Wednesday, August 22, 2012

Një njeri i vetëm djeg Shqipërinë

Botuar të SHtunën, 18 gusht 2012, te Revista Klan

Dajti po digjet. Në 2 netët më të ftohta të verës, njërit nga shpatet e Dajtit iu vu zjarri që vazhdon e digjet ndërsa unë shkruaj, po digjet mes indiferencës së shtetit, qytetarëve dhe medias. Me sa duket, janë të tërë në Dhërmi.
Ky zjarr, që jo me doemos është më fatali për pyjet e vendit, më ka dhimbtur shumë. Më duket sikur më fikin një cigare në ballë. Jo thjesht për dëmin ekologjik. Ne jemi aq injorantë e të paditur sa nuk jemi në gjendje të kuptojmë e vlerësojmë pasojat që do japë djegia e pyjeve tona pas 100 a 1000 vitesh. Sot na habisin pse shpatet tona të maleve janë të zhveshura e të shkreta, kur sa kalon kufirin malet e “atyre” janë plot pyje. Para 100 vitesh, mund të mos ketë qenë kështu.
Më shumë se ekologjia, më shqetëson fakti që një njeri i vetëm, mund të na vërë flakën kaq kollaj.
Atë zjarr në Dajt e ka vënë 1 njeri i vetëm: një katundar moskokëçarës, një skorpions narkoman, një kryetar komune, ose dhe një njeri fare i rastësishëm. Ashtu sikurse flakën, Shqipërisë mund t’ia vërë një Kryeministër, një ministër, një Sude, apo i forti i lagjes.
Këta nuk janë njerëz me probleme psikike, janë njerëz si ne.
Ky është njeri fare i zakonshëm që nuk e ka për gjë të hapë një digë e të përmbytë një qytet, të hedhë në erë me tritol një hidrocentral, të shpërthejë një linjë që mund të lërë pa drita një krahinë, apo të djegë një pyll.

Një njeri i vetëm

Ka dy ditë që gërryej veten për atë që i ka vënë flakën Dajtit. Siç e thashë, nuk bëhet fjalë për njerëz me probleme psikike. Bëhet fjalë për njerëz normalë, që kanë të drejtë të votojnë, të martohen e të riprodhohen, të drejtojnë familje, komuna, biznese, dikastere e madje dhe shtetin.
Shqetësimi im për Dajtin që digjet, në këto halle që kalon Shqipëria, duket diçka qesharake, duket një çikërrimë. Edhe ai që e dogji, nuk ëshët çudi që ta ketë konsideruar si një çikërrimë atë që po bën. Sa halle ka vendi...
Po prit pak, çfarë hallesh ka vendi? Fundja, nga se vuan Shqipëria? Nuk vuan nga ndonjë luftë civile a fetare, e as nga murtaja. Ne nuk jemi zonë që mund të na na shkatërrojnë tërmetet a cunamet, nuk jemi as në Sahara që të vuajmë nga thatësira. Po atëherë, çfarë ka shkuar keq me këtë vendin tonë? Nga se vuajmë ne, realisht?

Ne vuajmë nga një kompleksitet “çikërrimash” të tilla. Vuajtja jonë vjen nga ky njeri i vetëm, që së bashkë me shumë të tjerë si puna e tij, me arrogancën e papërgjegjshmërinë e tyre i kanë vënë e ia vënë flakën përditë Shqipërisë - Shqipërisë fizike dhe Shqipërisë morale.

Ata janë si fëmijë arrogantë, të papjekur për të përballuar përgjegjësitë e demokracisë e të lirisë. Dhe si fëmijët, nuk janë as të lirë, as qytetarë e as demokratë.
Më kujtojnë 92-shin, kur ca fëmijë më të rritur e më gangsterë u fiknin cigaren në ballë ca fëmijëve më të vegjël e më të urtë.

Fëmijët

Më kujtohen periudha e një ish-Kryeministri që nuk vinte thuajse kurrë në zyrë se kish ndenjur deri vonë kazinove e buzuqeve. Dhe tani dëgjoj zëra rrotull që e vlerësojnë si nga në të mirët që paskemi pasur!
Shqipëria ka kohë që funksionon me modele të ngjashme papërgjegjshmërie përzier me arrogancën e atij që ka qoftë dhe një gjë të vogël në dorë, ja, sa të hedhë në erë një shtyllë tensioni të lartë!

Fakti që ne jemi ende demokraci në shpërgënj ka të bëjë pikërisht me sjelljen e këtyre individëve të shoqërisë sonë. Individë të mbetur fëmijë të parritur që s’marrin dot përgjegjësi ose i abuzojnë ato.

Arroganca, papërgjegjshmëria, egoizmi për lodrën e vet dhe për vëmendje, janë elementët e lodhshëm te fëmijët e vegjël. Shqipëria ka plot burra, jo rrallë edhe të veshur me pushtet, që vazhdojnë të sillen si fëmijë ose si adoleshentë. Kushdo që ka pak pushtet, qoftë edhe mbi një çakmak, e përdor në mënyrë të dhunshme e të papërgjegjshme.
Kjo është arroganca e atij që djeg. E kultivuar nga media, nga shkolla, nga prindi, nga sistemi. Në çdo element të marrëdhënieve kultivohet arroganca dhe mungesa e respektit ndaj tjetrit dhe e asaj që është edhe e tjetrit. Njerëz që të shtypin me këmbë kot, se ashtu u do qejfi.
Të tëra marrëdhëniet tona jnë të lidhura me këto fije.
Si një fëmijë hamarrës, kalama-qytetari shqiptar që dogji Dajtin, që atij i kanë bërë, ai ia bën pyllit (!).
Ai që e dogji, nuk preferon ta mendojë që Dajti është dhe i yni përveçse i tiji.

Vox Pop

Një njeri i vetëm këto ditë në Dajt, na ka përdhunuar të tërëve. Na ka djegur një pyll, pa ia bërë syri tërrt. Ne nuk jemi të tërë ashtu. Jam i bindur, që të paktën 90% e popullsisë do thonin që është shumë gabim djegia e Dajtit. Disa, e besojnë vërtet. Disa e thonë se ashtu duhet folur në TV, por nuk u bëhet vonë.

Por, kjo nuk zgjidh asgjë. Shoqëria jonë jo vetëm nuk është në gjendje t’i imponohet atij zjarrvënësi trupeshk, por, e ka ndarë mendjen se nuk ke çfarë i bën.
Ne jemi nënshtruar ndaj individëve që përdhunojnë botën rrotull nesh. Ne na ka humbur respekti ndaj vetes. Ne jemi bindur që jemi hiçër. Që jemi pak. Që jemi askush. Që s’na pjerdh njeri. Që s’ka ç’na duhet. Ne na kanë lodhur. Duan të na mbajnë të lodhur. Ezel natë e ditë.
Ne na e kanë devijuar vëmendjen, siç hutojnë një fëmijë.
Në 92-shin kam parë fëmijë që i fiknin cigaren në ballë një tjetri. Ne, 90%-shi i Vox Popit, jemi ai fëmija tjetër.

Shqipëria paska pasur një pafundësi njerëzish të tillë, që sillen si fëmijë kapriçiozë me jetën, pronën, dinjitetin dhe gjërat e të tjerëve. Ata sillen si fëmija që vrau një peshk në Suedi.

Peshku nordik dhe fëmija shqiptar

Mund të ketë qenë Suedi, ose një vend tjetër nordik, nuk më kujtohet, ku një artist vendosi të paraqesë në një galeri arti një instalacion: një peshk në një akuarium. Brenda akuariumit, një mikser i lidhur me një buton të kuq që po të shtypej mund ta kthente peshkun në supë.
Vizitorët, kalonin para peshkut, dhe nuk e shtypnin butonin e kuq, edhe pse askush nuk do të mund ti akuzonte se kishin bërë krim. Thjesht, përgjegjshmëria e tyre nuk ua lejonte ta vrisnin një peshk edhe pse butoni i kuq ishte fare i arritshëm. Shumë prej jush e kanë patur mundësinë tia vënë flakën Dajtit e kujtdo pylli, por nuk e kanë bërë.

Eksperimenti nordik, megjithatë dështoi. Një fëmijë i vogël, shkoi dhe e shtypi butonin. Kritikat ndaj muzeut dhe artistit ishin të mëdha, shoqëria nordike u shqetësua: si mund të vesh një buton të kuq që vret një peshk aty ku ka dhe fëmijë??

Imagjinoni zjarrvënësin e Dajtit para një butoni të kuq. A thua do i dhimbset peshku i kuq?
Shqipëria jonë është e tëra me butona të kuq. Dhe rradha e burrave e grave që duan ti shtypin të parët, është pa fund.

Kepi i Rodonit

Shqipëria nuk ka vetëm zjarrvënës. Një grup të rinjsh po përpëlitet që të organizojë pastrimin e Kepit të Rodonit – kepi i vetëm i atdheut. Nëse doni të dini se çfarë po i bëjmë ne këtij vendi, mjafton të shkoni te kepi i Rodonit për të parë sasinë e mbeturinave që sjellin lumenjtë e atdheut e mblidhen atje.

Këtu ka Ministri Mjedisi, por askush, as punonjësit e vet nuk besoj se e marrin seriozisht.
Këtu janë hedhur miliona për mjedisin nga të huajt, e ja ku jemi, në zgrip të shkatërrimit pa kthim të ambientit.

Grupi i të rinjve po tenton që me paratë e veta të shkojë atje e ta pastrojë Kepin, madje shpreson dhe të bindë katundarët që pastrimi i Kepit mund të kthehet në përfitim financiar për ta. Ata duan të bëjnë atë që do duhej të ishte politikë e shtetit.
Kur i shoh tek përpiqen të ndryshojnë diçka për mirë, pyes veten, si është e mundur që ata dhe krejt zjarrvënësit e Shqipërisë jetojnë në të njëjtin vend, por vite dritë larg? Njëri i vë zjarrin pyllit pranë të cilit ndoshta banon dhe vetë, ndërsa tjetri shkon të pastrojë me paratë e veta një vend ku ndoshta nuk ka qenë kurrë? Jetojmë në të njëjtën vend me zjarrvënësit. Mund të kemi bërë dhe shkollën bashkë. Mund të jemi në një lagje.
Ende ka shpresë.
Edhe pse, sistemi ynë shoqëror (shkolla, familja, media, e deri dhe shembujt e liderëve të shtetit) inkurajon delet e zeza dhe jo të bardhat.

100 vjet zjarre

Tek libri “Evolution” i Stephen Baxter, personazhi Jana, një hominid që jetonte 51mijë vjet më parë, i vë zjarrin pyllit tropikal për të kapur një zog. Që në fëmijërinë e evolucionit njeriu e ka shkatërruar botën me papërgjegjshmërinë e vet. Me zjarr në dorë. Ekuilibret e ekosistemit, ka kohë që janë vënë në pikëpyetje, dhe fundi ynë, i njerëzimit them, mund të mos jetë shumë larg. Njësoj si banorët e Ishullit të Pashkëve që prenë tërë pyjet derisa u shuan dhe vetë, kur nuk kishin më drurë për të bërë varka peshkimi.
Natën, 2 vatrat e mëdha të zjarrit në Dajt ngjajnë si meteorë. Sa keq që nuk kanë rastisur në nëntor. Ato janë fishekzjarret e vërteta të 100 vjetorit të Pavarësisë.

Thursday, August 9, 2012

KOZMIKOMIKET: Standartet e Një Femre të Pirë

Botuar te Revista Klan, 4 gusht 2012

Për aq sa kam lexuar, një nga arsyet kryesore pse një femër pi në club është që të ulë standartet. Më duket logjikë e qëndrueshme, që, një femër e cila ka disa standarte në përzgjedhjen e partnerit, nganjëherë, nën stresin kur nuk gjen dot një partner në përputhje me to, të pijë që ta ‘ulë ca stekën’. Ajo pi, vigjilenca bie, meshkujt që jashtë club-it ajo s’do ua hidhte sytë nën efektet e alkoolit nisin të bëhen tërheqës, ajo mund të shkojë me njërin prej tyre këtë natë. Sa më pak alternativa të mira vërdallë, sa më vonë të vijë një mashkull i mirë për të, aq më shumë pi ajo. Ka raste, kur sado të pijë e sado t’i ulë standartet, asnjë partner nuk vjen. Sepse, edhe meshkujt e papërshtatshëm mund të mos intrigohen nga një femër e bërë llucë.

Si kjo femër, jemi ne. Në të tëra fushat: në aspiratat e demokracisë, të fjalës së lirë, të shtetformimit, të artit, arsimit e shëndetësisë, të sigurisë së biznesit e të jetës, të rritjes së fëmijëve e të bashkëjetesës qytetare, ne i kemi ulur standartet, madje edhe pa pirë fare. Personazhi i Chris Rock në një film thotë: “Prej plumbave në lagje, u detyrova të ulem në dysheme. Përfundova të ha në dysheme, të fle në dysheme, të shoh TV në dysheme. Mësova të ec vetëm kur isha 10 vjeç”. Ne, i kemi ulur standartet pikërisht në dysheme. Ne, jetojmë në të njëjtin lartësi me qenin. E vetmja gjë që shohim, është hunda e qenit. Kjo ulje e standarteve - që shumë vetë e përligjin (dhe jo pa të drejtë) me dhjetëra argumente - më duket një kompromis i padrejtë, i pandershëm, i pazoti dhe mbi të gjitha, një kompromis pa të ardhme.

5tandartet e Shqipërisë

“Shqipëria, një Zvicër me det” nuk është një standart. Është një shaka. Shqipërinë nuk e bën Zvicër mali e as deti. Male ka dhe Azerbajxhani, det ka edhe Somalia. Të dyja shtete jo dhe aq për t’u pasur zili.

Shqipëria mund të ishte Zvicër vetëm nëse shqiptarët do të mësojnë të jetojnë e të punojnë si zviceranë: qytetarët të votojnë për çdo vendim të qeverisë rajonale me anë të plebishitit; shoferët që të dhunojnë në autostradë duke të qëndruar nga pas për presion shumë më afër se ç’e lejon rregullorja, fotografohen e gjobiten rëndë; çdo qytetar preferon të blejë mallra në kantonin e vet e jo në Gjermani ku mund të jenë më lirë, për të ndihmuar ekonominë e kantonit...

Nuk dua të merrem me frazën në vetvete, se jam i bindur se Kryeministri e ka thënë sa për të argëtuar publikun (s’ka ilaç më të mirë kundër urisë sesa humori). Besoj se nuk ka politikan në Shqipëri që nuk qesh me këtë ide. Të gjithë besojnë se ne nuk do jemi kurrë Zvicër.

Duke pranuar që ne nuk do jemi kurrë Zvicër (lexo: të jetojmë si zviceranë, me rregulla, paqë e begati) ne kemi pranuar që jemi njerëz me standart më të ulët. Pra, jemi më pak njerëz se ata. Më pak të civilizuar se ata. Nuk meritojmë, nuk dimë, nuk duam të bëjmë atë që bëjnë ata. As të jetojmë si ata.

5tandartet e shtetit

50 metra para postbllokut të policisë rrugore te Zogu i Zi ka shkelës të pafundëm: makina që ecin me 100 kur tabela shënon 30km/orë, që nuk respektojnë vijat e bardha, që parakalojnë në mënyra të gabuara, ose që ecin dhe si kamikazë. Pjesa më e madhe prej tyre, jo në Zvicër, por as në Kroaci nuk do lejohej të drejtonin makinë për shumë vjet. Te Zogu i Zi, si gjithandej, ata i japin kështu nën hundën e policit. Polici vetë, i ka ulur standartet, shqetësohet vetëm kur kalojnë makinat qeveritare që t’u garantojë rrugë të lirë, e të vërë ca gjoba për xhepin e vet. Polici i ka ulur standartet, sepse shefi i tij është emëruar jashtë standarteve, sepse ai vetë ose kolegët e tij janë futur në punë e mund të nxirren pa punë jashtë standarteve, sepse rroga e tij është jashtë standartit, vota e tij është jashtë standartit, dinjiteti i tij dhe uniforma e tij nuk kanë asnjë standart, dhe fundja, zbatimi i ligjit nuk është i domosdoshëm me standart. Kështu funksionon krejt shteti e shoqëria jonë, në çdo fushë.

Përballë kemi hundën e qenit.

5tandartet e qenit

Duke i ulur standartet, politikanët justifikojnë veten pse ky vend i qeverisur prej tyre është më shumë Somali se Zvicër, ndërkohë që ulin qëllimisht pritshmëritë e publikut ndaj tyre. Ata janë të pazotë ta bëjnë këtë vend, por, duke menduar e punuar me moton reale “ne nuk bëhemi kurrë Zvicër” (lexo: ne nuk mund të jetojmë e punojmë kurrë si zviceranë) kanë legalizuar ekzistencën e qytetarit të klasit të dytë. Atij që jeton mbi dysheme, hundë më hundë me qenin.

Për një qytetar që jeton në dysheme, ata legjitimojnë nivelin banal sesi bëjnë politikë, që projektet e tyre s’kanë pse të jenë serioze, që sjellja e tyre s’ka pse të jetë njerëzore, që pushteti e tyre s’ka pse mos jetë e korruptuar, që TV-të e gazetarët e tyre lehin, në vend që të informojnë –standart i informimit për qenin...Kështu, vota e një qytetari që jeton në dysheme, fundja, s’ka as pse numërohet.

Politikë e qelbur, e ndyrë plot me malokë. Nga ana tjetër, legjislacioni që ne kemi adoptuar, demokracia që pretendojmë të kemi si formë organizimi politik, janë sisteme të bëra për “zviceranët”. Janë sisteme, për të jetuar e punuar si njerëz (lexo: si zviceranë). Në rastin tonë, ato po aplikohen në qenie të një niveli më poshtë, prandaj standartet dalin të deformuara. Aty ku standartet deformohet, krijohen zbrazëtira që të “fortët” i mbushin me standartet e tyre. Prandaj, ky vend ka vetëm 1 standart real, standartin e më të fortit.

5tandartet e Tiranës

Më kujtohet në një intervistë të shumë viteve më parë, Edi Rama, atëherë kryebashkiak në mandatin e parë të lumtur ose ndoshta në mandatin e dytë, deri diku të lumtur, shprehej pak a shumë kështu “Tirana nuk mund të bëhet kurrë si Parisi”. Tirana nuk mund të jetë kurrë Parisi, por, dhe Viena s’mund të jetë Parisi, as Lucerna nuk mund të jetë Parisi, as Stokholmi s’mund të jetë Parisi. Ama, të tëra këto janë qytete të jetueshme. Si Parisi. Ne mund ta bënim Tiranën e re të pas 90-ës vend bashkëjetese qytetare, si Parisi, me arkitekturë si Amsterdami, ekologjik si Stokholmi, të paqtë si Lucerna. Mund... por ja që ata që mund ta kishin bërë, i ulën ca standartet.

Ne nuk mund të kompjojmë qytete, por, mund të ndërtojmë atmosferë si e tyrja. Po të jetonim Tiranën si zviceranë, Tirana që shohim nuk do i ngjante Mumbait. Paratë e hedhura në Tiranë në këto 20 vjet mund të kishin ndërtuar një qytet jo kopje, por të përafërt në cilësi jetese me Pariset e botës. Siç i ka Kroacia. Pse nuk e kemi kërkuar me forcë këtë? Sepse, standarti ynë i protestës...

5tandartet e politikës

Standartet e politikës janë reduktuar në 1 ofertë të vetme: voto mua që të ikë ai që është në pushtet. Votuesi tashmë nuk kërkon më shumë nga opozitat. As ato, nuk ofrojnë më shumë. Rotacioni i pushteteve ka qenë vetëm rotacion hajdutësh e abuzuesish me pushtetin. Unë besoj se në të tëra standartet, jemi më keq se në 92-shin, por, kjo na duket tashmë normale. E kemi ‘ulur stekën’. Kemi qenë më europianë në 92-shin sesa sot. Atëherë, besonim se e meritonim Europën, sepse jemi europianë. Sot, e duam Europën për t’i ikur Shqipërisë, por nuk besojmë më se jemi europianë.

Prej dhjetëra vitesh, na kanë bindur që nuk jemi e nuk meritojmë aq sa një hollandez.

5tandartet e Sundancës

Ish shtangistët shqiptarë trajtohen si mbretër në Greqi, kampionët tanë trajtohen me standartet e qenit. Në një festival dokumentarësh, ndërsa po kritikoja prurjet, dikush tha, “Mos kërko standart si për Sundance”. Ule pra stekën!! Kur, arti ynë nuk i kalon dot kufinjtë se nuk e qas bota me këto standarte. Duke ulur standartet, ne ushqehemi me gjasme-art. Shohim gjasme-TV. Shijojmë gjasme-muzikë.

Shikoni Olimpiadën. Nuk jemi kompetitivë asgjëkundi. Veç Kryeministrit...edhe pse kam një frikë që atë e gënjejnë për orët që ka qëndruar në ujë. E gënjejnë ata që ia matin kohën jashtë. Çështje standartesh mbi të vërtetën.

5-at

Siç mund ta keni vënë re, në mestituj, kam zëvendësuar ‘S’-të me ‘5-at’. Kjo nuk ka lidhje me çfarë po shkruhet, e shkrimi nuk bëhet i freskët me të tilla gjetje të lodhura. Shkatërron edhe gjuhën. Po ashtu, futa pa lidhje frazën “politika e qelbur, e ndyrë plot me malokë”. Siç e shihni, kemi ulur edhe standartin e gjuhës, edhe të etikës. E nuk na bën më përshtypje. Një shkrim që ka një frazë të tillë, nuk e meriton të lexohet. Nëse keni arritur deri këtu, më vjen keq. Unë, nuk do e kisha lexuar këtë shkrim që përdor këtë gjuhë.

Ajo që unë po përpiqem të bëj për veten time, me aq sa mundem, është që të mos i ul standartet që pres nga shteti, nga administrata, nga politika, nga arti, nga vetja e nga të tjerët. Me kokëfortësi, dua që të mendoj, jetoj e punoj si një zviceran. Nuk dua të krahasohem me hundën e qenit, por me Sundancën. Po të bëhemi shumë, mund ta ringremë stekën. Mbase jo tek zviceranët, por të paktën tek kroatët. Femrat, mund t’i ulin standartet duke pirë në club, me shpresën që fundja do të çiftohen, qoftë dhe me një mashkull nën pritshmëritë e saj. Por shumica e tyre, siç thuhet, të nesërmen pendohet.