Friday, April 24, 2015

UNË shoh BIG BROTHER

Botuar te gazeta "Dita", 24 prill 2015


Njëri prej banorëve të Big Brotherit, i tha tjetrit: “Libra lexon vetëm një burgaxhi që s’ka ç’të bëjë tjetër në burg!” Kuptohet, ky gjitar nuk e di që edhe programi ku ai merr pjesë është frymëzuar nga një libër dhe krijuar nga njerëz që lexojnë shumë libra.

Që reality show-t janë skena ku injoranca shkëlqen e triumfon, kjo dihet prej kohësh. Por, me sa duket kemi arritur në pikën kur injoranca jo vetëm ka leje e liri për të marrë kohë televizive, ajo edhe na e përplas si virtyt gjendjen e vet. Edhe më herët kemi parë njerëz të palexuar të dalin në ekran, madje në pozitat e heroit. Ne kemi deputetë që janë të pashkolluar e nuk dinë të shkruajnë.

Por, nuk mbaj mend që ndonjëri prej tyre të ketë pasur kaq guxim sa ky banor, i këtij Big Brotheri, për ta konsideruar vlerë injorancën e vet. Edhe ata më të pashkollët, përpiqen ta mbulojnë këtë fakt.
Ky që po shohim është sa triumf i injorancës, aq edhe mjerim i televizionit.

Mjerimi i televizionit
Imazhi i televizionit, më shumë sesa një video intime e një gazetari, dëmtohet nga mungesa e etikës në ekranin e vet. Nevoja për të pasur audiencë është motori i çdo televizioni, por mbajtja e standardeve jo vetëm të etikës, por dhe të përmbajtjes është detyrim i tij. Televizioni duhet të jetë më lart sesa publiku që e shikon. Dhe, për ta thënë me fjalët e krijuesit të Star Trek, televizioni nuk është vetëm argëtim. Është dhe informim. Por, mbi të gjitha, është frymëzim. Kur ti sheh TV, ti pret të frymëzohesh nga ajo që sheh atje, jo të gjesh objekt për t’u tallur.
Në të gjitha televizionet shqiptare ka një prishje të frikshme të balancës mes cilësisë dhe etikës, karshi banales e llumit. Kaq e përgjithshme është kjo, saqë fraza e mësipërme, nuk është çudi të mos i ketë bërë përshtypje kujt.

Trash TV
Ndryshimi i madh mes asaj që TV është e asaj që duhet të ishte, vihet re kur të jepet mundësia të shohësh TV gjermane, britanike, ose franceze (makar dhe italiane) dhe menjëherë më pas rikthehesh te ekranet shqiptare. Diferenca, të tremb. Madje edhe programet që ne kopjojmë, janë të kopjuara shumë keq. Kjo gjë ndodh sepse televizionet shqiptare nuk operojnë më me standarde rigoroze. Ka një kufi të asaj që lejohet të dalë në ekran. Këtë gjë çdo televizion do duhej ta zgjidhte duke funksionuar me stafe profesioniste, e jo me mediokër.
Aty ku televizionet nuk vendosin vetë standardin e asaj që shfaqin, është shoqëria dhe media që ua imponon. Shoqëria jonë është tepër pasive. Ndërsa gazetat, blogjet e revistat që merren me spektaklin, mjaftohen me komentimin e fotove të FB, komente që në vetvete janë tepër banale. Gazetarët që do duhej të bënin kritikën e televizionit, ose nuk ekzistojnë ose janë po aq mediokër për vete.

Unë nuk shoh Big Brother
Të gjithë ata që njoh e nisin bisedën me fjalinë “Unë nuk e shoh BB…” Ndoshta dhe e shohin, por fakti që e mohojnë më bën të besoj se tashmë të parët e Big Brotherit konsiderohet si një “turp”. Arsyeja gjendet tek edhe fjalia e personazhit më lart. Askush nuk do të pranojë që harxhon kohë për të parë të tillë njerëz. Kjo do duhej të shërbente si kambanë alarmi jo vetëm për ata që bëjnë Big Brotherin, por dhe për të gjithë ata që punojnë në televizion. Edhe unë, do ishte shumë më e thjeshtë të mos merresha me këtë temë. E thënë ndryshe, ta injoroja si fakt. Por, injoranca nuk e kupton që po injorohet. Ndaj nuk mund ta lëmë injorancën të na sundojë. Të paktën, jo të na e përplasë syve arrogancën e vet.

No comments:

Post a Comment