Sunday, April 17, 2011

1 DITË SI KRYEMINISTËR

botuar te Shekulli, e Dielë, dt 17 Prill 2011

Shitja 2 vajzave të vogla nga i ati, për të kënaqur epshet e disa pedofilëve ruralë, më ka rrënqethur.

Nga të gjitha krimet, dhuna, e aq më tepër seksuale ndaj fëmijëve, më duket më çnjerëzori. Sepse, fëmijët nuk i kanë bërë keq askujt. Nuk zotërojnë prona e nuk kanë toka për të shitur. Nuk votojnë, e as numërojnë vota. Fëmijët nuk marrin kokainë për të përballuar fushatën, e as ndërtojnë vila duke mbjellë hashash. Fëmijët nuk vrasin njerëz, nuk e dinë ç’është NATO e nuk kanë kanë nevojë për viza. Fëmijët, nuk kërkojnë asgjë. Përveçse të luajnë e të jenë të mbrojtur.

Shoqëria jonë i dënon pedofilët, e prapëseprapë, ne kemi ndërtuar një shoqëri që i favorizon ata në maksimum.
Edhe tani, ndërsa po lexoni, diku, fëmijë të tjerë janë duke u dhunuar larg syve tuaj, me ose pa dijen e prindërve, nën heshtjen fajtore të shumë të tjerëve.

I gjendur i pafuqishëm, e vetmja mënyrë që më shkon mendja për ti shpëtuar ata fëmijë, është të bëhem qoftë dhe për 1 ditë njeriu që ka mundësi VËRTET të bëjë diçka në këtë vend. Për ti shpëtuar ato, ose të paktën të tjerë fëmijë si ato, unë duhet të jem për 1 ditë Kryeministër.

2 VAJZAT NË DERË TË MEDIES

Si Kryeministër, kam fatin e keq të rrethohem vetëm nga njerëz të pasur, e që gjatë këtyre 24 orëve do të bëhen akoma më të pasur.
Asnjë prej njerëzve që më rrethojnë, bashkëpunëtorë e armiq, nuk i njeh personalisht e as ka për ta njohur atë familje e ata fëmijë. Ata, janë askushi, vajzat e askushit, në fshatin e humbur të askushëve.

Prandaj, unë si Kryeministër e kam të vështirë ta marr vesh hallin e tyre nga njerëzit që më rrethojnë. I vetmi komunikim i imi me botën reale, janë mediet.

Unë Kryeminstri për 24 orë, do të lecoj veç një herë në mëngjes gazetat. Ja, njëra merret me varrin e Fishtës. Tjetra me debatet absurde mes një politikaneje shqiptare e një rumuni, debate, që duhej të vlenin më shumë për gazetat rozë. Nja 2-3 gazeta nuk i lexoj, dhe për të mos më acaruar, nuk m’i sjellin as në zyrë.
Në ato gazeta ku lajmi ka dalë, zë një katrorth të vockël në cep, të njëjtë me lajmet e futbollit ose me lejmet ekonomike pa rëndësi. Diku paska dalë titull kryesor! A thua se titujt kryesorë do e ndryshojnë ndërgjegjen e këtij vendi që i lexon pret lajmet si të ishin rubrikë kuriozitetesh guiness?

Unë mund të lexoj shkarazi për dramën e atyre dy vajzave, vetëm një ditë në vit. Të nesërmen ato nuk përmenden më.

Në tërë vendet e botës ky lajm do kishte ndenjur me muaj të tërë në faqet e para, do kishte angazhuar personalitete të shumta në debat publik, do kishte lënë pa gjumë popullsinë. Gazetarët investigativë do kishte rrëmuar për të gjetur përgjegjësit e këtyre fatkeqësive. Deputetët do kishin qarë para kamerave duke kërkuar falje. Sepse, në ngjarje si kjo, del në pah një sistem social i dështuar! Dhe dikush duhet të mbajë përgjegjësi.

Ndërsa në botë do ishin prerë dhe koka, në vendin tim përdhunimi i dy vajzave të vogla, shitja e prostituimi i tyre, harrohet për 3 ditë, dhe më e keqja, rishfaqet herë pas here, çdo disa muaj, si të ishte një virozë stine që s’kemi ç’ti bëjmë.

Unë si Kryeministër, nuk mund të reagoj nëse nuk e ndjej opinionin publik të shqetësuar, unë, nuk bëj asgjë pa patur presion publik e mediatik. Dhe media, ka halle të tjera. Media, ka hallin e kandidatit të vet për bashki.

Po ç’faj ka media? Ajo jeton duke shitur lajmin. Dhe dramat rurale nuk janë në modë. Ka lajme që bezdisin klientët. Ka lajme, që janë tepër larg. Sa më i largët lajmi, aq më i vogël katrorthi ku shfaqet.
Lajmi për 2 vajza të shitura nga i ati është i vogël, sepse ato janë vajzat e askushit. Ato jetojnë në askund. Ato, janë thjesht 2 vajza nga fshati.

Unë Si kryeministër i urrej pedofilët, por një ngjarje nuk ka ndodhur nëse nuk del në media. Gjithçka harrohet, po e harroi media.

2 VAJZAT NË DERË TË POLITIKËS

Unë vetë, si Kryeministër, jam i ndjeshëm ndaj fëmijëve. Por vendi ka shumë halle, firma që duhen hedhur, bashkëpunëtorë që duhen motivuar. Është kohë fushate.
Sikur këshilltarët e mi të ishin pak më të zgjuar, do të më kishin këshilluar ta përdorim ngjarjen për avantazh politik. Por ja që më vijnë në zyrë e më raportojnë për fushatën, kryesisht në nivel thashethemesh.
Atyre as u ka rënë në sy që dy vajza të vogla janë shitur për seks te pedofilët. Kanë halle të tjera, thashetheme të tjera. Plus që vjen një DJ i famshëm dhe ka një party në darkë.

Në drekë, vjen të më takojë deputeti që mbulon zonën e pedofilëve. E shoh gjatë në sy. Ka hallin të konsultohet për listat e komunës. Ose ti firmos një hidrocentral. Ose të kërkojë një vend pune për të shoqen. Ose, ta fus prapë në listë. As ky, nuk do të më thotë çfarë ka ndodhur në atë fshatin e humbur, sepse ai kujton se Kryeministrin nuk mund ta bezdisë me një kërkesë më tepër. Një kërkesë më tepër, që nuk është hall i tij.

Pasi ikën Deputeti, i vetmi shans që të më qajë hallin e 2 vajzave në Mborje mund të jetë ndonjë grua e dhembshur. Gratë e politikës, mund të jenë prekur ca. Mund të kenë thënë me vete: “Çfarë kafshësh”. Sigurisht, ato harrojnë që janë në politikë në radhë të parë për të mbrojtur 2 vajzat e vogla nga kafshët. Por, gratë e politikës këto kohë kanë halle burrash. E për më tepër, nuk duan ta bezdisin Kryeministrin 24 orësh.

Për këtë punë, paguhen shoqatat.

2 VAJZAT NË DERË TË SHOQATAVE

Ka një numër pa fund shoqatash grash, fëmijësh e të drejtave të njeriut. I kanë selitë në Tiranë, në mes të Bllokut, punojnë në zyra me kondicionet e bëjnë vazhdimisht trainime jashtë.

Ka plot që jetojnë me fonde qeveritare. Sigurisht, shoqatat mund të bënin diçka, por ja që janë të angazhuara në fushatë. Shumë prej tyre po merren me paradën e “intelektualëve” të fushatës.
Të tjera janë të zëna me trainime. Po bëjnë “evaluim”-e të projekteve.

Që të shpëtojmë ca fëmijë duhet aplikuar për projekt, duhet marrë fondi, duhet manaxhuar, duhen bërë intervista për punë, duhen bërë “surveys”... A thua Pedofilët do të presin rezultatet e survey-t dhe evaluimin e projektit?

Nuk dua ti fus të tëra shoqatat në një thes, po mua, më interesojnë 2 vajza në Mborjen e largët, të gjendura pa mbrojtje nga askush. Dhe që nuk i mbrojti askush. Të tjerë fëmijë po abuzohen dhe tani, dhe unë nuk kam kohë të pres për shoqatat. Unë jam një Kryeministër vetëm për 24 orë.

Kaq janë shumë pak për të reformuar tërë sistemin.

2 VAJZAT NË DERË TË MINISTRISË SË ARSIMIT

Një sistem arsimor i mirë, jo vetëm krijon një sistem të shëndetshëm monitorimi për fëmijën, por, sjell një ngritje të tërë popullsisë. Një popullsi më e arsimuar, prindër që nuk janë analfabetë pasivë, do të ishin një mbrojtje e mirë për fëmijën.

Sigurisht, pedofilë ka në të gjithë botën. Por vetëm te ne pedofilët peshkojnë romët e vegjël mu te këmbët e 15 katëshit. “Në këmbë të hotelit/I fshihen qiellit/Femijë pa shtëpi” shkruan Ervin Hatibi për fëmijët e 15 katëshit. “E kështu në atë errësi/nis i merr/Gjumi i natës/e i grumbullon/Me autobusin e vet transparent/Xhamathyer/pa shofer”

Unë si Kryeministër, nuk kam kohë të lexoj poezitë e Hatibit. Unë, vetëm mund të lexoj raportet ministrore.

Por nuk mund tia vëmë fajin Ministrit të Arsimit. Nuk e ka fajin ai që me abuzimet e nxjerra nga Kontrolli i lartë i Shtetit, mund të ishin ndërtuar 100 shkolla në vit. Nuk e ka fajin ai që vendet e punës si mësues e drejtorë shkollash i zënë militantë që nuk dinë të shkruajnë emrin e vet, jo më të përmirësojnë sistemin. Ai vetë, as di se ç’po ndodh. Ai vetë, fëmijët e vet i shkollon jashtë.

Pastaj, fajin e kanë komshinjtë. Është e pamundur që njerëzit e fshatit të mos e dinë ç’po ndodh. Komshinjtë. Farefisi. Të tërë kanë bërë një marrëveshje të ndyrë e të heshtur.
Dhe, mos i besoni pseudo-kritikëve që do thonë se filozofinë e “mbyll gojën e mos u ndje, ç’të duhet ty!” e paskam sjellë unë!
Unë, kam vetëm 24 orë si Kryeministër.

2 VAJZAT NË DERË TË MINISTRISË SË PUNËS,ÇËSHTJEVE SOCIALE DHE SHANSEVE TË BARABARTA

Ka një Ministri që do duhej të trajtonte njerëzit e margjinalizuar nga sistemi. Ministria e Shanseve të Barabarta. Ministria Ku Luhet Tetris e Pihen Kafe. Të paktën, kaq e di, edhe pse jam vetëm 24 orë Kryeministër.

Sigurisht, nuk është faji i Ministrit tim pse populli është i varfër. Skamja, papunësia, mospasja e asnjë alternative mbijetese i detyron prindërit të harrojnë që janë prindër e të shesin fëmijët për seks me 20 mijë lek të vjetra, aq sa ministri harxhon naftë në ditë nga shtëpia në punë e kthim. Fajin e ka skamja, jo Ministri.

Nuk është faji i Ministrit, pse nuk ka institucione që të parandalojnë abuzimin. Tani, institucione edhe ka, më duket se është një linjë e gjelbër diku... po ç’faj ka Ministri që ata katundarët nuk kanë as telefon, e jo më të dinë numrin e “help line”-it?

Tani, mbase edhe është faji i tij, po ajo është Ministri e aleatëve, dhe sinqerisht, edhe po të dua, nuk kam ç’ti bëj. Ai është feudi i vogël i aleatëve të vegjël. Ka kaq kohë që Kryeminstri nuk shkel aty. Akoma në të njëjtin vend i kanë zyrat?

2 VAJZAT NË DERË TË BALLËS, PEZËS E FEVZIUT

Në mbrëmje unë Kryeministri, ulem për të parë TV. Por ato 2 vajza vështirë se do ti shoh në ekran.
Ekrani u përket njerëzve me kollare të shtrenjta e fustane 1 mijë euro.

Unë madje, i njoh dhe analistët në emisione. Disa i paguaj unë që të më ndihmojnë në fushatë, disa, i paguan ai tjetri. Të tërë kanë përveshur mëngët. Është kohë fushate.

Sikur qoftë dhe njëri prej tyre, të kishte ndërprerë bisedën e të kishte permendur fëmijët e prostituar të Mborjes, sikur vetëm të ngrihej e të linte emisionin me indinjatë, do të isha shqetësuar. Vetëm sikur, sikur të paktën të kishte ngritur gishtin për të më treguar mua e botës se çfarë krimi po ndodh, unë si Kryeministër, do kisha parë andej nga tregon gishti i tij.
Ata janë analistët e shoqërisë civile. Janë aty, për të treguar me gisht.

Fëmijë si ti bëhen sapo i mallëngjen ndonjë/ vjershë e përkthyer apo gotë shampanjë/ Fëmijë,por që s’kanë ftohtë si ti janë/ ministra, vipa, mendimtarë zyrtarë/ Trashëgimtarë shtatë brezash... Ata/Që na vënë revolucionin si alternativë/Për të na qeverisur me frikën nga ai/Ata që na trembin me anarkinë
Ata që deformojnë fenë dhe fjalinë/Për të mos prishur rehatinë/Për mos të të ngrohur/Mbrohen pas faktit se nuk të kanë njohur/Personalisht... shkruan Hatibi.

Analistët e gazetarët, ja hedhin fajin sistemit.

2 VAJZAT NË DERË TË BURGUT

Nuk dua të dëgjoj për burgun, as armiqtë e mi politikë nuk dua të përfundojnë atje. Ata më duhen, me dosjet e tyre të pista, këtu. Pastaj, burgu është për të varfrit. Të pasurit, kanë treguar që vlejnë aq sa të mos hyjnë atje.

Çuditërisht, i vetmi vend ku pedofilët ruralë gjejnë vendin e merituar është burgu. Të burgosurit, qofshin vrasës apo trafikantë, nuk i durojnë pedofilët, dhe ua nxijnë jetën me sa munden.

Prokuroria do ti fusë brenda ata prindër bashkë me pedofilët. Nëse ata nuk kanë lidhje të forta ose para të mjaftueshme mund të kalben brenda përjetë. Nëse kanë lidhje dhe para, pedofilët do të dalin pa u ndjerë e pa u lagur prej sistemit gjyqësor kur çështja të jetë harruar. 3 ditë. Aq sa zgjat kurioziteti i publikut. Unë, si Kryeministër, harroj pak më shpejt. Ndoshta për 24 orë.

2 VAJZAT NË DERËN TIME

Mos më keqkuptoni. Unë si Kryeministër, personalisht, i urrej pedofilët. Po ta kem në dorë, i zhduk nga faqja e dheut. Por, mes meje e hallit të tyre, janë një numër i pafund hallkash që nuk e lejojnë fatkeqësinë të vijë deri te unë.

Unë mund të kisha bërë shumë për këto vajza e të tjerat si ato, vetëm sikur, vetëm sikur, qytetarë të tjerë të këtij vendi të kishin bërë aq sa duhet për të më tërhequr vëmendjen. Ose të paktën, të kishin bërë punën e tyre.

Në fund të 24 orëve, unë jam vetëm Kryeministri i dy vajzave 8 dhe 10 vjeç nga fshati të shitura nga prindërit për prostituim për 20 mijë lek të vjetra.

No comments:

Post a Comment