakëve të Kuinsit, bashkim të vërtetë nuk shoh.
Sepse, bashkimi fillon me interesimin për atë që ndodh matanë gardhit e përfundon kur e percepton atë që ndodh matanë sikur po të ndodh ty.
Asnjë gazetë kosovare (me sa di unë) nuk shpërndahet në Shqipëri. Ndërkohë që në çdo stendë gazetash mund të gjesh çdo revistë perëndimore Papparazzi-sh, femrash, mode apo lifestyle-i, që nga Elle e tek Men’s Health.
Mbulimi në TV i Kosovës është vetëm protokollar: kush erdhi, kush takoi Thaçin e kush iku.
Gazetat tona kanë një rubrikë “Kosovë e Rajon” ku në 1 faqe gazete (nga 32) miksohen lajme anemike për ndonjë zhvillim politik në Kosovë (kur ka) me zgjedhjet në Bullgari, me krizën greke, me pushimet në Budva e me viçat maqedonas.
Në shtypin e Shqipërisë thashethemet për Lindsey Lohan zënë më shumë vend sesa idetë e Shkëlzen Maliqit.
Po prit njëherë, kush është ky Shkëlzen Maliqi? Mos është ai tullaci? Me mjekër? Ai me mjekër që donte të bëhej president? Jo? Ai aktori? Lëre se nuk e gjej dot...
Media mund ta kish bërë bashkimin, por jo. Kultura mund ta kishte bërë bashkimin, por kemi bashkuar vetëm bythët për repistat. Politikat e përbashkëta arsimore mund ta kishin bërë bashkimin, por, i bie që të bashkojmë dhe tenderat.
Indiferenca që kemi si komb, pasqyrohet në indiferencë editoriale.
Megjithatë, perden tonë të indiferencës e çan vdekja ose lufta. Vdekja e Fehmiut dhe revolucioni i Albin Kurtit.
DASHURIA PËR ALBIN KURTËT
Arrestimi brutal i Albin Kurtit ndjej se ka lënë një gjurmë. Pak shqiptarë Shqipërie e dinë ekzakt ç’është Eulex, aq më pak e dinë se pse e përndjekin Albin Kurtin, po qendresa e tij, arrestimi i dhunshëm (sigurisht i parashikuar me zgjuarsi prej tij), “unë nuk e njoh këtë gjyq”, nuk ka kaluar pa u ndjerë.
Sepse, kështu jemi ne. Ju kujtohet Sokol Koçiu? Tifozllëku për të kur i gjithë shteti i qe vënë prapa?
Një njeri që sfidon sistemin, që nuk e kapin dot, është si një Sef Koshare e kohëve moderne. Kokainë? Punë e madhe. Ai ka SFIDUAR sistemin!
Dashuria e çuditshme e medias dhe publikut me Sokol Koçiun më 2001-shin është dashuria me rebelin.
Sepse, në psikën tonë kolektive vlon dashuria për rebelët. Për atë që i kundërvihet sistemit, pse jo me një akt të spikatur publik.
Shikoni figurat tona historike: Avni Rustemi, pasha-vrasës; Çerçiz Topulli, bimbash-vrasës; Vasil Laçi, perandor-vrasës; Zogu I, luigjgurakuq-vrasës; Caf Susta, policvrasës.
Albin Kurti është një Eulex-vrasës.
Hapësira mbarëshqiptare ka nevojë për heronj të rinj. Për heronj të vërtetë e të pakompromisë.
Qendrimi i tij revolucionar mund të jetë cheguevarist, idetë e tij për bashkim mund të jenë jorealiste, hedhja poshtë e planit të Ahtisarit, luftë me mullinjtë e erës. Megjithatë, në tokat tona djerrë të thara nga korrupsioni shpirtëror, të kripura nga egërsia e dhuna e të zgjedhurve me votë ose jo, ka një nevojë të ngutshme për një hero.
Kuptohet që pak-kush do i shkonte pas. Shumica do vazhdojnë të korruptojnë e të korruptohen, të abuzojnë e të abuzohen, sweet dreams are made of these, por, pavarësisht se jemi ne të tërë që e mbajmë në këmbë këtë sistem, respekti për rebelin ndaj sistemit është në genet tona.
FATOS LUBONJA VERSUS ALBIN KURTI
Ka dy njerëz që i respektoj fort në fushën e ideve, edhe kur nuk jam dakort me tezat e tyre, i respektoj se janë (thuajse) të vetmit që më kanë bindur se nuk konformohen e as nuk shiten. Dhe e bëjnë publikisht.
Albin Kurti e Fatos Lubonja.
Të dy kanë gjëra të përbashkëta, sistemi i mëparshëm represiv i ka futur në burg. Të dy janë të angazhuar që të thonë të vërtetën e tyre me çdo kusht, pa u përkulur pavarësisht dhunës verbale, ekonomike a fizike.
Të dy kërkojnë të ndryshojnë sistemin.
Ndryshimi mes të dyve qendron te mjetet që ata përdorin. Njëri penën, tjetri luftën (politike).
Cili i duhet Shqipërisë?
Ashtu si e ndjej unë, Shqipëria ka nevojë për rebelin politik të kohës së sotme, rol të cilit ca vite më parë Erion Veliaj për një moment i shkoi afër por që e humbi në provat e tavolinës.
Shqipërisë i duhet dikush që artikulon akuza të ditura, por qendron vetë i papërlyer, një luftëtar vetmitar kundër sistemit, dikush që nuk do fitojë kurrë por që na mban gjallë shpresën, dikush që Plasari të mos e akuzojë dot si “pykë” a si Fanolist.
Neve na duhet dikush që të na zhgroposë nga genet respektin në stilin e vjetër, atë të Sef Koshares.
Na duhet heroi i masave, jo i elitave. Na duhet Ché dhe jo Enzo Biagi.
Shqipërisë i duhet një Albin Kurt.
Derisa Fatos Lubonja të mos marrë pushkën e të ekzekutojë një pasha ose bimbash, nuk do mund ta tërheqë pas masën dhe idetë e tij do të penetrojnë vetëm tek ata pak njerëz që ende dinë shkrim e këndim në këtë vend.
THE LAST ACTION HERO
Perceptimi im për sa më sipër sidoqoftë është vetjak. Unë nuk jam në gjendje ta mas pushtetin popullor që mund të ketë një repist ekstravagant që i këndon hashashit e cicave.
Megjithatë, shpresa ime është që ndërmjet një repisti që këndon “Prishtina Fucking City” dhe rebelit që thotë “Unë nuk e njoh këtë gjyq”, heroi i masave të bëhet ky i fundit.
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment