vijon
botuar te Shekulli, dt 27 mars 2011 me titullin: "Në Gjak me Facebook-un"
Në Tartën e javës që shkoi trajtova faktin që teknologjia, d.m.th., Interneti, nuk do të na ndihmojë për të sjellë demokracinë, bazuar mbi librin "The Net Delusion" të Evgeny Morozov.
Të mbytur në dramat tona të përditshme, kam përshtypjen se pakkush i ka dhënë rëndësinë e duhur këtij shkrimi.
Fundja, ka gjëra që duken më të rrezikshme, tani e këtu.
Piramida do të prishet, pavarësisht debatit të shoqërisë civile. Piramida do të shembet, sepse zëri i askujt në këtë vend nuk dëgjohet. Të fortët, janë në pushtet, të fortë të tjerë do të vijnë në pushtet. Rinia që na propozon politika është thellësisht e korruptuar, nga kjo politikë, dhe nuk premton asnjë shpresë për të ardhmen. 4 të vrarët e 21 janarit, 4 njerëz që rrinin me duar në xhepa në Bulevard, u harruan, si të ishin 4 shishe verë që i lamë hapur e u bë uthull.
Të kapur mes këtyre dramave, duket pak si jashtë kohe të flasësh për problemet e Internetit dhe demokracisë.
Duke rrezikuar të kaloj dhe në përsëritje, dua t'i rikthehem një aspekti tjetër të kësaj teme, sepse për mua është shumë i rëndësishëm.
Unë besoj ata 4 të mjerët me duar në xhepa, Piramidën, shtetin e të drejtës, demokracinë funksionale, shpirtin rebel të rinisë, i ka vrarë Facebook-u.
YOUTH OF THE NATION
Në një takim të rinjsh që i bashkonte një frymë e përbashkët - dëshira për të sjellë ndryshim real në këtë vend - një studente e Filozofisë, ngriti një shqetësim. Ajo konstatoi që pas ngjarjeve të 21 janarit pati një ndjeshmëri të lartë në përdoruesit e Facebook-ut. Kjo ama ndodhi vetëm për punë ditësh, pasi bënë qokat përkatëse online dhe rrahën mendime të zjarrta në rrjetin social më të famshëm në Shqipëri, gjithçka u harrua, dhe flaka e kashtës u fashit.
Sigurisht, këtu problemi kryesor është te rinia, që si faktor rebelimi e ndryshimesh, në këtë vend thuajse nuk ekziston më. Roli i Facebook-ut si arma e vetme e saj, duhet parë me kujdes.
Të rinjtë tanë janë të plakur që në klasë të 8-të. Ata, nuk dinë as të shkruajnë shqip, por kjo nuk i pengon të kalojnë orë të tëra në Facebook.
Sipas të dhënave të fundit, totali i shqiptarëve me një adresë në Facebook është 1 039 860, ose 34.81% e popullsisë.
Nga këta, 48% janë moshat 18-24 vjeç.
Duket sikur mundësitë për të krijuar grupe të reagimit social e politik në Facebook janë të mëdha.
Fjalët e studentes së Filozofisë dëshmojnë për të kundërtën.
Facebook-u gëlon nga njerëz, më falni, jo nga njerëz, por nga profile, ku na pëlqen të gënjejmë nga pak për veten.
GËNJESHTRA TË BARDHA
FB është një pazar i madh, ku me një klikim mund të blesh çdo gjë, që nga qytetet e millioner city-t, tek chips-at e kazinove, deri edhe angazhimin politik.
Në Facebook ka plot të rinj që bashkohen në lloj grupesh e kauzash, nga më të lavdërueshmet. Por, motivimi i këtij bashkimi nganjëherë nuk është real. Shumica e atyre që i bashkohen kauzave të mëdha nuk e bëjnë nga motivet e rebelimit apo dëshirës për ndryshim.
Colding-Jorgensen, një psikolog danez e shpjegon kështu fenomenin e njerëzve që i bashkohen çdo kauze të mirë në Facebook-ut: "Ashtu si ne kemi nevojë të mobilojmë shtëpinë për t'u treguar të tjerëve kush jemi, në Facebook ne kemi nevojë të mbledhim te profili ynë objekte kulturore që të krijojmë një version të vetes sonë para friends-ave". Pra, ne pëlqejmë ato filma, postojmë ato shkrime, dhe bashkohemi në ato kauza politike që na bëjnë ne të dukemi sa më interesantë.
Pra, ne përcaktohemi nga gupet ku bëjmë pjesë. Ne na intereson që të tjerët të na shohin për çfarë çështjesh ne kujdesemi, por jo se ne vërtetë kemi në plan të kujdesemi për këto kauza.
Facebook-u nuk është gjë tjetër veçse mjeti më bashkëkohor për t'u vetëpromovuar, për të ekspozuar narcizizmin tonë, për të shpikur një version të vetvetes tërë vetëbesim dhe sidomos një mjet për të tërhequr vëmendjen.
Dhe kjo, nuk besoj se e shpëton Shqipërinë. Aq sa ç'mund ta shpëtonin turmat e Haxhi Qamilit.
KIERKEGAARD DO TA KISHTE URRYER FACEBOOKUN
Një nga danezët më simpatikë të tëra kohërave, filozofi Kierkegaard, babai i ekzistencializmit, me siguri nuk do të kishte një adresë në FB.
Kierkegaard jetoi në kohën kur sfera publike po zgjerohej së tepërmi, kur gazetat, kafenetë po përhapeshin me shpejtësi. Ndërsa të tërë i shihnin këto në atë kohë si shenjë demokratizimi, Kierkegaard mendonte se të tëra këto vetëm stimulonin një kuriozitet të cekët intelektual te publiku i gjerë, por pengonin angazhimin e thellë, të ndjerë, e me tërë shpirtin në një çështje.
Sipas tij, shtypi ndihmon që njerëzit të kenë opinione të forta për çdo gjë, por nuk ndihmon aspak që njerëzit të veprojnë për të ndryshuar diçka.
Këtë mund ta vini re dhe në FB. Të tërë kanë opinionin e tyre, dhe të fortë madje, për çdo gjë.
Kjo nuk ndryshon asgjë!
Angazhimi i përciptë në kauza të mëdha, që sot FB i bën të mundura me një "like" të vetëm, ishte për Kierkegaardin korruptimi i shpirtit njerëzor.
Të postosh artikuj, të shkruash komente të zjarrta, të dërgosh mesazhe provokative politike në FB është ajo që i mban të angazhuar plot të rinj. Dukshëm kuptohet që ky nuk është angazhim politik. Me këto, ke kaluar nga gjendja e pjesëmarrjes politike në gjendjen e spektatorit politik që bën komente. Ajo që mendove se është një veprim politik, mobilizim, demonstrim, apo dhe votim, NË TË VËRTETË është transformuar në një veprim të padëmshëm argëtues.
TURMA TË ÇMENDURA
Facebook-u krijon turma dhe turmat e bëjnë njeriun dembel.
Turmat, është vështirë t'i kontrollosh, aq më tepër në vende ku mund të mblidhen shumë shpejt e pa asnjë paralajmërim, si në... Facebook. A nuk doli duarsh turma duke ngritur një "hero" si Lekë Plepi? Një hero, që e ngritëm me qëllimin për ta pështyrë, thotë një miku im.
Që në vitin 1882, Ringelmann bëri një eksperiment. Mati forcën tërheqëse në litar. I rezultoi që kur njerëzit e tërhiqnin litarin bashkë, forca e tërheqjes së secilit ishte më e vogël se kur e tërhiqnin veç e veç.
E njëjta funksionon me Facebookun. Të rinjtë që janë politikisht aktivë bien në rendiment, nëse luftën e zhvillojnë në Facebook, sesa po ta zhvillonin jashtë tij dhe të vetëm. Turma ecën me hapin e më të ngadaltit. Lekë Dukagjini (thonë) rrinte në fund të rreshtit dhe e vriste më të ngadaltin.
Facebooku ama i vdes Lek Dukagjinët. Në Facebook, prioritet marrin Lek Plepët.
FACEBOOK-U VDES HERONJTË
Në Facebook, mund të ketë shumë mobilizim, por nuk ka më lider. Dhe mbi të gjitha, Facebooku apo Tweeter, mund të mobilizojnë 1 milion njerëz, por nuk krijojnë dot shpirt proteste. E keqja me rrjetet sociale, është që ata i krijojnë kujtdo mundësinë për të qenë lider, po kjo nuk do të thotë se kushdo do t'i ndjekë.
Sollzhenicini dhe Saharovi do ta kishin pasur punën më të lehtë po të kishin pasur Facebook në kohën e tyre, por sigurisht do të kishin qenë më pak disidentë.
Disidenca politike që ofron Interneti, me qindra kauza ku mund të bëhesh pjesë, me "aktivistë" që bëjnë pjesë në 10-ra grupe, që nga ato për të shpëtuar Balenat e deri tek ato për të liberalizuar drogën e për të mbështetur revolucionin Libian, duke u hapërdarë në kauza pa fund; me faktin që në rrjet, anonimiteti është rregull i përgjithshëm, në vend që të ishte një përjashtim, shansi që të lindë një hero është shumë i vogël.
Që të kemi një hero, dikush duhet të shkojë në burg. Prandaj Kosova e ka një Albin Kurt e ne nuk e kemi. Ne kemi një Nano, në fakt, por ai në mënyrë tragjike shkoi nga burgu në kazino, pa na dhënë mundësinë të mblidheshim rreth tij.
Që kauzat e mëdha njerëzore të marrin frymë, që një hero të frymëzojë qoftë dhe masat e Facebookut, duhet që dikush të shkojë në burg. Një Vaclaw Havel nuk mund të lindë në Facebook.
Askush nuk do të arrestojë askënd që po bën chat luftarak apo shkruan slogane të egra në "wall", nqs nuk ngrihet nga divani, e del në rrugë.
RRUGËT BOSH
Nqs presim nga FB që të promovojë demokracinë e kemi gabim. Evgeny Morozov sjell me shembuj argumentin se pjesërisht prej logjikës së injorancës, ose dhe të fitimit, FB nuk do jetë kurrë ambienti që të favorizojë idetë disidente. Vetë FB kur ka nevojë, mund të të fshijë në mënyrë aspak demokratike disa grupe suporti (si në Marok), apo dhe account-e disidentësh.
A është mirë të kemi rrjete sociale? Kësaj, mund t'i përgjigjem me një kundër pyetje: a nuk ishte Ku Kluks Klani një rrjet social?
Është e ekzagjeruar të besojmë, siç thashë në fillim, që një rrjet social si Faceboook po vret Piramidën, shtetin e të drejtës, demokracinë funksionale, apo shpirtin rebel të rinisë.
Ato po i vrasin të tjerë. Facebook është një bashkëpunëtor i heshtur. Është ai "personi" i caktuar të na mbajë të zënë derisa krimi të kryhet. Ai që fishkëllen në majë të murit.
Njëmilionetridhjetëenëntëmijëetetëqindegjashtëdhjetë shqiptarë në Facebook, po të ishin protestues realë për një Shqipëri më të mirë, do të kishin bërë çudira.
Por, unë nuk u besoj njerëzve që protestojnë në divanin e kuzhinës me lap-top përpara.
Prandaj nuk kam një account në Facebook. Kam frikë se do më pëlqejë shumë divani.
Kur shpirti im mbushet plot nga padrejtësitë do më pëlqente të dal në rrugë e të shoh që plot të tjerë kanë dalë aty si unë, të shtyrë nga e njëjta ndjenjë. Gjë që nuk ka për të ndodhur. Sepse, dikush do ju ketë bërë një koment poshtë fotos së maces e ju duhet t'i ktheni përgjigje.
Ose, më keq akoma, do jeni të zënë duke postuar këtë shkrim në Facebook.
Sunday, March 27, 2011
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment