Sunday, June 26, 2011

Shënime udhëtimi

botuar te Shekulli, e diel, 26 Qershor 2011

Në rrugën e Bregut, gjatë javës kalojnë më shumë betoniera se turistë.
Me ikjen e Bollanos nga Bashkia e Himarës dikush po tenton të ndërtojë në mënyrë të ethëshme sa në Jal, në Himarë a Dhërmi, pikat më të bukura të bregdetit. Përshtypja që të krijohet është që po nguten të ndërtojnë sa më parë, për sa kohë vëmendja është te zgjedhjet e te Kryetari ende i paditur i Kryeqytetit. Dmth, për sa kohë askush nuk e ka mendjen të merret me hallet e përditshme e për më tepër të zbatojë ligjin, është mirë që ca gjëra të bëhen fakt i kryer.

Bashkë me betonierat, zonën po e rrahin tani ekipe të tatimorëve, që sipas banorëve kanë ardhur për t’u dhënë një “mësim” zonave apo dhe bizneseve që votuan majtas.
Kjo mund të jetë e mund të mos jetë e vërtetë, por, në një shtet poturegrisur si ky i yni, është më e thjeshtë dhe më e sigurt t’i besosh zëra të tillë.
Por, edhe nëse nuk është e vërtetë, është problem madhor fakti që këtë shtet, njerëzit e perceptojnë (qoftë dhe pa të drejtë) si një shtet që herët a vonë do vijë të hakmerret.
E thënë ndryshe, shteti ka probleme me imazhin, siç kishte edhe Bollano.

BOLLANO NË DRITË

Tani që Bollano nuk është më, do të duket më qartë nëse ishte ai faktori problematik i bregdetit apo jo. Çuditërisht, fshatarët e bregut e vlerësojnë. Edhe ata që me krenari thonë “nuk di greqisht” edhe kur dinë.
Bollano, me sa duket, ka bërë për ta më shumë se të gjithë Kryebashkiakët para-ardhës. E kujt do t’ia merrte mendja? Në Tiranë u gëzuam më shumë me ikjen e Bollanos sesa me 2 alternativat dramatike që mund të qeverisin kryeqytetin.

Bollano, thonë, gjatë tërë qeverisjes së tij i bëri rezistencë të madhe presionit të biznesmenëve tiranas (dhe jo vetëm) për ta shndërruar bregdetin në kështjellë të pamposhtur betoni me hotele shumë-katëshe. Ende sot, përgjatë plazheve e fshatrave të bregut gjen vetëm ndërtime druri – të vetmet – siç thonë, të lejuara nga Bollano.

Sot që Bollano nuk është më, në rrugën e Bregut kalon një betonierë çdo 20 minuta. Betonierat, për ata që nuk duan kurrë të besojnë atë që po ngjet, nuk mbajnë lule brenda tyre por beton.
Ka shumë fshatarë që besojnë që pas Bollanos vjen kiameti.

APRÈS MOI, LE DÉLUGE

Është për tu habitur si e sa shpejt Bollano u demonizua nga media e Kryeqytetit për t’u bërë një prej figurave më të urryera të opinionit publik.
Pjesërisht, kjo ndodhi sepse media u tregua e cekët në vlerësimin e problemeve komplekse të zonës së Bregut, e pjesërisht ngaqë gazetarët raportojnë nga kafenetë e jo nga terreni. Pastaj, retorika nacionaliste, shpesh ka shërbyer si valvulë për të hequr vëmendjen nga problemet reale.

Nga ana tjetër, Bollano bëri gjithçka që nuk duhej të bënte për të ndërtuar një imazh të zi rreth vetes.
Personalisht mendoj që Bollano ishte më tepër një politikan jo shumë i zgjuar dhe i paaftë për të ndërtuar një imazh pozitiv.

Ai zgjodhi që publiku përtej fshatrave të Bregut, publik që e njeh vetëm nga gazetat e TV, ta njihte për fanatik filo-grek e të mos njihte anën tjetër të tij, atë që fshatarët e vlerësojnë tani. Faktin që ai i mbrojti nga uzurpimi i betonit e i parasë e nga njerëzit që “e duan” bregun vetëm për 6 javë në vit, 8 korrik - 22 gusht.

BOLLANO MËKATARI

Bollano, ka plot mëkate.
Në një vend të stërmunduar nga racizmi e ksenofobia e fqinjit, me pasaporta të grisura në kufi, me shqiptarë të dhunuar shpesh deri në perversitet nga policia e ushtria, ai vendosi me kokëfortësi të ngrejë flamuj grekë në majë të shtëpive, të ndërronte tabela rrugësh, të ftonte konsuj që flasin për toka greke brenda kufijve të njështeti tjetër, e të shkruante me sprey Ellas nëpër mure, aty ku nuk kishte nevojë. Identitetin e Himarës nuk mund ta përcaktonin as flamujtë, e as shkrimet greqisht, as konsujt. Identitetet kombëtarë trashëgohen, nuk shpiken.

Tendenca për të imponuar imazhin e një etniteti të dhunuar grek në Himarë, nuk i ka sjellë Himarës asgjë të mirë përveçse acarimit të pjesës tjetër të popullsisë. Himara nuk bëhet greke sepse ashtu do Bollano. As sepse ashtu i shajmë ne.
Duke mos dashur ta kuptojë, duke dashur ndoshta të bëhet hero aty ku nuk ka luftë, duke dashur t’i shërbejë dikujt në një kauzë të dështuar që në fillim, Bollano u bë tabela e qitjes nacionaliste.

Bollano, është sigurisht një personazh mëkatar. Një mëkatar, që e ka mbrojtur bregun nga shkatërrimi i njerëzve me vetura të shtrenjta e me shtetin nga pas.

Bollano ra, për t’ia lënë vendin një figure të re.

E REJA

Njerëzit me të cilët flas nuk kanë besim që Kryetari i ri i Bashkisë do të mund ta mbrojë Bregun nga ujqit, nga ata që deri dje shihnin vetëm malin, e sot, kanë vendosur të shohin detin.
Njerëzit e Bregut, për veten e tyre tërë jetën janë zgjuar duke parë detin. Nesër, mund të zgjohen duke parë beton.

Tentoj t’i pyes për Jorgo Goron, dhe thonë që është djalë i mirë. Djalë i mirë... me një “por” nga pas. Dikush më thotë që shumë vota janë blerë, një tjetër më shpjegon që Goro dhe Bollano janë kushërinj, fushatën e bëri në greqisht, dhe mbi të gjitha, i shqetëson fakti që ai e bëri fushatën me njerëz që nuk mund tu zihet shumë besë.
- Kështu është gjithë Shqipëria - u them - Më mirë kur i blen votat një djalë “i mirë”.

HIMARA

Edhe para 50 vitesh, himariotët sa ngriheshin në mëngjes hapnin sytë për “vapor”. Vaporë, që vinin t’i mblidhnin e t’i çonin në Greqi. Që kur fshatarët mbajnë mend, himariotët i kanë mbajtur sytë nga “vaporët”. Përjetësisht me sytë nga Greqia.

Barba Pilua, ngul këmbë të dijë pse mua duhet të më shqetësojnë ata që flasin greqisht. Përpëlitem me argumente. Barba më kujton fëmijët e kuksianëve, tropojanëve e dukagjinasve të lindur në Greqi që nuk dinë jo të shkruajnë, por as të flasin shqip. Atëherë, pse, vetëm ata shtetas shqiptarë në Himarë që flasin greqisht, duhet të jenë një problem?
Shqiptarët e Bregut, nuk e kanë problem greqishten e himarjotëve.

Duke bredhur rrugëve të Himarës, as unë nuk e kam. Të gjithë më përgjigjen shqip, që nga shitësja e markatës kamerierët, rojet, e deri te berberi. Ky i fundit, më thotë që pasi ka bredhur tërë Greqinë, ka vendosur që nuk ikën më prej këtu. Në këndin e dyqanit ka një TV të vogël të fiksuar te një kanal dokumentarësh i Dixhitalbit.

Sigurisht, flasin edhe greqisht. Por, greqisht mund të dëgjosh të flitet edhe në Grand Central të Nju Jorkut. Mua, më përgjigjen përherë në shqip.

Rrugët e Himarës janë të qeta. Shpirtrat tanë jo.
Përpiqem të kujtoj si mbërritëm deri këtu. Kush e shndërroi në problem të madh greqishten e himariotëve.

Kujtoj që nacionalizmi ushqehet nga mediat e blogjet në Internet. Të dyja këto, që vuajnë për profesinalizëm dhe vërtetësi.
Kujtoj që më pasionatët për të mbrojtur Himarën nga “grekërit” janë ata që nuk kanë qenë kurrë aty.
Kujtoj që Himara konsiderohet “problem” sa më shumë largohesh diametralisht prej saj.
Sa më drejt Veriut të ngjitesh aq më shumë patetika nacionaliste rritet. Në Kosovë, arrin kulmin. Sa e urrejnë kosovarët Bollanon!

E ARDHMJA

Në fshatrat e bregut, ka shumë punëtorë që flasin me theks verior. Fshatrat janë thuajse bosh, por muratorët kanë punë plot. Emigrantët po i ndreqin shtëpitë, edhe pse nuk jetojnë aty. Fshatrat janë të populluar me pleq vendas dhe me të ardhur nga zonat ku ka vetëm mal pa det. Të tërë duken në paqë, madje këta të fundit, duken dhe të lumtur.

Lula, pronarja e kafenesë, u thotë “si keni njehë” në gegnishte të vjetër ndërsa vetë punëtorët flasin me terma dialektorë të bregut. “Gjitonia” thotë mes fjalive një tip tek të 20-tat për atë që tërë jetën e ka thirrur “kojshike”.

Burrat e mençur të bregut, parashikojnë që pas 10-20 vitesh nuk do të ketë mbetur asgjë. Do të ketë vetëm ndërtime e fshatra turistikë. Që tani, Drimadha e ka humbur pafajësinë. Edhe fusha e Vunoit do ketë fundin e Qeramidhes në Jal. Në Himarë pritet bum kullash të larta.

Në darkë vonë, e vetmja zhurmë janë betonierat që ndërtojnë night-clubet e javëve të mos-shtetit.
Tek tuk fshatarët kanë tentuar ta ndalojnë vetë këtë mostruozitet, por, siç thonë, pas ndërtuesve janë njerëz të mëdhenj në Tiranë. Madje, dëgjoj që ndërtimet mbrohen me forca të Reneas.

Në këto kushte, më duket absurde që t’u flas njerëzve për lirinë e për ndëshkimin e të keqes me votë.

Greqia u jep 350 euro në muaj, Shqipëria i shemb me rruspa e u zë plazhet me betoniera. “Nacionalizmi” dhe “shqiptarizmi” tashmë, janë kthyer në pasione të snobëve të kryeqytetit e njerëzve të Internetit.

Tani, në rrugën e Bregut kalojnë non-stop betoniera. Betoniera që do ta kthejnë gradualisht Jalin, Dhërmiun, Drimadhën, Livadhjanë, e më tej Himarën, Qeparoin, Borshin në vende të pajetueshme, në bukuri të përdhunuara.
Fshatarët janë pasivë. Duhet të jetojnë.
- Kështu është tërë Shqipëria – më përgjigjen.

“Nacionalistët” e Facebook-ut e të diasporës do të vijnë fundjavave për të snobuar në Beach Bar-et trendy mbi prona të përdhunuara e mbi plazhe të denatyruara. Do të bëhen tapë, do dëgjojnë haus, e do shajnë Bollanon.

Pakica e heshtur, pak nga pak do pushojë së ardhuri në Breg, sepse i dhemb.

No comments:

Post a Comment