Tuesday, June 4, 2013

KOZMIKOMIKET: Krimi më i madh ndaj njerëzimit

Dhuna e kujtimeve është një krim me pasoja të mëdha. Kur të vdesë dhe njeriu i fundit që ka njohur personalisht p.sh., Azem Hajdarin ose Ramiz Alinë, atëherë nuk do kemi veçse kujtimet. Të cilat në këtë vend po shkruhen me qëllimin e vetëm të deformojnë kujtesën

botuar te REVISTA KLAN, E shtunë, 1 qershor 2013
....................................
Dua të denoncoj një krim. Ditë për ditë, para syve tanë, po vrasin kujtesën tonë historike. Ky nuk është një ankim letraresk, por, të paktën siç e kuptoj unë, është një nga krimet më të mëdha konkrete (e gati gjymtim fizik) që mund t’i bëhet një kombi. Deri tani janë eleminuar me sukses kujtesa e tokës (kadastrat tona janë një pus i thellë krimesh), kujtesa e ëndrrave (ajo e viteve 90-92, kur e donim Shqipërinë si gjithë Europa), etj.
Paralelisht, po vritet kujtesa historike. Duke deformuar kujtesën e kombit, deformohen të tërë gjymtyrët e tij e që funksionojnë përmes saj. Ky krim është i vazhdueshëm, i përditshëm, dhe vetëm këto ditët e fundit naështë shfaqur serbes e me arrogancë shumë herë.

Janë pjella e krimit, dhe medemek “krimi s’jam unë”!
Pak ditë më parë, një shkrim i Agron Tufës në lidhje me nderimet që i bëheshin Haxhi Lleshit, njeriut të besuar të Partisë për të drejtuar Kuvendin Popullor në kohën e Enverit, mori në blogje një uragan ofendimesh nga njerëz që e ngrinin në piedestal Lleshin e sulmonin Tufën (kryesisht si person). Në jubileun e Lleshit kishte dhe plot figura shtetërore. Njësoj si ata që e trajtuan si gjigand të kombit, Ramiz Alinë kur iku. Ish-Drejtori i Burgut të Spaçit, Meto Kondi kish dhënë për një gazetë një intervistë ku pretendonte që i trajtonte të burgosurit si intelektualë, dhe se Lubonja ish sjell keq në burg, sa i kish detyruar këta njerëz të mirë, ta fusnin në birucë. Ish sjellë shumë keq, dmth, nuk kish pranuar të punonte në galeritë e vdekjes në punë të detyruar! Dhe, drejtori na e paskësh plasur në birucë nga halli. Pa le tjetra, sjellja e padenjë e e paedukatë e Lubonjës, që ish futur në grevë urie!!!
Kryetari aktual i Lidhjes së Shkrimtarëve, Hysen Sinani, ka akuzuar se janë zhdukur procesverbalet e Lidhjes së Shkrimtarëve, ku sigurisht ishin të shënuara kush tha çfarë e kush propozoi çfarë mynxyre. Ai ngre gishtin mbi poetin Bardhyl Londo, ish-Kryetar. Ky i fundit, ka publikuar një libër kujtimesh, dhe përmes atyre copërave që solli shtypi, nuk është e vështirë të perceptosh se edhe atë e kanë dhunuar në atë kohë. Dhe jo vetëm kohën “e Enverit”, por, ky rishkrim i kujtesës po përfshin dhe periudhën pre- dhe post- enveriste.

Krim në të gjitha kohët
Po ngrihen shtatore të Zogut dhe po eleminohet nga historia Luigj Gurakuqi. Po ridimensionohet Koliqi (me gjasë dhe për pasion fetar). Pllaka e varrit të Migjenit është thyer (me gjasë për zell fetar). Ndërsa disa protagonistë të post-90, me hije të forta dyshimi për në aktivitetin e tyre jo-ligjor, janë ngritur në piedestale, gati idhuj, ku përmes manipulimi të të së vërtetës e deri dhe dhunës së disa interesave personale e partiake. Askush nuk flet dot, edhe pse mund të shohë historinë fare të freskët sesi është manipuluar për të ngritur idolë të rremë.
Ky manipulim i kujtesës historike, sport që nisi të aplikohej gjerësisht në kohë të Enverit (jo se Zogu qe më i mirë, por mjetet teknologjike atëherë nuk e mundësonin) ka marrë përmasa të frikshme. Dhe ndryshe nga Orwelli, ku manipulimi bëhej në një ndërtesë të vetme, te ne ai është i shpërndarë gjithandej.

Ministria e të Vërtetës
“Të tëra këto kujtime shkruhen për të falsifikuar historinë” thotë Maks Velo. Unë besoj se ka të drejtë. Dhe unë mendoj që pakkush është i interesuar ta dëgjojë këtë kambanë. Ka kaq shumë mëkatarë në këtë vend, sa fare pak kanë mbetur për të luftuar për të vërtetën.
Deformimi i kujtesës po realizohet intensivisht që nga ‘97. Nëntëdhjeteshtata është pragu që ndau ndjeshmërinë tonë, nga krimi i Enverit u gjendëm pa kaluar as një 7-vjeçar në krimin e Saliut. Ndjeshmërinë tonë ndaj krimit të një sistemi, e zëvendësoi shumë shpejt frika aktuale ndaj një krimi që po ndodhte. Ishin krijuar xhahilët e rinj të demokracisë. Pastaj ndjeshmëria topitëse e Nanos, rehabilitimi i buzëqeshur i gjithkujt. Frika e ’97-s. Lufta e Kosovës. Pastaj lodhja.
E vërteta ka nisur të deformohet shi nga ’97-a, kur askush nuk e kishte më mendjen. Kushdo që ka pak akses në media, nxiton të thotë një të vërtetë të zbutur në ujë, dhe vit pas viti, ajo zbutet aq shumë, sa dhe ish-Drejtori i burgut më të tmerrshëm të komunizmit (ma do mendja, jo vetëm në Shqipëri) e quan veten viktimë të një burgosuri që “na vinte në siklet” se bënte greva urie!
Ministria e të Vërtetës, ajo që ndryshon kujtesën popullore të ngjarjeve është e shpërndarë në qindra individë dhe e suportuar nga media, nga injoranca, nga mungesa e përgjegjshmërisë, nga dashamirësi baxhanakësh e farefisi, nga pozitat e pushtetit. Ky manipulim i së vërtetës përmes deformimit të kujtesës, përfitohet shpesh edhe nga kryeultësia e viktimave. Ose nga fakti që ata që ishin në pushtet dje, janë dhe sot, me forma të tjera.

Kompromisi si krim
Unë kam respekt për pleqtë, qofshin këta edhe të veja diktatorësh, apo ish-Drejtorë burgjesh. Unë e kam lexuar e shijuar poezinë e Londos (meqë ra fjala, e dua shumë prozën e Koliqit). Por, nuk mund e nuk dua të bëj kompromise me kujtesën e këtij kombi.
Dritëro Agolli, që konsiderohet si Patriark! Patriark?? Nuk dua të flas për poezinë e tij, që gjithsesi nuk më duket e nivelit të patriarkut, por, për rolin e tij si Kryetar i mjetit më të fortë propagandistik të diktaturës. Dritëroi mund të jetë njeri shumë simpatik dhe i dashur. Por, Lidhja e tij, jo!
Ata që kanë qenë aty ku kanë qenë, nuk mund të imponohen sot as si viktima. Kushdo që ka pasur një pozitë në atë kohë, duhet të mbajë përgjegjësinë e vet. Të plotë. Dhe pa justifikime. Dhe më e pakta, duhet të heshtë. Heshtja, kërkon një forcë shumë të madhe njerëzore. Por druaj se ata që ishin “të brishtë” ndaj forcës detyruese të regjimit – duke marrë me dashamirësi si të mirëqenë që regjimi i detyroi dhe Agollin e London të udhëhiqnin Lidhjen, dhe Kondin të drejtonte Spaçin, dhe Lleshin të drejtonte legjislativin komunist –nuk do kenë forcën të heshtin. Ndaj shkruajnë kujtime.

Krimi i falsifikimit përmes kujtimeve
Dhuna e kujtimeve, është një krim me pasoja të mëdha për të ardhmen. Kur të vdesë dhe njeriu i fundit i gjallë që ka njohur personalisht p.sh., Azem Hajdarin ose Ramiz Alinë, atëherë nuk do kemi veçse kujtimet. Dhe kujtimet, në këtë vend po shkruhen me qëllimin e vetëm të deformojnë kujtesën.
Ne nuk kemi ndërtuar mekanizma për ta mbrojtur kujtesën e kombit. Këto mekanizma i mban shoqëria civile dhe individët. Këto mekanizma, kërkojnë një komb me dinjitet, e jo një turmë që e shet votën 100Euro/copa.
Institucionet tona janë plot me mëkatarë. Akademira, ministrira, OJF-ra... Mediat tona, blihen. Hapësira TV ose në gazetë blihet. Mund të shkruash ç’të duash. Sado të bërtasë të vërtetën e vet Maks Velo, nuk ka mbetur thuajse askush për të dëgjuar. Alzhaimeri i kombit ndjehet. Shiko si jemi katandisur.

Kombi i Alzheimerit
Jemi një popull që i pështyn heronjtë dhe u bën hosana të ligjve. Që mos t’ia lëmë vetëm “popullit” këtë damkë, unë besoj që kjo është vepër e individëve. Heronjtë vetë, nuk para shkruajnë kujtime. Ata bien.
Kemi ndërtuar një marrëdhënie perverse me liderët. Kemi një marrëdhënie prostitucionale me të vërtetën. Zgjedhim ashtu siç jetojmë, mes pisllëkut dhe llogjeve të kafeneve. Çdo gjë të mirë e ulim, çdo gjë e pisët na duket se nuk ka punë me ne. Po të pamë poshtë, të vumë shkelmin. Po të pamë lart, të puthim këmbët. E duam Shqipërinë në një çast, e shesim në tjetrin. Dhëmbët na krimben e goja na mban erë. Sjellja jonë sociale e politike, është e lidhur pazgjidhshmërisht me bombardimin e imazheve të copëtuara që na sjell truri jonë me Alzheimer. Kujtesa jonë është sa ajo e një fëmije 3 vjeç. Sa vjet kanë kaluar nga Gërdeci? E kush e mban mend! “Besimi në Zot” është programi politik i PR-së (!?)
Sa herë që dikush do dojë të mësojë ç’ka ndodhur në këtë vend, do hapë qitapët, do hapë dokumentarët, kronikat TV, intervistat në gazeta, pa harruar memuarët, dhe aty do gjejë një gënjeshtër të madhe e të paturp. Por, ata që do i hapin, nuk do kenë trashëguar asnjë lloj cipe, dhe asgjë nuk do u skuqet.

Eternal Sunshine of The Spotless Mind
(ky kapitull, është bosh)

No comments:

Post a Comment