Monday, January 12, 2015

Ata që gëzuan për masakrën e Parisit..

Botuar te Dita, dt 12 janar 2014


Kameramani i një TV shumë të njohur fliste me superlativa për vrasësit e “Charlie Hebdo”-së. Për të, “shumë mirë ua kanë bërë. Vetë u kruajtën”. Ky, ka mbi 10 vite që punon në TV. Të njëjtën frymë kishte edhe një montazhier, i njohuri im në një TV tjetër. Një mike që punon në Kosovë po më fliste për sentimentin e lartë pro-vrasjeve në shtetin e çliruar nga “kaurrët”. Nuk dua të rreshtoj më gjatë me raste të jetuara apo të treguara të mbështetjes së hapur apo të kamufluar ndaj vrasjeve të karikaturistëve. Deklaratën e njëfarë Forumi Rinor Mysliman që përgëzonte vrasjet e lexuam të gjithë.
Ky është një realitet që kushdo mund ta prekë përmes rrjeteve sociale. Madje, ju ftoj të qëmtoni poshtë këtij shkrimi e të numëroni sa komente urrejtjeje e shprehjeje të hapur të radikalizmit do të gjeni. Ka një përpjekje për të dekonstruktuar ngjarjen dhe ata që u ngritën kundër radikalizmit, makabritetit, vrasjeve dhe injorancës.

Justifikimi i vrasjes

Njerëz të organizuar në rrjetet sociale po ngrenë disa teza për të dekonstruktuar krimin. E para, shpikën një “komplot të atyre që kanë interes që të dëmtohen myslimanët”. Pra, vrasjen e paskan bërë “kaurrët” vetë. Pastaj, përmendin rastin e një “kaurri” në Norvegji që bëri një masakër para ca vitesh. Duan të paralelizojnë rastin e të sëmuri mendor me një lëvizje të organizuar, të mirë-financuar, që ka bërë me dhjetëra atentate, që po ndërton një shtet të errësirës në mes të Irakut, që sapo u mori jetën dhe mijëra viktimave në Nigeri. Ndërkohë në rrjete sociale, ata që ngrenë problemin e radikalizmit përpiqen t’i njollosin se gjasme punokan “kundër shqiptarisë”. Argumenti tjetër, që më saktë është kërcënim, është që të justifikohet vrasja me “teprimin me lirinë e të folurit”. Deri edhe në TV depërtuan tezat: “Bëni kujdes me lirinë e shprehjes”. Hera e fundit që e kam dëgjuar këtë frazë ka qenë në kohë të diktaturës. Diktatura e Enverit funksiononte me këtë mentalitet: “Kujdes çfarë flet”. Dhe ti nuk e dije kurrë se nga të vinte e keqja. Nuk ka frazë që ta justifikojë më shumë terrorizmin sesa fraza “vrasjet janë gjithmonë të dënueshme, por…”. Dhe ajo “por” e ngelur në ajër vazhdon me kërcënimin terrorist: “Bëni kujdes me lirinë e fjalës”. Dëgjova dhe absurditete të tipit që liria e fjalës na qenka “relative”. Po, është relative në shtetin e ISIS-it.
Por, ne jemi këtu për të ndërtuar një shtet, dhe do të flasim të vërtetën deri në fund.
Deri ku ka depërtuar radikalizmi?

Feja mbi shtetin

Radikalizmi nuk është vetëm mysliman, edhe pse terroristët duan ta paraqesin si luftë të “kaurrëve” kundër Islamit. Jo! Është luftë për t’i hequr fesë çdo iluzion se mund të hyjë në politikë. Gjë që në të vërtetë ka ndodhur, në këto 24 vjet.
Ca nga padija, ca nga indiferenca, ca nga korrupsioni, ca nga ligësia, shtetarët shqiptarë kanë krijuar hapësira për radikalizmin fetar, qoftë mysliman e qoftë i krishterë. Radikalizmi mysliman është më i dukshëm, por, ai i krishterë është pas pragut.
Një shtet i lodhur ekonomikisht, ku edukimi e arsimi janë rrënuar, sidomos në periferi, ka krijuar kushtet që vendin bosh të shtetit ta zënë institucionet fetare. Por, problemi është që institucionet fetare nuk kanë kapacitetet e as dijen e nevojshme për të zëvendësuar arsimin. Edhe pse në fakt, ata këtë po bëjnë. Po zëvendësojnë arsimin.

Arsimi

Ajo që përjetojmë sot, fakti që ka aq shumë njerëz që gëzohen e eksitohen nga vrasjet, që marrin familjet e nisen për xhihad në Siri, është pikërisht degradimi i arsimit.
Është dhe pasoja e investimeve të vjetra që morën fëmijë e i çuan të shkollohen ‘arabi-rave’, ku nuk mësuan zanate por propagandën dhe dogmën.
Unë nuk e di se çfarë u mësohet fëmijëve shqiptarë në shkollat fetare, e që s’janë pak. As shteti nuk besoj se e di. Por, jam i sigurt që në një shkollë ortodokse një fëmijë nuk do mësojë për Nolin; në medrese nuk do të mësojë për Luigj Gurakuqin e Skënderbeun; në një shkollë katolike nuk do mësojë për Migjenin. Se çfarë mësojnë, nuk e di. Por, di që nuk mësojnë atë që shteti ka për detyrë t’u mësojë fëmijëve.
Në fshatrat e varfra ku nuk ka asgjë përpos një kishe a një xhamie, i gjithë instruktimi i fëmijëve vjen përmes hoxhës e priftit. Nuk e di nëse ju do ia linit një hoxhe a një prifti, sado njerëz të mirë të jenë, edukimin e një fëmije. Unë jo.
Edukimi është pika ku terrorizmi e radikalizmi mbjellin farat e para. Sot, po korrim papërgjegjshmërinë e shtetit të 24 viteve. Një shtet që injoron faktin që ne kemi qindra xhihadistë që luftojnë në Siri. Ata janë produkt i këtij sistemi arsimor dhe ekonomik. Ka një nevojë urgjente që shteti të rimarrë kontrollin mbi territorin arsimor. Kontrollin mbi mendjet e njoma, që si në rastin e Nigerisë mund të përdoren për të realizuar tmerre.
Shkolla, duhet të jetë vetëm laike. Asnjë fëmijë nuk duhet të shkollohet me kryq para syve, e as me simbole e aq më keqinformacione të tjera fetare. Fëmijët shqiptarë duhet të mësojnë historinë e Shqipërisë sipas standardit të Republikës laike të Shqipërisë e jo sipas standartit turk, grek, sllav a italian. Ata duhet të mësojnë Skënderbeun, Nolin, Gurakuqin, Naimin e Ndre Mjedën. Sepse, feja e shqiptarit nuk është xhihadi, është Shqiptaria.

Feja e shqiptarit

Para pak kohësh në një TV kombëtar, një klerik katolik shprehej se Vaso Pasha ia ka futur kot me frazën “feja e shqiptarit është shqiptaria”. Akoma ka në internet shfryrje hoxhallarësh kundër Nënë Terezës, madje edhe kundër Skënderbeut, meqë ky është “tradhtar” sipas standardeve të historisë turke.

Dje, mirë bënë që ishin në Paris përfaqësuesit e feve. Do doja të përgëzoja nga zemra ata klerikë myslimanë që pa hezitim u shprehën kundër vrasjeve në Paris, edhe pse jam i bindur që nuk është e lehtë me klimën radikale që i rrethon. Ata duhet t’i mbështesim të gjithë, sepse ky vend nuk mund të bëhet me radikalë, por vetëm me besimtarë liberalë e tolerantë. Sepse, nëse shkojmë me mendjen e atij klerikut katolik dhe atyre të tjerëve që përdhosin Skënderbeun, ne, edhe pas 102 vjetësh nuk kemi më shtet. Sepse radikalizmi nuk prodhon qytetarë. Radikalizmi prodhon monstra që mendojnë se janë xhihadistë, më pas kismet, ndoshta edhe shqiptarë. Prodhon qenie të deformuara që mendojnë se më parë i përkasin islamit apo krishtërimit, para se t’i përkasin Shqipërisë. Rreziku që ky shtet akoma i pabërë të zhbëhet përfundimisht vjen pikërisht nga mendje të tilla që tashmë janë të mirëorganizuar, të mirë-financuar dhe po e zgjerojnë sistemin e trushpëlarjes deri në kufij trembës.
Aty ku feja synon politikën, ka vetëm një pasojë. Nuk ka nevojë t’ju jap shembuj nga bota. Hapni lajmet. Ose, hapni blogjet shqiptare. Dhe tmerrohuni.

No comments:

Post a Comment