Botuar të SHtunën, 18 gusht 2012, te Revista Klan
Dajti po digjet. Në 2 netët më të ftohta të verës, njërit nga shpatet e Dajtit iu vu zjarri që vazhdon e digjet ndërsa unë shkruaj, po digjet mes indiferencës së shtetit, qytetarëve dhe medias. Me sa duket, janë të tërë në Dhërmi.
Ky zjarr, që jo me doemos është më fatali për pyjet e vendit, më ka dhimbtur shumë. Më duket sikur më fikin një cigare në ballë. Jo thjesht për dëmin ekologjik. Ne jemi aq injorantë e të paditur sa nuk jemi në gjendje të kuptojmë e vlerësojmë pasojat që do japë djegia e pyjeve tona pas 100 a 1000 vitesh. Sot na habisin pse shpatet tona të maleve janë të zhveshura e të shkreta, kur sa kalon kufirin malet e “atyre” janë plot pyje. Para 100 vitesh, mund të mos ketë qenë kështu.
Më shumë se ekologjia, më shqetëson fakti që një njeri i vetëm, mund të na vërë flakën kaq kollaj.
Atë zjarr në Dajt e ka vënë 1 njeri i vetëm: një katundar moskokëçarës, një skorpions narkoman, një kryetar komune, ose dhe një njeri fare i rastësishëm. Ashtu sikurse flakën, Shqipërisë mund t’ia vërë një Kryeministër, një ministër, një Sude, apo i forti i lagjes.
Këta nuk janë njerëz me probleme psikike, janë njerëz si ne.
Ky është njeri fare i zakonshëm që nuk e ka për gjë të hapë një digë e të përmbytë një qytet, të hedhë në erë me tritol një hidrocentral, të shpërthejë një linjë që mund të lërë pa drita një krahinë, apo të djegë një pyll.
Një njeri i vetëm
Ka dy ditë që gërryej veten për atë që i ka vënë flakën Dajtit. Siç e thashë, nuk bëhet fjalë për njerëz me probleme psikike. Bëhet fjalë për njerëz normalë, që kanë të drejtë të votojnë, të martohen e të riprodhohen, të drejtojnë familje, komuna, biznese, dikastere e madje dhe shtetin.
Shqetësimi im për Dajtin që digjet, në këto halle që kalon Shqipëria, duket diçka qesharake, duket një çikërrimë. Edhe ai që e dogji, nuk ëshët çudi që ta ketë konsideruar si një çikërrimë atë që po bën. Sa halle ka vendi...
Po prit pak, çfarë hallesh ka vendi? Fundja, nga se vuan Shqipëria? Nuk vuan nga ndonjë luftë civile a fetare, e as nga murtaja. Ne nuk jemi zonë që mund të na na shkatërrojnë tërmetet a cunamet, nuk jemi as në Sahara që të vuajmë nga thatësira. Po atëherë, çfarë ka shkuar keq me këtë vendin tonë? Nga se vuajmë ne, realisht?
Ne vuajmë nga një kompleksitet “çikërrimash” të tilla. Vuajtja jonë vjen nga ky njeri i vetëm, që së bashkë me shumë të tjerë si puna e tij, me arrogancën e papërgjegjshmërinë e tyre i kanë vënë e ia vënë flakën përditë Shqipërisë - Shqipërisë fizike dhe Shqipërisë morale.
Ata janë si fëmijë arrogantë, të papjekur për të përballuar përgjegjësitë e demokracisë e të lirisë. Dhe si fëmijët, nuk janë as të lirë, as qytetarë e as demokratë.
Më kujtojnë 92-shin, kur ca fëmijë më të rritur e më gangsterë u fiknin cigaren në ballë ca fëmijëve më të vegjël e më të urtë.
Fëmijët
Më kujtohen periudha e një ish-Kryeministri që nuk vinte thuajse kurrë në zyrë se kish ndenjur deri vonë kazinove e buzuqeve. Dhe tani dëgjoj zëra rrotull që e vlerësojnë si nga në të mirët që paskemi pasur!
Shqipëria ka kohë që funksionon me modele të ngjashme papërgjegjshmërie përzier me arrogancën e atij që ka qoftë dhe një gjë të vogël në dorë, ja, sa të hedhë në erë një shtyllë tensioni të lartë!
Fakti që ne jemi ende demokraci në shpërgënj ka të bëjë pikërisht me sjelljen e këtyre individëve të shoqërisë sonë. Individë të mbetur fëmijë të parritur që s’marrin dot përgjegjësi ose i abuzojnë ato.
Arroganca, papërgjegjshmëria, egoizmi për lodrën e vet dhe për vëmendje, janë elementët e lodhshëm te fëmijët e vegjël. Shqipëria ka plot burra, jo rrallë edhe të veshur me pushtet, që vazhdojnë të sillen si fëmijë ose si adoleshentë. Kushdo që ka pak pushtet, qoftë edhe mbi një çakmak, e përdor në mënyrë të dhunshme e të papërgjegjshme.
Kjo është arroganca e atij që djeg. E kultivuar nga media, nga shkolla, nga prindi, nga sistemi. Në çdo element të marrëdhënieve kultivohet arroganca dhe mungesa e respektit ndaj tjetrit dhe e asaj që është edhe e tjetrit. Njerëz që të shtypin me këmbë kot, se ashtu u do qejfi.
Të tëra marrëdhëniet tona jnë të lidhura me këto fije.
Si një fëmijë hamarrës, kalama-qytetari shqiptar që dogji Dajtin, që atij i kanë bërë, ai ia bën pyllit (!).
Ai që e dogji, nuk preferon ta mendojë që Dajti është dhe i yni përveçse i tiji.
Vox Pop
Një njeri i vetëm këto ditë në Dajt, na ka përdhunuar të tërëve. Na ka djegur një pyll, pa ia bërë syri tërrt. Ne nuk jemi të tërë ashtu. Jam i bindur, që të paktën 90% e popullsisë do thonin që është shumë gabim djegia e Dajtit. Disa, e besojnë vërtet. Disa e thonë se ashtu duhet folur në TV, por nuk u bëhet vonë.
Por, kjo nuk zgjidh asgjë. Shoqëria jonë jo vetëm nuk është në gjendje t’i imponohet atij zjarrvënësi trupeshk, por, e ka ndarë mendjen se nuk ke çfarë i bën.
Ne jemi nënshtruar ndaj individëve që përdhunojnë botën rrotull nesh. Ne na ka humbur respekti ndaj vetes. Ne jemi bindur që jemi hiçër. Që jemi pak. Që jemi askush. Që s’na pjerdh njeri. Që s’ka ç’na duhet. Ne na kanë lodhur. Duan të na mbajnë të lodhur. Ezel natë e ditë.
Ne na e kanë devijuar vëmendjen, siç hutojnë një fëmijë.
Në 92-shin kam parë fëmijë që i fiknin cigaren në ballë një tjetri. Ne, 90%-shi i Vox Popit, jemi ai fëmija tjetër.
Shqipëria paska pasur një pafundësi njerëzish të tillë, që sillen si fëmijë kapriçiozë me jetën, pronën, dinjitetin dhe gjërat e të tjerëve. Ata sillen si fëmija që vrau një peshk në Suedi.
Peshku nordik dhe fëmija shqiptar
Mund të ketë qenë Suedi, ose një vend tjetër nordik, nuk më kujtohet, ku një artist vendosi të paraqesë në një galeri arti një instalacion: një peshk në një akuarium. Brenda akuariumit, një mikser i lidhur me një buton të kuq që po të shtypej mund ta kthente peshkun në supë.
Vizitorët, kalonin para peshkut, dhe nuk e shtypnin butonin e kuq, edhe pse askush nuk do të mund ti akuzonte se kishin bërë krim. Thjesht, përgjegjshmëria e tyre nuk ua lejonte ta vrisnin një peshk edhe pse butoni i kuq ishte fare i arritshëm. Shumë prej jush e kanë patur mundësinë tia vënë flakën Dajtit e kujtdo pylli, por nuk e kanë bërë.
Eksperimenti nordik, megjithatë dështoi. Një fëmijë i vogël, shkoi dhe e shtypi butonin. Kritikat ndaj muzeut dhe artistit ishin të mëdha, shoqëria nordike u shqetësua: si mund të vesh një buton të kuq që vret një peshk aty ku ka dhe fëmijë??
Imagjinoni zjarrvënësin e Dajtit para një butoni të kuq. A thua do i dhimbset peshku i kuq?
Shqipëria jonë është e tëra me butona të kuq. Dhe rradha e burrave e grave që duan ti shtypin të parët, është pa fund.
Kepi i Rodonit
Shqipëria nuk ka vetëm zjarrvënës. Një grup të rinjsh po përpëlitet që të organizojë pastrimin e Kepit të Rodonit – kepi i vetëm i atdheut. Nëse doni të dini se çfarë po i bëjmë ne këtij vendi, mjafton të shkoni te kepi i Rodonit për të parë sasinë e mbeturinave që sjellin lumenjtë e atdheut e mblidhen atje.
Këtu ka Ministri Mjedisi, por askush, as punonjësit e vet nuk besoj se e marrin seriozisht.
Këtu janë hedhur miliona për mjedisin nga të huajt, e ja ku jemi, në zgrip të shkatërrimit pa kthim të ambientit.
Grupi i të rinjve po tenton që me paratë e veta të shkojë atje e ta pastrojë Kepin, madje shpreson dhe të bindë katundarët që pastrimi i Kepit mund të kthehet në përfitim financiar për ta. Ata duan të bëjnë atë që do duhej të ishte politikë e shtetit.
Kur i shoh tek përpiqen të ndryshojnë diçka për mirë, pyes veten, si është e mundur që ata dhe krejt zjarrvënësit e Shqipërisë jetojnë në të njëjtin vend, por vite dritë larg? Njëri i vë zjarrin pyllit pranë të cilit ndoshta banon dhe vetë, ndërsa tjetri shkon të pastrojë me paratë e veta një vend ku ndoshta nuk ka qenë kurrë? Jetojmë në të njëjtën vend me zjarrvënësit. Mund të kemi bërë dhe shkollën bashkë. Mund të jemi në një lagje.
Ende ka shpresë.
Edhe pse, sistemi ynë shoqëror (shkolla, familja, media, e deri dhe shembujt e liderëve të shtetit) inkurajon delet e zeza dhe jo të bardhat.
100 vjet zjarre
Tek libri “Evolution” i Stephen Baxter, personazhi Jana, një hominid që jetonte 51mijë vjet më parë, i vë zjarrin pyllit tropikal për të kapur një zog. Që në fëmijërinë e evolucionit njeriu e ka shkatërruar botën me papërgjegjshmërinë e vet. Me zjarr në dorë. Ekuilibret e ekosistemit, ka kohë që janë vënë në pikëpyetje, dhe fundi ynë, i njerëzimit them, mund të mos jetë shumë larg. Njësoj si banorët e Ishullit të Pashkëve që prenë tërë pyjet derisa u shuan dhe vetë, kur nuk kishin më drurë për të bërë varka peshkimi.
Natën, 2 vatrat e mëdha të zjarrit në Dajt ngjajnë si meteorë. Sa keq që nuk kanë rastisur në nëntor. Ato janë fishekzjarret e vërteta të 100 vjetorit të Pavarësisë.
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment