Botuar te Shekulli, e dielë, 20 mars 2011
Libri që po e prisja prej kohësh, erdhi. Para pak muajsh ka dalë në shtypin perëndimor (Penguin Books) libri i bjellorusit Evgeny Morozov, "The Net Delusion". Ky libër, përmes argumentesh, statistikash e analizash tregon se Interneti, lodra e re e njerëzimit, nuk është ai që presim. Ne besojmë që kjo lodër do ta bëjë jetën tonë më të mirë dhe njerëzimin më të lirë. E vërteta është që Interneti po i bën njerëzit më të vetmuar (edhe pse në dukje, më të lidhur) dhe mbi të gjitha, jo të lirë. Interneti, po fuqizon akoma më shumë të fortët, e po dobëson akoma më shumë të dobëtit.
Morozov, niset nga fakti që vetë Hillary Clinton, në fjalën e saj të para një viti, e konsideroi lirinë e Internetit si një nga strategjitë kyçe të ShBA. "Liria e informimit," argumentonte më 21 Janar 2010 Znj. Klinton, "mbështet paqen dhe sigurinë që krijojnë bazat për progresin botëror".
Në librin e vet: "Zhgënjimi i Rrjetit: Si të mos e çlirosh botën", Morozov, vërteton që ky entuziazëm është i pabazuar dhe mbi të gjitha, i gënjeshtërt. Interneti, është mjeti më i ri me të cilin të pushtetshmit do konsolidojnë akoma më shumë pushtetin e tyre.
Twitter dhe Revolucioni iranian
Dy janë zhgënjimet e mëdha sipas Morozov: ai që ky e quan "cyber-utopianism", besimi se kultura e Internetit është progresive dhe emancipuese; dhe "internet-centrism", besimi që çdo çështje madhore e shoqërisë sonë moderne apo politikës mund të gjejë veten në Internet.
Ka njerëz që besojnë se revolucioni Iranian i 2009 u shkaktua nga disa njerëz që u organizuan me anë të Twitter (një rrjet social i ngjashëm me Facebookun). Ka dhe ata që besojnë që analfabetizmi në Afrikë do të zhduket nëse bëhen pjesë e një grupi kundër analfabetizmit në FB.
Idealizimi i Internetit dhe besimi që me Facebook e Twitter mund të hidhet çfarëdo qeverie e shteti autoritar, që nga Kina e deri në Venezuelë, nga Irani e deri në Bjellorusi, nga Rusia deri në Kubë, është një kurth.
Nëse prisni që revolucioni juaj të nisë në Facebook, sapo e keni bërë diktatorin tuaj të lumtur.
Pornot, macet në Youtube dhe Revolucioni
Është e vërtetë, Interneti ka tërhequr një masë të madhe disidentësh që nga Vietnami në Rusi. Ata, kanë gjetur mjedisin ideal për të përhapur idetë e tyre. E vetmja gjë që ata nuk e dinë, është që shteti (me paratë e popullit) i ka mundësitë për të punësuar specialistët më të mirë të rrjetit, njerëzit më të aftë që mund të jenë në qarkullim, teknologjinë më të avancuar, për të eleminuar kundërshtarët politikë në Rrjet. Dhe këtë nuk e bën duke u bllokuar sajtet. Sistemi më efektiv i censurës, është jo ai më i sofistikuari, por ai sistem që nuk ka nevojë për aspak censurë.
Morozov sjell rastin e Rusisë, që nuk ka nevojë të bllokojë blogjet apo forumet e disidentëve. Jo. Shteti rus ka krijuar një sistem të tërë argëtimi online që i bën rusët të rrinë larg artikujve të disidentëve për tu argëtuar me porno falas. Kundërshtarët e sistemit në Rusi nuk pengohen. Atyre thjeshtë u hiqen lexuesit, duke i argëtuar me porno, ose çfarëdo argëtimi tjetër online falas. Sasia e njerëzve që e harxhon kohën e lundrimit në Internet duke kërkuar video macesh të cilat shkarkojnë vetë tualetin në Youtube është pabesueshmërisht e madhe. Popullin mund ta gënjesh aq kollaj me video komike.
Lek Plepi, ka zënë më shumë vend në diskutimet në FB sesa nevoja për të ndërruar kastën tonë politike.
Unë, madje, dyshoj që Lek Plepi suportohet nga Këshilli i Ministrave. Për sa kohë Mr. Plepi të jetë sharmant, askush nuk do kujtohet për naftën që na shkatërroi mushkëritë dhe makinat.
Gjëja e parë që mendon një sistem autoritarian është si ta hutojë popullin e tij me argëtim falas. Lady Gaga në shesh! Disidentët, le të shkruajnë sa të duan në blogjet e tyre.
Dhe nëse mendoje që forcat progresiste rrinë në Internet, ndërsa forcat regresiste nuk e njohin atë, e ke gabim. Diktatori venezuelian Hugo Chaves mezi po pret që ti të futesh në Internet. Më saktë, në Spinternet.
Hugo Chaves do që ti të futesh në Spinternet
Me siguri nuk do ju habisë fakti që Hugo Chaves është i apasionuar pas Ipad-it. Diktatorët, kanë shpesh një hobi për teknologjinë. Aq më tepër, kur ajo shndërrohet në një mjet kontrolli.
Kështu Hugo Chaves, diktatori venezuelian, nuk i bllokon Internetin qytetarëve të varfër të vendit të tij. Ai, madje, ka politika për të futur Internet në shkolla (ju me siguri njihni dhe të tjerë liderë me ambicie teknologjike). Internet për të gjithë! Por, me një kleçkë të vogël: Hugo Chaves do që ti të futesh në Spinternet - Interneti me pak censurë por me shumë propagandë.
Barbara Gedis e Univ. Të Kalifornisë në L.A. në një studim të vetin argumenton që ka një pjesë të popullsisë që është shumë e ndjeshme ndaj propagandës qeveritare, dhe kjo është kryesisht klasa e mesme. Klasa e ulët, është shumë injorante për të kuptuar deri dhe propagandën e shtetit, klasa e lartë është shumë e shkolluar për tu mashtruar. Klasa e mesme është krapi që zë rrjeta e qeverisë. Klasa e mesme: ata që kanë njëfarë mundësie jetese dhe që kanë njëfarë shkolle, që nuk janë as të varfër e injorantë, por as të pasur e të sofistikuar.
Ti mund ti ofrosh njerëzve mundësinë të përdorin Internetin, por kjo nuk do të rrisë mendimin e tyre kritik. Të vendosur nën një dozë të përditshme propagande, njerëzit pushojnë së dëgjuari. Ata që nuk dëgjojnë, nuk mund të reagojnë më.
Hugo Chaves do që ta sjellë internetin te shkolla jote. Do që ti të kesh dhe Ipad. Sikurse KGB do që ti të futesh në Facebook.
Pse KGB-ja do që ti të futesh në Facebook?
Ka pasë qenë një kohë kur KGB duhej t`i përgjonte njerëzit, t`i fuste madje në tortura që të tregonin rrjetin e tyre të bashkëpunëtorëve. Tani nuk ka më nevojë. Mjafton të hapë Facebookun. Me një lirshmëri të madhe njerëzit nxjerrin të tëra llojet e informacioneve në Facebook, që nga miqtë, fotot, opinionet, idetë. Disidentët njihen nga kë kanë "friends" në FB.
Facebook-u ndihmon madje që KGB-ja të kuptojë edhe se kush disident është i rrezikshëm. Ata që kanë grupe të mëdha suporti, janë problematikë. Ata me pak "friends" janë të padëmshëm. Sado ide të mira të kenë, rëndësi ka që nuk i lexon njeri.
Kostot e survejimit, janë fare të lira sot.
Por, problemi më i madh i Facebook-ut është që ka krijuar modelin e "aktivistëve" në divan. Kushdo mund të shitet për aktivist i madh, duke ndenjur pranë zjarrit me një lap-top para. "Pjesëmarrja" në kauzë është vetëm një klikim larg. Një "like" dhe ja ku dhe "kontributin" tënd.
Por unë nuk mund t`i besoj njeriut që është fans i Lek Plepit dhe do të shpëtojë fëmijët ushtarë në Kongo. Këta njerëz, nuk marrin dot seriozisht asnjë kauzë.
Shanset që ata të dalin në rrugë për të protestuar, janë shumë të vogla. Ka shumë gjëra më të bukura në Youtube, sesa të bërtasësh për të drejtat e tua në bulevard. Jemi për protestë, por jo në rrugë!
I-REVOLUCIONI
Revolucioni është transferuar në Internet.
Kjo ka bërë që edhe qeveritë totalitare, të zbresin aty për të parë ç'po ndodh.
Interneti ka hapur dyer që më parë nuk ekzistonin!
Tani, është bërë shumë e thjeshtë, vetëm duke parë historinë e lundrimit në Internet (historikun e faqeve që ke vizituar) një agjent qeveritar mund të mësojë për ty më shumë se mamaja jote.
Ka kohë që kompani të caktuara mbledhin të dhëna për përdoruesit e Internetit, për qëllime reklamimi. Askush s'mund të garantojë që këto metoda nuk do të përdoren nga shteti për të gjurmuar opozitarët e tij.
Nga ana tjetër, që Interneti ka ofruar mundësinë që ata që përkrahin shtetin totalitar, për arsye nga më të ndryshmet, të jenë tepër aktivë. Këta janë armata që shteti as nuk ka nevojë ta paguajë, dhe janë mjaft efektivë për të hapërdarë tym mbi të tëra inisiativat e kauzat disidente.
Përkundër ç'mendohej para 15 vjetësh, Interneti nuk i ka zhdukur paragjykimet, as nacionalizmin e sëmurë, as racizmin, vetëm u ka dhënë një lëng të ri ku të gjallojnë.
BLOGGING
Interneti krijon hapësira për tërë llojet e manipulimeve, që nga ata që pretendojnë se dokumentojnë të vërtetën, duke ofruar informacione të rreme, e deri tek organizimet e nacionalistëve, neonazistëve, pedofilëve e të tjerëve.
Turmat agresive në internet hedhin bomba "të dhënash" mbi të gjithë. Sa të përgatitur jemi për t`i përballuar këto turma e për të mos u bërë pre e tyre? Kam frikë se aspak. Ju kujtohet si degjeneroi vidoe e 21 majit me diskutime për plakun kokëbardhë që medemek "diçka bënte"?
Në revolucionin Iranian (2009) shkruan një nga pjesëmarrësit në të, kishte shumë kakofoni dixhitale, për të krijuar mundësinë që kushdo, të udhëhiqte masat. Liderët, është shumë vështirë të fabrikohen në Facebook.
E keqja është që interneti, me blogjet e pafundme, me rrjetet sociale e me forumet, krijon idenë e një lirie virtuale. Në fakt, liria mund të jetë në blog, por tkurret sa kalon pragun e shtëpisë.
Këto blogje, rrjete sociale apo forume, vlejnë më shumë si valvula për të shfryrë tensionin sesa si mjete për të organizuar një opozitë politike. Dhe këtu me opozitë, nënkuptoj mënyrën e vjetër të të bërit politikë.
Informacion i lirë nuk do të thotë njerëz të lirë
Ndoshta, demokracia ka qenë një produkt specifik për kohën kur u krijua, sugjeron Morozov. Ndoshta, është një kafshë më e çuditshme nga sa mendojmë ne. Ata që e patën fatin ta kenë herët, janë të lumtur. Pjesa tjetër e botës vazhdon përpiqet, por sa herë mendon se po e vendos demokracinë, diçka tjetër, një sistem mutant e i korruptuar, vendoset në vend të saj. E pra, sot, supozohet që të jemi më të informuar se kurrë më parë.
A thua informacioni i lirë nuk mund të sjellë demokraci?
Bota autoritare, që nga Kongo e deri në Kinë, që nga Amerika Latine e deri në Rusi, është prapë më e madhe se bota demokratike.
Në kohën dixhitale, njerëzit duken më të hutuar, më të hallakatur e më dembelë për të fituar lirinë.
Karl Marks mendonte që hekurudha do të shuante shoqërinë e kastave në Indi, dhe Daniel Borstin shpallte që TV do të ishte çliruesi i masave. Në fakt, përparimet teknologjike, kanë qenë gjithmonë të mbivlerësuara. Radio, mendohej që do të shpëtonte politikisht botën, por radio, u bë mjeti më i fortë propagandistik i Hitlerit e Stalinit. Çdo teknologji, do të shfrytëzohet edhe nga ata që duan ta skllavërojnë njerëzimin. TV, është mjeti më i fortë propagandistik në qarkullim.
Interneti është arma më e fundit në dorë të të fuqishëmve.
Ka shumë njerëz që mendojnë që Interneti na ka bërë të lirë. Edhe zbulimi i kininës, vërtet zhduku malarjen, por me zhdukjen e malarjes, kolonizatorët evropianë guxuan të kolonizojnë Afrikën.
Miliona njerëz që e kalojnë kohën në Internet duke klikuar për video macesh që shkarkojnë banjën e për të vënë statusin se çfarë hëngrën për mëngjes, nuk më duken të lirë. As të lirë, e as të interesuar për ta ndryshuar këtë vend.
Teknologjia nuk është kurrë neutrale
Interneti është një bishë e re, të cilës askush nuk ia njeh akoma mirë huqet.
Por, historia e teknologjive na ka treguar që një teknologji nuk mund të qendrojë kurrë neutrale. Një thikë, mund të përdoret për të vrarë njerëz, por mund të përdoret dhe për të gdhendur drurin. Interneti është teknologjia e kohës sonë.
"Panopticon"-i i Jeremy Bentham-it po bëhet realitet në epokën tonë virtuale. Panopticon-i - burgu perfekt me një sistem të përsosur kontrolli, ku të tërë të burgosurit mendojnë që janë të vëzhguar, dhe askush nuk e di a janë të vëzhguar realisht apo jo. Online.
Sunday, March 20, 2011
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment