botuar te Shekulli, e Dielë, 19 Shtator 2010
Para pak javësh, një mik më solli një kopje të gazetës londineze “Metro”, ku lexova që Miss Shqipërinë e kishin klasifikuar në 5 të veshurat më keq të kompeticionit Miss Universe.
Kjo më ktheu vëmendjen në një temë të vjetër: pjesëmarrja jonë jashtë, dhe imazhi që na përcillet nga media këtu brenda.
Herë pas here në media promovohen ngjarje që ndodhkan jashtë, festivale, çmime, publikime, dhe ajo që perceptojmë ne këtu brenda duket sikur është bërë nami, dhe ne themi, po ky... artist, nga na doli?
Në përpjestim të zhdrejtë me besueshmërinë e medias, paradoksalisht qendron besimi tek ajo që shohim në TV apo lexojmë në gazetë. Librat, filmat, aktorët, miss-et, gjithçka trumbetohet sikur diku jashtë në botë po bën namin.
Dmth, nga një ferrë e vogël, media ia arrin të nxjerrë një lepur të madh.
Njerëzit që punojnë brenda redaksive e dinë shumë mirë sesi vjen lajmi, dhe rrugën që kalon para se të dalë si silash për tu mbllaçitur nga publiku. Thuajse përherë, sidomos për gjëra të parëndësishme si arti, askush nuk e verifikon informacionin. Larg qoftë të pyetet një njohës i fushës. Mjaftohen me një telefonatë ose një intervistë në kafe me vetë të interesuarin.
Pra, si u prit libri juaj në Francë? U bë nami! Po vrasin veten! Ku do e vendosni statujën e Pjeprit të Artë që fituat në festival? Te koka e skrivanisë, aty ku u mbarsa me skenarin. A keni pasur oferta, pas kurorës së “Miss Kokrra e Grurit” në Meksikë? Po, kam pasur oferta shumë serioze për një reklamë prefësesh thonjsh!
Besimi ynë se një lajm është i vërtetë, “përderisa e dha në TV”, ose se “s’të nxjerrin kot në gazetë”, nxjerr në pah nja 2 probleme të voçkla që kemi ne me mjetet e komunikimit.
Kushdo mund të publikojë atë që ka qejf, e të kalojë pa u verifikuar.
Po doli në media, do të thotë që ka ndodhur. Pyetje, s’ka!
KU? NË HOLLANDË
Ndodh vazhdimisht, në vende ku shumë prej nesh s’kanë qenë. Media përcjell informacione për autorë shqiptarë të botuar jashtë. Autorë që përpara se të botojnë në Shqipëri, e ti njohë vendi i tyre i vockël, rendin të botojnë në Perëndim, e ka raste dhe në dy gjuhë. Libër 2 gjuhësh me poezi, shqip dhe hollandisht! Kushedi sa me vlerë, përderisa dikush është lodhur duke e përkthyer. Bravo!! E paskan botuar në Luksemburg! Ku? Sa hyn në Luksemburg, rrugica majtas.
Media këtë lajm dhe këtë autor, shpesh thuajse totalisht të panjohur, e përcjell si arritje të letërsisë tonë nëpër botë.
Por, arritje të letërsisë tonë nëpër botë nuk ka.
Ajo që po i ripropozohet botës nga Shqipëria, është i njëjti që i propozohej edhe në 68-n, Kadareja.
Sigurisht, libri i autorit X, është botuar. Një student, ose kushdo që di flamandisht, mund ta ketë përkthyer, ashtu si ka ditur. Puna është, KU boton. Cila Shtëpi Botuese prestigjioze në Itali apo Francë e ka blerë librin? Se, mund të botosh edhe në shtëpinë botuese të qytezës N., 300km larg Stokholmit, qytezë me 400 banorë e ku shtëpia botuese boton vetëm gazetën e qytezës dhe lajmërimet për humbje qensh. Vetëm Italia i ka nja 400 shtëpi botuese. Por, prestigjiozet, janë vetëm shumë pak, sa gishtat e njërës dorë.
KUSH? MAJMUNI I ARTË
Herë pas here, në media shpërten njoftimi që aksh aktor apo shfaqje, paska fituar një statujë të artë në vende ekzotike, në Gdansk, në Antalia, apo në Machu Pichu. Majmuni i artë, Lajthiza e Artë, Jeniçeri i Artë.
Festivalet e filmit e të teatrit në botë janë me qindra. Por bota i ka ndarë në kategori A, B, C dhe Zh. Festivalet anonime dhe majmunët e artë anonimë që fitohen, janë rrobat e reja të mbretit, një mbreti, që për fat të keq e kemi jo vetëm lakuriq por dhe të shëmtuar.
Kinemaja shqiptare këto 20 vjet ka nxjerrë shumë pak filma të mirë, dhe pothuajse asnjë film shumë të mirë. Shitjet e biletave, e tregojnë këtë.
Ndodh që ndonjë film të pranohet dhe në festivale prestigjioze. Arsyet janë të shumta, nga ato politike, deri tek ato personale. Por, kjo, nuk u shton dot vlerë filmave që nuk e kanë atë.
ÇFARË? MISS FARA E LULEDIELLIT
Një tjetër arritje e madhe shqiptare, është pjesëmarrja në Misse të organizuara në katër anët e globit. Nga Afrika e Jugut, në Sierra Leone, nga Shangai në Peru. Emra të padëgjuar përfaqësojnë Shqipërinë, dhe ti pyet, Çfarë? Çfarë përfaqësojnë, kush i zgjodhi, si i zgjodhi? Se, spektaklet më të rëndësishëm në botë, janë a s’janë nja 3 gjithsejt. Pavarësisht që organizohen Miss-e deri në qytezat më të humbura të Italisë e deri në Kinë. Miss sponsorizon dhe një importues Lulelakre, me kusht që Missi të quhet Miss Lulelakra International.
Çfarë? Moda e miss-eve, ka kohë që ka perënduar. Bota ka gjetur forma shumë më efektive për të vlerësuar bukurinë për biznes. Vetëm një plakush si Donald Trump, emocionohet aq shumë nga vajzat e reja, sa të vendos të blerë e të ringrejë një show si miss Universe.
Shumica e miss-eve që zhvillohen në cepat e botës, janë me vajza të mbledhura me Facebook, me juri të ndërtuara me biznesmenë, dhe ku fitueset, nuk marrin (në rastin më të mirë) asgjë. Shumë ëndrra të ngritura mbi një truall moçalor.
Por, era e moçalit nuk mbërrin deri te ne. Për ne, bukuria shqiptare po bën namin nëpër botë.
SI? PAPARAZZI
Ndërkohë që, në faqe gazetash, ca edhe të rëndësishme, publikohen foto alla-Paparazzi.
Të thotë mendja, që një fotograf me rrogën 300mijë lek, ndoqi një këngëtare që ka nxjerrë 2 këngë gjithsejt, deri në Haruba, për ta fotografuar teksa bënte plazh.
Se në Tiranë, është shumë më komode. VIP-i/VIP-ja i bën një telefon fotografit. “Eja, se jam në filan vend.” Dhe Papparazz-i vjen dhe e kap në foto “pa mendje.” Halli është kur jemi jashtë, kush të na i bëjë fotot.
Në fakt, fotot i bën shoqja/shoku i të “kapurës në flagrancë” duke lozur me valët. Ose, “çuni na bëj pak një foto, se na i kërkon një gazetë në Tiranë”.
PSE?
Pa folur për ata, që vërtet besojnë se me një botim në një qytezë franceze të sponsorizuar nga babi, kanë bërë revolucion, përgjigja që të vjen në majë të gjuhës është që, narcizismi, nevoja për t’u ndjerë mirë, për t’u ndjerë të famshëm e të vlerësuar para publikut shqiptar, qoftë dhe pa e merituar, është shumë e fortë. Aq e fortë, sa të shtyn të servirësh në media sikur jashtë po bëkemi namin. Kjo, shërben edhe për vetëmbrojtje. Të sulmojmë, që mos u lëmë kohë të na kritikojnë.
Në fakt, të bësh një film të keq, nuk është faj. Nuk është asgjë. U bë i keq, aq. Ashtu doli! Bëj më të mirë tjetrin. Ose, mos bëj më filma. Këtu ka njerëz që kanë bërë Gërdec, e prapë, askush nuk mban faj. (Ç’do Gërdeci këtu, do thoni ju. Kot. Sa për të thënë që unë, nuk e harroj Gërdecin).
Por, për fat të keq, në mungesën e një sistemi vlerash mbi punën, në mungesë të kritikës profesionale, në mungesë të një publiku që ta shohë filmin tënd e ta lexojë librin tënd e ta diskutojë në kafene, e vetmja gjë që ngelet si vlerë, është “emri”, që ndërton virtualisht. Një “emër” që është shumë kollaj ta ngresh me një kafe me një gazetar. Sepse, media, është më keq se ne që e lexojmë. Çdo gjë që duket sikur shndrit jashtë, këtu brenda besohet se është flori.
Monday, September 20, 2010
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment