Sunday, June 12, 2011

Thuaji Drogës "Po"

botuar te Shekulli, e dielë 12 qershor 2011, me titullin: "Droga, a duhet legalizuar?"

Tre fakte më detyrojnë t’i them drogës “Po!”:
(thuajse) të gjithë përdorin drogë, dhe, politikanët përdorin edhe më shumë se të tjerët; ndalimi i drogës vetëm ka ndihmuar që trafikantët e drogës të shndërrohen në grupet më të pasura të botës së krimit; dhe e fundit, luftën me drogën e kemi humbur.

Dua ta nis kjo e fundit.

LUFTA KUNDËR DROGËS ËSHTË HUMBUR

Më 2 Qershor, Komisioni Global për Drogën, për herë të parë, shqiptoi seriozisht faktin që lufta kundër drogës, kjo politikë mëse 50 vjeçare, është e humbur.
Shifrat globale tregojnë që në 10 vitet e fundit, përdorimi botëror i cannabis-it u rrit me 8.5%, i kokainës me 27%, dhe opiumit me 34.5%.
Komisioni këshilloi që të eksperimentohet me liberalizimin e drogave dhe krijimin e tolerancës në legjislacion për ata që kapen me sasi të vogla. Ai u shpreh, që lufta shumë-vjeçare kundër drogës mund të konsiderohet e humbur.

Në fakt, lufta Kundër Drogës, konsumon fonde të mëdha (vetëm në SHBA ha 150 miliardë dollarë në vit), mban të angazhuar shumë njerëz, policë e zyrtarë, që mund të përdoreshin me efikasitet diku tjetër, dhe mbi të gjitha, rrit koston e përdoruesve.

Situata është shumë e thjeshtë. Ai që do të përdorë drogë, do ta gjejë se s’bën, qoftë dhe duke vjedhur paratë e familjes ose të të tjerëve, qoftë duke shitur objektet shtëpiake e deri dhe trupin. Në club-et e Tiranës ka sa të duash femra që janë gati të të ofrojnë shërbime seksuale për tu qerasur me një dozë kokainë. Në celularët e shumë njerëzve, krahas numrit të picerisë e të kinemasë, është dhe numri i shpërndarësit të drogës.
Prandaj, duke e ndaluar tregëtimin e saj, nuk e ke penguar njeriun që do ta përdorë. Aq sa mund të ruhet nderi i grave duke i mbajtur mbyllur, aq mund të pengohet ai që ka vendosur ta përdorë drogën.

E vërteta që nuk e thotë njeri, është që (thuajse) të gjithë kanë provuar të paktën një herë drogë. E kam fjalën për brezat e të rinjve të demokracisë. Shifra zyrtare prej 40 mijë përdoruesish në Shqipëri më duket qesharake. Unë besoj se shifra është shumë më e madhe se kaq. Askush nuk ka shkuar të bëjë një sondazh në Parlament.

KUSH DROGOHET?

Të gjithë dinë që “drogë” përdor dikush, po askush nuk do ta mendojë që fëmija i vet, shefi i vet deri dhe deputeti i vet, përdor drogë. Shumicës së njerëzve të thjeshtë, atyre që vitet 90 i kapën në një moshë që nuk mund të ishin më trendi, u duket se droga ekziston, po diku tjetër, jo pranë tyre.
Droga, është shumë afër secilit prej nesh.

Nga të gjithë njerëzit që më rrethojnë, shumë të paktë janë ata që nuk e kanë provuar qoftë dhe një herë. Gjimnazistët, piktorët, DJ-të, njerëzit e jetës së natës, këngëtarët, politikanët e të gjitha anëve, ministrat, doganierët, studentët, konviktorët, plazhistët, refugjatët e kthyer, të burgosurit, vetë trafikantët, prostitutat e serës së lartë, prostitutat e sërës së mesme, turistët, zyrtarët e huaj, punonjës të administratës, në përgjithësi, çdokush që “merr vesh nga jeta” e heq një cigare hashash herë pas here, sa për të ardhur në qejf. Për çdo ditëlindje trendi, ka dhe një kek me marihuanë.

Ata më të pasurit apo ata më të famshmit, ata që kanë krijuar imazhin e njerëzve që i kanë të tëra në rregull, i fusin dhe ndonjë vizë kokainë, herë pas here. Pikërisht, ngaqë i kanë punët në rregull!
Kokaina është droga e vip-ave.
Droga, të bën të ndjehesh modern dhe trendi. Droga është “cool”.

Por, nëse të gjithë përdorkan drogë, atëherë përse është e ndaluar?
Nëse politikanët, deri dhe në instancat më të larta, përdorin në masë hashash e kokainë, atëherë pse e ndalojnë për të tjerët?

KUJT I INTERESON TA MBAJË DROGËN TË NDALUAR

Dikur droga, ka qenë e lejuar.
Të gjithë e kanë dëgjuar legjendën që gjyshet tona na vinin në gjumë me pak çaj hashashi që e rrisnin posaçërisht te cepi i bahçes. E pra, nuk është legjendë, është e vërtetë.
Dikur, droga ishte si kamomili. Derisa e ndaluan.

Droga është e ndaluar, sepse, duke qenë e ndaluar shumë njerëz mund të bëhen të pasur.
Politikanë të cilët marrin hisen e tyre nga tregëtia e paligjshme, segmente të policisë që u rri e vockël rroga e shtetit, kriminelë që duan të bëhen të pasur e të ndjehen të pushtetshëm, të papunë që nuk gjejnë diçka më të mirë për të mbijetuar, fermerë që nuk ia dalin dot të mbijetojnë duke mbjellë domate, dhe zgjedhin hashashin.

Asnjë nuk do që droga të liberalizohet. Nëse, kushdo do të mund të blinte drogën që do në farmaci, i vetmi që do përfitonte është përdoruesi – do e blinte lirë, dhe do e blinte të pastër. Ndalimi i drogës nuk e ndalon atë, vetëm e shtrenjton.

Liberalizimi i drogës do të zhdukte një herë e mirë tregun informal e trafikimin, do të zhdukte baronët e drogës që kontrollojnë deri dhe politikën, dhe krimin e lidhur me trafikun e shpërndarjen e saj. Mbi të gjitha, do e lejonte njeriun të ishte i lirë.

DROGA DHE E DREJTA NJERËZORE

“Mano Negra clandestina/Peruano clandestino/Africano clandestino... Marijuana illegal” këndonte Manu Chao, para disa javësh në koncert në Tiranë.

Ata që na detyronin deri para 1 viti edhe ne shqipëtarëve të ishim klandestinë në botën e lirë, ata kanë 50 vjet që ndalojnë drogën.
Interesat e mëdha mbi trafikun ilegal të drogës kanë paralizuar për një kohë të gjatë vendimmarrjen në Amerikë e Evropë. Marijuana është si kurdët apo libianët që kalojnë detin në gomone.

Marijuana ilegal!

Por, e drejta për të përdorur drogë është një e drejtë e patjetërsueshme njerëzore, njësoj si e drejta për të përdorur valium, vaj soje apo kamomil.

Para pak kohësh lexova që e drejta për të përdorur Internetin tashmë konsiderohet si një nga të drejtat e njeriut. Interneti, është një lloj droge. Televizioni është një lloj tjetër droge. Seksi, po ashtu. Ka një listë të gjatë gjërash ndaj të cilave jemi të varur në jetë. Kafeja, është tek lista e drogave të mirëfillta. Me 100 kafe kalon në overdozë!

Atëherë përse shteti lejon Internetin, TV, seksin e kafet, dhe ndalin hashashin e kokainën?
E drejta bazë njerëzore është që secili të bëjë çfarë të dojë me trupin e vet.
Njeriu ka të drejtë të pijë bar miu, të hajë sanduiçe që të shëndoshin, të thithë dhe pluhur suvaje po të dojë. Njeriu ka të drejtë të gëlltisë të tëra drogat që ekzistojnë, ato që janë shpikur e ato që nuk janë shpikur akoma. Njeriu supozohet se është qenie e lirë!
"Bari është përbashkuesi i njerëzimit" këndonte Bob Marley.

Sigurisht ky problem global lirie, vështirë të gjejë zgjidhje lokale në një vend si i yni. Ne jemi vendi që deri para 22 vitesh, i detyronim njerëzit të qetheshin sipas modelit të përcaktuar nga Partia dhe dënonim ata që ndiqnin modën e pantallonave kauboj.
Sot, e kemi kollaj ti gjykojmë përdoruesit e ti duam larg syve tanë, mundësisht në burg.
Sot jemi vendi ku dënohet me nga 6 muaj burg një djalë pse i kapen 10 gramë më shumë sesa lejohet në xhep.

Lufta kundër drogës ka krijuar 2 standarde. Goditen të vegjlit, e livadhisin të lirë peshqit e mëdhenj.
Sistemi i drejtësisë diku do të vendosë balancën. Nga ligjet kundër drogës do ta hanë përherë të pambrojturit, ata që janë bishtat fundorë të një sistemi ala “Piovra”. Ata që drogën e transportojnë ose shpërndajnë, sepse nuk kanë punë e të ardhme, ata që mbajnë marihuanë në xhep për vete e e për shokët, ata janë të penalizuarit e mëdhenj të sistemit, një sistemi ku (thuajse) të gjithë përdorin drogë.
Shikoni politikanin tuaj në TV. A i ka sytë e kuq? Po? Atëherë, sapo vinka nga një festë ditëlindjeje me kek...

PROBLEMI YNË...

Liberalizimi i drogës ndoshta nuk do të pakësojë numrin e përdoruesve, por, të paktën, përdorimi i saj nuk do jetë më trendi, apo “cool”. Të shkosh të blesh drogë në farmaci nuk është aq interesante sa ta blesh nën dorë në Klub e ta pish fshehurazi duke shkelur nga pak ligjin. Kjo mund të ndohonte për ti mbajtur njerëzit larg drogës.

Liberalizmi do bëjë që të tëra energjitë e fondet të përqendrohen te trajtimi i narkomanëve, e jo tek pajisja e policëve me kosa për të korrur parcelat majë malesh.

...E PROBLEMI I TYRE

Në hallet që ka Shqipëria, në një vend ku vetëm votat i vjedhim vetë, po të tëra ligjet e tjera presim të na i detyrojnë ti bëjmë, ngjan qesharake të flitet për liberalizim të drogave apo për politika eksperimentale. Kush jemi ne, Hollanda?
Në një vend si ky i yni është e pamundur të presësh vizione apo legjislacion të përparuar. Aq më pak që dikujt, ti bëhet vonë për përdoruesit, të vetmit që shkatërrohen nga lufta kundër drogës.
E di që ka halle të tjera, e askush nuk do të merret me drogën. Aq më tepër që droga, konsiderohet sikur nuk është problemi ynë, meqë është problem global.

Por unë besoj që është shumë dhe problemi ynë. Trafiku i drogës është përgjegjës për kapje të shtetit, për inkriminim të segmenteve policore, për dënime selektive, për shkatërrimin ekonomik të përdoruesve. Prandaj, duhet të fillojmë të mendojmë dhe për këtë.
Ne nuk mund të zgjidhim hallet e botës, por mund të fillojmë të pregatitemi për një epokë të re të lirisë njerëzore. Komisioni Global për Politikat e Drogës i përbërë nga ish-presidentë e ish-kryeministra të disa vendeve të botës sapo ka dhënë shenjën e parë.

Nëse jemi Hollanda te legjislacioni i martesave gej, mund të jemi Hollanda edhe në një fushë edhe më problematike. Por, në këtë rast luhen para të mëdha të pista dhe asnjë pushtetar nuk ka për ta ngritur seriozisht çështjen e drogës. Megjithatë, ne duhet të fillojmë të flasim për të.
Kohët po ndryshojnë. Njeriu është i destinuar të jetë i lirë, dhe mbretërisë së trafikantëve duhet ti vijë fundi. Duhet të fillojmë të flasim për të.

Sa për fillim, ti themi drogës “Po!”.

No comments:

Post a Comment