botuar te Shekulli, 3 prill 2011
Ka një grup njerëzish për të cilët, realisht, asnjëherë, askush nuk kujtohet. Këta janë punëtorët. Kur them punëtorët, më pëlqen t'i konsideroj në konceptin marksist të fjalës: punëtorë janë ata që kanë vetëm krahun e punës dhe asgjë tjetër. Ata nuk kanë në krah të tyre asnjë: as politikën, as paratë, as sistemin arsimor, as gjyqësorin madje as vetë sindikatën e tyre.
Shkurt, janë në të njëjtin nivel të drejtash si në kohë të Marksit.
Unë e di që ata nuk para lexojnë gazeta, sepse po u bëhet lavazh truri me "reality show" dhe "trash TV", por, këtë shkrim nuk po e shkruaj për ta. Ndryshimi i statusit të tyre social, duhet ndryshuar, për të na shpëtuar ne të tjerëve.
PROLETARIATI
Nganjëherë duket sikur nuk ekzistojnë më njerëz të tillë. Jetojmë në një vend ku diçka ekziston, vetëm nëse del në TV. Vetëm kur bie ndonjë punëtor nga skelat ose vdes ndonjë minator në vrimat e quajtura miniera, kujtohemi që ata janë, diku, duke bërë punë për ne. Ose, kur na duhet të dalim te kthesa e Unazës për të gjetur 2 fakirë me 5 mijë lek të vjetra për të na ngritur frigoriferin deri në kat të 3-të.
Punëtorët shqiptarë dhunohen në të gjitha format e mundshme. Ata marrin rroga tepër të ulëta, marrin në vit më pak sa ç'mund të harxhojë për darkën e vitit të ri një deputet, apo më pak se ç'merr Blendi Fevziu për një emision. Punëtorët punojnë në kushte mizerabël teknike, mes helmeve, skelave, gurëve, gropave e vrimave të pasigurta nën tokë, kryesisht pa kontratë ose me kontratë të parregullt, shpesh në shkelje me kodin e punës.
unëtorët goditen e dhunohen fizikisht nga pronarët. Po të jenë femra edhe kapen me hir a me pahir. Ata mund të flaken nga puna në çdo moment, pa asnjë arsye, pa asnjë mbrojtje, pa i parë në sy, për një kapriçio të pronarit. Jo rrallë, u mbahen arbitrarisht paratë që u takojnë.
E, ata nuk kanë ku të ankohen. As te Zoti. Pronari, për ta është Zoti. Madje, më shumë se Zoti. Zoti na administron individualisht, pronari na mban me bukë fëmijët. Pronari, mund edhe të të rrahë, sepse ai nuk është vetëm pronari i punës tënde, por dhe i yti si individ, edhe i votës tënde, edhe pronari i fëmijëve të tu.
Po qe se pronari të nxjerr në rrugë, ti dhe familja jote jeni të vdekur. Këto gjëra ndodhin përditë, por, pak na bien në sy. E para se kemi të tërë hallet tona, e dyta, se jemi të tërë si fëmijë që na hutojnë me lloj-lloj raketakesh, dhe e fundit, proletarët janë jashtë interesit tonë. Sepse, ata janë të përjashtuarit.
KUFOMA SHOQËRORE
Ata janë të pashkollë. Sistemi i ka përjashtuar që në lindje. I vetmi shans që u jepet është që femrat ti bashkohen prostitucionit dhe meshkujt gangsterëve. Përndryshe, alternativa e vetme që të jetojnë tërë jetën të ndershëm por në mjerim.
Punëtorët, kur janë burra, shndrrohen që ditën e parë të punës, në qenie pa personalitet.
Burrat, janë qenie të shburrëruara para grave të tyre, sepse janë burra të pazotë për t'i dalë zot familjes së tyre. Baballarët që rrihen me grushte nga pronari në punë, janë ata që do të rrihen nga të bijtë e papunë nesër, janë ata që rrahin gratë në shtëpitë e tyre sot.
Gratë që duhet të punojnë me çdo kusht, përndryshe fëmijët nuk do kenë ç'të hanë, janë ato që do të pranojnë çdo kompromis, për hir të fëmijëve. Të atyre fëmijëve që rriten duke mësuar kompromisin çnjerëzor të ekzistencës.
Po atëherë, pse nuk ngrihen? Pse nuk dalin për të mbrojtur të drejtat e tyre? Kjo nuk ndodh, sepse, klasa punëtore është momentalisht e paaftë të mbrojë veten dhe të drejtat që as nuk e di që i gëzon.
KODI I TYRE I PUNËS, DHE KODI YNË I NDERIT
Ata janë të pambrojtur nga sistemi gjyqësor, e të neglizhuar nga sistemi politik. Punojnë pa kontrata ose me kontrata të parregullta, madje edhe po të kenë kontrata të rregullta ata nuk kanë asnjë shans të mbrohen prej dhunimit të kësaj kontrate. Mundësitë e tyre për të marrë një avokat të mirë, janë zero. Mundësia e tyre për të jetuar 1 vit pa punë me të ardhurat e një jetë të tërë, është zero. Muajin e parë pa punë, ata vdesin. Ata nuk kanë kursime, kanë vetëm ushqime me listë.
Ka një kod pune që u siguron të drejta, por nuk ka asnjë njeri që të ketë dëshirën të respektojë kodin. Institucionet që duhet të mbikëqyrin zbatimin e kodit të punës janë të korruptuara, inspektimet e tyre janë inspektime për të zhvatur para, jo për të mbrojtur punëtorët.
Media që do duhej ta pasqyronte abuzimin është e painteresuar. Klasa punëtore nuk e shet gazetën apo nuk sjell sponsorë. Madje, në media vetë, punëtorët janë shpesh me kontrata të pavlefshme e jo rrallë në të zezë. Parlamenti, është një parlament të pasurish, shpesh të pasuruar me djersën e papaguar të këtyre punëtorve dhe më së paku nuk ka asnjë interes në ta. Asnjë punëtor nuk do të arrijë të lobojë për mbrojtjen e tij. Kategoria e klasës punëtore nuk zë vend real në projektet politike, sepse, ata nuk janë qenie politike.
QENIA POLITIKE
Për t'i mbajtur proletarët të qetë, mjafton t'i hutosh pak me "reality show", dhe t'i bindësh që aty e kanë vendin e aq meritojnë. Mjafton një telenovelë në darkë, e një kothere në mëngjes. Në shtëpitë e tyre ka përherë një TV edhe kur çatia pikon, edhe kur nuk kanë as krevat për të fjetur.
Por, problemi është që mbajtja e tyre në errësirë sociale, i shndërron në kufoma politike, në qenie të paafta për të ndryshuar veten e tyre e shoqërinë përmes lëvizjesh politike. Madje më keq, në votues, gati për ta shitiur votën e tyre te oferta më e mirë. Dhe ofertat nuk mungojnë.
Dy janë kategoritë për të cilët nuk ka nevojë t'i përpunojë retorika politike, të varfërit në ekstrem, dhe të pasurit në ekstrem. Të parët, sepse janë qenie të privuara nga gjykimi politik, të dytët sepse diktojnë ata politikën, dhe jo politika ata.
Njerëzit që marrin ushqime me listë, nuk mundet e nuk kanë për të
qenë kurrë njerëz politikë, njerëz që ta përdorin votën e tyre për të ndryshuar këtë vend.
Ne, kemi nevojë për votën e tyre. Ne kemi nevojë që ata të punojnë bashkë me ne për ta përmirësuar këtë vend. Ne kemi nevojë, që ata të përmirësojnë jetën e tyre, dhe të lehtësojnë shoqërinë të ecë përpara.
Por, kjo është e pamundur, kur në sheshet tona të mjerimit ka akoma lumpen-proletariat.
LUMPEN-PROLETARIATI
Mjerimin e vërtetë të klasës punëtore e tregon qartë rritja e numrit të atyre që nuk kanë asgjë, nganjëherë as shtëpi, dhe që rrinë te Partizani i Panjohur ose te kthesa e Unazës duke pritur që dikush t'i marrë me makinë për një punë, çfarëdo.
Janë gati të bëjnë çdo gjë, kryesisht hamallëq e të rëndomta, të ngrejnë plaçka, të shembin një mur, të shkarkuar maune, për të marrë një copë lek. Aq sa t'i japësh. Po i dhe dhe një copë bukë gjatë punës, ta dinë për nder. Po nuk u dhe, do përpiqen ta mbarojnë punën pa u rënë të fikët.
Lumpenproletariati, janë ata që nuk i mbron askush. Janë ata që po u dogj nesër Shqipëria (ne kemi qëlluar qejflinj të mëdhenj djegiesh) ata do jenë të parët, sepse kushtojnë lirë, dhe sepse nuk kanë asgjë. Mjafton tu japësh një çakmak.
VDEKJA E SINDIKALIZMIT
Teorikisht, ata duhet të ishin të mbrojtur. Me ligj, për ta lufton sindikata. Por, shpirti i sindikalizmit te ne ka vdekur dhe duket se tani është tepër vonë për ta ringjallur. Proceset që faktorizuan sindikatat në Perëndim, ka gjasa të mos nisin kurr te ne.
Sindikatat janë një organizëm i dekompozuar tashmë. Të paafta për të zgjidhur çfarëdo problemi të punëtorëve të tyre, të paafta për të mobilizuar më shumës e 30 vetë në shesh.
Jo rrallë, (dhe shembujt konkretë arrijnë të penetrojnë herë pas here në media) sindikata bashkëpunon me pronarët për tua futur punëtorëve.
Sindikalizmi shqiptar, thuajse inekzistent në kohë të Zogut, edhe aq, u shkatërruar gjatë kohës së komunizmit kur lëvizja punëtore u shndrrua në mbajtëse lulesh e pozim për pikturat e Sali Shijakut.
Jo vetëm klasa punëtore ka nevojë për një jetë të re sindikaliste. Edhe punëtorët më të kualifikuar, ata që punojnë në administratë ose në organizma privatë, duhet të rindërtojnë sindikalizmin e vet, për të mbrojtur veten. Edhe pse, prespektiva duket e zymtë. Pa traditë, pa shpirt sindikalist, pa njohuri, pa guxim, pa shpresë, sindikalizmi duket sikur nuk do zërë dot vend në këtë vend.
NIKOLLAJ OSTROVSKI
"Si u kalit çeliku" është një bestseller sovjetik, autobiografia e shkrimtarit Ostrovski, që tregon ndërgjegjësimin e një punëtori të varfër derisa ai arrin të ndryshojë vetërealizimin e vet politik e më pas, botën e vet. Jashtë kontekstit politik të librit, më duket sikur punëtori shqiptar duhet ta fillojë nga e para, njësoj si motoristi Pavël në Rusinë e carëve. Kapitalizmi primitiv shqiptar i mbështetur nga politika nuk le rrugë tjetër.
Ose, duhet luftuar për ta. Duhet hapur një debat i gjerë publik për të sjellë në dritë një realitet që duhet ndryshuar me doemos.
SKLLEVËRIT MODERNË
"Ndjeva turp kur pashë rrobat e mia të ngrohta pranë një njeriu të zhveshur, që po dridhej nga të ftohtit në një natë dimri. Dënova shoqërinë njerëzore, premtova."
Kështu shkruante Qemal Stafa i ri e idealist në një hartim.
Klasa e pasur e këtij vendi, po kërkon t'ia heqë emrin e tij Stadiumit, sepse i bezdis. I bezdis, sepse u kujton një idealizëm që ata e kanë vrarë me VKM-të, me mediat e blera, me zarfet për gjyqtarët, me kapitalistët gangesterë dhe me kostumet e tyre firmato.
Për ta, idealizmi duhet zhdukur dhe klasa punëtore nuk ekziston.
Por, proletarët janë. Ndërsa ne shohim Big Brother, ata janë duke e ndërtuar këtë vend nëpër skela, miniera e fabrika. Po e ndërtojnë, si skllevër.
Monday, April 4, 2011
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment