Saturday, October 22, 2011

Melankolia

botuar te Gazeta, 19 tetor 2011

Melancholia është filmi i fundit i Lars Von Trier, dhe që për fat të keq nuk do mund ta shohim kurrë në Tiranë. Jo në një kinema, të paktën.
Ky është filmi që gjatë kohës që po shfaqej në Kanë, regjisori i tij u ndalua të shkelë më në Festival. Melancholia, i dha çmimin e aktores më të mirë Kirsten Dunst, ndërsa publikut, mundësinë ta shihte atë të zhveshur.

Melancholia, më ka dhënë mundësinë të mendoj për botën, dhe që i rikthehem shpesh, gjë që më ndodh shumë rrallë me një film.

Melancholia, më bëri të mendoj, dhe këtë po e them që në fillim, që Toka Është E Ligë!


Larsi

Ndjesia që çdo kush ka për filmin Melancholia nuk mund të ndahet nga mënyra sesi secili gjykon vetë regjisorin, Lars Von Trier. Filmi është i tillë, pikërisht nga stili i tij i xhirimit dhe mënyra e tij e të bërit film.
Një film të Lars Von Trierit, njerëzit ose e duan shumë, ose thjesht nuk e shohin dot me sy. Më ka qëlluar dhe të dëgjoja dikë që tha: “Mua Lars Von Trier nuk më komunikon asgjë”.

Për të mbërritur te Melancholia, më është të kaloj përmes dy ekstremeve: Dancer in The Dark, që nuk e kam dashur si film dhe Antichrist – që më ka mahnitur. Mes tyre dhe ndonjë film tjetër i Von Trierit, që gjithsesi nuk më ka çuar dot në ekstremet.

Kaosi që na pret vizatohet që në skenat e hapjes, ku me lëvizje super të ngadalshme, shohim momente që na presin gjatë filmit në një muzikë funebre.
Me kameran që lëkundet, tek Melancholia, Trier na sjell Apokalipsin. Dhe bashkë me të, degradimin njerëzor.

Dasma

Njerëzit janë të ligj. Prandaj, meritojnë të zhduken. Dhe e gjitha na vjen përmes një dasme, dasmës së Xhustinës (Kirsten Dunst). Dasma zhvillohet në mes të një bote mondane ndërsa një planet i panjohur, po kalon pranë Tokës. Në netët e dasmës, njerëzit mund të shohin në qiell dy Hëna. Njëra, ajo familjarja, që shohim të gjithë që sa lindim, dhe tjetra, ajo e ardhura, ‘çeçenia’, më e bukur se e para, por fatale.
Ky planet që shndrit në qiell është Melancholia.
Dasma, zhvillohet si të tëra dasmat, janë të afërmit që sjellin aty problemet e tyre, tipat komikë, tipat qaramanë, kunati i pasur, motra që është përkujdesur për ty gjithmonë.

Dhe ndërsa e tërë bota e ka llogaritur që nuk ka rrezik, që planeti do na kalojë afër, por pa na prekur, ka vetëm një njeri në botë që e di të vërtetën. Një vajzë psikike, e cila, sillet me njerëzit njësoj si planeti që po na vjen afër. Me një përjashtim, ajo, di të vërtetën.

Xhustina

Një nga skenat më të bukura të filmit, është kur Klera (Charlotte Gainsbourg) ndjek pas për të zbuluar vjedhurazi të motrën, Xhustinën ndërsa bën banjë e zhveshur nën rrezet e Melankolisë. Njësoj si në adhurimet e lashta pagane. Marrëdhënia mes dy motrave është njësoj si ajo mes dy planeteve. Melancholia do ta shkatërrojë Tokën.
E vetëdijshme për atë që do të ndodhë, Xhustina i shkatërron me rradhë njerëzit në jetën e saj, që nga i shoqi e deri tek e motra. Por, asgjë nuk ka rëndësi. Bota do të zhduket, dhe nuk ka njerëz të tjerë në hapësirë. Ëndrrat tona që nuk jemi vetëm në Univers janë të rreme, dhe fara jonë nuk do jetojë kund tjetër.

Filmi ka një hapje të ngadaltë (nuk e di në ta quaj defekt apo zgjedhje të vetëdijshme të regjisorit) derisa fillon të marrë ritëm kur filllon dhe sjellja e çuditshme e Xhustinës.

Marrëdhëniet që eksploron filmi janë të tëra të kalbura - si vetë bota jonë - marrëdhënia mes motrave, Mes gruas dhe burrit, mes babait e bijës, mes ish bashkëshortëve, mes dy të panjohurve që bëjnë seks hakmarrës, mes vjehrrës e nuses së re, mes dhëndrrit të ri e nuses, mes... Melancholisë planet dhe melankolisë sime njerëzore. Bota jonë, është e kalbur.

Toka

Çfarë do të bëje, nëse bota po i vjen afër fundit dhe ti ke një fëmijë për të mbrojtur? Instikti yt, njësoj si instinkti i Klerës do të të çojë të përpëlitesh si një pulë pa kokë.
Melancholia-planet është një shenjë e bukur në qiell që të mbush me gëzim, për tu kthyer pastaj në ankth, pluhur e tmerr.

Më shumë se të flas për Melancholinë, filmin, do të kisha nevojë të flisja për Tokën.
Para dy ditësh pashë një mace të shtypur nga makina në një rrugicë ku duhet të jesh i çmendur të ecësh me më shumë se 30 km/orë. E pra, kishin ecur aq sa për të shtypur një mace edhe aty. Të djelave në spital duhet të çosh çarçafët e tu ose i sëmuri do të flerë në mushama. Të sëmurët në Reanimacion vdesin nga të ftohtët në thëllimën e fund-tetorit, sepse spitali nuk ndez kaloriferët se nuk ka naftë. Gërdeci nuk ekziston. Të paktën jo në televizor. E as në mediat zyrtare.
Ngado që kthej kokën dhe njerëzit që takoj, gjithçka, më kthen tek Melancholia: e liga është duke fituar. Nuk ka një Tokë tjetër, nuk ka jetë në Univers (thotë Xhustina), dhe në të vetimn vend ku ka jetë, në Tokë, e liga, me hipokrizinë, dhunën, abuzimin, grabitjen, përdhosjen, mosmirënjohjen e grykësinë, ka shpërthyer gjithandej. Aq sa edhe Toka është sëmurur.

Shihni vërdallë jush, dhe do të gjeni kalbësirë te tëra marrëdhëniet, e te thuajse të tërë njerëzit rrotull jush. Sikur ndikimi i një planeti të panjohur të na ketë bërë anti-njerëz për këto 20 vjet. Shihni vërdallë, dhe do të kuptoni se ndonjëherë, ju vjen të silleni edhe ju si Xhustina.

Tirana

“Ka shijen e hirit” thotë Xhustina ndërsa provon qoftet në dasmën e vet.
Jo qoftet, por ne kemi shijen e hirit.
E liga, ka vetëm një zgjidhje. Apokalipsi është pastrim. Hiri, është dezinfektim.

Çfarë duhet ti thuash një fëmije, ndërsa planeti i Melancholisë po vjen të përplaset? Si tia shpjegosh mëkatet e gjyshërve që duhen larë?
Duke i treguar një përrallë. Ose duke marrë një kopje pirate të filmit, e duke e parë. Pirate, pse jo. Nuk është ky mëkati më i madh në Tiranë.

Friday, October 14, 2011

Vdekja e Ramiz Alisë dhe Sindroma e Stokholmit

botuar te "Gazeta", e mërkurë, 12 Tetor 2011

Vdekja e Ramiz Alisë, ka ngritur befas një stuhi emocionale. Më e pakta, shumë njerëz janë bërë kuriozë, edhe pse nuk ka asgjë për të patur kuriozitet në një vdekje. Të tjerë ngritën stuhi politike: ‘ai që ka bërë këtë, e ka bërë atë’. Pastaj, dilemat analitike: a është vërtet komunisti i fundit? Përgjegjësitë e tij. Pse nuk flet, si e vuri Saliun në krye të PD-së? (ata që dinë shumë). Pse nuk flet për krimet e Nexhmijes? (ata që dinë pak).

Unë besoj se brenda Alisë jetonin, (sikurse brenda shumë prej nesh) dy persona: Njeriu dhe Ramizi.

Njeriu kundër Ramizit

Në këto 20 vjet të ashtuquajtura të tranzicionit, kemi parë shumë pak nga Njeriu e fare pak nga Ramizi.

Më kujtohet që kur ishte Sekretar i Parë i PPSh, njerëzit e thjeshtë e thërrisnin Ramizi. Njësoj si dikur, Enveri. Të tjerët ishin Pali Miska, Besnik Bekteshi, Lenka Çuko..., por Ramiz Alia ishte thjesht Ramizi. Kulti i individit nuk kishte si të mos trashëgohej. Mao është thjesht Mao. Tito, është Tito. Enveri, po Enver.

Ramizi, ishte kryeqendra politike e këtij vendi, me tërësinë e kapitalin e vet politik, me zgjuarësinë e diplomacinë, me butësinë e dhelpërinë. Sigurisht, Ramizi nuk mbretëroi në një mjedis plot me individualitete të forta, si ato që Enverit iu desh ti eleminonte një e nga një përgjatë dhjetëvjeçarëve. Jo se nuk kishte pole të tjera. Nexhmija nga një anë. Një grup të rinjsh besnikë nga ana tjetër. Por, sado të fortë këto pole, nuk besoj se kishin për ta lëkundur pozitën e Ramizit të sanksionuar nga Enveri para vdekjes. Pra, Ramizi, do të mbetej Ramiz. Fati i tij i keq ishte që e mori pushtetin në kohë të errëta.

Njeriu, në fakt ka mbetur përherë në hije prej Ramizit. Njeriu me ato dobësitë e veta. Njeriu që sheh dikë që e ka simpati të shkojë në burg, dhe pamundësia për ta shpëtuar. Njeriu që sheh krime, por që nuk ka guxim t’i kundërvihet. Njeriu, që sa qe gjallë Enveri u fsheh pas Ramizit.

Në këto 20 vjet, ka pasur raste gazetarësh që janë përpjekur të zhvillojnë me Ramiz Alinë biseda integrale. Fevziu, Fred Peza, e ndonjë tjetër. Sado u përpoqën, e vërteta është që në ato biseda u tha fare pak. Sepse u nisën të intervistonin Njeriun, dh eu doli në kolltuk Ramizi.

Nëse ndonjëherë do doja ti bëja një intervistë, do kisha pasur qejf të kuvendoja me Njeriun. E di se do ishte e pamundur. Dhe, nuk kam pikë kurioziteti (e as kam pasur) të flisja me Ramizin.
Kauza e tij, presidenca e tij, shokët e tij, Enveri i tij, krimet e tij, vizionet e tij, e mbi të gjitha, kujtimet e tij, Njeriu nuk do mund të mi rrëfente. Njeriu, kishte bërë betimin e heshtjes. Se ç’ka thënë Ramizi për to, e kemi dëgjuar tashmë. Dikush dhe mund ta ketë lexuar në librin “Jeta Ime”.

Jeta ime

E kam mënjanuar me dashje librin “Jeta Ime” sepse e kam paragjykuar. Njerëzit që kanë qenë dikur në qendër të vëmendjes nuk kanë asgjë që ia vlen për të thënë në një libër. Të panjohurit, po. Anonimët kanë nevojë të tregojnë shumë gjëra për jetën e tyre dhe të të tjerëve, sepse duan të hedhin dritë mbi veten.
Prandaj, e kam paragjykuar, si ç’do paragjykoj dhe shumë libra të tjerë autobiografikë. Në mendjen time, njeriu shkruan libra të tipit “Jeta Ime” kur do të bindë të tjerët për ca gjëra. Qoftë dhe për tu kërkuar falje. Por, në jetën e Alisë nuk ka asgjë për të kërkuar falje. Për faktin e thjeshtë që ata që do duhej ti jepnin faljen, në të vërtetë kanë vdekur.


Sindroma e Stokholmit

Krejt situata e krijuar me vdekjen e tij, si ata që tentuan ta injorojnë, ama, haptazi; e deri tek ata që nxituan ta rehabilitojnë, disa dhe me stil; ata që nxituan ta shajnë e të tjerë që nxituan ti nxjerrin në dukje meritat; të ekuilibruarit apo të informuarit; krejt kjo nxori në pah degradimin e shoqërisë sonë politike.
Mungesa e lidershipit serioz politik, të figurave të dashura e të besueshme, na bën të rikthehemi me nostalgji deri dhe tek Ramizi. Sot ka njerëz që thonë me ofshamë, ‘ishte më mirë me Enverin’. Dhe nuk është faji i tyre. Pamundësia për të prodhuar histori politike sot, është një tjetër element që e rikthen gati-gati me legjitimitet figurën e tij. Mungesa e reflektimit të vërtetë njerëzor e historik mbi atë që Ramizi ishte, ndërtoi, apo përfaqësoi, bën që qoftë dhe për 4-5 ditë, të përpiqemi ta zëvendësojmë këtë mungesë me artikuj e me mbulim të gjerësishëm deri dhe të varrimit. Padija, por dhe realiteti i thatë njerëzor na hedh në krahët e nostalgjisë e na bën të harrojmë shumë gjëra. Simapatia natyrale që kemi për horrat, diktatorët, të fortët, që nga Nano e te Zani Çaushi, na bën që të shohim me simpati edhe një ish-diktator.
Shto dhe kuriozitetit morboz mesdjetar...
Por, përtej të gjithave, më duket se problemi më i mafh që kemi, dhe jo vetëm në rastin Alia, është Sindroma e Stokholmit. Simpatia për abuzuesin. Empatia për atë që na grabit, por të paktën nuk na rreh. Për atë që na përdhunon, por të paktën nuk na vret.

Fundi pa lamtumirë

Duke lënë mënjanë Njeriun, Ramizi ka shumë faje. Unë nuk jam këtu për t’ia rreshtuar. As për të ngritur gishtin, sepse që tani shoh plot gishta të ngritur.

Mendoj se ai nuk është i fundmi diktator e abuzues i Stokholmit tonë bathoresk.

Për mua, krimi më i madh i Ramizit, ishte që nuk e la Njeriun brenda tij të flasë këto 20 vjet. Të vërtetat që mori me vete, janë faji i tij.
Të tjerat, nuk kanë fort rëndësi. Nëse ia bën shteti funeralin a jo, nëse duhen bërë homazhe a jo, nëse duhet vonuar trupi 5 ditë pa varrosur, nëse bëri dorëzimin e butë të pushtetit e pa viktima, më duken hipokrizira protokollare të një shoqërie që jeton, flet e mendon si në Big Brother. Të një gazetarie që si kur shan, si kur lavdëron, e bën si burizanët e kompanive të pionierit.

Heshtja, duhej të ishte lamtumira e fundit.
Me heshtje, duhej të kishim ndëshkuar Ramizin e të kishim respektuar Njeriun.