Sunday, March 6, 2011

8 Marsi i EMMY-t

botuar te Shekulli, dt 6 Mars 2011

Nuk e di se nga ka dalë një teori që medemek 8 marsi në tërë botën u festoka me luftë, kurse tek ne festohet mbrapsht, me dreka e darka femërore. Dmth, gratë tona që bëjnë “festë” tërë vitin, më 8 mars duhet të luftojnë për të drejtat e tyre!!
Unë them që ato të luftojnë për të drejtat tërë vitin, dhe ta bëjnë pushim në datë 8.
Pastaj, nëse kemi rënë dakort që në datë 8 mars gratë kanë ditën e tyre, më duket po aq e drejtë që atë ditë ato ta kalojnë si t’ua ketë qejfi. Edhe pse, në ditën e vetme të festës së vet, njeriu normalisht kërkon atë që i mungon më së shumti në jetë. Disa hanë dreka, disa i bëjnë dhurata njëra-tjetrës, disa shkojnë në klube striptize. Atyre grave që u kanë ardhur te hunda darkat, dhuratat, striptiza, le të shkojnë edhe në protestë.

Por, ndërsa gratë e dy kampeve politike do nisin të sulmojnë më 8 maj patriarkët respektivë, protesta e vërtetë e grave nuk do të ndodhë.
Protesta për EMMY-n.

EMMY-rat

Unë mund të jem indiferent ndaj këngëtares Emmy (vetëm nga lajmi i vdekjes mora vesh që ekzistonte si këngëtare), por nuk mund të jem indiferent ndaj fëmijës Elsiana Hidershaj.
Meqë dikush ia hoqi Elsianës të drejtën të festonte 8 marsin (edhe pse ndoshta, ajo vetë as që e festonte) më 8 maj gratë do duhej të ngrinin zërin për të.

Më habiti shpejtësia dhe thjeshtësia me të cilën u gjykua nga publiku rasti i saj. Gratë (dhe tërë shoqëria) i bënë një skaner të shpejtë e cinik: “Ç’punë ka një 19 vjeçare me një 44 vjeçar?”, “Ajo vetë e paska kërkuar” Ose “ky paska qenë horr e imoral, ka abuzuar një minorene”, dhe pikë.

Po ne sikur thamë që dashuria nuk njeh moshë? Apo e thamë kot, për gallatë? Apo nuk njeh moshë kur na ndodh ne, dhe është mëkat kur i ndodh dikujt tjetër?

Shqipëria gëlon nga aferat jashtëmartesore. Shqipëria është plot me lidhje me diferenca në moshë. Në momentin që dikush bëhet i pasur ose i pushtetshëm, qoftë dhe 50 vjeç, i hipën epshi për të realizuar dëshirat e paplotësuara djaloshare, dhe kjo ndodh me ministra e biznesmenë.
Ky është një fakt i përditshëm, por ne na shqetëson vetëm kur del në gazetë.

NJË, NJËQIND DHE NJËQINDMIJË EMMY

Gjëja që ka ndodhur me këngëtaren, ndodh me shumë të tjera. Tek ato përzihet dëshira për tu bërë të famshme e të pasura sa më parë; nevoja për t’i ikur anonimitetit social; nevoja për të qenë dikush në një shtet ku askush, që nga zysha e klasës së parë e deri te Ministri i Arsimit nuk është në gjendje të të japë një bosht për t’u rritur; në një ambient ku të tërë abuzohen nga të tërë; në një shoqëri ku paraja është mbret; ku po dole në TV je dikush, po ke makinë je dikush, po je i talentuar je askush; në këtë vend ku të dobëtit vdesin e ku të fortët të shkelin me makinë; në një vend ku nuk jetohet, por mbijetohet; të gjitha këto, kur je 21 vjeç duhet ti kesh mësuar. Disa i mësojnë që 17 vjeç.

Po të mos e kishte shtypur makina, Elsiana do vazhdonte jetën e saj, sikurse shumë shoqe të veta, artiste ose jo, do vazhdonte të bënte videoklipe të sponsorizuara nga ky biznesmen, ose nga ndonjë tjetër, të ishte në qendër të vëmendjes, e të ishte dhe model për të tjerat, siç janë disa këngëtare tashmë në moshë, por që e kanë nisur si ajo.


AZIZËT

Azizi mund të jetë fajtor për vrasjen e një vajze.
Por, vrasjen e kanë pregatitur të tjerë.
Le ti marrim me radhë:

RAI

Fajtori i parë është RAI. Ose Mediaset. Ose Fashion TV. Ose Mtv. Më kujtohen burra 60 vjeç që nguleshin për të parë Ambrën para nja 15 vitesh në TV. Bota që “Non è la RAI” u ka treguar atyre prindërve në provinca, bota që Fashion TV u tregon fëmijëve të tyre është e rreme. Më keq, është kurth. Aty të tregojnë famën e suksesin, po nuk të tregojnë kushtin për ta pasur.

Henry Ford

Njeriu që futi idenë e konsumizmit. Konsumizmi, që më pëlqen të besoj se është shkaku i degradimit shpirtëror e shoqëror i Perëndimit. Të ardhur me vonesë në botën e konsumizmit, sot ne nuk bëjmë kompromis me asgjë. “Nëm”. Vetëm “nëm”*. Propozimi për dashuri na u dashka bërë me një palë çelësa makine dhuratë. Nuk ka rëndësi sa gra ke, mjafton të kesh para mjaftueshëm për t’i bërë të lumtura të tëra. Dhe ato nuk kërkojnë shumë. Vetëm gjëra që blihen.

Berluskoni

Shqipëria vuan nga “Sindroma e Berluskonit”. I pasur, i pushtetshëm, pak plak. Nëse flokët mund të mbillen, atëherë, dashuria mund të blihet. Me ndryshimin e vetëm, se tek ne Berluskonët në miniaturë nuk mbjellin flokë. I heqin fare.
Sipas “Sindromës Berluskon” nëse je e varfër, pa të ardhme, por e bukur, atëherë lidhjet e rëndësishme fitohen. E ardhmja blihet.
Paç fatin e Rubby-t.

Takimet Me Prindër

Prindërit e sotëm, në shumicën e rasteve nuk ia kanë idenë se ç’ndodh me fëmijët e tyre. Ata nuk ia kanë idenë se ç’është e “bardha”, “jeta e natës”, dhe prostitucioni made in Q.S.
Ata e kanë nisur vajzën me shkollë në Tiranë. Ata kujtojnë se është e sigurt në Qytetin Studenti. Ata kujtojnë që vajza është e talentuar. Ata ëndërrojnë që ajo të ketë një fat më të mirë.
Nganjëherë e ka. Nganjëherë nuk e ka. Varet, nga rrotat e makinës.

7 Marsi

Në 7 mars, mësueset do ishte mirë të mos festojnë, se nuk kanë asgjë për të festuar. Ajo makinë ka shtypur sistemin e vlerave që mungon, e që shkolla, bashkë me familjen duhe t’u japë këtyre fëmijëve.
Sistemi arsimor ka dështuar. Fëmijët që ata do duhej t’i ndihmonin të dalin në jetë, po dalin në jetë në sediljen e një Tuaregu, që nuk është i tyri.

Tuaregët

Tuaregët janë fise luftarakë të shkretëtirës. Gabimisht, meshkujt shqiptarë, kur hipin në makina të shtrenjta, automatikisht ndjehen po aq të fortë, si të ishin racë mbijetuese. Madje, ata edhe jetojnë si kapo Tuaregë. Në fakt janë e kundërta. Janë vetëm meshkuj me pasione infantile. Pasione, me pasojë vdekjen.

Scarface

Njeriu me shenjë, ka lënë më shumë se një shenjë në mentalitetin shqiptar.
Femrat, për këtë model meshkujsh, janë investim. “Kam hedhur para për të”.
Vrasësi i Elsianës, nuk është një vrasës par exellence.
Ai, më shumë mund të jetë një burrë xheloz e pasionant, i shkuar në moshë, që ka kujtuar se mund ta ketë tërë botën të vetën. The world is yours.

Shoqja E Bankës

“Një gjë që e ka shoqja e bankës, dua ta kem edhe unë. Nëse ajo merr dhurata të shtrenjta nga një burrë i pasur i martuar, i dua dhe unë”.
Djemtë e rinj kanë humorin, pamjen, emocionet. Burrat e martuar kanë paratë, makinën, dhuratat e shtrenjta.
Prandaj, këto gocat e vogla, te Azizët do të përplasen.
Moshatarët nuk kanë çfarë t’u japin këtyre vajzave, përveçse emocionalisht. Po kujt i plas për emocion?

Mund të ketë dhe të tjerë elementë, që kanë krijuar sterotipin shoqëror EMMY.
Sikur të ishte vetëm 1, 10, 15, apo dhe 100, ky stereotip nuk do përbënte problem. Por janë shumë. Ndoshta 100 mijë. Ndoshta, më tepër. Janë tepër shumë vajzat që aspirojnë të bëhen të famshme që 17 vjeç, dhe janë qindra biznesmenë që po i presin.
Dhe ky stereotip, këto vajza të reja që kanë ndërtuar këtë jetë për veten e tyre, nesër do të bëhen nëna. Nëna, pa një festë gruaje.


8 MARSI I VAJZAVE TË VOGLA

Në 8 mars, ju mund të bëni protesta. Mund të shkoni dhe në klube striptize.
E vetmja arsye për të protestuar, është për një vajzë të vrarë prej sistemit shoqëror-arsimor-vlerash që kemi ngritur.
E vetmja arsye për të shkuar në një kub striptize, është që të ndiheni se të paktën për një ditë në vit, ia jepni ju lekët një mashkulli, e jo ai juve.

Ose, mund të rrini në shtëpi. Po, po, as striptizë, as protestë.
Të paktën më 8 mars, rrini në shtëpi me vajzën tuaj.

No comments:

Post a Comment