Monday, September 12, 2011
Furgoni me fëmijë drejt greminës
botuar te Shekulli, e diel, 11.09.2011
Donald Kokona, aktori i vogël i “Taulanti kërkon një motër” në një intervistë të para disa ditëve te Shekulli, lëshoi një frazë që mund të perifrazohet kështu: “Në atë kohë, kishe besim te shteti, edhe kur ta merrte fëmijën me furgon”. Kjo frazë vinte në kuadrin e rrëfimit që në moshën 4 vjeç e gjysmë, një furgon i merrte në kopësht, i çonte në Kinostudio për prova e prindërit nuk dinin gjë. Më vonë e morën vesh që djali luante në film. Pyetja që më lindi duke lexuar këtë rrëfim, ishte: pse shtetarët e sotëm që janë rritur në shtetin e djeshëm, kanë krijuar këtë farë shteti ku mund të kesh besim edhe te mafia, por jo te vetë shteti?
Shteti i djeshëm
Nuk është krejt ashtu si në kujtimet e Donaldit. Më kujtohet që im atë nuk shkonte të më bënte analiza gjaku sepse një thashethem që qarkullonte thoshte që u merrnin ilegalisht gjak fëmijëve për t’i bërë transfuzion Enverit, në atë kohë të sëmurë rëndë. Si në përrallat me vampirë, duhej gjak i njomë fëmijësh. Kjo, mund të mos ketë qenë e vërtetë. Por, fakti që ky thashethem qarkullonte tregon që kishte njerëz që ngrinin dyshime mbi sistemin. Madje, duhej të kishte dhe të tjerë që, ndryshe nga im atë, kishin informacion të saktë nëse gjaku i foshnjeve të shqiptarëve merrej ilegalisht për të mbajtur në jetë diktatorin. Rrethi i parë i parajsës ishin ata që mund ta merrnin informacionin të saktë, pastaj rrathët e të tjerëve ku mund të depërtonte thashethemi.
Në nivele të tjera, shteti i djeshëm ishte tepër i sigurt. Fëmijët luanin tërë ditën rrugëve, shkonin deri në cepin tjetër të qytetit e mund t’i lije të qetë pa merak. Në shkollë mund të hanin dru, por ishe ti që inkurajoje mësuesen: “e ke lejen nga mua, po bëri zhurmë, këllcitja!”. Sepse, institucioni ishte edukatori ligjor. Ishte shteti. Vras mendjen, kush nga mësuesit do guxonte t’ia këllciste qoftë dhe me leje, nipave a mbesave të Enverit?
Pra shteti i djeshëm kishte dy standarte. Atë për masat, dhe të për rrethin e parë të parajsës. Disa kishin besim te shteti e i çonin fëmijët për analiza gjaku. Disa, nuk i çonin se kishin informacion.
Këtu ridel pyetja, kush në atë kohë kishte informacion?
Shteti i sotëm
Shtetin e sotëm e kanë ndërtuar ata që kishin informacion në shtetin e djeshëm. Ata që kishin mundësi ta merrnin vesh nëse vërtet foshnjeve u merrnin gjak për transfuzionin e një plaku të sëmurë. Nëqoftëse nuk ju kujtohen, Bledi Mane do ketë mirësinë t’jua kujtojë emrat ndonjë ditë.
Janë ata që e dinin më mirë se kushdo që ky shtet është i sigurt, si për fëmijët e për të rriturit, por, POR, deri në një farë mase. Dhe “masa”, është problemi. Asnjëherë, askush, në atë shtetin “tjetër” nuk e dinte cila ishte masa: si mund të matej niveli i sigurisë që mund të përfitoje. Deri ku, fëmija yt ishte i sigurt?!
Fëmijës nuk i ndodhte gjë në kopësht. As në rrugë. Por, fëmija mund të shndërrohej në leproz brenda natës, nëse do të kalohej me ose pa e ditur masa e panjohur e peshores së sistemit. Në fakt, më shumë se peshore, ai sistem ishte një barrë në kurriz. U thyeve, ike. Ti dhe fëmijët e tu. Çështje “mase”: Deri në ç’masë…
Masa ishte shija e diktatorit. Masa, nuk ishte racionale. Më kujtohet rrëfimi i një zonje (ish-valltare në Ansamblin e Shtetit), që më pat thënë, deri sa isha 40 vjeç, jetuam të lumtur. Pastaj, ferri… një grup njerëzish ia arritën të mbijetojnë. Ata nuk mundën të ndërtojnë as vetë koncepte racionale për atë shtet. Nuk arritën t’i jepnin logjikë. E vetmja gjë që mundën të bënin është që me instinkt, me hipokrizi, me djallëzi, me zgjuarësi a me pak fat, të mbronin fëmijën e tyre nga transfuzioni. Dhe të mbijetonin edhe vetë. Pa u thyer nga barra. Duke ia ngecur barrën të tjerëve.
Vazhdoj të flas për shtetin e djeshëm, kur te kreu i këtij paragrafi u nisa të shkruaja për shtetin e sotëm. Pa merak, nuk ka shumë ndryshim. Madje më keq. Shteti i djeshëm gamën e sigurisë e kishte pak më të gjerë. Dhe rrethin e parajsës së abuzuesve “të informuar” e kishte më të ngushtë.
Nëse dje kishte të internuar që varnin veten sepse nuk i mbijetonin dot kushteve të renda të internimit, sot, në të njëjtat zona e fshatra, ka njerëz që varin veten se nuk përballojnë dot jetesën e borxhet.
Nëse dje kishte një zonë që quhej Bllok, ku jetonin të pasurit, sot ka një rrugë pas Ambasadës maqedone që ruhet me roje njësoj si blloku, aty ku jeton familja e Kryeministrit.
Nëse dje mund të të pushkatonin si armik të Partisë edhe po të ishe Ministër, sot të hedhin në erë në mes të qytetit edhe po të jesh gjykatës.
Madje, dje, fëmijët mund t’i merrnin nga çerdhja me furgon, dhe ti të mos kishe merak, sot, po ta morën me furgon, fëmija mund të mos vijë më. Dje, të paktën fëmijët ishin të lirë të luanin, siç thotë edhe Donaldi. Sot, nuk luajnë dot më. Nuk luajnë dot më se, ose do i shtypin makinat që i shkelin çdo rregull qarkullimi duke mbajtur një tabelë polici në kroskot, ose do t’i fusin në fuoristradë luksoze, e ti nuk do e shohësh më.
Dje, një diktator kishte nevojë për gjak fëmijësh për transfuzion. Sot, qindra mijëra njerëz në botë janë gati të blejnë një veshkë fëmijësh shqiptarë për fëmijën e tyre.
Krejt shteti i sotëm, është ndërtuar mbi një padrejtësi sociale.
Kanë aplikuar “masën e djeshme” të fshehtësisë së informacionit, të dhunës së shtetit, të abuzimit të të pushtetëshmve, mbi të njëjtin grup njerëzish që kishte besim te siguria e shtetit të djeshëm. Janë të njëjtët njerëz që vuajnë thundrën e shtetit të ri. Kanë ndërruar vetëm sloganet propagandistike. Shqipëria, nga “fanar ndriçues i socializmit” është kthyer në “Zvicrën e Ballkanit”. Dhe, për hir të konjukturave teknologjike, ka nevojë që rrethi i “të informuarve” të jetë ca më i gjërë.
Nuk do isha marrë shumë me shtetin e sotëm, sikur të mos jetoj nën terrorin e idesë se si do jetë shteti i së nesërmes.
Shteti i nesërm
Rrethi i “të informuarve” të sotëm do të ndërtojë shtetin e së nesërmes.
Të informuarit e sotëm janë ata që e dinin historinë e bllokut të Metës që para se ta merrnim vesh ne, që gjendemi në rrathët e ferrit. Nuk është vetëm një bllok. Ka shumë blloqe për të cilat maksimumi na vjen informacion vetëm në rrathë thashethemi.
Problemi i shtetit të nesërm, do të vijë ngase shteti i sotëm e ka rrethin e “të informuarve” shumë të madh. Për të marrë një metaforë nga “Ferma e Kafshëve”, ka më shumë derra sesa ushqim. Masa – e famshmja “deri në një farë mase” e kohës së Enverit – është prishur më tej. Babëzia që dje fshihej nën petkun e “Dhomës së Pritjes”, sot justifikohet me të ashtuquajturën “ekonomi tregu”.
Shteti i së nesërmes nuk do ketë ndryshim. Do të jetë si i sotmi, por më i sofistikuar.
Do të ketë të aplikuara metodat e Enverit me teknologjitë kapitaliste. Propagandën enveriste me TV kombëtare. Paranë e pisët me favoret shtetërore.
E sheh? Jam nisur të flas për shtetin e së nesërmes, por vazhdoj të flas për shtetin e Enverit, atë të djeshmin.
Nesër, i vetmi ndryshim do jetë te rrethi i “të informuarve”. Ata që e dinë se fëmijëve do u merret gjaku për të mbajtur në jetë vampirët. Ky rreth po zgjerohet – në shtetin e së nesërmes do të jetë aq i madh, sa nuk do shkojë asnjë fëmijë për të dhënë gjak. Duke e marrë si metaforë, vampiri do të vdesë ose do të plasë lufta.
Imagjinoni që shtetin e së nesërmes do të pretendojnë ta ndërtojnë këta që kanë qenë pjesë e që keqes, e korrupsionit, e abuzimit, në këtë shtet sot. Ata e dinë ç’po ndodh sot, më mirë se ne. Ata, janë të “informuarit”.
Ata që edhe në këtë shtet ia dolën mbanë falë djallëzisë, intrigës, dhunës, korruptimit, hipokrizisë, konformizmit e më rrallë fatit, me forcën e parasë e të miqve, me mbështetjen e krimit e të injorancës. Ata që ndryshe nga ne poshtë, e dinë ç’po ndodh.
Furgoni po vjen të marrë fëmijët në kopësht
Lexoj grafittit në periferi të Tiranës, “Welcome to Saligrad”. Më duket gjetje interesante. Më vjen edhe për të buzëqeshur. Por, nuk dua ta identifikoj shtetin me një person, qoftë dhe ky një Kryeministër që e ka kthyer rrugicën e shtëpisë së tij në një bunker të Gadafit.
Ndryshe nga shumë njerëz që duan ta identifikojnë (ose ashtu e perceptojnë) të keqen tek një person, e keqja matet me rrathë, jo me pika.
Ka rrathë të të keqes, siç ka rrathë të ferrit. Madje, Dantja vetëm Ferrin kishte me rrathë.
Ngrehina e ndërtuar mbi këta rrathë do të shembet, herët a vonë.
Furgoni i shteti mbledh akoma fëmijë. I mbledh dhe i kthen në ushtarë të Saligradit.
Po të kisha fëmijë, nuk do e hipja në atë furgon, sado besim të kisha te ky shtet.
Shpëtoni fëmijën tuaj.
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment