Tuesday, June 18, 2013

KOZMIKOMIKET: Foto, tradhëti dhe politikë

Botuar te Revista KLAN, 15 qershor 2013

Nuk e di a e keni vënë re që deri edhe në uebsajtet me përmbajtje të fortë politike, shpesh tek këndi ku afishohen lajmet më të klikuara të ditës a të javës, në krye është ndonjë titull i tipit “filan aktore, në formë perfekte trupore”, ose “e dashura e re e Shk... Kristiano Ronaldos”, etj.
Po të donim t’i binim shkurt, mund të thonim se sa më të forta pasionet politike të lundruesve shqiptarë, aq më të mprehura janë edhe shqisat e tyre në lidhje me ngjarjet erotike, ndaj shkojnë bashkë (në qoftëse mund të quhet ngjarje që filan këngëtare paska postuar foto sensuale në FB). Ç’të keqe ka t’ua ekuilibrosh emocionet?
Them t’i biem pak më gjatë. Unë kam frikë se ka një konfuzion të madh (sa më pëlqen fjala mishelë, po kam frikë ta përdor prej policëve të gjuhës) mes qytetarit si “kafshë politike”, represionit seksual që vuajmë prej dekadash, post-komunizmit depresiv që po kalojmë, konsumizmit, shkërmoqjes së intimitetit përmes teknologjisë falas dhe mbi të gjitha mungesës së prioriteteve në informacion. Them se kemi problem me mënyrën si e kërkojmë lajmin, dhe sidomos mënyrën si e lexojmë atë. Para se të dal në temë, tek fotot, jeta private e aktivistëve politikë dhe marrëdhënia jonë me ta, dua të diskutoj me ju për një lloj lajmi që nuk jua japin kurrë. Dashnoret e politikës.

Solidariteti alla-femëror i burrave

Është shumë e çuditshme sesi media sulmon ose denoncon për krime të mëdha, vjedhje, korrupsion e deri urdhra për vrasje të aksh politikani; por nuk përmend asnjëherë shkeljet e kurorës, abuzimin seksual me vartëset, favoret seksuale me paratë e shtetit etj., të të njëjtit person! Të jemi thua kaq liberalë sa t’i konsiderojmë çështje pa rëndësi? Vende më liberale se ne dhe sigurisht shoqëri më të hapura e të emancipuara, të kryqëzojnë për shkelje të kurorës në rast se ke post politik. Si është e mundur që gjasme-paparazzët tanë sjellin foto të Sinanit me një femër nga plazhet e Marokut, dhe u deshën muaj e muaj e mezi e nxorrën një gjysmë llafi që Shk...Kristiano Ronaldo ka një të dashur të re dhe është ndarë me gruan? Diçka që e di tërë Tirana!
Madje janë disa raste personazhesh publikë a politikanë që nuk jetojnë më, e që në humbjen e jetës së tyre kishte gisht a është bërë sebep një lidhje jashtëmartesore, fakt ky që fshihet. Madje edhe policia bën sikur nuk është “pistë”. Duket se në bllok, media e politika kanë vendosur të mos i quajnë “dashuriçkat” çështje të interesit publik. Madje, ka një lloj aleance alla “solidaritet femëror”, sikur të gjithë kanë rënë dakord të mos e prekin atë temë. Apo të kenë mentalitet biblik “të qëllojë me gur i pari ai që është pa asnjë mëkat”?
Kam frikë se ka një arsye më të madhe se këto: Ne nuk e kuptojmë lidhjen që ka jeta e një personi me funksionet e tij publike.

Politika pa të shkuar

Erdhëm në temë. Standardet tona ndaj shërbëtorëve publikë janë fare, po fare-fare minimale. Nevoja për të shkruar për këtë temë më erdhi nga disa foto aspak ortodokse të një vajze, funksionare e lartë në politikë. Fotot, mund të konsideroheshin normale për një adoleshente që pozon si të ishte modele, por jo për një person që mbart funksione publike. Gjëja e parë që më shkon ndër mend është që një funksionar i lartë politik, minimalja që duhet të bëjë është të shpjegojë se nga vijnë e ç’janë ato foto. Kjo ndodh në çdo vend normal perëndimor. Kur ti ke një funksion shtetëror a publik, mban përgjegjësi për të kaluarën tënde. Angela Merkelin e kryqëzuan për një foto demonstrate të para 40 viteve. Tek ne as bëhet fjalë, madje, ndodh e kundërta.
Në lidhje me fotot në fjalë (Gati-gati ndjehem në faj që po merrem me këtë rast, sepse, pjesa më e madhe e politikës ka foto e video shumë më problematike se të sajat) komentues në blogje reaguan egërsisht ndaj idesë që duhet dhënë një shpjegim. “Pse, mos ka vrarë njeri ajo që të japë llogari?”, ishte fryma e komenteve. Ne nuk e kuptojmë akoma lidhjen mes së kaluarës së një personi - që na dëshmohet (në këtë rast) përmes fotove - dhe funksioneve të tij. Ne do të shqetësoheshim vetëm nëse dikush ka vrarë! Atëherë, le të flasim për pilotin e avionit ku kemi hipur.

Në duart e pilotit

A do të shqetësoheshim nëse edukatorja e fëmijës sonë ka djegur mace kur ka qenë e vogël?
A do të shqetësoheshim nëse komshiu ynë (që kemi bërë dhe sherr) ka një arsenal të tërë armësh në shtëpi? A do të shqetësoheshim nëse presidenti ynë është piroman? A do të shqetësoheshim nëse ministri i Financave i kalon darkat në kazino? A do të shqetësoheshim nëse mësuesja e pianos e vajzës punon natën si prostitutë klasi? A do shqetësoheshim nëse piloti i avionit tonë është përdorues heroine?
Të tërë këta njerëz, kanë të drejtën e tyre të dalin foto me pistoleta, duke torturuar mace, duke u çpuar, duke djegur librat e shkollës, apo duke dëfryer me të huaj të misioneve ndërkombëtare me pagesë. Edhe sikur të jesh njeriu më liberal që flet shqip, më e pakta, do ju interesojë të dini nëse piloti ku po udhëtoni po i fut ndonjë heroinë sot në mëngjes para nisjes a jo.
Para se të marrin në dorë fatin tonë, të vajzës sonë, të maces sonë, të financave apo të ushtrisë së shtetit tonë, ata duhet të përgjigjen publikisht për të kaluarën e tyre.
Ç’të kaluar, do thoni ju? Atë të fotove! Hapni facebookun.

Një foto vlen mijëra fjalë

Më kujtohet një batutë nga një film me partizanë ku partizani-hero, Timo Flloko, bën një foto me nusen në mal. Ajo foto rastësore, bie në duart e italianëve, dhe është e vetmja foto që kanë. Sot, zhvillimi i teknologjisë ka bërë që shumë njerëz të dokumentojnë çdo moment të jetës së tyre.
Paqartësia për kufijtë e privates, papërgjegjshmëria për pozicionet e tyre publike, ose dhe thjesht për faktin që një këngëtare nuk e ka besuar kurrë se mund të bëhet deputete, ka bërë që të publikohen online foto nga më të larmishmet. Funksionarë të lartë dalin në foto duke pirë duhan aty ku nuk lejohet, duke bërë pushime në parajsa ekzotike, duke frekuentuar njerëz e vende të dyshimta, duke kryer veprime që tregojnë paqëndrueshmëri mendore, ndjesore dhe njerëzore, dhe, u dashka të presim që të vrasin njeri që të na japin shpjegime.

Politika e Seksit

Imitimi i Berluskonit, futja në politikë e vajzave të reja pa asnjë sfond politik, por vetëm se janë të bukura ose të famshme, ka bërë që të shohim gjysmë me të qeshur sesi fatet tona merren në dorë nga kukulla të papërgjegjshme. Berluskoni i tyre, dhe gjasme-berluskonët tanë, janë karikatura të shërbimit publik. Ata përfitojnë nga ajo që thashë më lart, që njerëzit e dy vendeve tona klikojnë më shumë një femër në rroba banje sesa vjedhjen e zgjedhjeve. Por, kjo s’do të thotë se ne duhet të jetojmë pa vendosur standarde. Uzurpimi i pushtetit bëhet nga politikanë kazinosh dhe motelesh. Kjo e dyta, përkufizon të parën. Papërgjegjshmëria e deklaratave reflekton një jetë të papërgjegjshme të dokumentuar nga fotot.

Kthim te nudizmi

“Gjyqi” që iu bë Ramës për fotot nudo është i drejtë. Për fat të keq, ishte i motivuar aq keq politikisht, sa nuk krijoi një standard të ri të sjelljes publike të ofiqarëve, por krijoi idenë se shqiptarët të mbështesin më fort po të jesh kurvar/pervers/qejfli/etj.
Nuk dua ta besoj këtë gjë. Dua gjyqin tim. Dua gjyqin tim, ku unë dhe secili nga ne, të mund të gjykojë, ose më e pakta të mund të kërkojë llogari për të shkuarën e kujtdo që ka një pozicion publik e ka përgjegjësi publike. Ju mbase jeni të lumtur që na u liruan vizat, por unë, dua që kompania ta kontrollojë FB e pilotit që do na çojë matanë.
Matanë ku? E drejtë, nuk arrijmë gjëkundi, se ministrat tanë janë në kazino, shtetarët tanë janë piromanë, deputetët janë në Dubai me sekretaret, drejtoreshat tona janë në seanca fotoshoot-esh, dhe ju po prisni që dikush të vrasë njeri, që të mund ta pyesim: ç’është kjo foto.

No comments:

Post a Comment