Wednesday, June 3, 2015

Legjendat urbane për 3+ kandidatët e Tiranës

Botuar te gazeta Dita, 3 qershor 2015



Ka shumë argumente që na i shesin për arsye se pse duhet votuar ky apo ai kandidat. Arsyet për të votuar njërin apo tjetrin mund të jenë shumë banale, dhe këtë e respektoj. Por, nuk mund të pranoj që unë dhe ju të shkojmë për të votuar me argumente të pavërteta, që gati-gati janë kthyer në legjenda urbane.

Voto Programin

Ka një sforco të madhe nga 2 kandidatët e partive të mëdha, Kosova e Veliaj për të shpalosur programe madhështore, që do të begatojnë qytetin. Pas tyre, mundohet të rendë Bojaxhiu, ndërsa nuk i shoh në radar 2 të tjerët. E vërteta është që nuk ka asnjë program. Ka vetëm ide të bukura. Se ku i kanë marrë nuk e di, e nuk ka rëndësi. Asnjë nga kandidatët nuk ka pasur kohë të bëjë program. Programi kërkon një vit kohë për t’u përgatitur me një staf tepër ekspert, sepse ndërtohet mbi buxhetin aktual të Bashkisë, dhe jo mbi fantazira fondesh që do të vijnë me shkop magjik. Nuk shoh që asnjëri nga kandidatët t’i ketë të bazuara financiarisht premtimet që bën. Rama dhe Basha u menduan deri disa javë para zgjedhjeve për emrat, duke i lënë kandidatët e tyre pa programe konkrete, të zbatueshme, të llogaritura mbi shifra konkrete. Për shembull, nëse kandidati premton fusha sportive, ku do e gjejë tokën? Ku ka më hapësirë për fusha e parqe në Tiranë? Cilën kullë do prishë për të ndërtuar fushat e basketbollit? Sa do kushtojë? (Meqë ra fjala, në këto çaste që po flasim në Laprakë po ndërtohet mbi një fushë basketbolli një kullë shumëkatëshe, pas disa tjetërsimeve e legalizimeve të pronës. Siç janë zhdukur një pas një të tëra fushat e parqet.) Nëse kandidati premton ajër 20% më të pastër, ku i bazon llogaritë? Sa makina do nxjerrë jashtë qarkullimit, sa rrugë do të mbyllë, sa nënkalime do të hapë, që ajri të pastrohet? Si do t’i bindë njerëzit të hipin në autobus e të mos përdorin makinat? Pra, programet janë veç ëndrra në diell. Jo më kot, përballemi sot me ëndrrat në diell të Lul Bashës së para 4 viteve. Nëse shkoni për të votuar, nuk votoni programin.

Partia në pushtet i jep fonde kandidatit të vet

Kjo logjikë, në të vërtetë është një dhunë politike, e cila do duhej dënuar në mos penalisht të paktën me votë. Ko delegjitimon vetë procesin e votimit, sepse i detyron njerëzit të votojnë nga halli partinë në pushtet. Gjithsesi kjo logjikë është një tjetër legjendë urbane.
E zëmë se është e vërtetë. Pra, të votojmë kandidatin e partisë në pushtet, sepse ai do marrë fonde më të mëdha nga partia. Këto fonde, detyrimisht do t’i hiqen një qyteti tjetër, sepse aq është buxheti i shkretë për pushtetin vendor, paratë nuk do bien nga qielli. Po ç’ndodh nëse të tërë qytetet votojnë kandidatin e partisë në pushtet? Ta zëmë, në rastin konkret, ç’do ndodhë nëse tërë bashkitë vishen në rozë? I bie që qeveria t’ia heqë fondet qytetit të vet X, për t’ia dhënë një qyteti tjetër të vet Y. Çka, e bën të pavërtetë maksimën në rastin e qytetit X. Nëse je qytetar i X, edhe po votove partinë në pushtet, ajo prapë t’i heq fondet e ia jep Y-së.
Në rastin e Bashkisë së Tiranës, çfarë do të ndodhë nëse pas 2 vjetësh pushteti ndërron krah? Pra, nëse në zgjedhjet e përgjithshme Tirana bëhet blu? I bie që 2 vitet e para do kemi fonde mjaftueshëm se kemi qeverinë e bashkinë në një ngjyrë, por, 2 vitet e tjera do e thajmë qytetin! E njëjta logjikë vlen edhe nëse Tirana bëhet blu tani (vuajtje në 2 vitet e para me një qeveri rozë), dhe Shqipëria bëhet blu pas 2 vitesh (bollëk i supozuar blu, me qeveri e bashki blu.)
Kjo legjendë urbane është në të vërtetë një rrugicë qorre.

Këto nuk janë zgjedhje politike

Legjenda e tretë ka të bëjë me argumentin se këto nuk janë zgjedhje politike, dhe se Tiranës i duhet një administrator i zoti. E para administratori është i lidhur me programin, dhe program nuk ka. Nga ana tjetër krejt fryma e fushatës është thellësisht politike. Që nga ndarja e tapive e deri te premtimet për ulje çmimi energjie, janë premtime politike. Këto zgjedhje janë politike, sepse askujt nuk i bëhet vonë sesi do administrohet Tirana, por, që partia e vet të marrë pushtetin e Kryeqytetit e kësisoj të krijojë bazën për përpunimin e korpusit më të madh të votuesve për zgjedhjet “e vërteta”, ato politike. Fakti që askujt nuk i bëhet vonë për administratorin duket edhe tek proceset e dyshimta të përzgjedhjes së kandidatëve në Partitë përkatëse.

Le të vjedhë, por të paktën të bëjë punë

E kemi dëgjuar shpesh këtë frazë dëshpërimi. Jemi gati të pranojmë ta qeverisë qytetin një hajdut, mjafton të bëjë ca punë. E vërteta është që hajduti, sado punë të bëjë, punët e tij do të jenë në funksion të klanit të hajdutërisë, në përputhje me interesat e kërkesat e tyre, dhe, do vijë një kohë pas ca vitesh që do ua shohim hajrin edhe atyre “punëve”. Tirana e sotme, e pajetueshme, është pasojë e kompromiseve të vjetra me “hajdutët që do bënin dhe punë”. Pyesni veten, nëse do ktheheshit pas në cilëndo zgjedhje të kaluar, duke parë qytetin si është katandisur tani, a do hidhnit të njëjtën votë?

I ndershmi / të ndershmit

Ka një propagandë për të na shtyrë të votojmë kandidatin më të ndershëm. Kjo tendencë, le të themi, është e lavdërueshme. Por, në këto vite kemi parë që kandidatët e ndershëm gradualisht të korruptoheshin. Kemi parë djem e vajza të reja që ngjanin idealistë, që u bënë milionerë brenda vitit në postet e tyre. Edhe nëse njëri kandidat është i ndershëm, ai nuk po vjen i vetëm në bashkinë e Tiranës. Ai po vjen me anëtarë këshilli bashkiak që janë tepër të dyshimtë, dhe që kanë dhënë prova që mund të bëhen dhe bashkë për të shqyer Tiranën. Kandidati i ndershëm, po vjen i mbështetur nga lobe ekonomike e biznese të ndryshme. Nuk ka asnjë të ndershëm që t’i bëjë ballë presionit të atyre që e kanë vënë në atë karrige. Qoftë dhe shefi i partisë. Ja ku i keni kandidatët. Shihni kush i mbështet. I pandershëm nuk është vetëm ai që vjedh vetë e merr përqindje ndërtimesh. I pandershëm bëhet dhe ai që toleron shqyerjen e Tiranës nga grupet e presionit, gjë që ka ndodhur në çdo rast, deri tani.

Kandidatët e pavarur

Legjenda e fundit, por nga më interesantet është që kandidatët e pavarur i ka futur dikush për t’u marrë vota partive o majtas, o djathtas, për t’i hequr vota filanit apo filanit. Bojaxhiu, thuhet është futur për t’i hequr vota Kosovës (vota, që në fakt me ndarjen e re administrative as nuk i ka). Tafaj dhe Guri thonë që janë futur për të mos e lënë Bojaxhiun të fuqizohet shumë, dhe për të ndarë më tresh votat e të pavendosurve. Kjo e fundit, nuk më duket fare legjendë urbane.

Forca e sovranit

Diku nga fundi i qershorit, sovrani do drejtohet drejt kutive të votimit. Mediat dhe lobet e ndryshme financiare po përpiqen t’ia kanalizojnë me dhunë votën, duke i ofruar si sedativ legjendat urbane mbi votën. Sovrani, si një qen i rrahur, po shkon të votojë për ata që nuk do donte të votonte, për alternativa që nuk e bindin, për programe që nuk ekzistojnë. Sovrani do votojë, duke bërë sërish një zgjedhje halli, që për nga vetë përkufizimi është zgjedhje e gabuar.
Por, dhe nëse e bën, nuk mund ta lëmë ta bëjë duke gënjyer veten e të tjerët me legjenda urbane. Qeni i rrahur, mund t’i kundërvihet dhunuesit vetëm kur të jetë tërësisht i qartë për gjendjen e vet dhe kur të kuptojë që e kanë vënë pas murit, pa asnjë rrugë shpëtimi. Pra, tregojini qenit, që është i rrahur. Është e vetmja shpresë.

No comments:

Post a Comment