Sunday, April 10, 2011

SKLLEVËRIT ME KOLLARE TË BARDHË (II)

botuar te Shekulli, dt 10 prill 2011


Prej mëse 1 shekulli, në perëndim, kollarja e bardhë përfaqëson njerëzit që bëjnë punë zyrash. Ata mund të punojnë në zyrat e shtetit, të kompanive të mëdha apo në ndërmarrje të vogla, private.

Punonjësit me kollare të bardhë kanë shkollim, kush të mirë, kush të dobët, por ama e kanë të tërë të paktën një diplomë; kanë ambiciet e tyre për karrierë, disa sepse ndjehen profesionistë, disa sepse e kanë rrugën e shtruar; kanë personalitetin e tyre, kush më rebel, kush më i kompromisit; kanë statusin social dhe kredi në banka që ua mundësojnë këtë; kanë programet e preferuara në TV dhe lokalet e tyre të pasdites.
E prapë se prapë, janë skllevër.

Mbijetesa në një punë të mirë zyre në Shqipëri nënkupton një varg kompromisesh të forcuara (për të përdorur një term tenisi), sepse, sado të shkolluar që të jenë, ata mbeten prapë njerëz që paguhen me rrogë. Dhe, Shqipëria është vendi që thuajse kushdo që të jep rrogën mendon se po të bën një nder të madh. Është kulti i ri i parasë. Ai që ka paranë është gjithçka. Ai që ka dijen, ose profesionin, është një hallexhi që do punë.

Mosrespektimi i individit si person dhe si profesionist, deri në dhunim të tij, është baza e marrëdhënieve në punë jo vetëm për punëtorët e krahut, por dhe për punëtorët e zyrave.

Sipas C. Wright Mills, sociolog amerikan, njerëzit me kollare të bardhë shesin jo vetëm kohën e tyre, por dhe personalitetin e tyre.

NJERËZIT E ADMINISTRATËS

Më i dukshëm abuzimi ndodh me të punësuarit në pronën e askujt: zyrat e shtetit. Pardon, me pronën e atij që është fituesi i zgjedhjeve të radhës.

Abuzimi fillon që me fitimin e vendit të punës. “Nuk shkoj më as të kërkoj punë”, këndon Masini në një këngë të para 20 viteve, “të bëj konkurse që i fitojnë gjithmonë ata”.
Vendet e punës në administratën shtetërore, punëdhënësi më i madh abuziv në këtë vend, zihen me konkurse të sajuara dhe këtë e dinë të gjithë, me përjashtim të Kryeministrit dhe Kryeprokurores. Sapo lirohet një vend, njoftohet një fatlum që ka lidhjet e duhura dhe ai gjen 2 shokë që do paraqiten formalisht në konkurs me të, sa për të krijuar idenë e konkurrimit.

Punësimi në shtet është kthyer në monedhë shpërblimi i mijëra militantëve që kanë votuar e do të votojnë Partinë pa ide, pa program, por me një Ministër. Ministrat e partive të vogla në të tëra koalicionet ua varin “kollaret e bardha” militantëve me qafë të pisët.
Drama e kësaj situate është që të tërë e konsiderojnë normale.
Kur një kandidat premton 34mijë vende pune, e ka seriozisht, 34 mijë njerëz mund të pushohen në Bashki për të liruar vend për 34 mijë votat e tij.

Shumë vende në administratë blihen. Ka njerëz që blejnë me rrogën e 2 viteve (të ardhshme) një vend pune, qoftë mësues, inspektor tatimesh apo doganier. Imagjinoni racën e re të mësuesve që po krijohet.

Disa të tjerë paguajnë muaj për muaj “të dhjetën e kishës” te shefi që nuk i pushon nga puna. Këto raste janë aty, të panumërta. I dinë të gjithë. Me përjashtim të Kryeministrit e Kryeprokurores.

Kjo marrëdhënie me vendin e punës ka krijuar një trupë votuesish që voton për të hequr ca nga puna e për ti zënë ato vende vetë. Kjo trupë janë gati të votojnë edhe për djallin, në qoftë se ai premton t’i mbajë në punë.

Ky sistem prodhon votues të sigurt, por njëkohësisht edhe njerëz të palumtur.

NJERËZ TË PALUMTUR

Njerëzit janë të palumtur, kur janë të detyruar të bëjnë kompromis me të tëra format jo vetëm për të marrë vendin e punës, por dhe për ta mbrojtur atë.

Paradoksi në administratën shtetërore ka sjellë në drejtim njerëz që nuk dinë as të shkruajnë shqip por që mund ta pushojnë nga puna një vartës profesionist pa asnjë arsye, vetëm se janë të kompleksuar se ai di më shumë se ata.
Nëpunësit, janë të detyruar tu buzëqeshin shefave injorantë, të komanduar me një vendim Partie.

Pushimi për hir të bindjeve politike, është një fenomen masiv në administratë. Kjo i detyron punonjësit të dalin në mitingjet e Partisë, madje dhe të brohorasin me hipokrizi që të duket se e duan partinë seriozisht. Ky sistem që i çon nëpunësit drejt perversionit, është kriminal. Kriminal, se abuzon emocionalisht me mijëra njerëz, por kriminal, edhe sepse i shkaton buxhetit të shteti miliona euro dëme.

Pushimet abuzive nga puna kanë bërë që për vit, për shkak të gjyqeve të humbura nga Shteti, ky i fundit të jetë detyruar të paguajë miliona euro për të dëmshpërblyer të pushuarit pa të drejtë nga puna.
Askush nuk mban përgjegjësi, edhe pse këtu përgjegjësia është e identifikueshme kollaj.

Kjo ndodh në administratën shtetërore, qoftë qendrore a lokale, ku të paktën, je i mbrojtur nga statusi i punonjësit civil. Në zyrat e privatit, situata është akoma më e rëndë. Aty, për hir të rrogës, je i detyruar të kërcesh vallen sipas gërnetës së Shefit të madh, edhe nëse je ekonomist me profesion.

PRIVATE DANCER

Zyrat e privatit, janë zyrat ku individi dhunohet akoma më shumë.
Kapitalizmi shqiptar, ka prodhuar një racë interesante kapitalistësh të pashkollë. E vetmja “shkollë” e tyre, është përvoja e sistemit kooperativist, të cilën e aplikojnë në masë të madhe në bizneset e tyre. Manaxhimi i bizneseve me familjarë të paaftë e arrogantë, me dashnore me gjysma shkollash, me miq e me fëmijë miqsh, bën që punonjësi të jetë përherë i pasigurt, dhe i dhunuar profesionalisht.
Nepotizmi dhe favoret seksuale lulëzojnë. Kasta e shefeve të reja e seksi, është trend, tashmë. Vetë pronari, di gjithçka, më mirë se kushdo. E kemi thënë, pronari shqiptar, qoftë dhe ai i një firme me 5 punonjës, është Zoti. Prandaj përzgjedhja me bazë meritash e profesionalizmi i punonjësve nuk ka qenë kurrë kriteri bazë i kapitalistit të ri shqiptar.

Ky koncept shqiptar për manaxhimin i ka rrënjët të thella në kolapsin ekonomik të viteve ’80, shkaktuar pikërisht nga keq-manaxhimi i ekonomisë me baza politike, nepotike e jo-profesionale. Akoma sot, ka biznesmenë që funsksionojnë sipas parimit të Enverit: “shponi këtu, se ka naftë.”

Në kushtet e një shteti prej kartoni e pa forcë shtrënguese, një pjesë e madhe e punonjësve janë me kontrata të parregullta, pa kontratë fare, ose me kontratë minimale. Por, kontrata nuk të mbron dot nga dhuna e privatit.
Aty mund të fluturosh nga puna për një kapriço të pronarit, dhe nuk ka asnjë gjyq ku mund ta fitosh të drejtën. Bëhet fjalë për njerëz që mund ta blejnë kur të duan sistemin.

SKLLEVËRIT NË SKRIVANIRA

Në një studim të para ndonjë viti, botuar në The Guardian, në Angli kishin identifikuar të paktën 8 klasa. Megjithatë, 63% e britanikëve e quan veten klasë punëtore, edhe nëse punon pas një skrivanie.

Meritokracia, ky termi i rifutur në qarkullim nga Toni Bler (Nano kur shihej në pasqyrë në vitet e para të mbretërimit të tij, nuk shihte veten, por Toni Blerin) ka dështuar për të krijuar një shoqëri të re, pa klasa.

Gjëja më e trishtueshme në palumturinë e kollareve të bardha, është fakti që shumë prej tyre, do donin të mos bënin kompromis, do donin ta bënin punën e tyre me profesionalizëm, e të ngjiteshin në karrierë me meritën e tyre.

Në sistemin shqiptar, kjo është e pamundur. Atëherë, çfarë duhet të bëjnë njerëzit e zyrave? Ata kanë zgjedhur të konformohen.

Nëse proletariati nuk ka asgjë për të humbur, veç prangave, njerëzit e administratës kanë shumë për të humbur.

ÇFARË KANË PËR TË HUMBUR?

Ndryshe nga proletarët që shesin krahun e punës, kollaret e bardha kanë diçka më shumë se vetëm punën. Kanë një jetë sociale. Kanë një rreth miqsh. Pinë ndonjë gotë në darkë. Dalin në Living Room 1 herë në javë. Bëjnë pushime 1 herë në vit, një javë a dy, aq sa mund të kenë leje nga pronari. Kanë këstin e kredisë së makinës për të paguar. Të gjitha këto arsye të vogla të shtyjnë drejt ca kompromisesh të vogla, drejt uljes së kokës, drejt pranimit të dhunimit të të drejtave të punës.

Nëse ikin nga puna me sherr, gjasat për punë janë të vogla. Ekziston një Sindikatë informale e Pronarëve, që i bëjnë ndere njëri-tjetrit duke e ngordhur urie rebelin.

Të gjitha këto ju besoj i dinit. Tani do doja tju thoja diçka, që ndoshta nuk e dinit. Ka një zgjidhje.

AJO QË NUK E DINIT

Zgjidhja është, çuditërisht, ligji shqiptar. Ligji shqiptar që mbron sindikatat dhe u jep atyre tërë të drejtat e sindikalistëve në tërë botën. Ato të drejta që në Amerikë është dashur një luftë e gjatë për ti fituar, ne, pa bërë asgjë, i kemi gati, edhe pse nuk dimë ti përdorim.

Drejtuesit e sindikatës nuk i heqin dot nga puna, qoftë kjo bankë, punishte sallami apo kompani celulare. Sindikata, ka një fuqi shumë të madhe ligjore për të mbrojtur anëtarët e vet, me anë të grevave të ligjshme. Sindikata mund ta pezullojë punën e ndërmarrjes, derisa të drejtat e punëtorve të mos dhunohen.
Sindikata, funksionon, çuditërisht më mirë sesa mafia! Nuk ka nevojë të prisni me levë te dera ish-pronarin që ju ka mbajtur rrogën. Mjafton, të ndërtoni një sindikatë!

Ndryshimi i marrëdhënieve të punës do të fillojë kur një djalë i ri në një Bankë të shkojë para drejtorit e ti thotë: unë jam kryesindikalisti i punëtorëve të bankës. Në atë moment, peshorja do të shkojë në vend, pavarësisht se mamatë e gratë e dhimbsura do të tremben për fatin tënd.

KAPITALIZMI ME FYTYRË NJERIU

Që kur del nga shtëpia, mamaja të thotë: mos fol kundër, se të heqin nga puna. Kur del në bulevard, gruaja të thotë: mos kalo me duar në xhepa se të vrasin me snajper. Frika nga shpalosja e bindjeve, apo mbrojtja e të drejtave na ka hyrë në palcë. Ndjehemi të pambrojtur, në një sistem ekskluziv për ata që kanë lekë.

Ajo që kapitalistët shqiptarë nuk duan ta kuptojnë, është që njerëzit e qetë punojnë më mirë. Njerëz që nuk jetojnë me ankthin e heqjes nga puna, krijojnë më shumë, japin më shumë. Njerëzit e lumtur, krijojnë një mjedis të lumtur. Dhuna ndaj punëtorëve, qofshin punëtorë krahu ose punëtorë skrivanie, pjell vetëm subjekte që urrejnë dhe që sabotojnë. Është në të mirën e sipërmarrësve një vend me njerëz të lumtur, të gatshëm të harxhojnë rrogën për të blerë produktet e tyre.

Ky mund të mos jetë saktësisht ajo që kuptohet me “kapitalizëm me fytyrë njeriu”, por, të paktën është një kapitalizëm inteligjent.

Kapitalizmi inteligjent u shërben në radhë të parë kapitalistëve. Dita kur kollaret e bardha do heqin kollaret e do dalin në rrugë për të grisur sistemin prej kartoni, do jetë një ditë aspak e lumtur për ata që kanë gjithçka.

No comments:

Post a Comment