botuar te Shekulli, dt 19 qershor 2011
KY NUK ËSHTË VEND PËR PLEQ
Nga titulli, do keni menduar që në këtë Tartë do qaj halle pleqsh, jo varfëria, jo mungesa e vëmendjes sociale, etj. Në fakt jo. Është e njëjta ngatërresë që kam patur me filmin e vëllezërve Coen “No Country For Old Men” që do të përkthehej “Ky s’është vend për pleqtë”. Ngaqë edhe unë kujtoja se fliste për pleq, e kam neglizhuar që në fillim këtë fitues të 4 Oskarëve, derisa, rastësisht pashë që nuk ishte me pleq po me me vrasje e me trafik droge.
Ne, përherë e shoqërojmë idenë e pleqërisë me një lloj urtësie, pafuqie a përvujtmënie, deri dhe “gjynahqarllëk”. Këtë e bëjmë a duke konsideruar gabimisht që me pleqërinë vjen falja e mëkateve, a duke besuar që një plak nuk është më në gjendje të bëjë keq, madje, dhe duke u prekur që dikush është aq plak sa është përtej ndëshkimeve të kësaj bote.
Më kujtohet që ndërsa ish drejtues të Partisë së Punës dënoheshin me burg përjetoja ndjesinë “Hajt, se pleq janë. Ç’tu dënosh pleqve...”
E vërteta është që në botë ka plot pleq që kanë qenë në të ri të vet (madje dhe deri fare planë pleqërisë) diktatorë, oficerë SS, kriminelë, senatorë e deputetë të korruptuar, njerëz të mafias, shefa të mafias.
Prandaj, duhet të jemi të qartë se çfarë do të ndodhë me pleqtë. Jo me pensionistët. Me KËTA pleq! Me këta, që kur janë në pushtet veshin togën e gjyqtarit dhe kur dalin në pension veshin tunikën e pafajësisë.
Dhe kryesorja, çfarë do të ndodhë me ata që sot janë të rinj?
JETA PA TË NESËRME
Të rinjtë janë pjesa më e habitshme e realitetit tonë. Jetojnë sikur nuk do ketë të nesërme. Jetojnë, sikur do të jenë përjetësisht në pushtet, përjetësisht të mbuluar nga miqtë, përjetësisht të shpëtuar nga andrallat. Përditë përballemi me njerëz që abuzojnë me pushtetin në të tëra nivelet, përdhunojnë ligjin, shpërdorojnë fare pa kujdes postin a vendin e punës, shkaktojnë dëme të pariparueshme të pronës, mjedisit, jetës së të tjerëve, pa u kujdesur madje as që ti mbulojnë zullumet, të dalldisur nga një ndjenjë pandëshkueshmërie.
Kjo që ndodh, mbase vjen për faktin që jetojmë sot për sot, sikur të mos ketë të nesërme. Mbase vjen nga dehja me pushtetin, e shoqëruar me pak naivitet, injorancë e budallallëk. Mund të jetë iluzioni i të qenit i paprekshëm, iluzion që logjika e shëndoshë dhe përvoja e përbotshme e hedh poshtë.
Pavarësisht pse ndodh, më duket e habitshme që abuzuesit e sotëm kujtojnë se nuk do ketë të nesërme. A thua se nesër, gjithçka është bërë sot do jetë fshirë.
LIBRI I TË KEQES
Ajo që për shkak të dehjes nuk arrijnë të kuptojnë, është që të tëra shkruhen në libër.
Gjithçka e bërë, çdo veprim a letër e firmosur, çdo urdhër i dhënë me gojë a bisedë e bërë tête à tête, çdo vjedhje a vrasje, deri dhe çdo neglizhencë, shkruhet diku.
Nuk është një libër i zakonshëm që mund tia blesh të tëra kopjet (siç blejnë kopjet e gazetave me turpet e tyre në faqe të parë për ti zhdukur nga qarkullimi). Është libri i memorjes kolektive dhe i arkivave të shtetit, libri i jetës dhe i gjurmëve që të gjithë lëmë në të. Është libri i shërbimeve sekrete, wikileaks, raporteve, komenteve në blogje, artikujve, faksimileve, fotokopjeve, shënimeve me dorë mbi letra faksi, fotografive, çipave e mikrofilmave, si dhe mijëra dokumente që përditë qarkullojnë në zorrët e shtetit. Është libri i fshatrave dhe i tokave, i detit e i kujtimeve, i varreve e dashurisë për ata që shkuan “për lesh” për faj të dikujt që është ende gjallë.
Në një botë me këtë lloj teknologjie, nuk mund të ketë më Templarë me sekrete të fshehura. Të paktën, jo për një kohë të gjatë. Të tëra shënohen diku.
Është një libër, që herët a vonë do të hapet.
S’ka 2-3 vjet që një oficer i lartë nazist u kap ndërsa fshihej në Indi, pas 50 vitesh arrati. Ishte 84 vjeç. Iu dorëzua drejtësisë. Gjërat që kishte bërë në rini ishin shënuar në libër.
Nëse Masakra e Tivarit mund të hapej sot, atëherë kjo është një shenjë që çdo gjë do të hapet nesër.
Edhe varret mund të hapen pas 50 vitesh. Edhe dokumentet e atyre që e shitën këtë vend duke e bërë “si kullojëse makaronash” siç i quan Çelentano.
Gjithçka shkruhet në libër.
MOS U PLAKSH SI SEPP BLATTER
Mendimi se ç’do të ndodhë me pleqtë më erdhi duke parë Sepp Blater të rizgjidhje në krye të FIFA-s, mu në mes të akuzave.
Që në zgjedhjen e tij të parë më 1998, Blatter u akuzua për dhënie rryshfeti federatave që do e votonin. Blatter, është një person që askush edhe sot nuk e di se sa e ka rrogën.
Duke qenë në krye të një organizate të majme financiarisht si FIFA, ai ka arritur të krijojë një perandori të vetën ku arrin të zgjidhet me vota i vetëm, pa pasur konkurent.
Nuk dua të zgjatem te hallet e futbollit, sa tek mënyra se si e shoh unë rastin e plakushit Blatter.
Mënyra si e ka krijuar pushtetin, si është zgjedhur e ri-zgjedhur, mungesa e transparencës financiare dhe mbi të gjitha shkatërrimi i futbollit. Sigurisht, futbolli sot është më i ndjekur por kjo falë teknologjisë, ama është bërë më i turpshëm e i korruptuar e kjo falë menaxhimit të “familjes së madhe të Fifa-s”.
Duke e parë të rizgjidhet, të krijon idenë e një Kumbari që i ka ndrequr pipat me organizatat anëtare, që ka gjithçka nën kontroll, që askush nuk mund të hetojë për mungesë transparence brenda organizatës, që mediat i tremb me padi në gjyq, që është i përjetshëm.
Ai, me siguri e beson dhe vetë këtë. Nuk ka as pikëpyetje.
Megjithatë, gjithçka shënohet në libër.
Kur flas për pleq dhe për Sepp Blatter, nuk e kam fjalën te 1 plak i vetëm e kapedan i një anijeje të madhe. Sepp Blatter-a kemi gjtihandej, që në komunat e vogla e deri te godinat e rënda të shtetit, ka pleq që kanë ngritur piramidat e tyre të vogla a të mëdha të pandëshkueshmërisë e të korrupsionit.
Ata neglizhojnë faktin që drejtësia hyjnore mund të vonojë, por ajo njerëzorja shpesh mbërrin në kohë. Libri, është atribut njerëzor.
Shikoni Pinoçetin, që i kaloi vitet e fundit të jetës në gjyqe bashkë me familjen. Vdiq në arrest shtëpie, dhe u desh të merrej vendimi për ta liruar nga arresti që të mund ta çonin në spital për t’u zhdukur përfundimisht nga kjo botë pak ditë më vonë.
Çausheskun e dini, nuk ka nevojë t’jua kujtoj.
Shikoni Craxin, yllin e politikës italiane të viteve 80, ish-Kryeministër jetëgjatë që vdiq në arrati në Tunizi.
Shikoni Andreotin, ish-Kryeministër italian në gjyqe të gjata për lidhje me mafian.
Shembujt janë të gjallë e janë plot.
Pleqëria nuk është zgjidhja nga mëkatet. Është koha për të bërë llogaritë me librin.
Kjo është njëra nga arsyet pse pleqtë përpiqen ta përjetësojnë sundimin e tyre duke krijuar dinastitë e pushtetit. Gjithsesi, edhe kur ia dalin, hesapet me librin nuk mbyllen, vetëm transferohen. Nuk besoj se ka krim më të madh në demokraci se denatyrimi i saj në një demokrasti - një dinasti e fituar me anë të votës së ashtuquajtur të lirë.
FUNDI I DINASTIVE
Nuk jam unë që nuk i dua dinastitë, është bota e re.
Ajo që po ndodh në Greqi është pasoja e dinastive politike të krijuara prej dekadash. Politikanë që ua lënë Partinë bijve, gjyqtarë që ua lënë skeptrin fëmijëve, administratorë që ua lënë çelësin pinjollëve.
Ja si e përshkruan Stefanso Konsta situatën e krijuar falë politikanëve të çimentuar në pushtet që nga gjyshërit: “Fjalët si kleptokraci (që për ironi ka rrënjë greke), korrupsion dhe greva, tashmë janë përbërës integralë të sektorit publik. Duket si një dramë greke, ku aktori kryesor është i biri i Krye-zuzarit. Andreas Papandreu... Statistikat e Greqisë në një dekadë janë testamenti i dështimit të tij kolosal si Kryeministër.”
Dinastitë, nuk janë zgjidhja e kohëve moderne. Ato vazhdojnë të ekzistojnë e do të vazhdojnë dhe për ca kohë, sepse investimi i pleqve për të mbajtur në pushtet linjën e tyre të gjakut është i madh. Sigurisht, në Shqipëri dhe në shumë vende të tjera, jo gjithmonë bijtë rebelohen. Bijtë, e kanë më kollaj ti gjejnë të tëra gati. Edhe pushtetin. Por, kjo nuk ka për ta përjetësuar atë.
Për fat të keq, aftësia për të mbajtur pushtetin nuk është e trashëgueshme. Dinastitë bizantine e më këtej, kanë treguar që bijtë zuzarë i kanë bërë rrush e kumbulla perandoritë e trashëguara.
Pleqtë, kujtojnë se bota e sotme është ajo e vjetra. Nuk e vënë re që metodat e vjetra nuk funksionojnë më aq mirë, ligjet e vjetra të mbajtjes së pushtetit nuk janë më operative. Edhe filmi Godfather III është më pak interesant se Godfather I.
BOTA E RE
Ky nuk është vend për pleq.
“No country for old men” – ka fituar 4 Oskar dhe nuk flet për pleqtë, po për botën që po ndryshon. Një botë, ku TË VJETRIT nuk mbijetojnë, sepse nuk gjejnë dot rregullat e kohës së tyre, sado të fortë të kenë qenë në të rinë e vet.
Titulli i filmit, ka një kuptim të thjeshtë: bota nuk është ajo që ka qenë. Edhe ata që janë të rinj duhet ta ngulin mirë në kokë këtë. Një epokë e re është në prag, edhe pse në gjirizin tonë ende nuk ndjehet.
Gjithshka, shkruhet në libër. Gjithçka do të mbahet mend.
Sunday, June 19, 2011
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment