Wednesday, April 24, 2013

Banketi i Të pasurve

botuar në Revistën Klan - e shtunë 20 prill 2013

banketi i të pasurve, ndërsa tëvarfërit luftojnë - José Clemente Orozco - 1923 - afresk mural
......................................................................................................

“Po ta dish se kush i ka paratë në këtë vend, të ikën truri”. Kjo është një frazë që e kam dëgjuar më shumë se një herë e që nënkupton që paraja në Shqipëri gjendet (në shumicën e rasteve) në xhepa njerëzish që po t’u heqësh paranë, nuk do ishin të denjë as për të ndenjur ngjitur me ta në autobuz. Të pagdhëndur, të paaftë, të pashkolluar, njerëz që në shumicën e rasteve janë aty ku janë falë rastësisë, dhunës, shkeljes së ligjit (shpesh dhe me dhunë), trafiqeve, evazionit fiskal, grabitjes së biznesit të dikujt, shitjes së vizave, gjobëvënieve, etj. Shkurt, njerëz që nuk kanë treguar as aftësi e profesionale, as zgjuarësi individuale e as cilësi sipërmarrëse, për të fituar atë pasuri që kanë (duke mos quajtur aftësi shkeljen e ligjit).
Deri këtu, nuk ka asgjë të keqe. Madje, fjala e parë që të shkon ndër mend është “bravo u qoftë”, një frazë që tregon sa pafuqinë për të bërë të njëjtën gjë si ata, aq edhe mirëkuptimin që në jetë ka rëndësi mbijetesa. Dhe ata, ia kanë dalë të mbijetojnë më së miri.

Bravo u qoftë... deri diku

Por ka një detaj të vogël. Ata nuk është se thjesht mbijetuan për veten e tyre. Ata kanë shtënë në dorë shtetin. Shumë prej tyre kanë përvetësuar pasuritë dikur të përbashkëta. Ata vendosin për ne. Ata, na zotërojnë. Pra, le t’i vëmë vizën asaj “bravo u qoftë” e të themi, “pa prit njëherë!” Politika është vazhdimisht, në çdo vend, nën ndikimin e grupeve të interesit. Por ky ndikim është i strukturuar dhe ka mekanizma që e mbajnë nën kontroll. Duket e pamundur të zhduket ndikimi i të pasurve në politikë, por, balancat mund të mbahen. Balanca që t’ua kufizojnë mundësinë e pronësimit të shtetit. Mundësinë për ta përdorur shtetin për të çuar rrugën te mulliri i tyre. Qoftë dhe duke lëvizur plane urbanistike apo duke shkatërruar parqe. Nuk është puna thjesht për të mbrojtur 2 pemë. Por, siç thotë një këngë e vjetër e Metallica-ve, “one man's fun is another's hell”. Në një botë që mbahet në një pafundësi ekuilibrash makro e mikro - ekuilibra ekonomikë, ekologjikë, socialë e kulturorë – prishja e këtyre ekuilibrave në favor të dikujt, shtrëngon lakun në fytin e dikujt tjetër. Gjejeni se kujt ia shtrëngojnë?? Bujkrobërve.

Pragu i feudalizmit

Politika shqiptare gjithnjë e më shumë i ngjan një fenomeni feudal, me arbitraritetin madje dhe modelin e marrëdhënieve. Ky vend, ngjan të ketë përherë e më shumë bujkrobër sesa qytetarë dhe të qeveriset më shumë nga feudalë arrogantë e të gjithëpushtetshëm sesa nga të zgjedhur. Sjellja prej feudalësh, vjen nga ndjesia e zotërimit. Politikanët-pasanikë ndjehen zotër të vendit e të gjtihçkaje që gjallon këtu brenda, përfshirë ty.

Si u bënë të pasurit zotër të politikës

Nuk e di, por besoj se ka qenë Nano i pari, strategu që vendosi që politikën ta mbushte me biznesmenë. Një legjendë urbane thotë se një deputet dhe aktor tashmë 10 vjeçar në politikën shqiptare, u bë i tillë, sepse i zgjati i pari një tufë me lekë nga pas në një kazino. Pastaj, loja u hap. Në mënyrë të papërgjegjshme, padronët e politikës i hapën dyert për biznesmenët që të merrnin pjesë drejtpërdrejt në politikë. Ndoshta për t’i pasur nën kontroll, ndoshta të paaftë t’ua kufizonin kontrollin.
Mangësitë apo deformimi i qëllimtë i kuadrit ligjor bëri të mundur që biznesmenët të depërtojnë në çdo moment të vendimmarrjes, duke e shndërruar vetë të bërit politikë në të bërit biznes. Kushdo që ka një gjë në dorë në shkallët e ndryshme të pushtetit në këtë vend, e mendon si biznes personal. Fenomeni i blerjes së votës me para në dorë në parlament, tanimë nuk i bën përshtypje askujt. Edhe politikanë profesionistë e shesin tashmë votën pa iu skuqur faqja (për votimet e fundit pëshpëritet për shifra tek gjysmë milioni euro).
Nuk më shqetëson fakti që dikush ka shumë para. Më shqetëson fakti që ata që ka shumë para janë “zgjedhur” për të ndërtuar një shtet social, një shtet për ata që s’kanë. Nuk e kanë ndërtuar, nuk do e ndërtojnë e as kanë për ta ndërtuar kurrë. Nuk kanë pse! Ata janë aty, për hir të marrëdhënieve që nuk kanë lidhje me demokracinë e as me përfaqësuesit e popullit.

Mos-përfaqësuesit e popullit

Polarizimi ekstrem i shoqërisë, është pasojë e drejtpërdrejtë e këtij fakti: Të pasurit kanë shtënë në dorë në mënyrë të drejtëpërdrejtë pushtetin. Aq më tepër kur nuk e kanë marrë si përfaqësues të zgjedhur. Bëjmë teatër sikur i zgjedhim. Mënyrat sesi ata janë futur në ato lista janë shumë të dyshimta, dhe janë biznes i mirëfilltë. Kanë investuar për t’u zgjedhur sepse presin të fitojnë mbrapsht paratë e investuara. Duke qenë përfaqësues të të varfërve!
Një nga elementët që ka ndikuar drejtpërdrejt në këtë gjendje është dhe ky kod elektoral që ka shkëputur edhe fijen më të fundit lidhëse që ekzistonte mes votuesit dhe të zgjedhurit. Ti nuk e njeh më kandidatin tënd. Tani, votohet sh.p.k.-ja e rradhës. Mospasja e kësaj lidhjeje të drejtpërdrejtë me votuesin çon në mungesë përgjegjësie. Mungesë përfaqësimi. Mungesë ideologjie. Njeriu i rri besnik atij që e ka zgjedhur. Nëse të kanë zgjedhur paratë që ke hedhur për fushatë, ato janë sovrani yt. Nëse të ka zgjedhur favori i dikujt, ai është zoti yt. Por kurrë të varfërit. Të varfërit, janë balta nën këpucët e tyre.

Partia e të varfërve që nuk do bëhet kurrë

Atëherë, pse nuk ngrihen të varfërit të bëjnë një parti të tyren? Një parti që t’i përfaqësojë, dhe që të mbrojë interesat e tyre në çdo ligj që miratohet?
Sepse, ua kanë hequr mundësinë. Për të bërë një parti, duhet një sasi parash që askush nuk e ka, as tërë skamnorët e Shqipërisë të mbledhur së bashku. Për të bërë fushatë elektorale, duhen më shumë para se të tërë kreditë e këqija të mbledhura së bashku. Pastaj, fushata tashmë funksionon vetëm si show mediatik. Duhet të hysh në hatrin e gazetarëve, të cilët zgjidhin disa kredira shtëpish, pushimesh e qejfesh me raste zgjedhjesh. Duhet të hysh në lajmet e televizioneve që ndërkohë janë pronë e grupeve financiare të interesit. Zëri i të varfërve aty, nuk i intereson askujt.
Krejt mënyra si funksionon politika, si ngrihen partitë e si bëhen zgjedhjet tashmë është në funksion të parasë. Nuk ka shpresë për asnjë grup pa fonde që të mund të marrë pjesë. Shkurt, politika është pronë ekskluzive e të pasurve.
Siç thoshte një gazetar, mund të bësh parti vetëm nëse fiton llotarinë. Ose nëse shet drogë. Por, këtu do dalim prapë tek pika e fillimit. Ata që shesin drogë nuk kanë nevojë për të bërë partinë e të varfërve. Mjafton t’u bashkohen partive ekzistuese. Mjafton t’i bashkohen politikës aktuale duke kënduar himnin “voto të keqen me të vogël”.

Marka e së “keqes më të vogël”

Dëgjoj vazhdimisht frazën “E keqja më e vogël” që ridel në dritë sa herë vijnë zgjedhjet. Është thjesht droga e rradhës. Duke e shtyrë atë që ka në dorë votën të votojë të keqen më të vogël, e kanë lënë votuesin peng të një grupi njerëzish që qarkullohen gjithmonë, jo vetëm politikisht por dhe financiarisht. Ideja e ndryshimit është iluzore dhe momentale. Në plan afatgjatë, votuesit e të keqes më të vogël kanë votuar thjesht çimentimin e një grupi politiko-financiar që nuk ka më individ e as lëvizje që ta zhvendosë për disa dhjetë-vjeçarë. Duke votuar të keqen më të vogël i kemi dhënë të keqes shansin që të kthehet në establishment. Kemi votuar gjithmonë të keqen më të vogël. Por, askush nuk interesohet të masë se si kjo e keqja më e vogël e kësaj rradhe qëndron në raport me të keqen më të vogël të rradhës së kaluar. Po të kishim një njësi matëse, ndoshta do të na rezultonte se e keqja më e vogël, në të vërtetë është shumë e madhe. Shumë më e madhe se të këqijat e kaluara.
Dhe së fundi, kjo është fraza me të cilën na detyrojnë të bashkëjetojmë. Kur vlen vetëm për të pasurit. Për pushtetin e tyre që duhet ta ndajnë mes dy të këqijave. Nuk besoj që për ata që jetojnë në baltë ka shumë rëndësi marka e çizmes që i shkel. Për të kujtuar një burrë me mjekër, ata nuk kanë asgjë ç’të humbasin. Veç prangave.

No comments:

Post a Comment