Botuar te gazeta Dita, 31 korrik 2014
Dy llojet e njerëzve të këtij vendi
Ka një dallim thelbësor mes nesh, të ashtuquajturve “njerëz normalë” dhe lunatikëve pa emër që flasin me zë të lartë: ne jemi të larë, ata jo. Ne kemi dhe luksin që kur flasim për politikë, dikush na dëgjon, duke pritur rradhën që të thotë të tijën. Por, në thelb, jemi po aq të pafuqishëm si lunatikët. Vetëm flasim.
Ka dy lloj njerëzish në këtë vend, ata që flasin dhe ata që veprojnë. Ata që flasin, do merren me stërhollime online qoftë edhe të këtij shkrimi. Ata që veprojnë, do ta injorojnë e do vazhdojnë të abuzojnë Shqipërinë përmes parave, pushtetit të blerë prej parave, dhe dhunës që rrjedh prej pushtetit. Ne do të vazhdojmë të flasim. Do të na lënë ndonjëherë të flasim, e do na fusin ndonjë dackë nga pas kur e teprojmë. Ndërsa ne flasim në hapësirën virtuale, ata mbretërojnë në botën reale.
Më habit zelli i njerëzve për t’u sharë në blogje mes vetes apo për të sharë “elitat”, ndërkohë që ata që e mbajnë veten për elitë kontrollojnë të patrazuar paratë, pushtetin dhe deri jetët e të tjerëve. Sa shumë njerëz, që mendojnë se dinë më shumë se të tjerët, dhe kanë qejf vetëm të flasin. Ka dhe nga ata që ta japin zgjidhjen në pëllëmbë të dorës: shko, bëj parti, fito zgjedhjet ose ngrihu, lufto, bëj këtë, bëj atë. E vërteta është që në realitet nuk ka asnjë mënyrë më për të marrë pjesë në qeverisjen e këtij vendi, përveçse duke votuar një herë në katër vjet, të pasurit. Ju mendoni se keni votuar Rilindjen. Nuk dua ta di se çfarë mendoni. Më intereson se çfarë ndjeni.
Njësia matëse e Rilindjes
Mund të tentosh ta matësh 300-ditëshin e Rilindjes me nihilizmin e opozitës ose me super-entuziazmin e shifrave të qeverisë. Të dyja, janë në funksion të propagandës së palëve.
Mënyra tjetër për të matur 300 ditëshin, është e thjeshtë. Ajo vjen nga stomaku. Është ai zëri i brendshëm që nuk të lë të pranosh propagandën e shifrave. Është një zë i pa-artikuluar mirë, që, po të mundej, do të thoshte: unë doja që të ndryshonte sistemi. E pra, sistemi nuk ka ndryshuar. Vetëm janë ndërruar ca njerëz me të tjerë. Stomaku më thotë që asgjë substanciale nuk ka ndryshuar. As mënyra sesi përdoret pushteti, as sesi të pasurit i qasen pushtetit, as mënyra si po ndërtohen reformat. Nuk ka asnjë shenjë që oligarkia do të thyhet në mes për të hapur rrugën e një demokracie konkrete. Oligarkia është aty, e gjithëpranishme. Me krejt makinerinë e vet.
Oligarkia provinciale dhe shanset e demokracisë
Politikanët e të tërë krahëve, mediat dhe sistemi i drejtësisë, janë mënyra sesi oligarkët përdorin pushtetin. Atë çfarë oligarkët tanë e mungojnë në dije të mirëfillta qoftë dhe ekonomike, e kompensojnë me instinkt dhe me agresivitet provincial. Keni dëgjuar besoj sesi biznesi i dikujt merret me dhunë nga ca të tjerë? Këtu, mund të bëhej një listë e gjatë shembujsh.
Por, për të mbetur në temën e shpresës që disa patën te Rilindja, oligarkia jo vetëm nuk ka për t’u luftuar, por mua më duket se po konsolidohet. Unë shoh një menaxhim të pushtetit që po shkon drejt atij të stilit putinian. Ndryshimi i madh është që oligarkia putineske u ndërtua mbi pasuritë kombëtare. Këtu te ne, ku pasuritë kombëtare tashmë kanë shterruar, paraja në shërbim të të pasurve do nxirret nga dhjami i kategorisë së parë qytetare, i atyre që përleshen online.
Janë kohë të vështira për gjtihë botën. Globalizmi, shumëkombëshet, politikanët e shirur dhe manipulimi i mendjeve përmes propagandës janë probleme të gjithë globit. I vetmi ndryshim yni, është që nuk kemi as edhe një mekanizëm mbrojtës.
Shanset e demokracisë reale ndaj oligarkisë duken të pamundshme.
“Nuk kam frikë nga ligësia e të ligjve por nga heshtja e të ndershëmve”, thoshte Martin Luter King. Po e citoj Kingun jo vetëm se ka shumë njerëz të ndershëm që kanë zgjedhur kompromisin e heshtjes, por dhe se Kingu ishte një burrë. Një burrë që ne nuk e kemi.
Një burrë
Martin L. King ishte thjesht një burrë. Për fatin e atyre që e patën si lider, ishte një burrë shteti. Ishte një njeri që transformoi një shtet të tërë. Njerëz si ai, të bindin që është e mundur të thyhet edhe sistemi më i konsoliduar i shtypjes. Sa herë them togfjalëshin “një burrë” më vjen ndër mend libri i Oriana Fallacit. As një burrë si ai, nuk e kemi. Një burrë, që mos të mendojë për veten, por për të tjerët. Një burrë që nuk kërkon një punë si Kryeministër.
Por, këtë burrë nuk mund ta kemi. Thjesht, ai do ca kohë që të bëhet. Hidhni sytë te filizat e rinj, dhe më thoni a shihni gjë burrë aty, mes tyre?
Retro
Rilindja jonë e vërtetë, ajo e vjetra, u bë me burra. Rilindja e para një viti, në të vërtetë nuk ofronte asgjë prej “rilindjeje”. Ishte thjesht një mjet efikas propagande për të marrë pushtetin. Le të themi që nuk ka asgjë të keqe të duash të marrësh pushtetin. Por mua nuk më intereson se si preferon të vetë-quhet një grup njerëzisht që kërkon një emër fancy për punën e vet të re. Mua më intereson të di se çfarë duhet të bëjnë ata njerëz për të cilët nuk mendon askush. Që shpesh, janë aq të shplarë nga propaganda sa me duart e tyre ndihmojnë të mbahet në këmbë një sistem që i shtyp.
Çfarë duhet të vijë pas shpresës së shkurtër të Rilindjes? Sigurisht, jo opozita. Ajo është shpresë e djegur në Gërdec dhe e vrarë më 21 janar.
Iluminizmi
Në një kohë që cilësia e jetës është shkatërruar, qytetet janë vende stresi, dhuna dhe abuzimi karakterizojnë shumicën e marrëdhënieve njerëzore, një fakt, ka shumë rëndësi: që jemi vetëm. Ky fakt, i jep fund shpresave të rreme te ky establishment politik dhe ekonomik. Te pozita dhe te opozita. Në këto kushte, as një Ri-rilindje nuk do të bënte punë. Nuk është puna thjesht “ta dish”, duhet dhe ta “ndash mendjen” që është kështu. Pas kësaj, do të jeni më të qetë dhe më të hapur për të ndërtuar diçka krejt të re.
E vërteta është që pas kësaj, duhet nisur nga zero. Si atëherë, kur u nis të bëhej shoqëria shqiptare. Nga vitet tona ’20-30′, koha e idealistëve. Nga thënia e së vërtetës me zë të lartë. Edhe pse gjëja e parë që do të bëjnë është të të asociojnë dhe me lunatikët që thonë të vërtetat e tyre rrugëve.
Duhet ta nisim nga iluminizmi.
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment