Friday, November 21, 2014

Trishtimi i Doktor Florit

botuar te Dita, 17 nëntor 2014


E kam dëgjuar në një koncert para disa kohësh, më saktë në një lokal – sepse arti i vërtetë tek ne mbijeton vrimave - dhe u habita. Nga ato pak këngë të depresionit muzikor që zgjat nga '97-a e deri sot të cilat më kanë lënë gjurmë, kuptova që shumica mbanin firmën e tij, Florit, i cili me auto-ironi mbiquhej Doktor në një vend të sëmurë e pa shërim.
Shumica po përpiqen të kuptojnë “ç'pati”, “pse”, “ç'hall kishte”, biseda që do na shoqërojnë për disa ditë derisa të na çudisë diçka tjetër dhe ekranet të mbushen me “çudinë”, “psenë” dhe “hallin” e rradhës, unë kam vetëm dëshirë të grindem. Të grindem me besimin fetar që i shkeli syrin por nuk arriti dot ta mbante në jetë; të grindem me ata që ndanin me të vizat e kokainës por që nuk kanë në plan të ndajnë fundin e tij; të grindem me ata që shprehën pikëllimet në FB por nuk kanë në plan të ngrejnë asnjë strukturë rehabilitimi apo kujdesi të mirëfilltë social për këdo që ka nevojë; me ata që vjedhin pa fund hapësirë mediatike por që ikja e tyre nuk do i mungonte aspak shoqërisë; me ata që kanë krijuar një Shqipëri të pashpirt, pa rrugëdalje, që nuk mund të ndryshohet dhe nga ku njerëzit e ndjeshëm dalin vetëm duke ikur.
Rrallë kam njohur një muzikant më të ndjeshëm, inteligjent, të lexuar e të mprehtë si Flori. Dhe ndoshta, kjo ishte drama e vërtetë e tij. Ndjeshmëria.
Ishte më i ndjeshëm se artistët e tjerë që do të vazhdojnë të marrin kokainë; më i ndjeshëm se ata që do të vazhdojnë t'i falen Zotit me mendjen e fjetur “që ia hodhën” boshllëkut që i kish kapur; më i ndjeshëm se unë e se të gjithë ne të tjerët që kemi bërë kompromis të vazhdojmë të jetojmë në një vend ku përtej së bardhës, pushtetit dhe parasë, nuk ekziston asgjë tjetër.
Unë njoh shumë pak artistë që të arrijnë t'i kthejnë në këngë fenomenet sociale; që arrijnë të dalin përmbi vulgaritetin e tallavasë e të turbo-folkut, të teksteve bajate të injorantëve që kanë pushtuar muzikën; të mbijetojnë mes boshllëkut shpirtëror duke pasur akoma një shpirt fëmije, si Flori.
Para se trishtimi i pafundëm ta kapte për dore për herë të fundit.
Sado të pikëllohem unë, ju, dhe ata të tjerët, ne e kemi bërë kompromisin tonë, do të vazhdojmë të jetojmë e të durojmë këtë boshllëk, ndoshta dhe me cinizëm. Por një sëmbim i pafundëm i pret ata njerëz që jetuan prej vitesh në shtëpi me trishtimin e tij, atë lloj trishtimi që shpirtrat e ndjeshëm i çon drejt vetë-shkatërrimit.
Doktor Flori ikën sot, por trishtimi i tij mbetet pas. Edhe pse, shumë nga ne të tjerët i kemi mbyllur dyert e perceptimit dhe do të vazhdojmë të gënjejmë veten se gjërat nuk janë dhe aq keq.

No comments:

Post a Comment