Tuesday, September 2, 2025

Muri pa Lulekuqe

 Botuar tek Politiko më 2 shtator 2025

1.
“Lulekuqet mbi mure” hapet me një kalim të butë të kamerës që tregon fëmijë të varur mbi mur: këmbët brenda jetimores, gjoksi mbi murin ndarës, dhe koka përmbi të, duke parë botën.
Muri, është lejtmotivi i vërtetë i filmit të vitit 1979, të Dhimitër Anagnostit. “Brenda murit” është bota e vogël, me rregullat, hierarkitë, konfliktet. Jashtë murit bota tjetër, e madhe, me kaosin, dhunën, të rriturit.

2.
Me sa di, realiteti i strehëve vorfnore të periudhës “së Italisë” nuk është ai i përshkruar në film (një nga gjyshet e mia është rritur në një Strehë Vorfnore për vajza të asaj kohe), i cili, për shkak të kohës duhej të transmetonte këndvështrimin politik të sistemit. Por kjo nuk ka rëndësi. Filmi nuk shërben më si një dëshmi e kohës së Italisë. Sot, Lulekuqet mbi Mure është në prerje artistike tërthore e shoqërisë shqiptare. Filmi, mund të duket si “film me fëmijë”, por, aty është Shqipëria.

3.
Në titrat e filmit, emrat e parë që dalin janë ato të gjigandëve të skenës, edhe pse, filmi, në të vërtetë janë fëmijët. Një lloj padrejtësie, deri diku e falur, ndaj Strazimir Zaimit, Enea Zhekut,   Krenar Arifit, Gjergj Pilikës e Artur Hoxhollit. Loja e tyre, është aq e drejtpërdrejtë, aq natyrale, aq “raw”, për të përdorur një term të huaj, saqë i jep filmit një vërtetësi dërrmuese, falë talentit të tyre por dhe dorës së mjeshtrit që i ka drejtuar.

4.
Kadri Roshi. Një personazh i paemër. Thjesht “kujdestari”. Një aktor i madh. Një karakter i vizatuar me laps të fortë, aq fort, sa thyhet dhe lapsi. Një personazh folklorik, i rrezikshëm, sadist, i nënshtruar, nënshtrues, hajdut, autoritar, vegël. Detali bazë i makinerisë, pa të cilën instrumenti i dhunës nuk do funksiononte dot. Një nga qindra veglat që mbajnë në lëvizje makinerinë e atij pushteti, të këtij pushteti, e atë atij që do vijë. detali që gjendet me shumicë në këtë fabrikën sociale tonën.

5.
Një magji e pashoqe e krijuar nga Anagnosti në këtë film janë heshtjet. Në momentet e tilla, një klasë me fëmijë të uritur e një mësues që vërtitet si ujk në kafaz; apo një  sallë inkuzicioni, ku nga fundi dëgjohet pështyrja: “dëgjuam krisma”, unë mund të ndjej dhe zemrën që më rreh. Heshtja e thellë, në një botë të zhurmshme.

6.
Logjika e regjisorit dhe skenaristëve dikton që në film duhet të ketë një personazh (thelbësisht) pozitiv. E kërkon 1976-a. E kërkojnë dhe rregullat e socrealizmit. E kërkojmë ndoshta edhe ne, në nevojën për të mos parë vetëm zi. E ku ka më mirë se një mësues, (i vetmi personazh që ka emër e mbiemër në film, Luan Sina) që duhet të tregojë se në këtë vend ka dhe njerëz që rebelohen, që shpërndajnë dijen dhe që forcojnë zemrën. Njerëz, që veten fëmijët para vetes, parimet para rrogës. Nuk e di a ka në të vërtetë shqiptarë të tillë, më. Por… zëri i Timo Fllokos... Ai zë më kumbon sa herë që kam përpara syve, ose në mendje “Anës Lumenjve”.

7.
Aliu në fillim të filmit dhe Jaçja në fund të tij, nuk kanë makinën klasike hollivudiane që largohet në perëndim, vizual dhe metaforik, por, kanë një biçikletë. Ajo që mund të duket si fiksim i Anagnostit me biçikletat, mua më duket si fiksim me lirinë. Jo tonën. Jo të Shqipërisë.  Jo lirinë e madhe, por atë të voglën, personalen. Në Shqipërinë e vogël, edhe biçikleta ishte simbol lirie, jo i lirisë nga pushtuesi, as lirisë na diktatura, por i lirisë së individit. Jaçja, nuk ikën nga jetimorja, por, thjesht po rritet. Nëse i gjithë filmi është një kolektiv fëmijësh, ky, është momenti shpërthyes i individit. Larva që bëhet flutur. Duket, sikur i tërë filmi shërben për ti dhënë këtij djali-fëmijë, lirinë. Atë të vetën, personalen.

8.
A ka mundësi, të shkruash diçka, qoftë dhe për një film të 1976-s, pa e përzierë me politikë? Kam frikë se jo. Sepse, kinemaja e vërtetë është një testament shoqëror. Dhe shoqëria jonë, është thelbësisht (mbse dhe padrejtësisht) politike. Çdo vuajtje, çdo dramë, çdo kompleks e çdo traumë e jona, i ka rrënjët në politikë.
Lulëkuqet mbi mure, do të jetojë gjatë, për aq kohë sa rrotull nesh e sipër nesh Shqipëria është si ajo të filmit.

9.
Ndoshta është përvojë personale, por unë e shoh murin. E shoh sot. Ngado që kthehem shoh të njëjtat personazhe: Drejtorin arrogant e autoritar të lidhur me fashistët (lexo, europianët), që trimërohet me autoritetet e huaja në krah; por që një vdekje nuk ngurron ta kthejë në fushatë PR-i për veten; shoh kujdestarë gjithandej, njerëz që vjedhin dhe ushqimet e fëmijëve, me të njëjtin mentalitet folklorist me xhaketë krahëve, vetëm se xhaketën e kanë Armani; shoh një shoqëri ku ai lart të dënon të rrish pa bukë (lexo: pa punë), se e ka në dorë ta bëjë; laska që këndojnë “fiskie-saso” (e di, maniak, që nuk është e tillë në italisht, por kështu e kemi dëgjuar të vegjël), sepse bota e tyre e vogël është perfekte – ato njohin dhe drejtorin; Shqipëria e sotme është plot me fëmijë që trajtohen si fëmijë e jetojnë si fëmijë, herë të pangrënë e herë si fëmijë pasanikësh, edhe pse mund të jenë nga 30, 40 e 50 vjeç.

10.
Muri është aty. Muri ynë është mendor, edhe pse janë liberalizuar vizat.  Muri i vizatuar me kamera nga Anagnosti është akoma aty. Vetëm se Shqipëria e sotme nuk ka një Timo që të rrënqeth mishin me Anës Lumenjve (nuk ka as lumenj sa për atë punë), dhe kryesorja, Shqipëria e sotme nuk ka lulëkuqe. Nuk ka më lulëkuqe, sepse kemi humbur kuriozitetin dhe pafajësinë për të parë matanë murit, apo se besojmë se jashtë nuk ka asgjë me vlerë. Nuk ka më lulekuqe ngaqë në këtë oborrin tonë të vogël këtej murit nuk na nuk ka më ëndërrimtarë, por vetëm pragmatistë.

No comments:

Post a Comment