Friday, October 14, 2011

Vdekja e Ramiz Alisë dhe Sindroma e Stokholmit

botuar te "Gazeta", e mërkurë, 12 Tetor 2011

Vdekja e Ramiz Alisë, ka ngritur befas një stuhi emocionale. Më e pakta, shumë njerëz janë bërë kuriozë, edhe pse nuk ka asgjë për të patur kuriozitet në një vdekje. Të tjerë ngritën stuhi politike: ‘ai që ka bërë këtë, e ka bërë atë’. Pastaj, dilemat analitike: a është vërtet komunisti i fundit? Përgjegjësitë e tij. Pse nuk flet, si e vuri Saliun në krye të PD-së? (ata që dinë shumë). Pse nuk flet për krimet e Nexhmijes? (ata që dinë pak).

Unë besoj se brenda Alisë jetonin, (sikurse brenda shumë prej nesh) dy persona: Njeriu dhe Ramizi.

Njeriu kundër Ramizit

Në këto 20 vjet të ashtuquajtura të tranzicionit, kemi parë shumë pak nga Njeriu e fare pak nga Ramizi.

Më kujtohet që kur ishte Sekretar i Parë i PPSh, njerëzit e thjeshtë e thërrisnin Ramizi. Njësoj si dikur, Enveri. Të tjerët ishin Pali Miska, Besnik Bekteshi, Lenka Çuko..., por Ramiz Alia ishte thjesht Ramizi. Kulti i individit nuk kishte si të mos trashëgohej. Mao është thjesht Mao. Tito, është Tito. Enveri, po Enver.

Ramizi, ishte kryeqendra politike e këtij vendi, me tërësinë e kapitalin e vet politik, me zgjuarësinë e diplomacinë, me butësinë e dhelpërinë. Sigurisht, Ramizi nuk mbretëroi në një mjedis plot me individualitete të forta, si ato që Enverit iu desh ti eleminonte një e nga një përgjatë dhjetëvjeçarëve. Jo se nuk kishte pole të tjera. Nexhmija nga një anë. Një grup të rinjsh besnikë nga ana tjetër. Por, sado të fortë këto pole, nuk besoj se kishin për ta lëkundur pozitën e Ramizit të sanksionuar nga Enveri para vdekjes. Pra, Ramizi, do të mbetej Ramiz. Fati i tij i keq ishte që e mori pushtetin në kohë të errëta.

Njeriu, në fakt ka mbetur përherë në hije prej Ramizit. Njeriu me ato dobësitë e veta. Njeriu që sheh dikë që e ka simpati të shkojë në burg, dhe pamundësia për ta shpëtuar. Njeriu që sheh krime, por që nuk ka guxim t’i kundërvihet. Njeriu, që sa qe gjallë Enveri u fsheh pas Ramizit.

Në këto 20 vjet, ka pasur raste gazetarësh që janë përpjekur të zhvillojnë me Ramiz Alinë biseda integrale. Fevziu, Fred Peza, e ndonjë tjetër. Sado u përpoqën, e vërteta është që në ato biseda u tha fare pak. Sepse u nisën të intervistonin Njeriun, dh eu doli në kolltuk Ramizi.

Nëse ndonjëherë do doja ti bëja një intervistë, do kisha pasur qejf të kuvendoja me Njeriun. E di se do ishte e pamundur. Dhe, nuk kam pikë kurioziteti (e as kam pasur) të flisja me Ramizin.
Kauza e tij, presidenca e tij, shokët e tij, Enveri i tij, krimet e tij, vizionet e tij, e mbi të gjitha, kujtimet e tij, Njeriu nuk do mund të mi rrëfente. Njeriu, kishte bërë betimin e heshtjes. Se ç’ka thënë Ramizi për to, e kemi dëgjuar tashmë. Dikush dhe mund ta ketë lexuar në librin “Jeta Ime”.

Jeta ime

E kam mënjanuar me dashje librin “Jeta Ime” sepse e kam paragjykuar. Njerëzit që kanë qenë dikur në qendër të vëmendjes nuk kanë asgjë që ia vlen për të thënë në një libër. Të panjohurit, po. Anonimët kanë nevojë të tregojnë shumë gjëra për jetën e tyre dhe të të tjerëve, sepse duan të hedhin dritë mbi veten.
Prandaj, e kam paragjykuar, si ç’do paragjykoj dhe shumë libra të tjerë autobiografikë. Në mendjen time, njeriu shkruan libra të tipit “Jeta Ime” kur do të bindë të tjerët për ca gjëra. Qoftë dhe për tu kërkuar falje. Por, në jetën e Alisë nuk ka asgjë për të kërkuar falje. Për faktin e thjeshtë që ata që do duhej ti jepnin faljen, në të vërtetë kanë vdekur.


Sindroma e Stokholmit

Krejt situata e krijuar me vdekjen e tij, si ata që tentuan ta injorojnë, ama, haptazi; e deri tek ata që nxituan ta rehabilitojnë, disa dhe me stil; ata që nxituan ta shajnë e të tjerë që nxituan ti nxjerrin në dukje meritat; të ekuilibruarit apo të informuarit; krejt kjo nxori në pah degradimin e shoqërisë sonë politike.
Mungesa e lidershipit serioz politik, të figurave të dashura e të besueshme, na bën të rikthehemi me nostalgji deri dhe tek Ramizi. Sot ka njerëz që thonë me ofshamë, ‘ishte më mirë me Enverin’. Dhe nuk është faji i tyre. Pamundësia për të prodhuar histori politike sot, është një tjetër element që e rikthen gati-gati me legjitimitet figurën e tij. Mungesa e reflektimit të vërtetë njerëzor e historik mbi atë që Ramizi ishte, ndërtoi, apo përfaqësoi, bën që qoftë dhe për 4-5 ditë, të përpiqemi ta zëvendësojmë këtë mungesë me artikuj e me mbulim të gjerësishëm deri dhe të varrimit. Padija, por dhe realiteti i thatë njerëzor na hedh në krahët e nostalgjisë e na bën të harrojmë shumë gjëra. Simapatia natyrale që kemi për horrat, diktatorët, të fortët, që nga Nano e te Zani Çaushi, na bën që të shohim me simpati edhe një ish-diktator.
Shto dhe kuriozitetit morboz mesdjetar...
Por, përtej të gjithave, më duket se problemi më i mafh që kemi, dhe jo vetëm në rastin Alia, është Sindroma e Stokholmit. Simpatia për abuzuesin. Empatia për atë që na grabit, por të paktën nuk na rreh. Për atë që na përdhunon, por të paktën nuk na vret.

Fundi pa lamtumirë

Duke lënë mënjanë Njeriun, Ramizi ka shumë faje. Unë nuk jam këtu për t’ia rreshtuar. As për të ngritur gishtin, sepse që tani shoh plot gishta të ngritur.

Mendoj se ai nuk është i fundmi diktator e abuzues i Stokholmit tonë bathoresk.

Për mua, krimi më i madh i Ramizit, ishte që nuk e la Njeriun brenda tij të flasë këto 20 vjet. Të vërtetat që mori me vete, janë faji i tij.
Të tjerat, nuk kanë fort rëndësi. Nëse ia bën shteti funeralin a jo, nëse duhen bërë homazhe a jo, nëse duhet vonuar trupi 5 ditë pa varrosur, nëse bëri dorëzimin e butë të pushtetit e pa viktima, më duken hipokrizira protokollare të një shoqërie që jeton, flet e mendon si në Big Brother. Të një gazetarie që si kur shan, si kur lavdëron, e bën si burizanët e kompanive të pionierit.

Heshtja, duhej të ishte lamtumira e fundit.
Me heshtje, duhej të kishim ndëshkuar Ramizin e të kishim respektuar Njeriun.

No comments:

Post a Comment