Monday, September 19, 2011

In Da Ghetto

botuar te Shekulli, e dielë, 18 shtator 2011


Gjatë vizitës në shtëpinë e një miku, u gjenda para një dere metalike. Miku, banon në një lagje të ashtuquajtur rezidenciale. M’u desh të sqaroja dashamirësisht rojen që më shihte me dyshim, se ku do të shkoja, kush isha e ç’punë kisha aty. Kur hyra brenda në lagje – dikur aty nuk ka pasur asnjë ndërtesë e fëmijët mund të loznin të lirë në një zonë të gjelbër atëherë jashtë qytetit – një tjetër burrë me uniformë më kërkoi që të zbatoja rreth-rrotullimin. Ishte ora 2 e natës, në lagjen e re me ajër të pastër nuk lëvizte asgjë, dhe ja ku është një njeri me uniformë jo-shtetërore që për mua s’do të thotë asgjë (roje private, e ndoshta pa asnjë tagër për të ruajtur rendin e as trafikun) por që unë i bindem pa fjalë. Është qesharake, se asnjë nga të dy burrat nuk ka të drejtë as të më ndalojë të eci në një rrugë të qytetit e as të më vërë gjobë për kundravajtje. Por, i gjendur përpara një realiteti post-urban iu binda të dyve.

Jemi në lagjet e reja të pasura të qytetit – rezidencializmi i ri urban. Ato zakonisht janë të qeta, qarkullimi është i kufizuar, kanë roje private, janë të rrethuara me mure e kangjella, nuk u mungon as uji e as dritat, kushtojnë një djall e gjysmë dhe ngjajnë me oaze paqeje, ku fryma e keqe e qyteti nuk depërton dot.

Këto lagje, si shumëçka në Shqipëri përfaqësojnë 3 elementë thelbësorë të tranzicionit tonë: të pasurit janë e ndjehen si kastë e mirëfilltë dhe ndarja e tyre është reale tashmë dhe fizike; ndarja manifestohet me pompozitet, me kangjella e roje private me uniformë, “show off” i domosdoshëm i pasurisë e forcës; Tirana ka kaluar tashmë në getizim.


Getoja e vjetër

Jetoj që kur kam lindur në të njëjtën lagje në periferi. Besoj, aty do jetoj gjithmonë. Unë e ruaj nostalgjinë për mikro-kozmosin që kanë krijuar lagjet shqiptare në vite. Mbaj mend që ngjitur me pallatin tim kishte lloj-lloj njerëzish, që nga gabelët e deri tek profesorët. Më pas, disa u bënë kriminelë me nam të lartë, disa të tjerë kapën majat e politikës.

Përjashto njerëzit e Bllokut komunist, që prapëseprapë nuk ishin dhe aq shumë, ne të tjerët jetonim në një bllok të madh jashtë. Si me thënë të tërë ishim të barabartë. Ai grupi i vogël më i pabarabartë se ne atje në Bllok, ishte i paperceptueshëm, gati-gati i fshehtë, asgjë nuk depërtonte jashtë. Pra, ishte si të mos ekzistonte. Përzierja e të tërë llojeve të njerëzve në një lagje, që nga punëtorët e deri te drejtorët e uzinave, i jepte diversitetin aq të nevojshëm lagjes e për rrjedhojë qytetit. Lagjet tona, ishin njerëzore.

Në 10-12 vitet e para të tranzicionit, kjo frymë u ruajt, kush mundi, bëri një shtëpi më të mirë në lagjen ku kishte lindur e rritur. Berisha 1, jetonte në shtëpinë e vjetër, Berisha 2 jetoi në një zonë në qendër, Berisha 3 e ka bllokuar rrugën para pallatit me roje e me blloqe sigurie. Edhe jeta e të tjerëve ka ndjekur pak a shumë këto etapa. Faktikisht, tani kemi “getot” e reja të të pasurve, lagjet rezidenciale apo fshatrat turistikë, ku nuk hyhet aq kollaj. Teorikisht janë tokë shqiptare, por faktikisht duhet të hysh me vizë.


Getoja e re

Problemi më i madh i Tiranës, është që e ke të pamundur të ndjehesh i pasur. Sepse, ti shkon në një lokal ku ke në plan të harxhosh pa masë, e aty të bie tavolina ngjitur me studentë që kanë para sa për një pije tërë natën, ose me emigrantë që kanë ardhur për pushime me para borxh. Ti ecën me makinën tënde luksoze në Bllok, por nuk bie dot në sy, sepse aty të tërë kanë makina luksoze, madje ka nga ata që e lënë parkuar tërë kohën se nuk kanë para për benzinë. Për të mos folur për ata që marrin Bentley me qera jashtë për t’u “hapur” për 2 javë këtu brenda. Pamundësia për ta ndjerë standartin e jetesës që ke ndërtuar e që je “ndryshe” nga shumica, si dhe nevoja për të mos u njehsuar me masat janë shtysa të forta për tu mbyllur brenda kangjellave të lagjeve të reja.

Frika, një frikë ndoshta jo shumë e justifikuar e të pasurve, i ka bërë që të kërkojnë izolimin brenda llojit. Nuk e di nga se kanë frikë. Mbase nga ajo që kanë bërë. Mbase nuk i besojnë më askujt. Ndoshta, kanë filluar të kenë frikë nga getot tona. Sepse lagjet e vjetra po kthehen në geto. Pasi i masakruan nga ana urbanistike për vite me radhë duke u marrë barin, lulishtet, kopshtet, kinematë, deri dhe trptuaret për ti kthyer në urbanicid, sot, vendosën ti lënë ashtu siç janë, madje dhe ti legalizojnë, dhe të ndërtojnë për vete geto ‘speciale’ në vende me ajër të pastër e larg smogut që vetë e shkaktuan në lagjet e vjetra. Getot e reja të të pasurve, afër detit ose afër mbretit.


Geto zezakësh dhe hebrenjsh

Hebrenjtë, lexova në Wikipedia krijuan getot e para, 500 vjet më parë, geto që ishin pranë mbretit, që të mos mund t’i sulmonte njeri. Ajo që po ndodh me krijimin e rezidencave të reja është që bërthama e vjetër e lagjeve, po vdes. Nëse më parë ti mund të kishe komshi Ismail Kadarenë, sot, ke komshinj vetëm hallexhinj të të njëjtit nivel si ty. Lagjet e vjetra që po kthehen ngadalë në geto monokromatike. Lagje, ku rrinë vetëm ata që nuk kanë mundësi të ikin. Ndarja sociale sa po vjen e bëhet më e thikët. Të pasurit, duan të rrinë vetëm mes të ngjashëmve, ndërsa të varfërit, ëndërrojnë një ‘colpo di fortuna’ që të ikin që andej. Meqë makina këtu te ne nuk e diferencon dot standartin e jetesës, këtë mund ta bëjë lagjia ku ti jeton.

Unë jam i pandjeshëm ndaj të pasurve, sido që ta kenë vënë pasurinë, dhe kam respekt të theksuar për ata që e kanë vënë vërtet me djersën e ballit. Por getizimi i tyre më pikëllon. Sepse, është shenja më e fortë që ata po kërkojnë divorcin, po kërkojnë divorcin nga pjesa tjetër e Qytetit. Ata, po e ndajnë Tiranën në dysh, në Tiranën e tyre dhe në Tiranën tjetër, të pisët, pa ujë, me pluhur, me qen rrugaçë e me hajdutë që të vjedhin celularin nga dora. Kjo, është shenja më e fortë për degradimin e këtij qyteti. Deviza ‘secili për vete’ tashmë është bërë moto jetese në Tiranë.

Sikur të mbyllurit në zona rezidenciale të zgjidhte hallet e një grupi njerëzish të pasur, do ta mirëkuptoja nevojën e tyre për t’u vetë-izoluar. Por, dyshoj që kjo nuk vlen në plan afat-gjatë. Kur në getot tona të periferive të vjetra të mbeten vetëm të varfërit, cilësia e jetës do të bjerë pikiatë. Grupet e dhunës e të malavitës do të shtohen e do të bëhen thelbi i jetesës aty. Konflikti social do të bëhet edhe vizualisht i qartë: populli këtej, paria andej. Nuk do të ketë shumë për të grabitur e vjedhur në lagjet e varfra, dhe krimi do të depërtojë te të pasurat. Nuk do ketë kangjella e burra të vjetër me uniformë që bëjnë sikur ruajnë rendin në rezidenca që t’i mbajë. Vetëizolimi i të pasurve në lagjet rezidenciale, vetëm se do ti ndërgjegjësojë shtresat e tjera që tashmë kemi klasa antagoniste. Dhe klasat antagoniste nuk kanë shumë mjete sociale a politike për tu marrë vesh, veç konfliktit.

Koncepti i vjetër i “lagjes” do të ndryshojë. Nuk ka më komunitet të larmishëm – ‘lagjia’, do të jetë damka e disave dhe fati i disa të tjerëve. Disa lagje do të prodhojnë krim. Disa të tjera prenë e krimit. Bashkia, që mezi zgjidh hallet e tanishme do të gjendet përpara kënetave sociale që nuk mund të thahen angari me të burgosur. Bashkia, dhe kjo nuk ka nevojë për lexues falli për ta kuptuar, do të mbajë anën e atyre që kanë pushtetin ekonomik.


Bashkia e getove

Që tani, thuhet që Unaza e Madhe, apo “Diagonalja e Karfurit” siç e quan Klosi në një shkrim dje te Shekulli, po ndërtohet për t’u ofruar akses të standartit të lartë lagjeve rezidenciale jashtë qytetit. Ndërkohë që një pjesë e mirë e tiranës së vjetër vazhdon e vuan për ujë. Fondet tona që shkojnë në të mirë të një grupi që është ndërkohë i privilegjuar, dhe me standart jetese mbi normalen. Ky është vetëm fillimi.

Do më kish pëlqyer që kur të bëhej ai plani urbanistik i ri i Tiranës, të kishim parë pak kontot bankare të “intelektualëve” që ulen aty në podium. Unë nuk besoj që ata që janë vetë brenda mentalitetit rezidencial të bëjnë një plan që të shuajë disnivelet në cilësi jetese midis lagjeve. Unë kam frikë, se çdo plan urbanistik do reflektojë getizimin e mëtejshëm. Unë dua që plani urbanistik të rikthejë bërthamën e vjetër të konceptit të “lagjes” në Tiranë. Unë dua, që Tirana të jetë e jetueshme për të gjithë.

Për momentin ajri është më i pastër në zonat rezidenciale. Por, siç e kam thënë dhe diku tjetër, ai jaër nuk mund të mbetet i pastër për shumë gjatë. Ajri i periferive tona të pista e të varfëra do tu shkojë shumë shpejt te kangjellat, e s’do të mund të hapin as dyer. Qytetet, zhvillohen si e tërë, e jo si copëra torte. Sepse, qytetet nuk hahen. Ato, jetohen. Dhe, jetohen të tërë bashkë.

Cilësia e një qyteti, nuk matet me lagjet e veta të pasura, por me lagjet e veta të varfëra. Ndaj dhe Tirana, vlen sa Kodra e Priftit. Por, për këtë nuk i bëhet vonë askuj. Por,kjo s’do të thotë që ata që jetojnë në ‘Kodrat e Priftëve’ nuk do e dinë, apo nuk do e kuptojnë. Herët a vonë.

No comments:

Post a Comment