botuar te Revista Klan e dt 2 korrik
Legjenda e Ali B. me 40 hajdutët, ose më e pakta vetë fraza, besoj se është e njohur për shumë vetë. Shpresoj. Në kohërat e informatizimit më të thellë të mundshëm, kurioziteti për të ditur kush ka qenë ky Ali Baba çuditërisht është i vogël. Mbase është çështje brezash. Sot, ka shumë të rinj që akoma s’kanë pasur për 20 vjet kuriozitetin për të pyetur prindërit pse u kanë vënë atë emër që mbajnë. Nga ana tjetër, ne jetojmë në botën e hajdutëve – hajnat, në gegnisht më josh më shumë se ka një tingëllimë të ngjashme me “hajen” - dhe meqë janë bërë shumë, kurioziteti për një hajn me emrin Ali nuk ka pse të jetë i madh.
Do i kthehem Ali Babës në fund, sepse para se të shkojmë tek ai dhe 40 hajdutët e tij dua të eksploroj pak tokën e hajnave, dmth. tokën tonë. Nëqoftë se ka mbetur më “tokë” pa u vjedhur. Të shohim kush vjedh, për të mbërritur pastaj tek të 40-të profesionistët e Ali B.
1. Deputetët e autobuzave urbanë
Në autobusin e Unazës, fatorinoja ecën duke bërtitur “biletat, abonetë... kujdes se ka deputetë!” Kjo është mënyra e tij për të treguar që në autobus ka hajdutë xhepash. Hajnat e xhepave, janë dhe të grupuar, mund t’i vrojtosh me sy të lirë sesi mbajnë një gazetë apo qese në dorë për të fshehur tjetrën që lundron nëpër xhepat e atyre që shtyjnë me 4 mijë lek tërë muajin.
Janë njerëz të varfër, për të cilët ai 40 mijë leksh është po aq i vështirë për ta gjetur sa dhe 400 milionë. Çuditërisht, më të vjedhurit, janë ata që nuk harrojnë kurrë të paguajnë taksat, taksa me të cilat paguhet një sistem i tërë hajnash, që duhej të ishin duke i mbrojtur.
2. Hajnat e gropave
Ata lënë pas një gropë, qoftë kjo pusetë apo hekurudhë, ish-magazinë apo ish-uzinë. Një gropë që po u mbush, duhet të mbushet me paratë e shtetit. Janë hajna të fabrikuar në shkollën e socializmit, ku prona e përbashkët vidhej pa teklif për dy arsye: askush nuk e ruante me seriozitet, dhe askush nuk e ndjente të përbashkët, aq sa të reagonte kur vidhej. Kjo modë vazhdon edhe sot në përmasa gjigande. Për 20 vjet, çdo copë metali është zhveshur e vazhdon të zhvishet në mënyrë barbare.
Është kaq e thjeshtë të vihet nën kontroll, mjafton të kontrollohen qendrat e grumbullimit të hekurishteve për të ndaluar blerjen e mallit me logo shtetërore ose prejardhje të dyshimtë. Sigurisht që nuk ndodh. Sepse, askush nuk e ka prioritet ruajtjen e ‘shtetërores’. Shteti është ndërtuar dhe perceptohet mbi konceptin e një bordelli, nga ku askënd nuk e përzënë për çështje imoraliteti.
3. Hajnat solitarë
Po aq e thjeshtë do të ishte të kontrollosh hajnat e bizhuve. Një mikun tim, pak ditë më parë e sulmoi një person në orën 10 të mbrëmjes mu në mes të Bulevardit Zogu i Parë. Hajni solitar i shkuli dhunshëm nga pas zinxhirin e artë në qafë, dhe u zhduk nëpër rrugica. Duhet goxha trimëri në atë orë e në mes të qytetit të sulmosh dikë, që për më tepër është 1 e 80 i gjatë dhe gati 110 kile. Por, dëshpërimi është bërë aq i madh sa askujt nuk i bën më syri tërr.
Nuk besoj se ky shtet ka aq policë për të ruajtur çdo hajn solitar, aq më tepër kur policët janë aty vetëm për të siguruar bllokimin e trafikut atje ku kalon kryeministri. Një sistem kontrolli, ku asnjë blerës floriri të përdorur të mos mundet të blejë flori që nuk i dihet prejardhja, do ua bënte të pamundur hjanave solitarë të shesin objektet e grabitura.
Dhe meqë jemi te kontrolli... nuk e di a e ka kontrolluar njeri Bursën?
4. Hajnat e bursës
Hajnat më interesantë janë ata që tentojnë të na vjedhin me doreza të bardha. Ata që kur bursa e naftës rritet, rrisin çmimin, dhe kur bursa bie, nuk e ulin çmimin. Janë interesantë sepse të vjedhin si gjithë të tjerët, por tentojnë t’ia vënë fajin ‘armikut të jashtëm’. Bursa... Dhe ngrenë duart. Kot që i ngrenë. Këtu të gjithë ngrenë duart, shteti, organizmat e kontrollit të monopolit, OJF-të që duhej të mbronin konsumatorin, sindikatat...
Rreshti i duarve përpjetë është i gjatë, po atëherë, nqs. të gjithë i kanë duart lart, kush na i fut duart nëpër xhepa?
5. Hajnat me uniformë
Ka një sekret: njerëzit me uniformë. Njerëzit me uniformë kanë nga një dorë false që e ngrenë përpjetë. Bluza të bardha, bluza blu, uniforma të gjelbra, jeshile apo të verdha fosforeshente... shumica e tyre i është adaptuar regjimit të Republikës së Hajnisë. Disa prej tyre kanë dhe imunitet, që është më shumë një indulgjencë mëkatare sesa veshje ligjore.
6. Hajnat e ideve
Në Shqipëri ka plot njerëz me ide, në biznes, në art, në teknologji. Problemi është që këto ide vidhen. Ky është i vetmi vend ku gjëja më pak e shenjtë është prona intelektuale. Çdo ide, mund të vidhet fare kollaj dhe sistemi nuk të garanton jo vetëm mbrojtje, por asnjë lloj ekspertize që të mund të vlerësojë vjedhjen e saj. Ti sjell një ide biznesi, dhe mu ngjitur me ty hapen 10 të tjera, identike si ajo. Jo 1 km më larg, por mu aty!
7. Hajnat e jetës
Një nga këto ditë, u ndërgjegjësova si papritmas, që 22 vjet që nga koha e ëndrrave për një botë të re kanë kaluar. Ajo që kam para syve është përsëri bota e vjetër, e veshur me rrecka të reja. Me ndonjë ndryshim të vogël, me ca frigoriferë më shumë e TV me ngjyra, por me një mungesë më të madhe – asnjë njeri që njoh nuk ëndërron më. Hajnat e jetës, nuk janë thjesht ata që u morën jetën 4 vetëve më 21 janar apo 23-ve në Gërdec, nuk janë as lacat e pandëshkueshëm që marrin jetë varfanjakësh duke dhunuar semaforë e rregulla bashkëjetese, edhe pse teknikisht ata janë të tillë. Hajnat e jetës, janë ata që na kanë vjedhur ne 22 vjet jetë. 22 vjet, ku secili prej nesh, mund të kishte nxjerrë më të mirën e tij në të tëra fushat, duke jetuar si njeri.
Hajni mund të mendojë se përderisa jeton vetë ‘si njeri’ (lexo: si njeri luksoz), nuk i bëhet vonë për ne. Si të tërë hajnat, ai njeh vetëm një zanat, atë të vjedhjes, dhe jo atë të filozofisë. Është e tepërt të presim që ai vetë ta kuptojë se ka humbur dhe ai 22 vjet bashkë me ne. Që, kur del te dera dhe është i rrethuar nga lepuj, ai mund të mendojë se është mbreti luan, por mbetet thjesht një kunadhe mes lepujsh.
8. Hajnat e së vërtetës
E vërteta i ngjan pak atij tubacionit të ujësjellësit që niset i gjerë nga ujësjellësi, por që rrugës, kushdo mund t’i hapë një vrimë për të nxjerrë andej privatisht ujë për veten e vet.
E vërteta ekziston diku, por tubacionet e shtëpisë sonë janë të thara, ose na e sjellin me orare: 11 me 1 të natës, 1 me 3 të drekës. Mediat, ministrat, pasanikët, kushdo që ka mundësi ka ngulur një tub të vetin nga ku kërcënon të thithë sa më shumë ujë drejt arës së vet. Na patën thënë që e vërteta është e pastër, por kjo që vjen në tubacionet tona nganjëherë ka erë ose ngjyrë ndryshku.
Problemi i Ali B. është pikërisht problem i lidhur me të vërtetën. Po ta kuptojmë pse vjedh Aliu, mund të gjejmë dhe një formë për ta zgjidhur atë.
40
Nga përralla e Ali Babës (sa e fortë grishja për të shtuar një ‘S’ para emrit të Aliut) që Sheherazadja ia tregonte sovranit në një nga ato 1001 netët, na ka mbetur shprehja “Susam Hapu”, dhe zgjuarsia e djalit për të shfrytëzuar thesarin e vjedhur nga të tjerë (a nuk ëndërrojmë të tërë që dikush të na thotë, eja, po të dhuroj një biznes ku unë dua të laj paratë e pista?) dhe mbi të gjitha, aftësia e tij për t’i eleminuar hajdutët.
Mua më intrigon pjesa përtej përrallës së Sheherazades. Të 40-tët e Ali Babës nuk dalin asnjëherë me emër. Ata janë, gati-gati, një regjiment hadutësh anonimë që presin e grabisin në emër të Aliut. Edhe nëse Aliun e përrallës do ta ndëshkonin, ata do të vazhdonin të vrisnin e prisnin në emër të tij, të mbuluar nga anonimati, ose do të rigjeneroheshin duke zgjedhur me rotacion një Ali tjetër.
Aliu, kishte një shpellë me thesare të pafundme e vazhdonte e grabiste, pa patur kohë as të harxhonte 1 të njëmijtën e atyre që kishte. Besoj se Aliu nuk vidhte për të mbijetuar, si hajni solitar apo “deputetët” e urbanit, e as për t’u ndjerë mirë si hajnat e bursës apo hajnat me indulgjenca në xhep. Aliu, kam frikë se vidhte, ngaqë nuk dinte ç’të bënte tjetër.
41. Ali B.
Jetojmë në një kohë kur askush nuk ankohet më “pse filani vjedh” ose “pse filani është i korruptuar”. Ankesa e vërtetë e njerëzve është se, pse nuk po u jepet shansi të vjedhin ose të korruptohen. Legjendat urbane janë plot me trima që vjedhin sypatrembur. Mënyra më e mirë për ta ndrequr sistemin... (Këtu del drita, dhe Sheherazadja, e lë përrallën në mes për ta vazhduar në Kozmikomiken tjetër)
Vijon...
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment