Botuar te Shekulli, më 29 gusht 2010
Mbushja e Tiranës me postera, banderola e me flamuj bardh e blu, më bëri të mendoj: “qenka festë e PD-së”. Mirë bluja, po kjo e bardha ç’do? E bardha, shenja e dorëzimit, nuk bën pjesë në arsenalin e flamujve të PD!
Pastaj, u desh një beze e madhe me fytyrën e Nënë Terezës dhe me emrin e kryeministrit poshtë që të kuptoja që është ditëlindja e Nënë Terezës. Mundësuar nga... nën kujdesin e veçantë të...
Në këtë vend, as ditëlindja e Nënë Terezës nuk vjen dot po nuk deshi Kryeministri!
Mirëpo, duke parë tërë këto shpenzime, madje, këtë histeri të përvitshme, u riktheva te pyetja bazë: pse?!
Pse, festohet ditëlindja e shenjtores si të ishte promovimi i një DJ që vjen për koncert në verë?
Nënë Tereza vetë, jo që nuk e festonte, po as e përmendte ditëlindjen e vet. Atëherë pse ajo, shembulli i përvujtnisë, përulësisë dhe modestisë, përkujtohet si të ishte një rockstar me bujë, me flamuj e me postera? Dhe për se? Për ditëlindje??!!
Pse nuk organizojnë edhe Rally, ose maratonë rinore, ose qofte e birrë nga liqeni me rastin e ditëlindjes së Nënë Terezës? Ose ndeshje vaterpoloje apo minikampionat beach volley...? Ose kampionat noti, që të mund ta fitojë Kryeministri?
Unë besoj, se Nënë Tereza vetë nuk do e kish kërkuar e as pranuar kurrë një Vit të Sajin. Ajo do kish kërkuar fonde. Jo për flamujt absurdë bardh-e-blu, po për spitale e për bukë. Jo për vete, po për të sëmurët, jetimët e të varfrit. Jo postera, por ponstan për gjithë ne që vuajmë nga dhimbja e kokës në këtë vend.
NJERIU MË VETE E ME TJERË
Para dy-tre vjetësh, lumturimi i nënë Terezës u festua me një megaposter që mbulonte krejt fasadën e Universitetit të Tiranës. Hera e fundit që kisha parë një poster aq të madh mbi UT ka qenë fotoja e Enver Hoxhës.
Stendat e reklamave të ndriçuara ishin mbushur me postera të shenjtores. Siç ishin këtë verë posterat e DJ Sandy Riverës.
Sot, shtyllat e Kryeqytetit janë mbushur me banderola me citate. Dikur, kështu varnin citatet e Enverit e të Maos.
“E djeshmja iku. E nesërmja s’ka mbërritur. Të sotmen e kemi këtu. Fillojmë të jetojmë”. Duhet të jenë lodhur shumë të gërmojnë në Internet për të nxjerrë ca fraza si kjo, që nuk thonë asgjë!
Me gjithë respektin, po Nënë Tereza ka qenë thjesht një humaniste, jo një filozofe. Fraza si kjo më sipër, jo vetëm që nuk thonë asgjë, por më duket shumë infantile që ti publikosh nëpër shtylla.
Më kujtojnë librin e kuq të Maos. “Lindja është e kuqe” Çfarë perle, ë? Dukej sikur jepte leksione si të jetosh. Ose, më kujtoi atë mjeshtrin e madh të citateve që thoshte “patatja është edhe bukë, edhe gjellë.”
Ata që merren me organizimin e “festave” të Nënë Terezës, s’kanë kuptuar akoma që Nënë Tereza u bë ajo figurë që u bë, prej veprimit, jo prej citateve.
NJI FYELL NDËR MALE
Problemet me kultin e Nënë Terezës vijnë nga aq-di-aq-bën i atyre që janë sipër, por dhe nga mentaliteti i neve që jemi poshtë lidhur me figurat. Nga Bajraktarët, tek Zogu e Enveri, ne nuk kemi pasur mundësi të prekim e të prekemi nga njerëz që kanë modestinë si virtyt kryesor. Ne na bëjnë përshtypje vetëm ato figura që propagandohen me bujë e me pohë.
Ne dimë vetëm një mënyrë për të nderuar figurat tona. O t’u ngremë këngë të tipit “Enver Hoxha o Tungjatjeta” o tu ngremë buste, o banderola. Ne, kemi harruar formën më të thjeshtë të respektit, heshtjen. Ne kujtojmë që ngremë lart Nënë Terezën, kur e trajtojmë si Enverin.
Duhet të pushojmë së trajtuari Nënë Terezën edhe si Lady Dianën. Këto figura nuk kanë asgjë të përbashkët. Një princeshë e trishtuar, sepse kishte një burrë impotent, nuk mund të jetë njësoj në perceptimin tonë si një grua e virgjër që përqafonte njerëz të sëmurë me malarje.
DJELLA
Nga ana tjetër, Nënë Tereza po konsiderohet si P.R. qeveritar për të ndrequr imazhin ndërkombëtarisht të leckosur të Shqipërisë. Duam të fshihemi pas figurës së pastër të humanistes, si Odiseu që fshihej nënë delet për të dalë nga shpella e Qikllopit.
Pa folur për faktin që po krijohet ideja sikur nënë Tereza është investim personal i Kryeministrit, heroinë e personalizuar. Se për ndryshe, ç’do emri i tij në posterat e këngëtares... pardon, shenjtores?
Posterat e nënë Terezës, nuk i lenë gjë mangut posterave të DJ-ve që erdhën gjatë verës në Tiranë.
Pas gjithë kësaj histerie, na duhet ta përsërisim pyetjen, po të ishte Nënë Tereza gjallë, si do ndjehej para gjithë kësaj? Ç’do thoshte kur të kalonte poshtë posterave të vet? A mos vallë do kërkonte që paratë të shkonin te spitali që ajo donte të ndërtonte, e që nuk po bëhet në Tiranë? A mos do kërkonte që paratë të shkonin tek ata njerëz që varin veten përditë se nuk ushqejnë fëmijët me bukë?
DRANJA. MADRIGALE.
Në pamundësi për të ndërtuar figura bashkëkohore kombëtare që të mund ti qendrojnë kohës, ne jemi kapur të dëshpëruar pas nënë Terezës.
Figurat tona janë të përkohëshme. Noli na doli hajdut i Konares e shtetrrënues, Zogu, ishte për 50 vjet hajdut e tradhëtar, Enveri këto 20 vjet diktator e vrasës... S’merret më vesh, në tornadon e madhe të baltës që vjen vërdallë atdheut, se kush e meritonte baltën e kush jo.
Po je i këtij vendi, balta do të të përfshijë, çfarë do që të bësh e të thuash.
Prandaj mbërthehemi me dëshpërim pas figurave që na duken të pakontestueshme.
E megjithatë, ky vend, ka pasur njerëz të denjë për respekt e adhurim mbarëkombëtar. Vetëm se ata nuk bërtasin. Dhe nuk kanë fituar Nobel.
LIRIKA MES DY MOTEVE
Para shumë javësh te Shekulli kam lexuar një shkrim të Elsa Demos “Nuk ka vend për Martin Camajn”. Shkrimin e përshkuante trishtimi pse ky shtet nuk arrin të bëjë asgjë për një nga poetët më të mëdhenj shqiptarë, Martin Camajn, makar as ti caktojë një vit përkujtimor. Zyra e shtypit pranë Ministrisë së Kulturës ishte përgjigjur, “ky është viti i nënë Terezës e Vaçe Zelës e nuk ndryshohet më”.
Nuk dua të rimarr shkrimin, as të ringre tematikën, sepse Camaj mbetet i madh pa pasur nevojën që për të të kujdeset Ministria e Kulturës.
Por shqetësimi më lindi kur lexova komentet në blog.
Është e drejta e gjithësecilit të mos lexojë poezi. Por kjo u heq të drejtën të gjykojnë poetët apo dhe figurat. Ata që kanë lexuar vetëm një libër në jetën e tyre, nuk kanë të drejtë të marrin pjesë në procesin e ngritje së kulteve.
Injorantët kibernetikë, që, të fshehur pas anonimitetit të web-it marrin përsipër të shajnë çdo gjë, duhet të mësojnë të heshtin e të dëgjojnë.
Në një popull që nuk lexon, propaganda mbin si lulëkuqe mbi mure.
Dhe ajo që po u servirin tani atyre është figura e nënë Terezës, që po ua shesin si të ishte një rockstar. Nënë Tereza është figurë e madhe e botës, por ne kemi nevojë për figurat tona.
E di që shumë vetë mund të preken në sedër e në nder nga kjo Tartë, por, po të shohin ftohtë do të kuptojnë që dikush po ngre një kult të panevojshëm të Nënë Terezës, dhe jo për hir të humanizmit të saj, por për tu fshehur pas bustit të pranuar ndërkombëtarisht.
Shenjtorja e lindur në Shkup, që jetoi e punoi në Kalkuta 50 vjet, që nuk fliste shqip, duhet t’ia lërë vëmendjen poetit që lindi në Dukagjin, që ngriti katedrën e gjuhës shqipe në universitetin e Mynihut, e që ka shkruar (për mua) vargjet më të bukura që shqipja do mund të prodhojë për dhejtëra vjet.
Nënë Tereza nuk ka nevojë për një vit special, për një aeroport, për një shesh në qendër, për një spital, e për kushedi sesa konferenca në emër të saj, që të jetë figurë shqiptare.
Pyetja e thatë e brutale, pyetje që ther mu në kockë, është kjo: Çfarë ka bërë ajo për këtë vend? Ajo ka bërë shumë, por ka bërë për Indinë. Për Libanin. Ka bërë për tërë botën. Po çfarë ka bërë ajo për ne?
Ky vend, i tharë nga injoranca e brutaliteti, ka nevojë për poetë. Ka nevojë për pak poezi.
Kur të ulen valët/fryma jonë do të matet/me gjansinë e detit: atëherë/do të pushojmë/te kambët e bjeshkve të bardha.
KANDILI ARGJANDIT
Jam i bindur, që vetë Nënë Tereza do kish dashur që ky të ishte viti i Martin Camajt.
Ajo do e kish kuptuar që ky vend ka më tepër nevojë për figura të vetat, që i kanë dhënë Shqipërisë, e jo të importojë figura të përbotshme që i kanë dhënë gjithë botës.
Ajo do e kish kuptuar që njerëzit që nuk nderojnë poetin e vet, nuk kanë për ta ndërtuar kurrë spitalin e saj.
Por, pavarësisht se ç’do donte ajo, ditëlindja e Camajt nuk vjen, po nuk deshi Kryeministri.
Sunday, August 29, 2010
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment