Wednesday, May 8, 2013

KOZMIKOMIKET: Rilindja tjetër - ajo e “vrasjeve”

botuar te Revista KLAN para 4 ditësh.


projekti artistik Kill The Poor / Eat The Rich - ndërhyrje mbi një limuzinë të zezë hummer për transportimin e artdashësve gjatë Armory Show 2010, New York.


................................

Shqipërinë e kanë shtënë në dorë të pasurit. Sistemi që ata po ndërtojnë falë përfaqësimit të tyre e të parave të tyre në ekzekutiv, legjislativ e drejtësi, promovon, mbron, u jep mundësi e pasuron vetëm ata. Si për cinizëm, të varfërve ua merr dhe atë pak që kanë duke u shitur shtrenjtë diploma false, të një shkollimi fals. Të pasurit, marrin diploma të vërteta diku jashtë.
Mediat e blera prej tyre i mbajnë ata të çimentuar në vitrinat e jetës sociale e politike, duke bllokuar çdo lloj të vërtete që buron nga lumpeni. Në media del vetëm e vërteta e tyre. Këto i kam thënë njëherë në shkrimin “Sa e Vogël është e Keqja” botuar në revistën Klan, që e hapja me frazën “po ta dinit kush i ka lekët në këtë vend, do të habiteshit”. Në fakt askush nuk habitet më. E parë me këtë sy, gjithçka ka marrë fund.
Të pasurit zotërojnë sistemin bashkë me këdo që gjallon brenda. Pra, ose ik në perëndim, ku sistemi është më i stabilizuar dhe i balanacuar, ose konvertohu në këtë sistem korruptiv. Kështu duket. Por jo e gjithë shpresa është e humbur. Mund të ketë një rilindje. Jo një Rilindje si e Metës me Ramën. Por një rilindje tjetër, përmes eliminimit të pushtetit të të pasurve. Një “vrasje” e tyre, por me pambuk. Një rilindje që zë fill me atë që sistemi s’është në gjendje të bëjë.

“1984”

I rikthehem vazhdimisht “1984”-s së Orwellit, si një nga shpërfaqjet më të zeza që mund të marrë fati i njerëzimit, skenar që për pak u realizua në gulagët e Europës Lindore. 1984-a e pati rastin të materializohej e nuk mundi. I shkoi shumë afër, por prapë nuk u bë dot. Arsyet janë të shumta dhe argumentat mund të presin thellë. Por, ndoshta është vetë gjendja njerëzore që nuk mund të jetë e tillë. Është e panatyrshme. Ndoshta etja për të vërtetën është stadi i vërtetë i qenies njerëzore. Dhe e vërteta nuk mund të çojë kund tjetër përveçse te trekëndëshi i barazisë-lirisë-vëllazërisë. Ndoshta, diktatura e të pasurve nuk ka shans të jetë gjendja e përhershme njerëzore. You cannot fool all the people all the time. Sado të pasur të jenë, sado ta kenë uzurpuar e korruptuar deri në palcë sistemin, instalimi i 1984-s është i pamundur. Ndaj, ka ende shpresë. Në sistem ka plot vrima ku mund të lëvizin jo elefantë, por milingona.

Bota e nëndheshme e milingonave

Ekuilibret deri edhe ekologjike të kësaj bote mbahen nga milingonat. Gjithmonë do jetë një grup milingonash që do të kundërshtojë sistemin. Sistemi jo vetëm që nuk është i përsosur për të shtypur, por, falë injorancës që prodhon vetë krijon mundësi pafund për ta luftuar. Injoranca që kanë mbjellë përmes sistemit arsimor aktual, nuk na le asnjë shpresë tek një brez i ri që të rindërtojë Shqipërinë. Por, pikërisht, kjo injorancë u heq mundësinë të ndërtojnë një sistem të pacënueshëm shtypjeje. Për një fat të madh - injorancë, neglizhencë periferie, mos “ngritje peshë në kandar” - shumë gjëra kalojnë pa u vënë re nga sistemi. Kam parë të jepen në TV dokumentarë që në Perëndim do i kishin bllokuar menjëherë, sepse thonë të vërteta të padëshirueshme për sistemin. Dokumentarë që qarkullojnë me vështirësi e nuk do mundesh kurrë t’i shohësh në një kanal publik në Europë. Fat i madh të jetosh në Shqipëri e t’i shohësh një pasdite të ngeshme në TV. Në Shqipëri, ku askush nuk sheh dokumentarë.
Milingonat kundër sistemit, mbajnë gjallë të vërtetën. Dhe kjo është fitorja e parë. Mbrojtja e së vërtetës me të tëra mënyrat. Pastaj, të pasurit tanë nuk janë as të zgjuar e as të shkolluar mjaftueshëm për të ditur se çfarë bëjnë. Ata vrasin veten, pa e ditur.

Të pasurit vrasin veten me injorancën e vet

Andi Kananaj argumenton se pasuria nuk përcillet kurrë tek 7 brezat (duke iu referuar konceptit “filani ka siguruar 7 breza”, sigurisht me metoda korruptive.) Nga ana tjetër injoranca dhe egoizmi, kanë bërë që për të siguruar 7 breza kanë shkatërruar Shqipërinë sa të mos mund të arrijë as te brezi i dytë. Një vend i falimentuar, çfarë do t’u duhet nipave? Apo ajri ynë toksik? Apo toka e helmuar? Apo bregdeti i çimentuar e me vajra?
Të pasurit, kanë harruar se edhe ata vdesin. Nuk ka ende kurë për kancerin, e as për alzhaimerin. Sëmundje me një sens barazitizmi të shkëlqyer. Pasuritë e tyre, do të hahen nga administratorë hajdutë, nga dhëndurë të shthurur, ose do të zënë veten përfund nga paftësia e tyre menaxhuese.
Sot shoh aktivë në politikë, biznesmenë që ishin të aftë të ngrinin perandori duke shqyer pronat publike, por të paaftë për të administruar pasuritë e përfituara. Ata, përmbysen si dinosaurë në moçale, nën peshën e stërmadhe e të pamanaxhueshme. Dinosaurë injorantë, kapadainj, dhe të palumtur.

Të pasurit vrasin veten me palumturi

Çuditërisht një nga armët më të forta të sistemit është mbajtja e të varfërve në një nivel palumturie të vazhdueshme. Mafiet, thotë Roberto Saviano, e organizojnë jetën e tyre mbi palumturinë. Janë organizata që shumëfishojnë stërvitjen e palumturisë. Nisen nga principi se realiteti nuk ndryshohet, shkruan ai. Pushteti i diktaturave, shkruan William Reich, diktaturave pak a shumë mediatike, bazohet në marrjen e miratimit nga qytetarët të cilët nënshtrohen sepse nuk kanë arritur kurrë të realizojnë vetveten plotësisht e në kapacitet të plotë nga ana emotive e seksuale, duke mos qenë në gjendje të krijojnë respektin e duhur për jetën e tyre. Këtu e gjen Jacopo Fo arsyen se pse kaq shumë italianë votojnë partinë e bunga-bungës.
Saviano mbron idenë që duhet të vazhdojmë të ëndërrojmë. Dhe nuk e kam fjalën që të ëndërrojmë për të frekuentuar klubet shik, për t’u ndjerë “barabar” me pasanikët, në tavolinën ngjitur tyre, e duke imituar stilin e tyre. E kam fjalën për ide dhe kreativitet. E kam fjalë për ëndrra që e plotësojnë njeriun.
Duket në fakt shumë idilike, naive e deri dhe absurde nëse ballafaqohet kjo ide me mënyrën se si ne e jetojmë e përjetojmë realitetin. Por, e vetmja gjë që mban gjallë njeriun përballë diktaturës së të pasurve, është forca për të ëndërruar, dashuruar e krijuar. Na duhen qytetarë pa komplekse dashurie e seksi, të zotë për të ëndërruar përtej “ku do shkoj në plazh sivjet”. Prej këtej, dhe jo prej masterave të injorancës, dalin qytetarët dinjitozë të së nesërmes. Qytetarë që do të dinë t’i vrasin të pasurit, duke rifituar pushtetin ekonomik: Atë të konsumatorit.

Vriti të pasurit me pambuk

Janë disa vende në Tiranë që unë nuk kam hyrë e as nuk kam në plan të hyj. Disa objekte biznesi që unë i identifikoj si objekte mafioze ose si vepra të korporatave ose si biznese të monopolit ekonomik. Dhe kam arritur të jetoj normalisht, pa pasur nevojë për akses në to. Nëse të tërë qytetarët do binin dakort të mos blinin një produkt, pasaniku përkatës vdes. Biznesi i tij mbaron. Pushteti i tij politik zvenitet. Sepse, pushtetin në kapitalizëm, në të vërtetë e ka konsumatori. Konsumizmi është arma diabolike kundër lirisë. Sado paradoksale, ata, janë të pasur falë jush. Nesër do na shesin dhe ajrin e ujin. Dhe do të jetë tepër vonë. Ajri nuk është një dyqan që mund ta bojkotosh. E as një produkt që mund ta snobosh. Por, nëse konsumizmi brenda jush është më i fortë se ndjenja e lirisë, atëherë nuk e meritoni lirinë. Meritoni markat që ju shesin. Meritoni luksin bosh. Dhe çizmen në kurriz.

No comments:

Post a Comment