botuar te Revista Klan, 1 dhjetor 2012
Nga kopjet, na ndodhi batërdia që po e festojmë 100 vjetorin me flamuj të deformuar e me mutacione. Sepse, dikush i ra fare për shkurt, download-oi foton e parë që gjeti nga Interneti dhe e futi në prodhim në seri. Mund të ketë edhe ndonjë konspiracion të vogël nga pas, ta zëmë një shtet që “nuk na e do të mirën” (në psiqikën tonë kombëtare e kemi edhe këtë koncept, shtete që nuk na e duan të ‘mirën’!), vendosi të tallet ca e ta përdhosë gëzimin tonë... si ata nxënësit që qëllimisht ua japin kopjen gabim të dobtëve. Flamujt mbushën tregun, ballkonet e makinat. Dhe një nxënësi që është mësuar të mbijetojë në shkollë veç me kopje, as nuk di se si, e as nuk e ka mendësinë e të kontrolluarit të asaj që “i falin”.
Biles edhe rrahja e gjoksit me grusht, (më shumë se rudiment) mund të shihet si një kopje e pafajshme nga gorillat. Fundja, ne sa lindim, marrim vesh nga farefisi që “ti je kopja e...” si një element gëzimi. Duket sikur fëmijët që nuk i ngjajnë askujt përbëjnë problem. Kopjet, janë më të sigurta. Fisi qetësohet.
Kopja, Zanafilla
Në filmin “Anija e Ëmbël” të Daniele Vicarit (shfaqur në TIFF 2012), një film që trajton dramën e 20 mijë shqiptarëve që rrëmbyen anijen që transportonte sheqer, “Vlora”, dhe kapërcyen me të detin deri në Bari, ka një skenë që më është shtampuar, për të mos ikur më, në kujtesë. Të mbyllur brenda në stadiumin e Barit, të ‘fortët’ grumbullohen bashkë dhe krijojnë zonën e tyre të influencës. Madje, ata shtien në dorë dhe nja dy vetura, dhe ekipet e TV-ve italiane kanë mundur të xhirojnë sesi ata i përplasin veturat me njëra-tjetrën, me egërsi, duke xhiruar gomat në qendrën e fushës së blertë.
Te kjo sjellje mund të zbulosh shumë tipare të shqiptarit të atyre viteve (që nuk është më larg këtij të sotmit). Bëhet fjalë për njerëz që për herë të parë, ndoshta, hipnin në një veturë. Dhe gjëja e parë që bënë ishte të kopjonin filmat me ndjekje të dhunshme që kishin parë në TV.
Kopja rikthehet
Kopjet janë metodë veprimi jona, e përditshme, paçka pse na hedhin poshtë shi ato vlera që ne i trumbetojmë me të madhe, nderin, zgjuarsinë, pasurinë. Njeriu që kërkon kopje me të tëra mënyrat është në fakt një njeri pa nder. Përveçse vjedh pronën e dikujt tjetër, çka e bën të vobektë me atë që po kërkon (pasuria!), përveçse kopja tregon paaftësinë për t’ia dalë vetë (zgjuarësia!), të lypurit e të jetuarit në kurriz të asaj që kanë bërë të tjerët, është një mënyrë jetese pa nder. Kujtoni fytyrën e atij që ju kërkonte kopje në gjimnaz, kujtoni çdo detaj të fytyrës e të shikimit, për ta kuptuar këtë. S’ju kujtohet asnjë? Epo, dikush ju mban mend.
Kopja e zezë
Në një festival filmi të shkurtër, dikush kish marrë një tregim të Heminguejt e i kish vënë sipër emrin e vet si skenarist. Nuk ishte një përshtatje, ishte një kopje mot à mot nga origjinali, që nuk ishte cituar as si burim frymëzimi. Edhe unë kam ‘kopjuar’ titujt e filmave me Batman, duke i përshtatur si mestitujt të shkrimit. Ne e kemi kthyer kopjen në standard jetese.
Kopjohet logoja dhe monumenti i 100 vjetorit; kopjohen këngë, kopjohen tekste këngësh, kopjohen modelet e flokëve të Rihannës e Gwen Stefanit; kopjohen pps-rat që vinin me emaile e tani postohen në FB; kopjohen qëndrime të moderatorëve të huaj, e deri në mënyrën si mbajnë dosjen a duart, si flasin a si qeshin; kopjohen teza doktorature, masterash e çfarëdo lloj pune tjetër shkollore e akademike; kopjohen programe partish, ide elektorale e deri edhe tag line fushatash; kopjohen logo televizionesh e skenografi emisionesh; kopjohen skenarë të pamiratuar e të varrosur në sirtarë por që më pas miratohen; kopjohen deri dhe piktura; kopjohen festat e huaja... kopjohet deri edhe mënyra si bëhet qejf!
Dhe pas tërë kësaj, kopja nuk është më e zezë. Ne nuk mund t’ia pranojmë vetes që standardi ynë është i zi. Vetë jeta jonë kthehet në një kopje, por ne nuk na bëhet MË vonë.
Shumë përtuan t’i ndërrojnë flamujt e pasaktë. “Hajt, se punën e bën”.
Kopja për gjithmonë
Komoditeti që të ofron kopja, është global, jo vetëm shqiptar. Ndryshimi qëndron tek mënyra sesi shoqëria e percepton dhe e dënon. Tezat e doktoraturës mund të kopjohen edhe në Gjermani. Por, atje, një ministër apo kryetar parlamenti që zbulohet me tezë të kopjuar e nxjerrin në pension, dhe me turp. Në Fanarin në Breg të Adriatikut nuk guxon as t’ua përmendësh.
Në Fanarin në Breg të Adriatikut, kopjacët shikohen me nderim e respekt, qysh në bankat e shkollës. E kundërta, ata që nuk japin kopje, përbuzen e përqeshen, deri edhe dhunohen nga shokët e klasës. Denigrimi i atij që mëson, që lodhet e që punon për të arritur diçka është krimi më i madh ndaj së ardhmes. Ne po krijojmë gjenerata kopjacësh, që dhe kopjen e marrin me dhunë, ose, tani vonë, me teknologji. Teknologji, e përdorur në mënyrën më negative e kundër-produktive të mundshme. Pa folur për faktin se te ne kopjohet keq. Flamurët me deformime, tregojnë sa të papërgjegjshëm jemi edhe në kopje. Kopjohet edhe me djallëzi - i famshmi kod zgjedhor spanjoll.
Kopja Përgjithmonë
Shqipëria sot nuk i ka mjetet për të kontrolluar kopjen. Nuk ka ligje të plota e as instrumente që të mbrojnë idetë nga kopja. Kopja është shkatërruesi më i madh i asaj që tek ne promovohet më fort si vlerë shoqërore, shoqërisë konkuruese. Në tregun e vlerave nuk hyhet me vlera, por me kopje të vlerave të dikujt tjetër. Kjo përveçse shkatërron elementët konkurues dhe zbeh nevojën e dëshirën për të punuar, për t’u rritur e ecur para, ka dhe një efekt shumë të rëndë ndaj të ardhmes. Zhduk kreativitetin e një populli. Ju mund të mos e vini re, por unë vërej një popull që nuk krijon dot më as art, as vlera, asgjë. Një popull që në botë nuk përfaqësohet dot me asgjë. Krenohemi me Kadarenë e kohës së diktaturës dhe me shkollën tonë (ruse) të baletit, po të asaj kohe. Ndërsa kopjojmë R’n B, hip-hop e turbofolk, në 22 vjet ne nuk kemi ndërtuar dot një muzikë pop shqiptare. As një shkollë filmi. As një festë. Kalamajtë tanë kanë kopjuar “trick or treat” të Halloween-it në “karamel apo tëmerr” (kjo, tha dikush, gjykuar nga shtimi i përdhunimeve nga pleqtë 80 vjeçarë të 12 vjeçareve, e kthen këtë frazë, për tmerr, në një pyetje retorike). Ne nuk kemi krijuar asgjë përveçse një shoqërie të deformuar nga modelet që shohim në TV, një Eurotrash të mirëfilltë, pa asnjë shenjë dalluese. Tani nuk bën dot as një bisedë të hajrit, se të tërë të tregojnë çfarë shkru njëri në FB.
Ne nuk krijojmë dot më.
Në vendin tonë/ kudo valojnë/ flamujt e një melankolie/ të trishtueshme... shkruante Migjeni.
Ringritja e kopjes së zezë
Në një studim të huaj, thuhej që pas disa brezash, ata që do vijnë mund të mos jenë në gjendje të përdorin teknologjinë e shpikur nga brezat e sotëm, sepse njeriu sa vjen e bëhet më pak i pavarur në të menduar. Në kohën e teknologjisë, njeriu gjithnjë e më pak mendon si i pavarur. Ngjajshëm, mund të themi që gjithë këta breza kopjacësh që po krijojmë mund të bëjnë që një ditë, askush të mos ketë nevojë të krijojë më në këtë vend. Është kaq e lehtë të kopjosh.
Liria e të menduarit, që çon në liri kreative, te ne nuk ka ekzistuar që në djep. Krejt fisi mendon atë që mendon trau i shtëpisë. Shkolla jonë shkatërron çdo frymë pavarësie në mendim. Liria e të menduarit, thuajse nuk ekziston as si vlerë shoqërore, aq më pak të promovohet. Jemi thjesht një shoqëri kopjacësh e drejtuar nga kopjacë.
Ne nuk krijojmë dot më, dhe ky do jetë fundi i shoqërisë si e tillë. Do ketë makina, liderë, këngëtarë, celularë, televizorë, por nuk do ketë asgjë të re. Një shoqëri që vetëm konsumon kopje, pa u lodhur. Nuk do ketë as muhabete interesante, do ketë vetëm përsëritje të gjërave të dëgjuara diku tjetër. Si një poezi që e kam lexuar më parë...
Në vendin tonë/ kudo valojnë/ flamujt e një melankolie/ të trishtueshme.../ dhe askush s'mund të thotë/ se këtu rron/ një popull që ndërton/ diçka të re.
Por, fundja kujt i bëhet vonë?
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment